Një muaj para se të ndahej nga jeta, Avdi Rexhepi më dha një mësim për ndershmërinë

Shkrime relevante

Kush bën keq në heshtje paguan me .. Skandal

Pirro Prifti, Tiranë Kjo Fjalë e urtë kinezë e vënë si titull...

Për Arbnorët e rrugëve të Llapushnikut që flasin Ilirisht

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë ILIRËT FLASIN SHQIP – SHQIPTARËT FLASIN...

Një muaj para se të ndahej nga jeta, Avdi Rexhepi më dha një mësim për ndershmërinë

Zeqir Bekolli, Drenas ____ Ka njerëz që ikin nga kjo botë, por pas...

Mbështetja e shtetit kroat për mbrojtjen e disa të akuzuarve para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë

Prof. Dr. Kolë Krasniqi, Pejë ____ Mbështetja e shtetit kroat për mbrojtjen e...

Shpërndaj

Ka njerëz që ikin nga kjo botë, por pas vetes lënë një gjurmë që nuk shuhet. Avdi S. Rexhepi është njëri prej tyre.
E njoha në një rrethanë të zakonshme, që në fëmijëri, shumë vite më parë. Avdiu punonte si shitës në një qoshk të “Rilindjes”. Diku rreth vitit 2001, i pata dhënë një sasi librash, botim imi, për t’i shitur. Koha kaloi dhe, pa e kuptuar, kaluan rreth njëzet e pesë vjet. Librat e mi të mbetur në qoshkun e tij ishin mbuluar nga harresa, ndërsa jeta kishte marrë rrjedhën e saj.
Avdiu, ndërkohë, ishte rënduar nga shëndeti dhe prej kohësh nuk e ushtronte më profesionin.
Më 25 gusht, në Messenger, më shkroi një vajzë që nuk e njihja. Ishte Festina Rexhepi, e bija e Avdiut. Ajo më përcolli porosinë e babait të saj: të më njoftonte për librat që ishin shitur dhe për një numër të vogël ekzemplarësh që kishin mbetur pa u shitur.
“Babai nuk është mirë me shëndet, por na ka porositur ta kryejmë obligimin për librat”, më tha ajo.
Mbeta pa fjalë.
E falënderova Festinën për këtë gjest të babait të saj dhe i thashë se, nëse kishin mundësi, të m’i sillnin ekzemplarët e mbetur, sepse edhe unë kisha mbetur pa to. Ndërsa për pagesën e librave të shitur, i thashë të mos brengoseshin fare.
Por për Avdiun kjo nuk ishte çështje parash. Ishte çështje fjale. Ishte një obligim që ai e kishte mbajtur mend për një çerek shekulli.
Në fillim të shtatorit, vajza tjetër e tij, arkitektja, më mori në telefon dhe kërkoi të takohej me mua në Komoran. Ajo më solli librat e mbetur dhe, për habinë time, edhe kompensimin për librat e shitur njëzet e pesë vjet më parë.
Avdiu e kishte mbajtur fjalën.
E kishte dërguar porosinë e tij në vend, edhe pse kishin kaluar 25 vjet dhe edhe pse shëndeti nuk ia lejonte më të merrej me punën që kishte bërë dikur.
Atë ditë mbeta sërish pa tekst. Jo për shkak të vlerës së librave apo parave, por për shkak të madhështisë së një gjesti të vogël në dukje, por të madh në kuptimin njerëzor.
Një njeri që kishte punuar gjithë jetën me nder, edhe në ditët e fundit të jetës së tij, nuk deshi të linte pas vetes një obligim të pambyllur.
Më 27 shtator, duke u kthyer nga Lixha e Elbasanit, mora lajmin se Avdiu kishte ndërruar jetë.
U pikëllova thellë.
Vetëm një muaj më parë, përmes vajzave të tij, më kishte ardhur fjala e fundit e një njeriu që tashmë nuk është në mesin tonë. Nuk e dija atëherë se ai gjest do të bëhej një nga kujtimet më të fuqishme që do të ruaja për të.
Avdiu më la librat e mi, por mbi të gjitha më la një mësim.
Më tregoi se ndershmëria nuk matet me kohën, me shumën e parave apo me madhësinë e obligimit. Ndershmëria është një virtyt që njeriu e bart me vete deri në fund.
Faleminderit, Avdi, për atë që bëre për mua. Faleminderit që, edhe në ditët kur shëndeti të kishte rënduar, nuk e harrove fjalën e dhënë.
Ndoshta nuk pata mundësi të ta them sa duhet sa shumë më preku gjesti yt. Prandaj po ta them tani, me dhimbje e mirënjohje:
U prehsh në paqe, Avdi S. Rexhepi!
Do të mbetesh në kujtesën time jo vetëm si shitësi i qoshkut të “Rilindjes”, por si një njeri i ndershëm, që e mbajti fjalën edhe një çerek shekulli më vonë.
Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!
Ngushëllime familjes Rexhepi dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e respektuan.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu