
Nga Rrezart Kalaja
Kur protestat shoqërohen me thyerje, dëmtime biznesesh dhe përplasje, përgjegjësia nuk mund të mbulohet me slogane. Këto dëme janë raportuar publikisht dhe autorët duhet të japin llogari. Shkatërrimi nuk është program politik!
Laura Kërtalli, ke deklaruar se protesta koordinohet përmes grupeve në WhatsApp. Atëherë sqaro rolin tënd: kush merr vendime, kush përfaqëson studentët dhe si kundërshtohen aktet e dhunshme brenda këtij organizimi? Deklarata për koordinimin nuk provon përgjegjësi për dëmet, por kërkon transparencë. Mikrofoni nuk jep imunitet nga pyetjet!
Ke shprehur edhe gatishmëri për t’iu bashkuar një force të re politike. Publiku meriton të dijë çfarë force dhe me çfarë programi. Studentët nuk janë shkallë për karrierën e askujt dhe zemërimi i tyre nuk është kapital privat për partinë e ardhshme.
Shamia që mban është zgjedhja jote; ajo as të fajëson, as të përjashton nga kritika politike. Por çdo projekt i islamizmit politik që kërkon ta vendosë dogmën mbi ligjin dhe autoritetin fetar mbi barazinë qytetare duhet kundërshtuar pa lëshime. Shqipëria nuk është pronë e asnjë ideologjie fetare!

Ekstremizmi politik që justifikon dhunën, ushqen përçarjen dhe cenon liritë qytetare duhet kundërshtuar prerë, pavarësisht flamurit që mban. As kauza studentore, as feja, as zemërimi ndaj qeverisë nuk janë leje për shkatërrim. Nga çdo person që pretendon rol përfaqësues kërkohet dënim pa ekuivok i dhunës dhe përgjegjësi ndaj pjesëmarrësve.

Thyerjet duhen dënuar qartë. Çdo denoncim për vjedhje apo plaçkitje duhet hetuar. Nëse provohet se dikush ka nxitur ose organizuar këto akte, duhet të përballet me drejtësinë, pavarësisht emrit dhe paraqitjes televizive. Përgjegjësia përcaktohet individualisht, mbi prova.
Laura Kërtalli, nëse kërkon rol politik, paraqit programin dhe prano llogaridhënien. Shqipërisë i duhen zgjidhje; studentëve u duhen rezultate. Askush nuk ka të drejtë t’ua shesë rrënojat si fitore!


