Ismet Nuredini, njeriu që i dha dritë e shkëlqim mendjes dhe shpirtit shqiptar

Shkrime relevante

Ismet Nuredini, njeriu që i dha dritë e shkëlqim mendjes dhe shpirtit shqiptar

Hamzë Morina, Prizren  Njeriu që i dha dritë e shkëlqim mendjes dhe...

Akti moral i një burrshtetasi të përgjegjshëm!

Florim Zeqa Reagimet e opinionit po e dëshmojnë se Bedri Hamza është...

Filozofi i fushës

Pascal Bruckner. Foto: Fronteiras do Pensamento / Wikimedia Commons (cc by-sa...

Shqiptaria nuk gjunjëzohet kurrë, nga Deçani një alarm për Dardaninë e Shqipërinë

Nga Rezart Kalaja SHQIPTARIA NUK GJUNJËZOHET: NGA DEÇANI NJË ALARM PËR KOSOVËN...

Shpërndaj

Hamzë Morina, Prizren 

Njeriu që i dha dritë e shkëlqim mendjes dhe shpirtit shqiptar

(Kujtime dhe rrëfime për kolegun tim, Ismet Nuredini)

Një vizitë Muzeut të masakrës dhe Lapidarit pranë varrezave në vendlindjen e Bajram Currit – Krushë e madhe.

Unë stepem para këtij tmerri një qerek shekulli më vonë. Varret heshtin e në Lapidar mbi varre 64 emra të shkruar në mermer, që dikur kishin adresë, kishin shtëpi, të afërm, fëmijë, kolegë, miq e sot s kanë varr! Ndër të shumtët edhe miku dhe kolegu im i nderuar, Profesori i Historisë Ismet Nuredini, drejtori i atëhershëm i Gjimnazit në Krushë të Madhe, bashkë me kolegun e tij Gëzim Reshitin, e kolegë të tjerë nga Shkolla fillore, Xhelën, Ganiun e dhjetra të tjerë, të cilët dikur i njihja, i takoja, e me disa prej tyre kishim kaluar bashkë në bankat e shkollës së mesme e më vonë edhe si kolegë në kohë të liga. Kisha bashkëpunuar me ta nga afër edhe në vitet e 90 ta duke kaluar sfida të rënda në misionin tonë të shenjtë, në përpjekjen tonë të pandalur për të mbjellur dije e krenari te gjeneratat në Anadrini për ta fisnikëruar këtë tokë martire.

Tash, pas një gjysmë shekulli, para Muzeut të maskrës në Krushë të madhe përballem me kujtimet dhe rrëfimet për ta.

Përballem dhe hiq se kam të lehtë të shkruaj kujtimet dhe rrëfimet e mbetura peng për Ismetin që dikur shëndriste si yll, për ditët e netët që s na ndanin e  na lidhnin fort me idealet e përbashkëta për të mbrojtur arsimin shqip, kokën që po na sulmonte bisha e egër serbe.

Atëbotë kishim vendosur që Arsimin kombëtar ta ruajmë me cdo kusht si sytë e ballit dhe ishim betuar që ta mbronim edhe me kokë, për të dërguar në vend amanetin e brezave që kishin flijuar jetën për te. Kishim vendosur që këtij populli  t i ofrojmë dijen, t ja hapim sytë  e mbyllur nga ideologji e pushtues të shumtë dhe ishim të bindur thellë  se dija ishte  i vetmi adut që gjeneratave do tu trasojë rrugën drejtë lirisë.T i përgadisim të dijnë se kush janë, ku janë e nga duhet të shkojmë, për të zhdaravitur këtë mjegullnajë që patën krijuar rreth nesh pushtues të shumtë me shekuj dhe që ende duan të na mbajnë në gjendje të tillë.

Ishin vite të zgjimit, të krenarisë dhe bashkimit rreth kauzës së madhe për liri e pavarësi. Vite kur kërkohej dije e guxim, vite të papërseritshme të dekadës së fundit të shekullit XX, të shekullit që lamë pas (vitet e 90 ta), vite ku nyja gordiane  kërkonte zgjidhje. Po për ta zgjidhur duhej veprim i pandalur që  kauza për liri të sendërtohet, e kërkohej përpjekja me çdo kusht për ta realizuar amanetin e brezave.

Martirët e heshtur pa varre / Krushë e madhe

Këto pamje i pamë në Muzeun e ndërtuar pranë varrezave të dëshmorëve të Krushës së madhe me mbi 245 të vrarë, të masakruar e të djegur! Pranë tyre:

  • 64 Shenja varresh, e mbi shenja,
  • 64 flamuj!
  • 64 martirë pa varr, pranë Lapidarit në varrezat e dëshmorëve në Krushë,
  • 64 emra të skalitur, por pa varr!
  • 64 Familje që presin me vite, që mbi këto
  • 64 shenjëzime, të vënë nga një trandafil të bardhë!
  • 64 shenja që bërtasin në kupë të qiellit, në varret e zbrazta:

– Ku janë eshtrat tanë?!

Ndër ta edhe Prof. i Historisë së gjimnazit në Krushë të madhe-Ismet Nuredini

64 Shenja me flamuj në Varrezat e dëshmorëve pranë Lapidarit në Krushë të madhe

Dikur, me një pjesë të këtyre djemëve që sot kanë  vetëm emra në Lapidar, e s kanë varre, kishim vepruar dhe ndihmuar që në thellësinë e ndërgjegjes së këtij kombi të ndarë, të binte duke kumbuar ndjeshëm kambana e bashkimit.

