Kardinali Ernes Simoni – Troshani, një jetë që nuk u përkul para diktaturës komuniste, përkujtim i 98 vjetorit të lindjes

Shkrime relevante

Ma çojnë gërdinë këta lavdaqet e kategorisë më primitive, që janë akademikë të vetëmburrjes

Lirim Gashi, Prishtinë ____ Ma çojnë gërdinë këta lavdaqet e kategorisë më primitive,...

Lorent Tolaj, nga Prejlepi i Deçanit drejt majave të futbollit anglez

Adem Lushaj, Deçan ____ Sulmuesi shqiptar po ndërton karrierën në Angli, duke lënë...

“Potencialet Zhvillimore të Deçanit” – një vizion për zhvillimin dhe të ardhmen e komunës

MSc. Shkumbin Lushaj Botimi i librit “Potencialet Zhvillimore të Deçanit” përfaqëson një...

Mbrëmje e paharruar folklorike në Sant’ Andrà (TV)

Florim Zeqa Të shtunën e kaluar më 17.10.2026, në restoranin e bukur...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli
____
Në 98-vjetorin e lindjes dhe në prag të 10-vjetorit të emërimit Kardinal, një homazh për besimin, qëndresën dhe dinjitetin njerëzor
I dashur Eminencë Kardinal Ernest Simoni – Troshani, i dashur Dom Pjetër, të nderuar të pranishëm, vëllezër e motra:  Në 98-vjetorin e lindjes dhe në prag të 10-vjetorit të emërimit Kardinal të Ernest Simon-Troshanit, shqiptarët kudo që ndodhen kanë arsye të veçantë të shprehin respektin, mirënjohjen dhe krenarinë e tyre për këtë figurë të shquar të Kishës Katolike dhe të historisë sonë kombëtare. Për ne, shqiptarët e Amerikës, nderimi për Kardinalin Simoni është më shumë se një festim ditëlindjeje. Frank Shkreli: Kardinali shqiptar Ernest Simoni – “martir i gjallë” i diktaturës komuniste viziton Shtetet e Bashkuara | Gazeta Telegraf.  Është një homazh për një jetë të përkushtuar ndaj Zotit, një dëshmi e gjallë e qëndresës përballë diktaturës së egër komuniste dhe një kujtesë e fuqishme e çmimit që shqiptarët kanë paguar për lirinë e besimit dhe të ndërgjegjes.
Kardinali Ernest Simoni-Troshani i përket atij brezi të klerikëve shqiptarë që përjetuan, drejtpërdrejt, përndjekjen e egër të regjimit komunist. Ai kaloi një jetë besimi dhe qëndrese. Kardinali shqiptar njohu burgun dhe vuajtjet, por nuk hoqi dorë nga besimi i tij.  As dhuna dhe as kërcënimet nuk arritën t’ia thyenin shpirtin.  Historia e tij dëshmon se njeriu mund të privohet nga liria fizike, por të mbetet i lirë në ndërgjegje. Mund të përballet me padrejtësi, por të mos e humbasë dinjitetin. Për këtë arsye, Kardinal Simoni nuk është vetëm një figurë e shquar e Kishës Katolike. Ai është edhe simbol i qëndresës shpirtërore të shqiptarëve dhe një dëshmitar i një kohe kur diktatura komuniste enveriste u përpoq të shkatërronte çdo shprehje të lirë të besimit fetar.
Emërimi i tij Kardinal nga Papa Françesku, më 19 nëntor 2016, ishte një nderim i veçantë për jetën dhe dëshminë e tij. Në nëntor 2026 shënohet dhjetëvjetori i këtij emërimi, një rast tjetër për të vlerësuar domethënien e figurës së tij për Kishën dhe për kombin shqiptar.  Megjithatë, nderimi për Kardinalin Simoni nuk duhet të mbetet vetëm një akt simbolik. Ai duhet të shërbejë edhe si thirrje për ndërgjegjen kombëtare. Shqipëria duhet të përballet me krimet e komunizmit –– Frank Shkreli: 35 -vjet tranzicion, Shqipëria ende nuk është përballur me të kaluarën komuniste | Gazeta Telegraf
 
Më shumë se tri dekada pas rënies së komunizmit, Shqipëria ka ende nevojë për një përballje të plotë, të sinqertë dhe zyrtare, me krimet e diktaturës. Viktimat e përndjekjes politike dhe fetare meritojnë drejtësi historike, familjet e tyre meritojnë të vërtetën dhe brezat e rinj meritojnë ta njohin të kaluarën pa heshtje, shtrembërime apo nostalgji për diktaturën komuniste. Përballja me të kaluarën kërkon dokumentimin e krimeve, zbardhjen e fatit të të zhdukurve, ruajtjen e kujtesës së ish-të burgosurve politikë dhe vlerësimin e atyre klerikëve, të gjitha feve, intelektualëve e patriotëve që u përndoqën ose u përjashtuan nga jeta kulturore e kombëtare.  Figura të tilla si At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica dhe Martin Camaj, së bashku me shumë klerikë të tri feve tradicionale shqiptare dhe intelektualë të tjerë të mohuar, të zhdukur dhe të përjashtuar nga regjimi komunist, janë pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare që meriton të njihet dhe të vlerësohet pa paragjykime ideologjike.  Një komb që harron viktimat e diktaturës rrezikon të harrojë edhe vlerën e lirisë. Frank Shkreli: Kur një komb harron gjigantët e vet. Naim Frashëri, Gjergj Fishta dhe kriza e kujtesës kombëtare shqiptare dhe politikës
 
