
Milazim Maraj
- Fjala përmbyllëse e Milazim Marajt, kuadrit të njohur dhe aktivistit të LDK-së
FJALË PËRMBYLLËSE E SESIONIT të XXIII SHKENCOR KUSHTUAR PRESIDENTIT DR. IBRAHIM RUGOVA
Të nderuar bashkëkohës dhe bashkëpunëtorë të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova!
I nderuar kryetar i Shoqatës „Trojet e Arbrit”! Të nderuar autorë të punimeve shkencore!
Të nderuar pjesëmarrës të këtij sesioni shkencor!
Në përmbyllje të këtij sesioni shkencor, kushtuar jetës, veprës dhe trashëgimisë politike e intelektuale të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dëshiroj të theksoj rëndësinë e veçantë të këtij takimi, i cili, përmes trajtimit shkencor të çështjeve historike, politike dhe kombëtare, na mundësoi të rikthehemi te një periudhë vendimtare e historisë sonë moderne.
Sot përkujtuam intelektualin, studiuesin dhe udhëheqësin politik, i cili, në rrethanat më të vështira të historisë sonë, përcaktoi një rrugë të veçantë politike për mbrojtjen e popullit shqiptar, përballë represionit shtetëror serb dhe projekteve hegjemoniste që synonin cenimin e qenies sonë kombëtare. Me vizionin e tij politik, me urtësinë dhe këmbënguljen për liri, ai arriti ta shndërrojë çështjen e Kosovës në një çështje të rëndësishme të diplomacisë ndërkombëtare. Përkujtuam Presidentin që, me guximin e bindjet e tij politike, iu drejtua popullit shqiptar me thirrjen historike: „Ejani ta bëjmë lirinë së bashku!”
Kjo thirrje për bashkim rreth idealit të lirisë u mishërua edhe në përkushtimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër të cilët Salih Çekaj dhe Agim Ramadani, emrat e të cilëve lidhen me sakrificën për lirinë e vendit që aplikuan komandën ejani të luftojmë se bashku.
Përkujtuam studiuesin dhe intelektualin që një pjesë të rëndësishme të jetës ia kushtoi hulumtimit, mbledhjes, botimit dhe promovimit të vlerave historike e kulturore të kombit shqiptar. Pikërisht mbi këtë trashëgimi kulturore e historike, dr. Ibrahim Rugova ndërtoi një vizion të veçantë politik, duke e shndërruar kulturën, identitetin kombëtar dhe vetëdijen qytetare në themele të organizimit të shoqërisë shqiptare në Kosovë dhe në mërgatë. Dr. Ibrahim Rugova e kuptoi më mirë se kushdo; rëndësinë e urtësisë si vlerë politike dhe njerëzore. Ai dëshmoi se forca e mendimit, e argumentit dhe e qëndresës paqësore mund të përballojë edhe dhunën më të egër.
Përvoja historike e Kosovës dëshmoi se dhuna dhe represioni nuk mund të ndërtojnë një shoqëri të qëndrueshme dhe as të legjitimojnë një rend politik që mohon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Sot, në dritën e zhvillimeve historike, mund të vlerësojmë se durimi, guximi qytetar, mençuria politike, optimizmi dhe këmbëngulja që Presidenti Rugova kultivoi te qytetarët e Kosovës përbënin një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Një ndër arritjet e rëndësishme të politikës së tij ishte krijimi i një fryme të gjerë solidariteti dhe bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve, brenda dhe jashtë Kosovës. Kjo frymë u shndërrua në një faktor të rëndësishëm të organizimit shoqëror dhe të përballimit të sfidave të kohës.
Në këtë sesion përkujtuam edhe ngjarjet dhe proceset që shënuan historinë tonë bashkëkohore: lëvizjen për pajtimin e gjaqeve, të udhëhequr nga Anton Çetta, Zekria Cana dhe shumë intelektualë e veprimtarë të tjerë; angazhimin për lirimin e studentëve dhe të te burgosurve politikë; organizimin e referendumit për pavarësinë e Kosovës dhe përpjekjet e vazhdueshme për afirmimin e subjektivitetit shtetëror të vendit tonë.
Kujtuam gjithashtu helmimin e mijëra nxënësve shqiptarë, një nga ngjarjet më të rënda të asaj periudhe, që tronditi shoqërinë tonë dhe dëshmoi përmasat e represionit ndaj popullsisë shqiptare.
Kujtuam Deklaratën E Pavarësisë të 2 korrikut 1990, Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990 dhe proceset e tjera politike që përbënin hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të institucioneve të pavarura të Kosovës.
Një vend të veçantë në këtë rrugëtim zënë shtëpitë-shkolla, të cilat u bënë simbol i qëndresës dhe i përkushtimit të popullit shqiptar për arsimimin në gjuhën amtare. Ato dëshmuan se, edhe në rrethana të jashtëzakonshme, arsimi mbetet një nga shtyllat themelore të identitetit kombëtar dhe të së ardhmes së një shoqërie. Përkujtuam organizimin e jetës institucionale, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe përpjekjet për krijimin e mekanizmave të mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Të gjitha këto procese, ndonëse të zhvilluara në rrethana të rënda historike dhe politike, përbëjnë pjesë të një rrugëtimi të gjatë drejt shtetësisë së Kosovës.
Sot, më shumë se kurrë, trashëgimia politike e dr. Ibrahim Rugovës na fton të reflektojmë mbi përgjegjësinë tonë ndaj së ardhmes. Nuk mjafton vetëm të kujtojmë të kaluarën, të përmendim sakrificat apo të shprehim respektin për figurat historike. Është e domosdoshme që vlerat e tyre t’i shndërrojmë në përgjegjësi qytetare, në kulturë demokratike, në respekt të institucioneve dhe në përkushtim ndaj interesit të përgjithshëm. Në këtë frymë, fjalët e Presidentit Rugova për sakrificën politike dhe përkushtimin ndaj Kosovës mbeten një thirrje për përgjegjësi dhe vetëdije kombëtare: „Duhet të sakrifikojmë nga LDK-ja për Kosovën tonë të lirë, të pavarur dhe demokratike.”
Këto fjalë na rikujtojnë se interesat e vendit dhe e ardhmja e qytetarëve duhet të mbeten mbi interesat e ngushta partiake e individuale. Megjithatë, përtej analizave shkencore, vlerësimeve historike dhe kujtimeve të shumta, sot ndiejmë edhe mungesën e Presidentit Rugova. Mungesën e personalitetit të tij, të urtësisë, të maturisë politike dhe të mënyrës së veçantë me të cilën ai e përfaqësonte Kosovën. Koha ka kaluar, por kujtimi për të dhe për veprën e tij mbetet pjesë e pandashme e kujtesës sonë historike dhe kombëtare.
Vepra dhe trashëgimia tij mbeten pjesë e historisë sonë dhe e kujtesës së brezave që do të vijnë. Të nderuar pjesëmarrës! E nderuar Familje Rugova! Sesioni i sotëm dëshmoi edhe një herë rëndësinë e studimit, dokumentimit dhe trajtimit shkencor të historisë sonë. Vetëm përmes hulumtimit të mbështetur në burime, argumentimit të qëndrueshëm dhe debatit akademik mund t’ua përcjellim brezave të reja një pasqyrë sa më të plotë të së kaluarës sonë dhe ndërtimit të ardhmërisë së tyre.
Në këtë kuadër, kontributi i Shoqatës „Trojet e Arbrit” dhe i studiuesve që marrin pjesë në sesionet e saj ka rëndësi të veçantë për ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë sonë historike e kombëtare.
Në emër të Shoqatës „Trojet e Arbrit”, shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të sinqertë për kryetarin e Shoqatës, për të gjithë autorët e punimeve shkencore, për studiuesit dhe për secilin pjesëmarrës që kontribuoi në realizimin e këtij sesioni. Mirënjohje të veçantë për të gjithë ata që, përmes punës së tyre shkencore, vazhdojnë të ndriçojnë periudha, ngjarje dhe personalitete të rëndësishme të historisë sonë. Me bindjen se ky sesion do të shërbejë si një nxitje e mëtejshme për studime dhe botime shkencore, ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe kontributin tuaj.
Ju uroj punë të mbarë, shëndet dhe suksese në veprimtarinë tuaj shkencore.
Mirë u pafshim në sesionet e ardhshme të Shoqatës „Trojet e Arbrit”!
12 tetor 2026 Prishtinë