Bashkë me ta  ndihmuam që nga errësira e përcarjes të rilindnim kumtin biblik të faljes dhe pajtimit, të udhëhequr  vite më parë nga korifenjtë e intelektit tonë  të ndritur. Këtë zë, si kumt të mirë për falje, pajtim e bashkim e kishte përcjellë kjo rini e zjarrtë e udhëhequr nga Prof. Anton Cetta, Prof. Zekeria Cana, Dom Lush Gjergji … etj., për të çarë rrethimin e egër sllav me idenë e çartë nga filozofia e urtë e njeriut tonë të madh, Ibrahim Rugovës të cilit bota demokratike ja hapi  dyert për ta dëgjuar fjalën e tij, simbolikë e këtij popull liridashës, pasi në fjalët e tij dukej çartë shpirti i tij demokrat. Kjo frymë që kishte lindur për të qarë errësirën drejtë shtigjeve të reja,  në rrugëtimin drejtë përmbysjes së komunizmit bashkë me rënjen e murit të Berlinit.

Bota demokratike tashmë kishte drejtuar sytë këtej dhe ishte mrekulluar nga zëri biblik që buronte thellë nga shpirti  i këtij populli të lashtë, të tokës mëmë, shekujsh e djegur, e përlotur dhe e masakruar nga  armiq të egër e barbarë që kishin mbjellur vetëm urrejtje e përcarje mes nesh, zërin për Liri, Pavarësi e Demokraci .

Profeti Abraham (Ibrahimi) po zgjaste duart dhe nga qielli po zbrisnin engjujt. Shpëtimtari kishte lindur kaherë me urtësi e paqe dhe lëvizja po zgjohej ngadalë e po përhapej vrullshëm në tokat e shqiponjave, të ndara dikur paturpësisht nga fuqitë e vendosjes pa praninë tonë dhe për interesat e veta meskine. Të lënë fillikat vetëm, e jashtë çdo interesimi global.

Po, engjujt po zbrisnin nga qielli. Falja dhe paqja mes nesh ato vite kishte ndodhur, intelekti ynë kishte gjetur zgjidhjen dhe rruga biblike ishte hapur, pritej vetëm marshimi i furishëm drejtë lirisë. Profetët e rinj kishin rilindur dhe shenjëzimet ishin të mbara. Bota po bindej se ky popull i martirizuar është orientuar nga paqja e përhershme për të mundur  përfundimisht demonët e së keqes. Po një gjë dihej mirë se lufta ishte e pa shmangshme dhe martirizimi do të ndodhte.

Takimi me miqtë e hershëm më ngjalli kujtimet e dhimbshme por krenare

Me ish profesorët e Gjimnazit në Krushë të madhe, tani në pension në Muzeun e masakrës(Xhemajl Zeqiri, Fadil Dellova e Qerim Rexhepi)

Derisa dhimbja dhe krenaria kishin rrëmbyer mendjen time, ndjej se jam këtu në  Krushë të madhe pranë Muzeut të masakrës me 64 martirët pa varre. Dhimbshëm po vështroja kolegët e heshtur, të mbetur gjallë kështu si unë pranë emrave të  martirëve të heshtur pa varre.

Krejt kjo po ndodhte derisa po bisedoja me shokët e mi të hershëm, Xhemën, Fadilin, Qerimin… që ishim bërë sy e vesh duke përcjellë programin për nderë të 100 vjetorit të Shkollës shqipe “ Bajram Curri “ në Krushë të madhe që festohej këtë vit.

Derisa në skenë po defilonin nxënës e nxënëse me veshje solemne, njëri prej tyre duke fsharë më tregoi me gisht një vajzë të vogël,

– Është mbesa e Ismetit , – më tha, vajza e djalit të madh të tij, Ibrahimit.

Mu duk se u zgjova nga një ëndërr e keqe që zakonisht më shfaqen kur jam ulur a shtrirë, por gjithmonë zgjuar, dhe u habita. Duke dëgjuar zërin e saj të ëmbël fëmijëror, mu kujtua kolegu im i nderuar Ismeti, që si dikur ngadalë, qetë kur shpurpuriste letra e dokumente të vjetra për të zbuluar historinë e shpirtit të hershëm shqiptar, që të nesërmen t ua interpretonte bindshëm të rinjëve të Gjimnazit në Krushë, Rahovec e Ratkovc. Histori e vjetër, por e vërtetë që dhunshëm e kishin fshehur e zhdukur për të humbur gjurmët dhe kontinuitetin me brezat që po vinin.

Në ato momente më dukej se po dëgjoja sërish Ismetin që po përpiqej të përmbyste gjithë at mashtrim që shkolla sllave na kishte imponuar me kohë. Po diktoja ende si dikur këmbënguljen e tij që të hulumtonte thellë për të ngjallur në shpirtin dhe mbamendjen e këtyre gjeneratave, jo vetëm historinë që ata kishin në librat shkollorë “të lejuar” por edhe tërë historinë e fshehur.

Programi vazhdonte dhe mbesa e tij po deklamonte fjalët e fundit në skenë. Mu shpërfaq tek ajo vajzë shpirti i gjallë dhe zëri kumbues  i Ismetit kur ligjëronte para gjimnazistëve për Dardaninë e hershme e Lidhjen shqiptare të Prizrenit dhe nga përmallimi më mashtroi loti që më rodhi nga sytë e mi të lodhur nga presioni i kokës së mbushur kujtime shpërthyese!

