Dy motra, një amanet drejtë pagëzimit

Shkrime relevante

Betejat e shekujve, për fitoren e fituar me gjak

Sak Muji, Dukaivë - Rugovë NGA BETEJAT E SHEKUJVE TE TRYEZA E...

Dy motra, një amanet drejtë pagëzimit

Blerim Nika, Zvicër ___ Ka histori që nuk shkruhen vetëm me fjalë, por...

Shpërndaj

Ka histori që nuk shkruhen vetëm me fjalë, por me ndjenja, me lot gëzimi, me kujtime dhe me dashuri që i mbijetojnë kohës. Ka amanete që nuk harrohen kurrë, sepse rrënjët e tyre janë të ngulitura thellë në zemrën e njeriut. Kjo është historia e dy motrave nga Fushë-Kruja, Lindita dhe Majlinda Ballaqeni, të cilat prej vitesh jetojnë në Itali, por që në zemrat e tyre kanë ruajtur kujtimet e familjes, dashurinë për babanë e ndjerë dhe një dëshirë që do të bëhej realitet pas shumë vitesh.
Të lindura dhe të rritura në një familje shqiptare me traditë myslimane, ato u rritën me vlerat e familjes, me respektin për prindërit dhe me dashurinë për të parët e tyre. Por babai i tyre, para se të ndahej nga kjo botë, u kishte lënë një amanet të veçantë: dëshirën që një ditë ato të pagëzoheshin. Një amanet që mbeti i gjallë në zemrat e dy motrave, edhe pse jeta i kishte çuar larg atdheut, larg vendlindjes dhe larg trojeve ku kishin rrënjët e tyre.
Dhe ja, erdhi dita që kjo dëshirë e babait të tyre të merrte jetë. Majlinda u pagëzua e para. Pata nderin dhe përgjegjësinë ta përgatisja për këtë hap të rëndësishëm shpirtëror, duke e shoqëruar në një rrugëtim që për të kishte një domethënie të thellë. Dy muaj më vonë, erdhi radha e motrës së saj, Linditës. Atë ditë, pata privilegjin ta përcillja Linditën drejt altarit të pagëzimit. Një çast që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën dhe zemrën time. Sot, unë jam kumbara i saj, një lidhje shpirtërore që e konsideroj nder dhe përgjegjësi të veçantë.
Dy motra, dy rrugëtime, por një amanet i përmbushur! Dhe mbi të gjitha, një dashuri e madhe për babanë e tyre, i cili, edhe pse nuk është më fizikisht mes nesh, mbetet i pranishëm në kujtimet, në zemrat dhe në historinë e jetës së tyre. Pagëzimi i tyre nuk ishte thjesht një ceremoni fetare, por edhe një udhëtim drejt kujtesës, drejt familjes dhe drejt rrënjëve të të parëve tanë.
Dëshira e tyre ishte që ky moment të ndodhte në Llapushnik, në Kishën e Shën Abrahamit, në zemër të Drenicës Dardane. Pikërisht aty, mes historisë, besimit dhe kujtesës së trojeve tona, ato zgjodhën ta kurorëzonin këtë hap të rëndësishëm të jetës së tyre. Nga Italia, aty ku jeta i ka vendosur prej vitesh, ato u kthyen në trojet tona, duke sjellë me vete jo vetëm mallin për atdheun, por edhe amanetin e babait dhe dëshirën për ta përmbushur atë. Në këtë histori nuk ka rëndësi vetëm rruga që përshkuan, por edhe ndjenja që i udhëhoqi. Sepse njeriu mund të jetojë larg vendlindjes, mund të ndërtojë jetën në një vend tjetër, por kujtimet, rrënjët dhe amanetet e prindërve mbeten gjithmonë pjesë e shpirtit të tij.
Për mua personalisht, Lindita dhe Majlinda Ballaqeni do të mbeten gjithmonë dy motra të veçanta, të cilat do t’i ruaj në mendjen dhe në zemrën time. Do t’i kujtoj si dy bija që nuk e harruan amanetin e babait të tyre, si dy gra që gjetën forcën dhe vullnetin për ta përmbushur dëshirën e tij, duke u kthyer te feja e të parëve të tyre. Historia e tyre na kujton se disa premtime nuk humbasin me kalimin e viteve, se dashuria për prindërit nuk shuhet me vdekjen dhe se rrënjët e njeriut mbeten gjithmonë aty, duke e thirrur drejt vetvetes.
Sot, me zemër plot mirënjohje, lutem që Zoti t’i bekojë të dyja motrat, t’u dhurojë shëndet, paqe dhe lumturi, ndërsa babait të tyre të ndjerë i uroj prehje të amshuar. U prehtë në paqe shpirti i tij, me shpresën se amaneti i tij u përmbush dhe se dashuria që la pas vazhdon të jetojë në zemrat e dy vajzave të tij.
Lindita dhe Majlinda, dy motra, një amanet, një kujtim i përjetshëm dhe një rikthim te rrënjët e të parëve tanë, në zemër të Drenicës Dardane.
Sinqerisht,
Blerim Nika
13.10.2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu