Ma çojnë gërdinë këta lavdaqet e kategorisë më primitive, këta akademikët e vetëmburrjes, të cilët një histori shpëtimi e rrëfejnë aq shpesh, saqë njeriu nis të dyshojë se nuk kanë shpëtuar vetëm një luftëtar të plagosur, por edhe mbarë njerëzimin nga zhdukja përfundimtare.
Na rrëfejnë me krenari se si e kanë tërhequr zvarrë një luftëtar të plagosur deri te daja i tij, i cili kishte gjetur një vendstrehim më të sigurt pas një trungu të trashë në mal. Pastaj, daja ia kishte dorëzuar të plagosurin mikes së tij mjeke, e cila ia kishte ndalur gjakderdhjen dhe ia kishte fshirë lotët.
Deri këtu, nderim dhe respekt i thellë për këdo që ka rrezikuar jetën e vet për të shpëtuar jetën e dikujt tjetër.
Në luftë, një dorë që ndihmon vlen më shumë se njëqind gojë që mburren.
Por pikërisht këtu fillon pjesa e historisë që këta trumpetues të heroizmit e harrojnë me një kujtesë çuditërisht selektive.
E njëjta mjeke, pas përfundimit të luftës, e ndërroi mantelin e bardhë me kostumin e politikanës. Me sa duket, ajo nuk e braktisi profesionin e shpëtimtares, por vetëm e ndryshoi metodën e ndërhyrjes.
Dikur ua ndalte gjakderdhjen të plagosurve, kurse më vonë ua zbrazte xhepat qytetarëve, e bindur se ata duhej t’ia paguanin borxhin për bamirësinë e saj gjatë luftës.
Dikur ua fshinte lotët njerëzve që vuanin, kurse më vonë mijëra votues patën arsye të pyesnin veten se kush do t’ua fshinte lotët e shkaktuar nga zhgënjimi politik.
Çfarë karriere e jashtëzakonshme!
Nga mjekësia në politikë, nga ndalja e gjakderdhjes te gjakderdhja e buxheteve familjare. Nga shpëtimi i njeriut te administrimi i shpresës së tij, derisa qytetarit të mos i mbetej as centi i fundit në xhep.
Nëse kjo nuk është një formë e çuditshme e specializimit profesional, atëherë duhen rishkruar të gjithë manualet e karrierës politike në Ballkan.
E këta lavdaqë vazhdojnë të na e shesin trungun e trashë të malit si dëshmi të moralit të tyre po aq të trashë. Sikur ai trung të kishte dëshmuar nën betim në gjykatë dhe t’u kishte lëshuar një certifikatë pafajësie për çdo veprim të kryer pas luftës.
O ju mjeshtër të vetëmburrjes, kalorës të kujtimeve dhe pronarë të një licence të përjetshme për t’u mburrur me meritat tuaja !
A nuk e kuptoni se një vepër e mirë nuk është abonim falas për të gjitha mëkatet e ardhshme?
A mendoni vërtet se, pasi ia keni ndalur dikujt gjakderdhjen një herë, mund t’ia shtrydhni popullit djersën për njëzet vjet dhe t’ia paraqitni këtë si vazhdim të veprimtarisë humanitare?
A besoni se një histori e rrëfyer me zë të dridhur e shndërron çdo politikan në shenjtor dhe çdo kritik të tij në armik të luftës?
Sipas kësaj logjike, mjafton ta shpëtosh një njeri të hënën, që të mund t’ua marrësh bukën nga goja mijëra të tjerëve të martën. Pastaj, të mërkurën, del para kamerave, e rrëfen përsëri historinë e së hënës dhe pret duartrokitje për plaçkën e së martës.
Kjo nuk është mirënjohje. Ky është kontabilitet moral i një shkolle ku meritat arkivohen me germa të arta, ndërsa përgjegjësitë groposen nën trungun e parë që gjendet në mal.
Dhe, natyrisht, sa herë që dikush ua përmend politikën, xhepat e zbrazur dhe përgjegjësinë, këta zotërinj e nxjerrin nga sirtari historinë e luftës, e fryjnë si mushkëri artificiale dhe presin që publiku të harrojë se bëhet fjalë për të tashmen, jo për një muze kujtimesh.
Por populli nuk është arkiv personal i askujt. As votuesit nuk janë bankomatë që duhet të nxjerrin para sa herë që politikani shtyp kodin magjik: «Unë kam bërë një vepër të mirë gjatë luftës!»
Jo, zonja dhe zotërinj ! Ajo vepër meriton respektin që i takon. Por politika juaj duhet të gjykohet sipas mënyrës se si e keni trajtuar besimin e qytetarëve.
Sepse heroizmi i djeshëm nuk është leje për hipokrizinë e sotme, as sakrifica e luftës nuk është çek i bardhë që mund të arkëtohet në arkat e shtetit.
Prandaj, para se të na e rrëfeni edhe njëqind herë historinë e trungut, dajës dhe mjekut, bëjani vetes një pyetje të thjeshtë:
Nëse ajo histori është dëshmi e njerëzisë suaj, çfarë dëshmon historia e xhepave të zbrazur të qytetarëve?
E nëse përgjigjja juaj është përsëri trungu, atëherë kemi një lajm të keq për ju: ai trung mund t’ju ketë ofruar dikur strehim nga plumbat, por nuk mund t’ju strehojë nga përgjegjësia.
Sepse një popull mund ta nderojë njeriun që ia shpëtoi jetën një të plagosuri dhe, njëkohësisht, t’i kërkojë llogari politikanit që e ka zhgënjyer.
Këto dy gjëra nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.
Ajo që nuk mund të pranohet është ideja se, duke e rrëfyer pafundësisht një vepër të mirë, mund ta detyrosh një popull të heshtë përballë çdo të keqeje të mëvonshme.
Dora që ndal gjakderdhjen meriton mirënjohje. Dora që abuzon me besimin e qytetarëve duhet të japë llogari. Ndërsa ai që e përdor heroizmin e dikurshëm si mburojë ndaj përgjegjësisë së sotme nuk po e ruan kujtimin e një vepre të mirë, por po përpiqet ta përdorë atë për të fshehur mospërputhjen e vet morale.
Prandaj, mbajeni mend: pylli mund ta ruajë trungun, historia mund ta ruajë kujtimin, por asnjë trung, asnjë rrëfim lufte dhe asnjë meritë e bërtitur nuk mund ta mbrojë përgjithmonë një politikan nga gjykimi i popullit.
Gjaku i shpëtuar gjatë luftës nuk i jep askujt të drejtën ta rraskapitë popullin në paqe. As lotët e fshirë dikur nuk mund të shërbejnë si justifikim për lotët e shkaktuar më vonë.
Heroizmi nderohet, por përgjegjësia nuk është privilegj që trashëgohet. As nuk mund t’i shmangesh duke u fshehur pas një trungu të trashë në mal.


