Enver Hoxha – tragjedia e një kombi dhe hija e diktaturës komuniste mbi Shqipërinë e sotme

Shkrime relevante

16 Tetori i Zi i kombit, poezi nga Gjergj Jozef Kola

Gjergj Jozef Kola, Vjenë ____ 16 TETORI I ZI I KOMBIT ____ Sot i pashë...

Laura Kërtalli, protesta kërkon përgjegjësi, ambicia për pushtet nuk mjafton!

Nga Rrezart Kalaja Kur protestat shoqërohen me thyerje, dëmtime biznesesh dhe përplasje,...

Enver Hoxha – tragjedia e një kombi dhe hija e diktaturës komuniste mbi Shqipërinë e sotme

Nga Frank Shkreli ___ 16 tetor 1908 – Një trashëgimi që kërkon ende...

Prishtina 2030: Bota na besoj lojërat, a do tïa dalim t’i besojmë njëri-tjetrit?

Luan - Asllan Dibrani, Gjermani Ka çaste kur një vendi i jepet...

Islamistja Laura Kërtalli, ideatore e “protestës studentore”(?)

Ibrahim  Kelmendi, Gjermani Mbrëmë islamistja Laura Kërtalli në TV Euronews Albania prezantoi...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli
___
16 tetor 1908 – Një trashëgimi që kërkon ende reflektim
___
Më 16 tetor 1908 ka lindur ddiktatoori komunist Enver Hoxha, njeriu që do ta mbante Shqipërinë nën sundimin e tij diktatorial për afër gjysmë shekulli. Për kombin shqiptar, trashëgimia e tij nuk mund të ndahet nga burgjet, pushkatimet, internimet, përndjekjet politike, shkatërrimi i lirive dhe izolimi i vendit nga bota demokratike.  Enver Hoxha nuk la pas një shoqëri të lirë e të drejtë, por një vend të sunduar nga frika, një popull të privuar nga të drejtat themelore të njeriut dhe një shoqëri të plagosur rëndë nga dhuna shtetërore.
Në emër të komunizmit dhe të një “barazie” imagjinare që premtonte komuniozmi sllavo-aziatik, por që nuk ekzistonte në realitet, pushteti i tij shkatërroi pluralizmin politik, ndaloi mendimin e lirë dhe e ktheu shtetin në instrument të një partie të vetme – Partisë komuniste. Kundërshtari politik i komunizmit nuk trajtohej si qytetar me të drejta, por si armik që duhej eliminuar. Shumë shqiptarë, përfshir pothuaj të gjithë ajkën e Kombit u pushkatuan, u burgosën ose u internuan, ndërsa familjet e tyre u dënuan për dekada me diskriminim dhe poshtërim.
Sculpture busts of Joseph Stalin, and Albania’s Communist dictator Enver Hoxha in an old warehouse after the fall of Communist rule in Albania.
Sidomos, goditja ndaj klerit dhe fesë përbën një nga kapitujt më të rëndë të kësaj historie kriminale. Meshtarë, klerikë dhe intelektualë katolikë, së bashku me përfaqësues të besimeve të tjera të shqiptarëve, u përndoqën, u torturuan dhe u dënuan për bindjet e tyre. Në vitin 1967, regjimi nisi fushatën për zhdukjen e institucioneve fetare dhe shpalli Shqipërinë shtet ateist, kundër Zotit duke ndërhyrë dhunshëm në ndërgjegjen e qytetarëve. Shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë — kundër Zotit. Frank Shkreli: Shkurti 1967, krimi që ende nuk quhet krim | Gazeta Telegraf.  U goditën rëndë, pothuaj për vdekje, edhe kultura dhe kujtesa kombëtare shekullore.  Figura  të njohura të Kombit, si At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica, Martin Camaj dhe shumë intelektualë të tjerë u përjashtuan nga jeta kulturore zyrtare ose u vranë pasi u gjykuan përmes paragjykimeve ideologjike.  Shqipëria humbi kështu jo vetëm lirinë njerëzore, por edhe mundësi të mëdha për zhvillimin e saj kulturor, intelektual dhe demokratik.  Ky ishte çmimi i një regjimi që kërkonte të kontrollonte gjithçka: politikën, ekonominë, arsimin, kulturën, besimin dhe vetë mendimin e njeriut.
(Original Caption) Old city in Ottoman fortress, 257. Fortifications of BERAT, on the mountain “ENVER” (for Enver Hoxha, the famous Albanian leader). Albania
Rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990 i dha fund monopolit politik të Partisë së Punës, por nuk mundi të fshinte menjëherë pasojat e tij.  A mund të thuhet se ka përfunduar, vërtet, trashëgimia e diktaturës komuniste enveriste?  Mendësia autoritare, bindja se pushteti i përket partisë fituese –“kemi fituar shumicën e votave”– dhe prirja për ta trajtuar kritikën si armiqësi janë probleme me të cilat shoqëria shqiptare duhet të përballet ende — megjithse kanë kaluar – 41 vjet nga vdekja e diktatorit Hoxha dhe 35-vjet nga rënia e komunizmit zyrtar anë e mbanë Evropës,  zhvillimet e fundit në Tiranë dhe anë e mbanë Shqipërisë,  e bëjnë këtë debat edhe më të rëndësishëm sot. Protestat, pakënaqësia qytetare dhe përplasjet me policinë ngrenë pyetje serioze për marrëdhënien ndërmjet pushtetit dhe qytetarëve.
Nuk do të ishte e drejtë që çdo veprim i qeverisë së sotme të barazohej me diktaturën e Enver Hoxhës. Shqipëria e sotme ka një realitet tjetër politik. Por kjo nuk e përjashton detyrimin e shqiuptarëve kudo për të shqyrtuar me sy kritik çdo shenjë arrogance të pushtetit, mungesë llogaridhënieje, dobësim të institucioneve ose cenim të së drejtës për protestë paqësore.  Demokracia nuk mund të jetë vetëm një emër në Kushtetutë, ndërsa qytetari ndihet i pafuqishëm përballë pushtetit. Demokracia nuk pret! Frank Shkreli: Kur një shoqëri nuk përballet me të kaluarën komuniste, e kaluara rikthehet | Gazeta Telegraf .  Demokracia kërkon drejtësi të pavarur, institucione që japin llogari dhe qeveritarë që pranojnë se pushteti nuk është pronë personale, partiake — as i përgjithmonshëm.  Ndonëse dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk mund të justifikohen si forma proteste, sot shteti ka detyrimin madhor të veprojë me ligjshmëri e proporcionalitet, të respektojë të drejtat e qytetarëve dhe të hetojë çdo pretendim për përdorim të paligjshëm të forcës.
Përballja me diktaturën komuniste dhe krimet e saj gjysëm shekullore nuk duhet të kufizohet në përvjetorë si ky sot, i lindjes si diktatorit, as në deklarata politike. Ajo kërkon dokumentimin e krimeve, hapjen e plotë të arkivave, identifikimin e viktimave dhe rivlerësimin e figurave që regjimi u përpoq t’i fshinte nga historia kombëtare.  Kujtesa e viktimave të komunizmit – që nuk është bërë ende në nivel zyrtar e kombëtar — është përgjegjësia e së sotmes. Aq mund të bëhet sot.  Viktimat e komunizmit meritojnë drejtësi historike.  Familjet e tyre meritojnë të vërtetën. Ndërsa brezat e rinj të shqiptarëve meritojnë të njohin historinë e vendit pa censurë, pa manipulime dhe pa nostalgji për një system dhe një lider që ua mohoi shqiptarëve liritë themelore për pothuaj një gjysëm shekulli.  Të dënohet diktatura nuk do të thotë të ushqehet urrejtja ndaj atyre që mendojnë ndryshe sot. Sot, do të thotë të mbrohen parimet që diktatura komuniste shkeli për më shumë se 45-vjet: liria, dinjiteti njerëzor, pluralizmi dhe barazia para ligjit.  Më 16 tetor, kujtimi i lindjes së diktatorit komunist Enver Hoxhës duhet të shërbejë si një moment reflektimi mbi pasojat e një pushteti që nuk pranonte kufij të pushtetit dhe nuk toleronte kundërshtim.  Ashtuqë, fatkeqësia e Kombit shqiptar nuk ishte vetëm sundimi i një diktatori komunist për afro gjysmë shekulli. Ishte edhe shkatërrimi i lirive personale, përndjekja dhe zhdukja e mendimit të pavarur dhe humbja e mundësive historike që një popull meritonte t’i kishte.
Prandaj, mësimi i kësaj historie të hidhur mbetet aktual sot, siç po shihet nga protestat tre-mujore në rrugët e Tiranës dhe anë e mbanë Shqipërisë — se asnjë parti nuk është mbi shtetin, asnjë udhëheqës nuk është mbi ligjin dhe asnjë pushtet nuk ka të drejtë ta trajtojë qytetarin si shërbëtor të vetin.  Shqipëria nuk duhet të mbetet peng i së kaluarës, por as të lejojë që krimet e saj të harrohen apo të zbukurohen nga nostalgjia politike sot e disa njerëzve dhe grupeve të caktuara.  Diktatura e Enver Hoxhës duhet të kujtohet ashtu siç ishte, si e njeh e gjithë bota dhe siç do duhej ta njihte mbarë Kombi: një sistem që i mohoi popullit shqiptar lirinë dhe e vendosi pushtetin e tij të egër mbi dinjitetin dhe të drejtat bazë të njeriut. Dhe, pikërisht, për këtë arsye, çdo brez shqiptar ka detyrimin e shenjtë personal dhe kombëtar të mbrojë lirinë dhe demokracinë nga çdo prirje autoritare që kërcënon ta dobësojë atë sot e mot.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu