
Sak Muji, Zvicër
Një natë që përfundoi me betimin para Republikës Në minutat e fundit të një nate të gjatë për institucionet e Kosovës, Kuvendi dha vendimin e tij.
Sipas rezultatit të shpallur në sallë, me 81 vota, Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës. Dhe pastaj erdhi çasti më solemn: betimi para Kuvendit. Me dorën dhe fjalën e dhënë para përfaqësuesve të popullit, Presidentja mori mbi vete përgjegjësinë kushtetuese për ta ruajtur pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës, për t’i mbrojtur të drejtat e qytetarëve, Kushtetutën, ligjet, paqen dhe mirëqenien e tyre. Ky është edhe thelbi i betimit të përcaktuar me Ligjin për Presidentin.
Fjalët e para të betimit janë të rënda sa vetë përgjegjësia e shtetit: “Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës…”
Sonte nuk u zgjodh vetëm një emër. U ruajt vazhdimësia kushtetuese e Republikës në ditën e fundit të afatit të përcaktuar për zgjedhjen e Presidentit.
Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar 6 tetorin si afatin për përfundimin e kësaj procedure. Urime, znj. Justina Shiroka-Pula, për detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës!
Uroj që mandati juaj të jetë në shërbim të unitetit të qytetarëve, Kushtetutës, lirisë dhe interesit të Republikës së Kosovës; me respekt për sakrificën e brezave që e sollën vendin deri te liria dhe me përgjegjësi për brezat që do ta trashëgojnë atë. Kosova sonte vazhdoi rrugën e saj institucionale. Republika vazhdon. Flamuri vazhdon të valojë. ![]()
![]()


