Naile Ejupi, Bota Sot
Me 81 vota pro, në një seancë të jashtëzakonshme në minutat e fundit të afatit të fundit kushtetues për zgjedhje të presidentes, u zgjodh Justina Shiroka Pula.
Shiroka- Pula kundërkandidate kishte deputeten e PDK-së, Eliza Hoxha, ndërsa emri i saj erdhi pas propozimit të kryeministrit Albin Kurti, drejtuar PDK-së në orën e fundit të 6 tetorit.
Presidentja u zgjodh në praninë e deputetëve të mazhorancës dhe të partisë së dytë opozitare (PDK), por ajo çfarë tërhoqi vëmendje ishte edhe pjesëmarrja në sallë edhe e partisë së tretë opozitare (LDK).
Disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishin të pranishëm gjatë votimit të presidentes, deputetë këta që ishin dakorduar me LVV-në për kandidaturën e Bekim Sejdiut, por nuk morën mbështetje nga 6 deputetë tjerë brenda partisë.

Analisti politik Milazim Maraj e ka vlerësuar zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Kosovës si një përfundim pozitiv pas një periudhe të gjatë tensionesh dhe përplasjesh politike pas zgjedhjeve.
Maraj thotë se, pavarësisht gjithë zhvillimeve të fundit, zgjedhja e Presidentes e shmangu një skenar të ri të krizës institucionale, duke paralajmëruar se vazhdimi i bllokadës mund ta çonte vendin drejt një cikli tjetër tensionesh, përplasjesh dhe dëmesh politike e ekonomike.
“Zgjedhja e Presidentes Akademikes Justina Shiroka-Pula ishte një përfundim i mirë nga të gjitha prapësitë që ndodhën që nga përfundimi i zgjedhjeve. Një fjalë e urtë gjermane thotë: nëse fundi del mirë, çdo gjë ka qenë mirë. Përfundim me zgjedhjen e Presidentes është përfundim i mirë. Përndryshe, shoqëria në Kosovë do të përpëlitej me cikle të reja anarkie, shantazhi, dhune dhe dëmesh të pajustifikueshme politike, gjeopolitike e ekonomike”, ka deklaruar Maraj.
Megjithatë, analisti ngre pikëpyetje nëse gjithë kjo krizë politike ishte e domosdoshme, duke ia atribuar një pjesë të përgjegjësisë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Sipas Marajt, aftësia politike nuk matet vetëm me inteligjencë, por edhe me mençuri dhe aftësi për të krijuar klimë bashkëpunimi.
“Të jesh inteligjent nuk mjafton, duhet të jesh edhe i mençur. Për të bashkëpunuar me dikë duhet të ofrohen kushte dhe atmosferë bashkëpunimi. Kjo nuk ndodhi”, thekson Maraj.
Ai përmend edhe rastin e mospropozimit të Kujtim Shalës për nënkryetar të Kuvendit dhe më pas mospranimin fillestar të kandidatit të LDK-së për President, duke e cilësuar këtë qasje si pjesë të një serie veprimesh që, sipas tij, e dëmtuan besimin politik ndërmjet partive.
“Këto ishin lojëra mjaft të ndyta që një njeri i moralshëm, që pretendon të ketë sukses në udhëheqje, nuk i bën. ‘Morali dhe politika nuk shkojnë gjithmonë bashkë, por mos e thëntë Zoti të kemi politikë të pamoralshme’, thoshte akademik Fehmi Agani. A kishte moral politik për të gjithë këta muaj? Kjo ndikoi që vendi të mbahej në një gjysmë-anarkie që nga zgjedhjet”, deklaron ai.
Duke folur për LDK-në, Maraj thotë se pranimi i Bekim Sejdiut si kandidat për President tregoi gatishmëri për kompromis, por sipas tij, kjo çështje shkaktoi edhe përçarje të brendshme në këtë subjekt politik.
“LDK-ja pranoi Dr. Bekim Sejdiun si figurë konsensuale. Por kjo kishte mosmarrëveshje në parti, nga e cila po vuan LDK-ja. Demokracia në LDK funksionon. Nuk kemi kundër personit që është propozuar, sepse ai meriton dhe për të kemi respekt, por nuk është arritur marrëveshja brenda partisë për Dr. Bekim Sejdiun”, thotë Maraj.
Ai rikujton edhe qëndrimin e shprehur nga disa zëra brenda LDK-së, se më mirë të qëndrojnë në opozitë sesa të bëhen pjesë e një qeverisjeje ku do të varen nga Albin Kurti.
“Në LVV flet vetëm një njeri dhe të tjerët heshtin e votojnë kur voton kryetari i tyre, nga se kështu është krijuar kjo parti. Rreth Albin Kurtit janë mbledhur të heshturit. Nëse reagojnë, pësojnë sikurse kanë pësuar ata që kërkonin demokraci në LVV”, shprehet ai.
Maraj komentoi edhe rolin e PDK-së në zhvillimet e fundit parlamentare, duke thënë se kjo parti e konsideroi miratimin e ligjit në lexim të dytë si një sukses politik dhe si dëshmi se i kishte realizuar kërkesat e saj përballë pushtetit.
“PDK-ja fitoi si kryesi, nga se e arsyetuan veten para protestuesve: ja që e kaluam ligjin edhe në lexim të dytë. Madje edhe pak të lavdërohen se ia hodhëm mbi gardhin metalik deputetin e LVV-së. Nuk i lëshuam të dalin pa i realizuar kërkesat tona. Të kënaqur qoftë edhe për pak kohë. Kjo erdhi disa minuta para se të përfundonte afati kushtetues”, thekson Maraj.
Sipas tij, LDK fitoi atë që fituan të gjithë dhe humbi një ofertë të lodhur.
Në fund, ai shton se e rëndësishmja është që u zgjodh Presidentja, femër, akademike, madje kryetarja e Akademisë së Shkencave të Kosovës.
“Çfarë fitoj LDK në këtë përmbyllje të këtij procesi?. LDK fitoj atë që fituan të gjithë, dhe humbi një ofertë të lodhur, për shkak të numrit të vogël të deputetëve nga mungesa e zgjedhjeve në parti. Por fitoj edhe një herë nga përvoja që LDK nuk duron centralizim. Madje nuk ka rrugë tjetër për fitore në demokraci përveç rrugës së Presidentit Rugova. Zgjedhjet nuk kanë afat të domosdoshëm për të u mbajt. Ato duhet të mbahen kur procesi nuk shkon mirë e mbarë. Nuk humbi gjë tjetër, përveç një oferte ofenduese të ofruar nga Albin Kurti. Besoj që fitoj nga rezervimi për të mos e votuar ligjin e pa kuptim dhe pa efekt që erdhi nga presionet e protestave, të cilat gati kaluan në anarki. Në protesta mirë e luajti lojën derisa dhuna, u ofrua të ndërtesa ku e kishte zyrën. Nga se kjo ishte fitore politike për LVV dhe PDK, aspak për ata që thirrej protesta. LVV përfundoj procesin e zgjedhjeve me zgjedhjen e Presidentes edhe pse për këtë u bënë shumë fiskultura, duke filluar nga familja Jashari dhe pastaj duke ardhur në fund propozimi që nuk i lejohej LDK, ndërsa i lejonte vetës më Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin dhe në funde nxori emrin e Akademikes Justina Shiroka Pula e cila ishte figurë e pranueshme për PDK nga se ishte në këtë parti, dhe e pranueshme për LVV si propozim i saj. Nuk kishte nevojë të bisedohet në parti sikur e kërkon LDK me rregulla demokratike. E rëndësishme është që u zgjodh Presidentja, femër, akademike, madje kryetarja e Akademisë së Shkencave të Kosovës. Kjo besojmë që do të i bëjë nderë Kosovës”, përfundon Maraj.
A e forcoi apo e dobësoi ky zhvillim pozitën politike të LDK-së

Analisti politik Nexhat Haziri ka kritikuar mënyrën se si është zhvilluar procesi i zgjedhjes së Presidentes së Kosovës, duke vlerësuar se ky proces, që nga fillimi, është ndikuar nga kalkulime politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga përplasjet e brendshme në LDK.
Sipas Hazirit, mosmarrëveshjet dhe rivaliteti brenda LDK-së janë shfrytëzuar politikisht për ta dobësuar këtë subjekt dhe për të faktorizuar grupe të caktuara brenda tij.
“Në përgjithësi, procesi i zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së vendit, që nga fillimi, ishte konstruktuar edhe nga vetë z. Kurti, por edhe nga elemente brenda LDK-së, me synimin për ta goditur këtë parti politike, në një kohë kur dihej për mosmarrëveshjet e brendshme dhe rivalitetin e ashpër mes grupeve në LDK”, ka deklaruar Haziri për “Bota sot”.
Duke u ndalur te kandidatura e Bekim Sejdiut, analisti thotë se paraqitja e tij si rezultat i një marrëveshjeje mes LVV-së dhe LDK-së nuk ishte, sipas tij, pasqyrim real i zhvillimeve brenda kësaj partie.
“Që nga propozimi i Bekim Sejdiut, gjoja si rezultat i bisedimeve LVV-LDK, dhe tentimi i z. Abdixhiku dhe znj. Osmani për ta paketuar atë si propozim të LDK-së, ishte vetëm një farsë”, shprehet ai.
Haziri vlerëson se prapa kësaj marrëveshjeje kishte edhe kalkulime për faktorizimin e figurave të caktuara politike brenda LDK-së, duke përmendur në veçanti Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin.
“Qëllimi ishte faktorizimi i grupit të Abdixhikut dhe Osmanit, gjë që do t’ia trasojë rrugën kësaj të fundit për ta marrë kreun e LDK-së. Natyrisht, kjo farsë ishte e papranueshme për shumicën e grupit parlamentar të LDK-së, ndonëse hapur në kundërshtim të saj dolën vetëm gjashtë deputetë”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, kandidatura e Sejdiut nuk mund të konsiderohej si një kandidaturë e dalë nga vendimmarrja e LDK-së, por si rezultat i një ujdie politike mes LVV-së dhe dy figurave të kësaj partie.
“Bekim Sejdiu nuk ishte kandidat i propozuar nga LDK-ja, por ishte rezultat i një ujdie në mes të LVV-së dhe dyshes Abdixhiku-Osmani”, thekson Haziri.
Ndërkaq, për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në krye të Presidencës, Haziri thotë se ajo erdhi si rezultat i një marrëveshjeje mes LVV-së dhe PDK-së, duke e lënë LDK-në jashtë një procesi vendimtar politik.
“Tani, zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës për Presidente të Kosovës është produkt i marrëveshjes LVV-PDK, e cila e la LDK-në në periferi dhe të defaktorizuar”, deklaron ai.
Në fund, Haziri vlerëson se LDK-ja aktualisht ndodhet përballë një situate të vështirë politike, ndërsa zgjedhjet e brendshme të partisë, që pritet të mbahen vitin e ardhshëm, mund të jenë përcaktuese për të ardhmen e saj.
“Sot LDK-ja është e përçarë dhe pa ndikim në skenën politike kosovare. Procesi i brendshëm zgjedhor, i cili pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm, do të jetë vendimtar për të ardhmen e saj: nëse do të vazhdojë të mbetet aktive në skenën politike apo do të arkivohet si pjesë e historisë”, përfundon Haziri.