Mbesa e Ismetit (ulur) në programin shkollor me rastin e 100 vjetorit të Shkollës “Bajram Curri” në Krushë të madhe 

Xhemaili që më qëndronte pranë e hetoi dhe këtë moment dhe mu drejtua:

– Mos u dobëso kaq shumë, ky fëmijë është shpirt i gjallë që pas gjysmë shekulli po përtrinë ADN- në tonë e po na ringjallë shpirtin dhe zërin kumbues të Ismetit.

– Është e kotë – tha ai, shpirti nuk tretet, ai përtrihet dhe rilind. Armiqtë tanë i bënë llogaritë keq, menduan se me humbjen e eshtrave të tyre do ta zhdukin këtë popull dhe kujtesën për ta. Po ai rron! Gjaku dhe eshtrat e Ismetit janë përtri sërish në Krushë të madhe bashkë me eshtrat e 64 të zhdukurve dhe dëshmorëve tjerë të rënë për liri, por shpirti i tyre jeton ende në qiell dhe na kundron nga lartë!

Unë u habita për pak dhe mezi dola nga një kllapi e rëndë, por më forcuan fjalët e mikut tim të mirë. Vonë e kuptova se mezi i kisha shpëtuar këtij deliri në këtë moshë. Ngrita kokën dhe pash se në skenë, sërish pas një qerk shekulli po silleshin ngadalë me mjeshtri skenike  pasardhësit e Ismetit, Gëzimit, Xhelës, Ganiut… dhe sa nuk bërtita: Gjaku i arbërit rron!… ate se zhduken as hordhitë romake e errësira byzantine, as çallma andollake e çirilica slave. Ky zë i lirisë do të jetojë përgjithmonë! E vallja me djem e vajza për nderë të Festës së madhe po vazhdonte, vetëm mua mu kishte tulatur mendja. Ishte kujtesa për kolegët dhe dhimbja që më kishte kapluar dhe kisha harruar se pos dhimbjes për humbjen duhet ringjallur edhe dellin e krenarisë për ta. Ka 100 vite që përpëlitemi. Që kur edhe në këto troje kishte filluar dija dhe shkolla, sfidat s kishin pushuar. Edhe kur armiqët menduan se na humbën me gjak e eshtra, shpirti ynë u ngrit si sfingës dhe ende rron.

Pasdite kërkova Ibrahimin, djalin e madh të Ismetit, të cilit ja kujtova ditët kur në oden e tyre bujare edhe ai si çun i vogël përpiqej që të ndjeheshim mirë  dhe na sillte kafe e ujë, një bujari e kultivuar që në fëmijëri. Atëbotë unë e Ismeti gozhdoheshim përmbys mbi letra e dokumente për tu përballur me bishen e egër sllave, për t i shpëtuar këto filiza përgjithmonë nga kjo paranojë e ndyrë.

Gjatë pushimit kujtoja me rend edhe shakatë që bëja me te kur rrëfenim  për emrat e fëmijëvë që kishim sjellë në jetë.

          – Unë kam përjetësuar Ardianët e lashte në emrin e tim bir Ismet, derisa ti paske shkuar edhe më larg, te profeti i hershëm Abraham, – ja filloja shakatë me te.

E ai ma kthente me shpoti e modesti,

          – Jo bre s jam shkuar aq larg, – më thoshte ai, është frymzim te Ibrahimi ynë i sotëm (I. Rugova), që po shëndrit në këtë kohë, dhe të dy ja plasnim gazit.

Derisa evokoja kujtimet, Ibrahimi, djali i Ismetit më dëgjonte, i kujtoheshin ato ditë të fëmijërisë, por kishte kaluar shumë kohë dhe mua nuk më mbante në mend.     – E di, thotë ai, – edhe kur u rrita më flisnin për shokët e babait dhe për ty, por atëherë isha i vogël.

Puna dhe kujdesi për fëmijët Ibrahimit s ja kishin venitur dhimbjen për prindërit. –  Nënën, – thotë ai, e varrosem këto vitet e fundit, ishim të mërzitur po ja dijmë varrin, po hallin e kemi se Babai është pa varr. Do të vdes me brengën që në ditën e dëshmorëve s kisha ku të vë një trandofill të bardhë si bashkëmoshatarët e mij, kur shkonim në varrezat e dëshmorëve, për të nderuar kujtimin e tyre. Po jam krenar kur dëgjoj shokët dhe kolegët e tij kaq me admirim për te. Ndaj dhimbjen me ta, si me ty sot! – më tha Ibrahimi dhe qetas u ndamë, anipse në shpirt na rëndonte dhimbja dhe krenaria për Ismetin dhe 64 martirët pa varr e për të gjithë të masakruarit tjerë në agun e lirisë. 

Bombardimet e NATO kishin filluar, shpresa për lirinë e shumpritur po shtohej, po Kataklizma kishte ndodhur

Nga të dhënat mbi masakrat në Muzeun e masakrës në Krushë të madhe

Unë po hyja në një ëndërr të keqe 

Bombardimet e NATO -s, shqiptarët kudo që gjendeshin, edhe ata në Krushë të madhe i kishin pritur me shpresën se tashmë aleatët kishin filluar një akt praktik të mbrojtjes së një populli nga shfarosja dhe nga masakrimi kolektiv, vetëm pse ishin shqiptarë. Por, një ditë pas bombardimit, Kataklizma kishte ndodhur në Krushë të madhe. Hakmarrja serbe kishte filluar me urdhër të prerë për masakrimin në fshat. Spastrimi etnik po ndodhte dhe po zbatohej një Program i çartë i hartuar nga kancelaritë gjenocidale serbe:

– Zhdukni gjithçka, mashkujt vrisni e të tjerët përzini, të vrarët digjni dhe fshihni gjurmët e krimit. Hapni varre masive pa lënë shenja mbi to, Kufomat digjni, pluhurin e eshtrave hudhni në lumë. Kufomat e mbetura degdisni sa ma larg nga syri vëzhgues! Pra, ishin komanda veprimi të skuadrove të pregatitura për asgjësim të një populli të tërë.

Krusha e madhe dhe Krusha e vogël, po rrafshoheshin me tokë bashkë me fshatrat tjera të Drinisë e mbarë kosovës, atë që linte pa shkatrruar pushka e mortajat e digjte zjarri, shtëpitë i kishin shëndrruar në gërmadha e nën tokë ishin përzier eshtrat. Po ndodhte një kataklizmë!

Krejtë këte e pata marrë vesh kur erdha ta takoja në Durrës vëllaun tim Mustafën që bashkë me gruan e dy djemtë e vegjël, me vajzën time të vogël e djalin tjetër të vëllaut të tretë që kishin disa muaj që  u kishin humbur gjurmët, të humbur pa nam e nishan. Aty atë ditë takova edhe banorë të tjerë nga Kosova si refugjatë, disa prej të cilëve ishin nga Krusha dhe posa më panë, më njohën nga koha kur kishim organizuar mësimin e pavarur shqip. I pyeta pa dashur se ç ka ndodhur në Krushë?!

Njëri mu afrua ngadalë dhe me lot në sy më rrëfeu për maskarën që kishte ndodhur, derisa me gra e fëmijë kishin marrë arratinë për Kukës. E dinte mirë që do të prekesha thellë dhe në fillim hezitoi të më tregonte për kolegët e mi të Gjimnazit, po pas pak shpërtheu:

– E di që e keni dashtë njëri tjetrin dhe keni punuar bashkë, natë e ditë, po edhe Ismetin e kanë vrarë, edhe Gzimin edhe…. dhe fillojë t i fshijë lotët, derisa unë kisha mbetur i hutuar, pranë vëllaut që më qëndronte pranë. Edhe mësuesin Xhelë, mësuesit Gani Nalli ……. dhe derisa po i numronte kolegët e mi të mirë me të cilët kisha kujtime të shumta, po dëneste dhe mua për një moment sa nuk më lëshuan këmbët. Vëllau që po më qëndronte pranë më kapi përdore, më ngushlloi dhe më tërhoqi. Po mua mu terruan sytë dhe s kisha fuqi as ta ngushlloja.

Atë natë në kokën time po rrotulloheshin qindra paramilitarë pranë shtëpive në fshat. Si në filma horror më defilonin njerëzit e urtë e puntorë të Krushës duke kërkuar strehim nëpër podrume e në çatitë e zbrazta, derisa këta vrasës të ktheheshin pas për tu strehuar nga bormbardimet e avionëve të NATO s.

Po përpiqesha ta thërras Ismetin dhe Gzimin dhe ti porosis si dikur që të kishin kujdes, po vazhdimisht një perde më zinte shikimin dhe kontakti me ta errej. Kur u zgjova të nesërmën vëllau me pa me sy të enjtur dhe më këshilloi të qetësohem.

Ai kishte përjetuar gjithçka nga puna në Misionin e OSCE deri te rrugëtimi për në kalvar me trenin që i dërgonte në kufi të Maqedonisë nga i cili në kthim kishin zbritur dhe vrarë profesorin e nderuar Fehmi Agani dhe si duket vrasjet e krimet  ate nuk e shqetsonin më. Fjalët e tijato ditë kur më tregonte për sfidat dhe kur më thoshte se:

          – Në momente kisha frikë se do të mi vrisnin djemtë para syve kur na zbriten nga treni, për të na përcjellur tutje me autobus në kufi me Shqipërinë, se sa për veten as që po merzitesha, – më gumëzhinin ende në vesh.

Derisa natën tjetër po përpiqesha të sjell ndërmend kohën kur me Ismetin planifikonim të sjellim për gjimnazistët planet e reja, dëftesat me shqiponjë, shakatë me Gëzimin, kur na thoshte me shaka:

          – Ti me Ismetin po doni me ba Republikë për dy ditë Kosovën! Mos i jepni kaq zjarr, pushoni pak!

Po Ismeti ulte kokën dhe pa vënë re shakatë e tij vazhdonte:

  • Ti shpërndajmë sot këto që kemi se nesër vijnë librat tjerë e koha nuk pret.

Po ata nuk ishin më mes nesh dhe kjo më trishtonte pa masë, Profesorë e mësimdhënës, mjekë e studentë, fshatarë punëtorë e të rinj, nuk ishin më në jetë.

Nuk dinin se ku i kanë trupat e masakruar. Disa në ikje e sipër kishin hetuar vetëm shenjat e varrazeve masive  përreth fshatit, kufoma të djegura e të masakruar të ngarkuar në kamionë në fshehtësi e shpejtësi për t i fshirë gjurmët e krimit.

Bombardimet e NATO s kishin vazhduar. Derisa po takoja gruan e xhaxhait nga Prizreni në Kampin e refugjatëve në Kukës, erdhi një lajm i mirë:

– Në Prizren janë futur forcat ushtarake gjermane, – tha njëri që kishte dëgjuar lajmet në radio dhe s po priste procedurat e daljes nga kampi i Emirateve të bashkuara, por po kapërcente telat e rrethojes për t u nisur për në Prizren.

Kisha 6 vite pa u kthyer në familje, Vëllaut që kisha ardhë ta takojë i thash se as unë  nuk do të pres e do të futem që nesër në mëngjes në Kosovë dhe ashtu veprova. Ju bashkangjita kolonës së refugjatëve që po ktheheshin nga qytetet shqiptare.

Atë  mëngjes vargu i gjatë  i njerëzve që kishin udhëtuar tërë natën, më riktheu te leximi i librave të shenjtë. Sa shumë shëmbëllente ky kthim me kthimin biblik.

Një kolonë e gjatë që gjarpëronte thellë nga malet, nëpër lugina e deri te kufiri në Morinë. Ushtarët gjermanë kishin vendosur ekipe emergjente para hyrjes në kufirin tashmë të hapur me Kosovën dhe shpërndanin bukë e ujë për njerëzit e lodhur e të rraskapitur, por pak të tillë ndaleshin. Shumica nuk ja vinte veshin kësaj pune. Njerëzit nga kolona kishin lëshuar shiqimin tutje kufirit dhe mezi pritshin tu afroheshin shtëpive të shkrumbuara për tu çmallur pranë themeleve të tyre dhe për ta gëzuar lirinë që po agonte, një mrekulli që po ndodhte!

Mua ende më zinte koka nga kujtimet për humbjen e shokëve dhe kolegëve, për të cilët më kishin rrëfyer dhe për të tjerët, për fatin e të cilëve nuk dija. Rruga ishte e mundimshme. Derisa po kaloja Krushën e vogël, drejtë Krushës së madhe deri në Celinë nuk pashë njeri. Në të djathtë të rrugës nga shtëpitë e djegura ende po dilte tym. Nuk kishte mbetur asnjë kulm mbi shtëpitë, vetëm oxhaqet dalloheshin nga larg e në të majtë të rrugës, tokën e plleshme që dikur e mbulonin zarzavatet dhe drithërat si det, tash e kishin mbuluar barëra të këqija që përdreq ishin rritur aq shumë sa më dukej se po futem në një gjungël të pa kalueshme.

– Ka pasë shumë shira, kësaj pranvere  – më tha shoferi që e njihja nga vitet e 90 ta kur vërejti shqetësimin tim, e toka e punuar mirë dikur tash i ka rritur vetëm këto kaquba me ferra e barnishta të egra.

Këto pamje të trishtueshme në të dyja anët e rrugës  dhe rrëfimet për masakrat në njerëz më futën sërish në një ëndërr të keqe dhe nuk munda të vështrojë tutje derisa u futa në oborrin e shtëpisë sime në fshatin e lindjes ku takova nënën time që se kisha parë ka shumë vite. Më zgjoi nga kjo ëndërr një mall i pashuar. E përqafova gjatë dhe u ula te pragu i shtëpisë së cilës i kishin mbetur vetëm muret, ashtu si të gjitha shtëpive të  fshatit. Njerëzit dukeshin të hutuar dhe më dukej se flisnin përçartë. Secili dëshironte të rrëfente historinë e vet përgjatë këtyre dy viteve të luftës që kishte prodhuar më shumë tmerr e vrasje  se bukë.

Pas dy javë qëndrimi u ktheva sërish në mërgim, të afërmit më pyesnin për dëmtimet, humbjet në njerëz, fshatrat e rrënuara, por unë nuk dija çfarë tu them. Më kishin mbetur në mend vetëm imazhet e trishta të Qarshisë së madhe në Gjakovë të shëndrruara në gëmadhë dhe fshatrave të rrafshuara, por s dija si t ua shpjegojë.

Në fund u detyrova tu them :

– Mos më pyesni kësaj radhe, këto dy javë kam përjetuar një ëndërr të keqe që s di t ua shpjegojë! Njerëzit ndihen të lirë po kanë shumë trauma, ata duhet ta nisin jetën nga fillimi, po ata që kanë mbetur s dijnë nga t ja fillojnë, derisa për ata që s janë më kërkohet një nderim i veçantë e një kujtim i përhershëm! Ata janë vetë LIRIA! 

Rrëfimet për njeriun e urtë

Ismet Nuredini me kolegët e Gjimnazit (i pari në të majtë- ulur)

  • Ismeti ishte shpirt njeriu!

E dija se një ditë më duhej të takohem me të afërmit e ish kolegëve të mi që s janë më. Të afërmit e Ismetit, familjen, kolegët e tij, por kurrë nuk e kisha idenë se çfarë mund tu them. Në një varrim të bashkëshortes së Gjyshit (Fetah Berishës) nga larg diktova Xhevdetin, vëllaun e Ismetit, bujkun e shkëlqyer dhe njeriun shpirtmirë i cili gjithmonë na priste me gëzim kur i mësynim konakut të tij për ta takuar Ismetin dhe për të vazhduar punët e mira për mbarëvajtjen e arsimit. Iu afrova ngadalë  dhe e përshëndeta, s ishim takuar kaherë! I thashë se jam koritur shumë që si kam shkuar në shtëpi për ta ngushlluar për Ismetin, por ai më kuptoi drejtë.

– S kam mujtë me ba ballë! T ju ngushllojë as sot s po kam guxim, – i thashë, ju dhe unë ende presim të na kthehen. Ata janë të zhdukur dhe mund të ndodh gjithçka! E kam pasë shumë të vështirë, sepse e kam dashur shumë atë djalë. Po Xhevdeti u tregua burrë:

– Të gjithë e kemi pasë këtë dilemë! – tha ai, po si duket shpresat se ata janë diku të gjallë janë venitur. Në heshtje jemi pajtuar se ata nuk janë më në këtë botë, por e kemi shumë të rëndë ta pranojmë derisa në fshat varrezat e tyre janë të zbrazta.

– E di vetëm një gjë, – më tha Xhevdeti, që kur je strehuar në Shqipëri me Fetahun, Ismeti të ka përmendur vazhdimisht dhe shpesh u thoshte kolegëve:

– Na ka marrë në qafë ai burrë, i kemi pas punët në vijë e kemi fillu të  çorientohemi. E unë ja ktheja me shaka:

– Hajt bre Bac, se tanë me shkollë jeni dhe s ka met puna veç në një njeri a dy!

– Ah bre baca Lok, – ma kthente ai, – s kanë thanë kot të moshuarit që për një njeri des shpija, për një njeri maron katuni e nahija. Edhe na po punojmë, po ai ja ka pas zanat kësaj pune dhe ofshante.

Xhevdeti më solli ndërmend bisedat që bënim me Ismetin. Ai ishte shumë i kujdesshëm, shpeshherë edhe pse i dinte zgjidhjet më ofrohej ngadalë dhe më pyeste:  – Athua mos do të ishte më mirë ta bënim kështu…. e unë qeshja dhe i tregoja se idetë tuaja janë dhjetëfish më të mira, pse po më pyet? E ai si me pushkë më përgjigjej:

– E di që po i kryejmë mirë, po kam një besim të pakufishëm në ty! S di se si kam krijuar bindjen se po më the që uji shkon përpjetë unë të besojë.

Po, Ismeti ishte profesori që kurrë s ja huqte në zanatin e tij, ishte ndër ata njerëz që si lejonte kurrë vetes të mashtrohej në asgjë. Kur ai fliste në klasë ishte aq bindës sa  nxënësve u dukej se gjithçka po ndodhte ashtu siç ai e shpjegonte. Fjalët e tij posedonin një lloj magjije që lehtë i fuste në rrjetën e dijeve dhe i përvehtësonte ata që ta dëgjonin me vemendje. Po, sepse fjalët e tij kishin kuptim, ishin bindëse sepse njohuritë si shpërndante të shkapërderdhura por i rendiste me një rregull të çuditshëm, pasi për to ishte përgaditur paraprakisht dhe i kishte studiuar mirë. Në zërin e tij hetohej një ngjyrim emocianal që të bënte për vehte. Ligjërimi i tij s ishte i thatë, por me nyanca që të përthekonte lehtë. Hetohej se nxënësit gjithmonë ndiheshin të etur dhe kishin nevojë ta takonin dhe të flisnin për Historinë. Kur vërejta këtë një ditë ju drejtova me një humor të ëmbël:

– Si duket, ti Ismet Historinë e ke shëndrruar në muzikë! Andaj nxënësit po të kërkojnë vazhdimisht. Ai me një buzqeshje të lehtë  më përgjigjej:

– E bëj me vullnet këtë punë, prandaj edhe këta mezi presin të më dëgjojnë, anipse nuk bëj koncert dhe ajo që u them është shumë serioze!

Unë pastaj ja plasja gazit dhe e uroja për sukseset në punë.

Edhe sot kur takohem me profesorët e gjimnazit që janë ende gjallë sa herë përmendim Ismetin, ata e pranojnë se Ai ishte njëri nga ata që ne s ishim. Ata e pranojnë se sjellja e tij, dija dhe kapitali mendor që zotëronte ishte vërtet i habitshëm.

Ky pra ishte Ismet Nuredini, në mes të gjallëve dhe të vdekurve! I gjallë në kujtesën tonë dhe i humbur e pa varr. Sidoqë të jetë Shpirti i tij rron dhe puna e vepra e tij shëndrit mbi nënqiellin e Krushës së madhe të Kosovës bashkë me lirinë! Lavdi! 

Nga Kujtimet e hershme

 Ismet Nuredini në mes me nxënësit e tij

Para viteve të 90 ta nuk njihesha me Ismetin, por kisha dëgjuar nga ish nxënësit e mij që vazhdonin gjimnazin në Ratkovc, se kishin një profesor historie të shkelqyeshëm. Kur vendosëm që arsimin shqip duhet ta shpëtojmë nga kthetrat e histerisë sllave, u morëm vesh që Serbinë duhet ta mundim me dije e guxim. Unë u ktheva në Rahovec dhe Ismetin e kishim në ballë. Profesori i Historisë  nuk donte t ja dinte se çfarë mund të ndodhte, por ishte i bindur se dy duar për një kokë janë, e ajo duhet të mbrohet. Nëse shqiptarët kësaj radhe lëshojnë pe, ligjet e reja serbe do të na zhbëjnë gjuhën, kulturën dhe shkollat.  Ai e dinte mirë se përgaditjet po bëhëshin që të shtohet presioni dhe të reduktohen  shkollat e mesme në Kosovë dhe të ndalej plotësisht ai universitar. E tu hiqen shkollat shqiptarëve don të thotë tu hiqet koka. Ju paramendoni se sa i parëndësishëm është  një vend si Kosova me njeriun pa kokë.

– Një komb pa shkolla është si një njeri pa kokë, – u thoshte Ismeti atëbotë kolegëve. Ismeti kishte ndikim te kolegët e tij dhe ata e njihnin mirë ate, e kishin bindjen se ai do t i qëndrojë me ngulm kësaj thënje dhe fjalëve të tij.

Këto u thoshte Ismeti, kur bashkë kishin filluar t i hulumtonin shtëpitë bujare të krushjanëve për t i vendosur nxënësit e Gjimnazit, pasi pushteti serb i kishte dëbuar nga lokali shkollor me pretekstin se ata nuk kishin pranuar ligjet e Serbisë, ligjet e shtetit dhe u kishte hequr edhe pagat.

Derisa po përpiqeshim të kapërcenim sfidat e mëdha, Ismeti një ditë mu drejtua:

-Kam dëgjuar se Gjimnazi i Prishtinës është organizuar mirë e një pronar zemërbardhë paska lëshuar tërë shtëpinë për shkollë, a ka mundësi të shkojmë ta shofim atë përvojë? Do të na ndihmonte shumë në përpjekjet tona. Unë udhëtoja shpesh në Prishtinë për të mbajtur kontaktet e përjavshme dhe për të lehtësuar bartjen e teksteve e materialit shkollor në formë klandestine, pa u diktuar nga organet e sigurimit dhe policia serbe. E pranova me dëshirë këtë kërkesë të mikut dhe kolegut tim që udhëhiqte Gjimnazin dhe isha i interesuar që kjo punë të shkonte mbarë edhe këtu. E dija se kolegët e Gjimnazit e donin dhe e përkrahnin Ismetin dhe dëshiroja që Gjimnazi në Krushë të madhe të ishte një shembull organizimi në Anadrini.

Cdo udhëtim për në kryeqytet përcillej dhe na duhej që të gjenim kohën dhe të udhëtonim pa paralajmërim. Herë me makinë e herë me autobus dhe të ndrronim taktikë duke i ikur syrit gjurmues të pushtetit lokal (serb) në Rahovec. Rrugës për Prishtinë Ismeti vërejti kujdesin tim dhe më tha:

– Kur do ta bëjmë këtë rrugë pa drojë? A do të vijë një ditë që të ecim lirisht në tokën tonë? Një mëdyshje dhe një fatkeqësi që Ismetit i ndodhi, që këtë rrugë kurr të mos e bënte në liri dhe siç dëshironte. Kur e kujtoj ndjej dhimbje por më mban krenaria se flijimi i tyre  mundësoi që  të gjitha rrugët për në kryeqytet sot të jenë të lira,  ashtu siç i ëndërronte dhe për çka vepronte dikur Ismeti dhe e gjithë gjenerata e tij që atëkohë barti barrën e rëndë të qëndresës deri në flijim.

Posa u ofruam shtëpisë 3 katëshe në Prishtinë, në të majtë të rrugës për Podujevë në lagjen që prishtinasit e quanin Kodra e trimave, Ismeti u mahnit. Me një koleg timin u futëm brenda dhe shtëpia kishte tashmë pamjen e një shkolle moderne, duke filluar nga kati i parë  me sallonin e dikurshëm të shëndrruar në sallë arsimtarësh dhe kujdesi që kishin treguar mësimdhënësit që të dukej se ishin në sallën e tyre të objektit që u kishin uzurpuar me dhunë. E kishin pajisur me mobilje adekuate që shëmbëllente si shkollë e vërtetë. Në katet tjera, dhomat e shtëpisë ishin shëndrruar në klasa dhe jashtë djemtë trima qëndronin përreth saj për të mbrojtur nga çdo ndërhyrje.

Ismeti u mahnit me rregullin që pa. Kjo përvojë do t bi shërbejë që Gjimnazin e Krushës së madhe, edhe kur ishte në odat e malësorëve, edhe kur mësimin e mbanin në lokale shkollore  të mos i mungonte kujdesi institucional dhe zyrtar. Po ashtu krushjanët punëtorë, me ndihmat dhe kujdesin që kishin, i jepnin mundësi Ismetit që ta mbante në gjimnaz një atmosferë shkolle të rregullt me një disiplinë të vetkuptueshme, ku nxënës e prindër respektonin punën e arsimtarëve të tyre të devotshëm, të cilët vullnetarisht ishin deklaruar se arsimin shqip do ta mbanin edhe pa pagesë, nëse është e nevojshme.

Atë ditë të dy të lodhur, por me një elean të ri, u kthyem në shtëpitë tona dhe para ndarjes ai më falenderoi përzemërsisht për mundësinë që ju dha të shof një përvojë të mirë që ushtrohej në qendër të Prishtinës, ku rreziku për ndërhyrje policore ishte më i madh dhe kur dihej se tashmë dëshmorët e parë në mbrojtje të shkollës shqipe në Kosovë kishin rënë – rasti me ndërhyrjen në një fshat të Istogut. Nga Krusha kisha pritje të mëdha, familjet ishin më të pasura sepse ishin shumë puntorë të zellshëm, po edhe bujarë. Asesi nuk do të kishim mund ta bartnim këtë barrë vetëm pa pasë edhe ndihmën e tyre të pakursyer.

Një ditë tjetër, derisa po pregatiteshim për vitin shkollor 1993/94 dhe ishim zotuar se dokumentacioni i rregullt dhe librat e botuara duhet të silleshin në gusht, para se të fillojë mësimi, në shtëpinë e Ismetit me Shabanin, inspektorin e arsimit nga Krusha, e biseduam angazhimin e një të riu nga Krusha e madhe që tregëtonte zarzavate në Prishtinë që me kamionin e tij të kamufluar me kashtë të na barte edhe dokumentacionin shkollor. Kësaj radhe kishim shumë dokumentacion. Kisha marrë obligim që unë të sillja këtë dokumentacion edhe për Komunën e Gjakovës dhe të Malishevës. U propozova që nga krusha të gjenim një ish nxënës të gjimnazit, të cilin e njihnin për guximtar dhe njeri të sakrificës. Nxënësi erdhi dhe kur bisedova me te i thashë:

Dëgjo, kemi një hall për të sjellur dokumentacion shkollor nga Prishtina me kamion, por ka rrezik se mund të na diktojnë dhe mund të të malltretojnë. Po mirremi vesh që nëse ndodh diçka e papritur ti të me referohesh mua dhe mos të bartësh rrezikun mbi vete. Ti e di që librat sot janë të ndaluara nga Serbia, si pushkët! Por djaloshi qeshi, pa hezitim pranoi që të kryejë këtë porosi sipas planit që do t i drejtonim ne. Por, nuk pranoi kërkesën time që të jep emrin tim nëse diçka ndodh. Ai mu drejtua:

– Kjo është fyerje për mua, – tha dhe vazhdoi, – a pak sakrifica po bëni ju mësimdhënësit duke rrezikuar jetën për fëmijët tanë? Po ne a s duhet të sakrifikojmë për ta? Unë, do ta kryejë këtë aksion dhe le të ndodh çfarë të ndodhë! Pas kësaj unë mbeta pa tekst dhe posa djali doli i thash Ismetit se gjeneratat që keni pregaditur po shkëlqejnë. Me sa shof unë, këta jo vetëm që këtë porosi do ta kryejnë me devotshmëri, por nëse vjen koha që ky vend të mbrohet me jetë këta do të jenë në ballë si ushtarë të pregaditur tashmë shpirtërisht për ta mbrojtur! Me këta mund të korrim në çdo kohë fitore. Djaloshi e kreu me sukses këtë aksion, ate e pamë me sy unë dhe Shabani që e kishim përcjellur rrugës tërë kohën nga pas kamionin e ngarkuar.

Të nesërmën, posa hyri në zyrën tonë në shkollën fillore në Rahovec, Ismeti u përshëndet me mua, Shabanin dhe Ymerin e Masarin na përgëzoi për suksesin.

Atij i rrëfeva se ai djalë, ish nxënës i tyre i gjimnazit na shpëtoi duke i rrëfyer  detajisht se si u gjet ky trim dhe i menqur me patrullën policore kur e ndaluan te Mullini i Haxhisë, rastësisht pasi kishim kaluar pikën më të rrezikshme të kontrollit te Rrasa e Rahovecit, në rrugën drejtë fshatit Celinë ku kishim vendosur të deponojmë dokumentacionin, në përkujdesje të kolegut Masar Rexhepit, ish Këshilltar i Entit Pedagogjik. Dy policë, posa e ndalën filluan të  shenjëzojnë me shufra hekuri në brendësi të kamionit dhe i thanë se brenda kashtës ka armë dhe duhet ta zbrazë kamionin. Ai hypi lartë dhe pa hezitim hoqi rendin e parë të duajve të kashtës, duke lënë përshtypje para policëve se s kishte gjë. Kur filloi të hiqte rendin e dytë ju lut që t ja kursenin kohën për të shkuar në fshat për të ngarkuar specat që gjoja sonte do të duhej t i dëgonte në Prishtinë pasi mbrëmja po afrohej. Policët kësaj radhe u lajthiten dhe i thanë se do ta lirojnë  dhe t ja kursejnë kohën nëse ai në kthim për Prishtinë do t ua linte një thes speca të mirë. Kjo gjeturi e shpëtoi djalin që si ndryshoi as pamja e fytyrës dhe as syri tërr si bëri.  E Ismeti na tregoi se kishte pasur gjithmonë besim tek ai edhe kur ishte nxënës si edhe të shumë shokë të tij.

– Ismet këta djem do ta bëjnë edhe luftën, – i thashë dhe se zgjata më tej. Ishte një fshehtësi që vetëm ai e dinte, pasi në Shtabin komunal të mbrojtjes kishim filluar përgaditjet e oficerëve për mbrojtje në rast nevoje. Ai qeshi dhe më rrahu krahun, ishte i vetmi që në këtë pjesë të Anadrinisë e kisha informuar detajisht!

– Me njerëz si ti Ismet dhe nxënës të tillë, të gjitha do t i kapërcejmë! – I thashë pa modesti.

– E veten ku po e len?! Qeshi edhe njëherë dhe u ndamë për të vazhduar punët e suksesshme me te si gjithmonë.

Tash në liri kur bisedojmë për luftën që përjetuam, kur kujtojmë kolegët e rënë aty dhe masakrat e trimëritë, unë u them. Këtë ushtri e kemi pregaditur me kohë në bankat e shkollës. Mos kërkoni se cili nga ne e formuam. Ate e formuan Ismeti me shokë dhe përvoja e gjatë me shkollat. Aty u ngrit vetëdija për lirinë dhe pavarsinë, e lufta ishte akti sublim që i gjeti shpirtërisht të pregaditur dhe e kryen me trimëri dhe ranë si heronj në altarin e lirisë! Ishte edukata atdhetare që ata morën nga armata e shumtë e atyre mësimdhënësve që i pajisen me dashuri dhe dije për Atdheun. Ismeti ishte ndër ta dhe shkëlqeu deri në ditën që u maskrua bashkë me kolegët tjerë.

Ai nuk e përjetoi lirinë e rrugëtimit të lirë në Kosovë. Ai s ka as varr, por shpirti i tij rron, sepse jeton brezi që ai i dha shpirt lirie dhe dritë. Lavdi Ismetit, Gëzimit, Xhelës, Ganiut,…..dhe të gjithë atyre që u flijuan që rrugët  në Kosovë të jenë të lira për të gjithë. Lavdi atyre që patën vizion të çartë politik dhe na siguruan lidhje të mira me aleatët që na shpëtuan nga mortaja sllave.

Ismet Nuredini bashkë me kolegët e Gjimnazit në manifestimet kulturore  

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu