Lidhur me mospjesëmarrjen e Ukshin Hotit në Mbledhjen e 4-të të përgjithshme të LPK-së në Kosovë, në fillim të korrikut 1993
U mendova goxha gjatë që të vendosja të reagoja mbi këtë subjekt, për shkakun e thjeshtë sepse nuk u inicua për qëllime korrekte mbi ndriçimin e së kaluarës sonë, por për nevoja të luftërave joparimore për njollosje e komprometim të palës kundërshtare me çdo çmim. Ndërkaq, duke marrë parasysh kohën kur po dalin në dritë këto debate, duket qartë se janë të instrumentalizuara.
E vërteta është si vijon:
Në fillim korriku 1993 Ukshin Hoti, bashkë me vëllain, Afrimin, dhe me dhëndrin tim të atëhershëm Adnan Gashin, që të tre nga Krusha e madhe, erdhi tek unë në Suharekë para dreke me qëllim që të priste organizatorët e mbledhjes që të na merrnin e të na çonin në vendin e tubimit. Pas pak kohe neve na u bashkua edhe Hysen Gega bashkë me kushëririn tim, Muharremin, ndërsa më vonë nga Prizreni erdhën dhe Bashkim Mazreku me Behajdin Hallaqin. Pritëm me orë të tëra se mos po vinte ndokush, qoftë edhe për të na komunikuar refuzimin apo dështimin e tubimit, mirëpo kot. Ishte një vonesë e pajustifikueshme, e cila, po të kishte qenë e shkurtër, mund edhe të mirëkuptohej, mirëpo duke qenë shumë e gjatë, dukej fyese dhe ngrinte shumë pikëpyetje. Mund ta kuptoj arsyetimin e Ramadan Avdiut se pjesëmarrja kishte dështuar për shkak të mungesës së kapaciteteve për ofrimin e sigurisë së nevojshme për Ukshin Hotin. Mirëpo nga hetimet e mia personale, duke iu referuar sidomos kujtesës dhe burimeve të siguruara nga aktivisti i zellshëm i LPK-së, njëkohësisht miku, bashkëpunëtori dhe fqinji im, Murat Bytyqi, rezulton se arsyet do të kenë qenë pak më ndryshe.
Sipas Muratit, mbledhja ishte planifikuar që të mbahej në Suharekë, te shtëpia e dhëndrit të Xheladin Gashit (Komandant Plakut). Mirëpo në kohën gjersa ishim duke pritur në banesën time, në Prizren kishte pasur ca të shtëna që kishin vënë në lëvizje gjithë shërbimin policor të rrethit. Këto lëvizje kishin vënë në dyshim organizatorët për mundësinë e komprometimit të vendtubimit. Kështu që kishin vendosur që, si datën e mbledhjes, ashtu edhe vendin, t’i ndryshonin. Si rrjedhim, mbledhja do të mbahej pas disa ditësh (apo javësh?) në Prishtinë.
Mirëpo gjatë kohës së pritjes Ukshini nuk i fshehu dyshimet se mos ishte ai vetë shkaktar i anulimit të mbledhjes. Si gjithmonë në të tilla raste ai dyshonte (jo pa të drejtë) se organizimet politike kosovare, të cilitdo orientim politik apo ideologjik qoftë, të djathtë e të majtë, duke mos qenë në lartësinë e profesionalizmit të tij socio-politik, më me qejf do t’i vinin ndërskamca dhe do të evitonin ekspertizat e tij që mbështeteshin në realitet dhe jo në projeksione utopike. Kjo vinte sidomos pas përvojës së tij të hidhur me LDK-në.
Megjithatë, është e njohur thënia ironike “vërtetë mund të jem paranojak, po kjo s’do të thotë se nuk po më përndjekin”.
Edhe në këtë rast “paranoja” e Ukshin Hotit hidhet poshtë me faktin që ai nuk u ftua edhe në mbledhjen përkatëse të shtyrë të LPK-së.
Arsyetimi i Ramadan Avdiut se LPK-së i mungonin kapacitetet për sigurinë fizike të Ukshin Hotit nuk duken bindëse. Kjo për shkak se një organizatë serioze duhej t’i kishte pasur parasysh këto kapacitete qysh para ftesës së parë dhe jo të kujtoheshin për to post-festum. Përndryshe, duke vrarë mendjen për mysafirët që kisha pasur atë ditë vere në banesën time, vërtetë që kishim treguar të gjithë një sjellje amatoreske:
Banesa ime nuk ishte më larg se 100 metra në vijë ajrore nga banesa e shefit të sigurimit serb në Suharekë. Dhe është i vërtetë fakti që Ukshin Hoti ishte i survejuar kudo që lëvizte nëpër Kosovë. Kur një vit më herët më kishte kërkuar në lokalet e shkollës fillore “7 Marsi” në Suharekë, inspektori serb, Milorad Nishaviqi, i kishte shkuar në zyrë drejtorit të shkollës, Maxhun Berishës, dhe e kishte pyetur: Çfarë ka kërkuar këtu tek ju Ukshin Hoti?
Në këtë rast bie dhe justifikimi tjetër eventual se pjesëmarrja kishte dështuar për shkak të rregullave të LPK-së që kufizonin ardhjen në tubim të ndonjë individi jashtë strukturave të saj organizative.
Nëse ka ndonjë arsye politike për mosinteresimin e LPK-së për mendimin politik të Ukshin Hotit mbi të ardhmen dhe mbi lëvizjet konkrete politike apo ushtarake të LPK-së në terren, atëherë ne vetëm mund të spekulojmë rreth faktit që organizatorëve me gjasë nuk u levërdiste që një mendje e kualifikuar t’ua hidhte në erë të gjitha projektet e tyre të deriatëhershme. Natyrisht, bëhet fjalë vetëm për një spekulim nga ana ime, sepse fare mirë mund të ndodhte edhe e kundërta, që Ukshin Hoti edhe të pajtohej me qëndrimet dhe me strategjinë e LPK-së.
Nga ana ime jam i prirur të besoj se Ukshin Hoti, edhe po të mos pajtohej me organizatorët në koncept, ai thjesht do të tërhiqej me fjalët: Ju qoftë rrugë e mbarë djema, por pa mua! Ose e kundërta: do t’u tregonte rrugën e vërtetë se si duheshin bërë punët, dhe nuk do të përtonte që t’i mbathte edhe vetë çizmet. Nga ajo çfarë kam mundur të zbuloj te karakteri dhe tek filozofia e tij, ai nuk kishte ndonjë prirje aventureske për të ndezur zjarrin e luftës me çdo çmim. Përkundrazi, ai do të bënte gjithçka për ta evituar atë. Por vetëm me një çmim: atë të lirisë. Pra ajo që e dallonte nga të tjerët nuk ishte gatishmëria për luftë, por gatishmëria për vetëmohim.
Kësisoj, duke parë sjelljen e papërgjegjshme të të gjitha subjekteve politike kosovare, legale e ilegale, nga fundi i viteve 90, Ukshin Hoti, në njërën nga letrat e tij të fundit drejtuar së motrës, do të na niste të gjithëve një mesazh kuptimplotë: “Ta q…sha klasën politike të Kosovës!”
Koha po tregon se është një sharje e merituar.



