
Nga: Besim Prishtina
Në procesin përfundimtar të leximit dhe shqiptimit të dënimit të zhvilluar kundër 4 liderëve të UÇK-së, vëmendjen ma morën disa pohime akuzuese absurde të gjykatës sikurse:
”UÇK ishte themeluar para fillimit të luftës”!
Gjykata Speciale nuk e ka mandatin të caktojë kur ka filluar lufta në Kosovë. Parlamenti i tashëm dhe parlamentet e kaluara të zgjedhura në mënyre demokratike e kanë mandatin dhe mundësinë të e përcaktojnë se kur ka filluar lufta në Kosovë.
Besoj se në bazë të fakteve historike lufta në Kosovë ka filluar në ditën kur Kosova si pjesë e Shqipërisë u çlirua nga perandoria otomane më 1912, me shpalljen e pavarësisë Shqiptare.
Kosova ishte pjesë e pavarësisë më 1912 por u sulmua nga Sërbia dhe Mali i Zi, dhe lufta 6 vjeçare për okupimin e Kosovës “përfundoi” me 1 dhjetor 1918, kur forcat europiane (ENTANTA) pas përfundimit të luftës botërore e themeluan shtetin Mbretëria SKS, dhe me dhunë e futën Kosovën në SKS (së bashku me kryeqytetin e Kosovës, Shkupin).
Shteti SKS mbijetoi deri me 1941 kur u shpërbë me themelimin e Kroacisë, si dhe me çlirimin e teritoreve të okupuara Shqiptare që u bënë Shqipëri (1941-1945). Jugosllavia u ri-themelue në 1945 me ndihmën e forcave komuniste të BRSS dhe RFPJ, në të cilin shtet me dhunë u futën: Sllovenia, Kroacia, Bosna, Mali i Zi, Maqedonia, dhe Kosova që poashtu me dhunë u bë autonomi në SR (10 korrik 1945).
RSFJ u shpërbë kur njësitë federative patën mundësi demokratike (1991) të vendosin statusin e tyre, dhe u krijuan shtetet: Sllovenia, Kroacia, BeH, Maqedonia, Mali i Zi, dhe Kosova (2008).
Në 2002, RFJ e ndryshoi emrin në SeMZ, dhe u shpërbë me 2005. Në momentin e shpalljes të pavarësisë në 2008, Kosova ishte teritor nën protektorat të NATO-s, dhe e administruar nga UNMIK-u.
Rrjedhimisht Kosova nuk ishte në luftë prej 5 marsit 1998, prej 24 marsit 1999, prej 28 shkurtit 1989, prej 10 korrikut 1945, mirepo ishte në lufte për liri prej vitit 1912 deri në 12 qershor 1999.
UÇK nuk është themeluar para lufte siq pohonte gjykata speciale, por gjatë luftës (1912-1999), sepse Shqiptarët e Kosovës asnjë ditë në periudhën 87 vjeçare s’kanë dashtë të jetojnë të okupuar, por të lirë dhe të pavarur.
Gjykata speciale ka mandatin të caktojë përgjegjësi ligjore ekskluzivisht nga kompetencat që ky ligj i përcakton, dhe s’ka përgjegjësi ndaj asnjë ligji të shtetit i cili 2 here u themelue me dhunë, (1918 dhe 1945) dhe 2 here u shpërbë me vullnetin e banorëve të saj (1941 dhe 1991).
Gjykatësit pohuan se UÇK ka vra edhe njerëz pa uniformë duke paragjykuar se njerëzit civilë nuk janë armiqë të lirisë, ose nuk janë pjesë e forcave terrorizuese.
Shumë civil ishin formalisht civil, por realisht ishin pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë të RFJ që masakronte popullatën. Shteti i RFJ i vrau 6 të rinj të nacionalitetit Sërb në 1998 (rasti PANDA në Pejë), për t’i fajësue Shqiptarët, dhe si pasojë të arsyetohen masakrat e planifikuara ndaj Shqiptarëve. Krimi u krye nga “civilët”.
Shumë vrasje që i atribuohen UÇK-së, besohet se janë bërë nga nga persona “civil” të shtetit RFJ.
Pohimi i Gjykatës Speciale se “UÇK i ka pasë burgjet jo-ligjore” është poashtu trillim perfid politik. Nëse burgu i UÇK-së ka qenë jo-ligjor, atëhere edhe UÇK paska qenë jo-ligjore dhe pjesëtarët e saj paskan kryer vepër jo-ligjore sepse nuk e paskan regjistruar UÇK-në si organizatë çlirimtare, në administratën e shtetit të RFJ, i cili okuponte Kosovën.
Në burgjet e UÇK-së thelbesore është: a ka pasë abuzime apo krime, e jo a ka qenë jo-ligjore.
Nëse burgu cilësohet si jo-ligjor, atëhere, edhe nëse trajtohet një i arrestuar-ndaluar, si në hotel super luksoz, prap është vepër jo-ligjore.
Çfarë pritshmërie paskan pasë gjykatësit e speciales? Që UÇK të ndërtojë burg me standarde të larta, të kërkojë leje ndërtimi nga organet shtetërore okupuese për ndërtim të burgut, dhe pasi të e merr lejen dhe të e ndërton burgun, me ftue komisionin shtetror të RFJ-së me ia dhënë lejen për për përdorim, pas kontrollimit teknik të burgut?
Ose gjykatësit kanë menduar se UÇK-ja duhet të ketë burgun ligjor të ngjajshëm me burgun “ligjor” Dubrava ku u vranë 160 shqiptarë të burgosur politik, të vrarë sipas ligjeve të RFJ? Për këtë krim ”ligjor” ende ska të dënuar, sepse është krim “ligjor”.
Gjykata speciale nuk e ka përmend, as evidentuar, as cilësuar aktin humanitar të UÇK-së, kur në vitin 1998 UÇK-ja i liroi 8 ushtarë të burgosur të RFJ-së, të cilët me ndërmjetësimin ndërkombëtar (William Walker, USA) u liruan. Ky veprim humanitar ishte mirëpritur nga NATO dhe BE.
UÇK-ja ka luftuar për liri dhe për themelimin e shtetit në të cilin shtet do të kishte liri, demokraci dhe zhvillim ekonomik për banorët e të gjitha etnive. Këto qëllime u arritën me luftën e saj, dhe ndihmën epokale, madhështore të Amerikës dhe Britanisë (NATO).
Si rezultat i këtyre të arriturave epike, sot Kosova ka edhe burgje me standarde të larta, të cilat burgje janë pasardhëse të atyre burgjeve që funksiononin gjatë luftës, në kuadër të rrethanave të atëhershme të rënda okupuese.
UÇK ka qenë ushtri çlirimtare dhe legjitime, çë ka funksionuar edhe sipas ligjit natyror të instiktit njerëzor për liri dhe vetëmbrojtje.
UÇK-ja ka vepruar poashtu sipas ligjit të ”aksionit dhe reaksionit” ku në aksion ishte brutaliteti vrastar okupues i RFJ-së, ndërsa reaksion ishte UÇK-ja, e cila bënte përpjekje monumentale “davidiane” për çlirim prej ‘goliatit”.
Duke i kalkuluar rrethanat jashtzakonisht të vështira në Kosovë, mund të konkludohet se UÇK ishte: ndërmarrje legjitime madhëdhështore e kombit Shqiptar në Kosovë për çlirim.
Ndërsa gjykata speciale poshtërsisht e ka cilësue UÇK-në si ndërmarrje kriminele duke u bazuar në fjalorin politik të ish RFJ. Fatkeqësisht ngjajshëm e kanë cilësue UÇK-në edhe disa individ që mentalisht janë: “banorë spiritual” të Sindromit të Stokholmit, e fizikisht janë banorë në KS.
Meqenëse gjykata speciale i dënoi 4 liderët, në emër të shtetit të Kosovës, ndoshta do të ishte një solucion çë Kosova, të e themelojë komision shtetror për vlerësimin e komplet procesit gjyqësor, sepse ligji u keqpërdorë me thyerje ligjore, si dhe devijoi nga qëllimi për të cilin është themeluar, në bazë të intrigave koruptive të një Dick-u monstruoz nga Zvicra.
Gjykata më shumë mirrej me cilësimin e legjitimitetit të UÇK-së se sa me veprimet kriminele eventuale të saj.
Pastaj në bazë të të gjeturave të komisionit, të bëhen rekomandimet për veprime të mëtejshme, deri në ndryshim apo abrogim të ligjit. Sepse ai që e ka miratuar ligjin, ai mundet të e ndryshojë ose abrogojë ligjin.
P.S.
Me stërzgjatjen e procesit gjyqësor u vërtetua arsyeja pse e korruptuara e OKB-së vajtuese, Carla Del Ponte në 2007, kërkonte të shtyhet pavarësia e KS deri të përfundojnë proceset e gjykatave ndërkombtare për krime lufte…
Shtator 2026