Megjithë aspiratat e Shqipërisë për tu antarësuar në Bashkimin Evropian, në Evropë nuk shkohet me Enver Hoxhën!  Aspirata evropiane e Shqipërisë nuk mund të matet vetëm me përparimin ekonomik apo me anëtarësimin në institucione ndërkombëtare. Evropa përfaqëson edhe vlera themelore: lirinë, demokracinë, respektin për të drejtat e njeriut dhe përgjegjësinë për të vërtetën historike.  Prandaj, mesazhi duhet të jetë i qartë: Nuk shkohet në Evropë me Enver Hoxhën!  Shqipëria nuk mund të ndërtojë një të ardhme plotësisht demokratike duke lënë të pazgjidhur llogarinë me të kaluarën diktatoriale. Nuk mund të nderohen viktimat, ndërkohë që krimet e regjimit që i përndoqi, relativizohen apo harrohen. Një komb që harron viktimat e diktaturës rrezikon të harrojë edhe vlerën e vërtetë të lirisë. Qëllimi i përballjes me të kaluarën nuk është të ushqehet urrejtja apo të ndahen shqiptarët, përgjithmonë. Jo! Qëllimi është të ndërtohet një themel i përbashkët i së vërtetës, drejtësisë dhe respektit për dinjitetin njerëzor.  Pa këtë themel, pajtimi rrezikon të mbetet vetëm një fjalë e bukur, pa përmbajtje reale.
Të përballesh me komunizmin nuk do të thotë të ushqesh urrejtjen, por të mbrosh të vërtetën. Nuk do të thotë të ndash shqiptarët, por të krijosh kushtet për një pajtim të mbështetur mbi drejtësinë dhe kujtesën historike. Në Evropë shkohet me të vërtetën, me respektin për viktimat dhe me guximin për të dënuar moralisht krimet e diktaturës dhe jo me nostalgjinë për Enver Hoxhën.
 
Për Kardinal Ernest Simoni-Troshani, një homazh nga shqiptarët e Amerikës. Në këtë 98-vjetor të lindjes, komuniteti shqiptaro-amerikan i shpreh Kardinalit Ernest Simoni-Troshani dashurinë, mirënjohjen dhe respektin e thellë për të.  Për ne, jeta e tij është një dëshmi se besimi mund të mbijetojë edhe në rrethanat më të vështira dhe se dinjiteti njerëzor nuk mund të shuhet nga asnjë regjim.  I dashur Eminencë, ju urojmë shëndet, paqe dhe bekimet e Zotit! Ju falënderojmë për dëshminë tuaj dhe për mesazhin që u përcillni brezave shqiptarë, që të mos e harrojnë historinë, të mbrojnë lirinë e ndërgjegjes dhe të mos heqin dorë kurrë nga dinjiteti njerëzor.
Gëzuar 98-vjetorin e lindjes dhe urime, paraprakisht, edhe për 10-vjetorin e emrimit Kardinal!  Jeta juaj mbetet një burim krenarie për Kishën Katolike, për shqiptarët dhe për të gjithë ata që besojnë se liria dhe e vërteta janë themele të domosdoshme të një shoqërie demokratike.  Zoti ju bekoftë, Eminencë! Rroftë liria e ndërgjegjes dhe triumfoftë gjithmonë e vërteta historike mbi gënjeshtrat dhe padrejtësitë e diktaturës komuniste! Qoftë Shqipëria një vend që nderon historinë e vet, kujton martirët e fesë dhe të Atdheut dhe vazhdon rrugën drejt një të ardhmeje demokratike të mbështetur në të Vërtetën dhe lirinë.
Ju falemnderit për durimin!
Frank Shkreli
      Card. Ernest Simoni con Papa Francesco a Santa Marta 2018.10.18
Me Papa Françeskun i cili më 19 nëntor 2016 emëroi kardinal, Dom Ernest Simon -Troshanin, “martirin e gjallë” të diktaturës komuniste në Shqipëri.
                            Foto në darkën e shtruar nga Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork me rastin e 98-vjetorit të lindjes të Kardinalir Ernest Simoni-Troshani dhe me rastin e 10-vjetorit të emrimit të tij kardinal nga Papa Françesku.(2026)
               Kardinali i Kishës katolike Shqiptare Eminenca e Tij, Ernest Simoni-Troshani me 11 shtator, 2026 vizitoi Museun e Viktimave të Komunizmit në Washington DC —Frank Shkreli : Një muze i ri në Washington, kushtuar 100 milionë viktimave të komunizmit në botë | Gazeta Telegraf
 May be an image of text

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu