
Lirim Gashi, Prishtinë
_____
TË DASHUR SHQIPTARË, MOS I NGATËRRONI KURRË POPUJT ME PUSHTETMBAJTËSIT E TYRE!
Mos bini në kurthin e Edi Ramës, duke u shndërruar në armiq të popullit hebre, të cilin historia na ka mësuar ta trajtojmë me respekt të veçantë.
Paraardhësit tanë shqiptarë rrezikuan jetën për t’i shpëtuar hebrenjtë nga Holokausti. Nuk e bënë këtë për kontrata biznesi, për favore politike apo për duartrokitje ndërkombëtare.
E bënë sepse udhëhiqeshin nga një parim që sot duket se u mungon shumë njerëzve, intelektualëve dhe politikanëve tanë:
Njeriun duhet ta mbrosh për atë që është, jo për atë që mund të përfitosh prej tij.
Por historia jonë e përbashkët nuk mbaron këtu.
Kosova nuk duhet t’i harrojë kurrë miqtë e saj hebrenj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët, përmes angazhimit dhe lobimit të fuqishëm politik, ndihmuan që çështja jonë të fitonte përkrahje të jashtëzakonshme në Uashington.
Pavarësia e Kosovës ishte rezultat i qëndresës dhe i sakrificës së popullit tonë, si dhe i mbështetjes vendimtare amerikane dhe perëndimore. Në këtë rrugëtim, edhe shumë miq hebrenj kontribuuan në mënyrë të konsiderueshme që zëri ynë të dëgjohej atje ku merreshin vendime historike.
Kjo mirënjohje nuk na detyron të pajtohemi me çdo vendim të qeverisë izraelite. Por na detyron të jemi të drejtë dhe të mos i harrojmë ata që na ndihmuan kur kishim nevojë për ta.
Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi që politikanët shpesh përpiqen ta zhdukin:
Populli hebre nuk është qeveria e Izraelit. Populli serb nuk është Vuçiqi. Populli palestinez nuk është udhëheqja e tij. Dhe shqiptarët nuk janë Edi Rama!
Asnjë popull nuk mund të shpallet fajtor për vendimet e udhëheqësve të vet. Por asnjë pushtetar mafioz dhe tradhtar nuk duhet të fshihet pas popullit të tij për t’i shpëtuar përgjegjësisë për veprimet e veta.
Prandaj, nëse Edi Rama lidh marrëveshje të dyshimta me biznesmenë hebrenj, le të mbajë përgjegjësi për marrëveshjet e tij. Mos e shndërroni këtë çështje në urrejtje ndaj një populli të tërë.
Ndërkohë, Aleksandar Vuçiqi na ofron një spektakël tipik ballkanik: në deklarata shfaq dashuri për Palestinën, por, sapo në horizont shfaqen mundësia fitimprurëse për industrinë e dronëve luftarakë, parimet e tij rrezikojnë të përfundojnë në WC-në e interesave ekonomike.
Me sa duket, në Ballkan edhe ndërgjegjja e ka çmimin e vet. Mjafton të shfaqet kontrata e duhur!
Por mos e ngatërroni hipokrizinë e politikanëve me ndjenjat e popujve.
Një serb që kërkon paqe nuk është Vuçiqi.
Një hebre që kundërshton luftën nuk është qeveria izraelite.
Një palestinez që ëndërron lirinë nuk është përgjegjës për çdo veprim të udhëheqësve të vet.
Politikanët i ndërrojnë aleancat. Biznesmenët ndjekin fitimin. Por popujt nuk duhet ta ndërrojnë ndërgjegjen sipas kontratave të pushtetarëve.
Shqiptarë, ne mund t’i mbështesim të drejtat e palestinezëve pa i urryer hebrenjtë. Mund ta kritikojmë qeverinë izraelite pa mohuar ndihmën e miqve tanë hebrenj për Kosovën. Mund ta kundërshtojmë Vuçiqin pa i shpallur të gjithë serbët armiq.
Dhe mund ta kritikojmë Edi Ramën pa e lejuar të na diktojë se kë duhet ta duam dhe kë duhet të urrejmë.
Në fund të fundit, paraardhësit tanë nuk i shpëtuan hebrenjtë që ne sot të bëhemi pengje të politikës së ditës. Ata na lanë një trashëgimi shumë më të madhe: guximin për ta bërë dallimin mes njeriut dhe pushtetit, mes një populli dhe atyre që pretendojnë se flasin në emër të tij.
Mos e shitni historinë tonë për propagandën e askujt. Mos e harroni ndihmën e hebrenjve. Dhe mos lejoni që politikanët t’i kthejnë popujt në armiq vetëm sepse kjo u leverdis atyre.
Sepse miqësia mes popujve është më e vjetër se çdo mandat qeverisës dhe shumë më e çmuar se çdo kontratë biznesi.



Ish kryeministja e Izraelit, Golda Meir ka disa thenje shume interesante persa i perket maredhenjeve me palestinezet. Njera nga ato thenje eshte edhe kjo:
” Nese palestinezet i ulin armet, do te kete paqe. Por nese izraelitet i ulin armet, nuk do te kete me shtet te Izraelit”.
Te pershendes z. Gashi.