ARKIVI:
19 Maj 2024

Arsimi në trevën e Tetovës në kohën e Mbretërisë SKS

Shkrime relevante

Hisoriani Belisar Jezerci kërcënohet me jetë nga islamistët, rrini përkrah tij dhe mposhtni islamistët

Islamistët janë, gjithnjë solidar me njëri tjetrin se i takojnë "popullit...

Arsimimi nuk është vetëm përgatitje për jetë, është vetë jeta

Foto: Shkolla shqipe në Gjenevë, më 2021 Agim Vuniqi ___ Nuk ia vlen të...

Boksiari ukrainas Oleksandr Usyk ka shënuar fitore ndaj Tyson Furyt në një dramë të madhe të boksit

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk ka shënuar fitore ndaj Tyson Furyt. Fitore me...

Fajtorët e dështimit!

Florim Zeqa  Pas dy golave të shënuar të Kosovës në pjesën e...

Pse fshihet e vërteta për “Zajednicen” dhe zhvatjen e tokës nga Manastiri i Deçanit?!

Idriz Zeqiraj, Gjermani Për më shumë se një dekadë, Kosova është pykuar...

Shpërndaj

(Shkolla popullore në Tearcë Rrethi i Pollogut jugor-godina e vjetër) 


Nga: Syrja ETEMI

Një ndër sfidat më të mëdha të popullatës shqiptare në kohën e Mbretërisë Jugosllave(në të ashtuquajturën: Sërbia Jugore), ka qenë politika arsimore -kulturore, ku, pjesa dërmuese e popullatës ka qenë e paarsimuar. Në këtë kontekst, kundruall “çarshisë introverte osmane”, në akceptimin apo ballafaqimin me shtetin e ri jugosllav, siç konsideronte politika zyrtare, është shumë vështirë që kjo popullatë “të orientohet drejt domenit të politikës kulturore”, tek e cila, paraprakisht tradita arsimore (deri në shek.19) ishte e neglizhuar dhe zhvatur nën Perandorinë pesëshekullore otomane. Këshu, menjëherë pas luftërave ballkanike, shteti i ri i krijuar (Kralevina sërbe, ku bënte pjesë edhe Maqedonia dhe Kosova), sipas inercionit të vet, në “territoret e reja”, vazhdon etablimin e një politike të re arsimore, të cilën e bazon në “stratifikacionet etnike” të këtyre hapësirave.
Asimilimi kulturor dhe etnik i “Jugut” , ku, siç theksuam, bënte pjesë edhe popullata shqiptare , filloi që në kohën kur Kralevina SKS filloi me ndërtimin e objekteve shkollore, konsolidimin e kuadrove të reja, si dhe krijimin e “publikut lojal”, për të arritur deri te përfshirja e popullatës së re në sistem. Sipas evaluimeve të kohës, “niveli i kënaqshëm i përvetësimit të diturive” që u fitua nga vlerësimi i suksesit të përgjithshëm të nxënësve, do të konsiderohet si indikator relevant për të konstatuar se realizimi i idesë së këtillë ka qenë në rrugën e duhur.
***
Në krahinat me popullatën dërmuese analfabete, programet ambicioze të arsimit fillor, me pretendimin për “korrigjimin e gjuhës joletrare” të nxënësve, nuk hasën në tokë pjellore. Edhe pse Kushtetuta e Vidovdanit (1921) proklamonte shkollim fillor gjithëpërfshirës – falas dhe të detyrueshëm, hartuesit e sajë kanë paraparë mundësi që ajo “të pësojë ndryshime”, përderisa arsimimi në gjuhën amtare të pakicave kombëtare mund të llogaritet vetëm në shkollat fillore katërklasëshe, të ashtuquajtura, shkolla popullore. Por kjo kurrë nuk u dëshmua në praktikë me nxënësit shqiptarë.
Duke patur parasysh faktin që në Mbretërinë SKS kanë ekzistuar shumë rrethe apo qarqe të ndryshme arsimore-juridike, gjendja provizore në politikën arsimore të shtetit ka qenë deridiku e kuptueshme. Në viset e Maqedonisë dhe Kosovës është punuar sipas ligjeve serbe deri në fund të vitit 1929. Kur hy në fuqi Ligji për shkollat popullore. Në vitet e para të shteteve jugosllave ndikim vendimtar në zhvillimin e objekteve dhe infrastrukturave shkollore kanë patur autoritetet e Zyrës së Sigurimit Publik, dhe, kështu, në vitin 1924, Zhivojin Laziç inicoi ndërtimin e godinave shkollore në distriktet kufitare “për zbatimin e propagandës nacionale dhe kulturore”.
Në territoret apo krahinat me popullatë shumicë Shqiptare u hapën shkolla (mejtepe) në gjuhën turke, e, jo në gjuhën shqipe. Sipas pohimeve të zyrtarëve , gjatë periudhës: 1919-1929, në krahinë janë ndërtuar 487 godina shkollore, nga të cilat shumica në zonat me popullatë shqiptare. Bindja e fuqishme se shkolla dhe mësuesi janë “mjeti kryesor që populli të përfitojë”, nuk po jep efektin e vet në mjediset ku është “keqedukuar” kjo popullatë, e sidomos ajo e ushqyer dhe edukuar në frymën e propagandës së “huaj”, prandaj kjo popullatë duhet që vetëm “me forcë të mbahet dhe të deytyrohet të respektojë ligjet tona”, arsyetoheshin “autoritetet” e Rretheve dhe Qarqeve.

NË MES BANKAVE DHE GJARPËRINJVE
I inspiruar nga restriksionet buxhetore për arsim, deputeti popullor në parlamentin e Beogradit, Svetozar Gjorgjeviq në mesin e korrikut (1922), rishtazi potencon se: “kush kursen të jep një dinar për arsimin, ai nesër do të jep dhjetë dinarë për kazamate (burgje) dhe xhandarë (policë)”. Kritika konsistente e opozitës u kurorëzua me sukses dhe dha frutet e saja dhe, deri në fund të dekadës shtohen mjetet finansiare me të cilët Ministria e Arsimit për ndërtimin e shkollave në Maqedoni dhe Kosovë ndau deri në 43% në nivelin jugosllav. Duket se politika kulturore nga nxitjet apo shtytjet e skajshme e të sinqerta, bënë kthesën e duhur në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Rrethet e braktisura e të lëna pas dore.
Megjithatë, edhe pse një numër i caktuar i shkollave fillore nominalisht rriste dallimin në mes mjeteve finansiare të destinuara dhe të harxhuara (p.sh. shkollat e Shkupit fituan vetëm 16 % të mjeteve të parapara), dëshmoi qartë në funksionimin e sistemit: dotacioni përmes gjyqeve komunale u tregua joefikas, sidomos kur ato detyrime ranë mbi shpatullat e komunave të varfra rurale. Situatën edhe më shumë e rëndonin autoritetet kishtare që arsyetoheshin apo ankoheshin për uzurpimet e pronave të kishave dhe që përjashtonin nxënësit nga klasat. Kështu, në një fshat në afërsi të Tetovës, (1927), priftërinjtë me ndihmën e policisë, në kohën e dimrit nxjerrin jashtë nxënësit për shkak se do të mbyllet shkolla.
Numri i madh i shkollave frekuentohej nga 4-5 nxënës, sepse një numër i kosiderueshëm (40%) i nxënësve në Jug të vendit nuk regjistroheshin në shkollë, sepse “shtëpia humb fuqinë punëtore”. Në fund të vitit shkollor 1927-28, në shkollat fillore të krahinës së Serbisë Jugore (Juzhna Srbija) kanë mësuar gjithsejt 7565 nxënës shqiptarë (1.7 % të numrit të përgjithshëm të popullatës shqiptare), prej të cilëve vetëm 232 vajza. Në vet Dibrën, klasën përmirësuese kanë ndjekur gjithsejt 2% të fëmijëve të moshës shkollore. Natyrisht, jo vetëm shteti që kishte përgjegjësinë e që ishte fajtor, por, shkaqet duhen kërkuar edhe në mentalitetin konservativ të prindërve, të mbingarkuar me “frikë nga feudalizmi” dhe averzionin e përgjithshëm ndaj shkollës, edhe pse arsimi fillor ishte i detyrueshëm.
“Mbi një milion fëmijë myslimanë bredhin rrugëve si bagëti dhe nuk shkojnë në shkollë”, ankohet deputeti i Xhemijetit”, Qenan Zija, duke akuzuar për këtë ministrin e Arsimit, Svetozar Pribiçeviq. Duke folë për aksionin e tij për mbylljen e shkollave turke, Zija theksonte: “Fëmijët e mi të cilët janë të moshës nga 7-16 vjet, bukur mund të lexojnë dhe këndojnë serbisht, frëngjisht dhe pak anglisht. Por pyetni fëmijët e mi a munden ata në gjuhën e tyre amtare të më shkruajnë mua: “Baba i dashur, të kujtojmë dhe të përshëndesim me gjithë shpirt nga zemra!” Atë nuk munden, e për këtë pse nuk munden, ky është mëkat i Pribiçeviqit”, përfundon ai.
Shteti është i bindur që Shqiptarët shkollën e konsiderojnë si detyrim apo torturim për shkak të kushteve të vështira – të udhëtimit, duke u bazuar edhe në përvojat e hidhura e të dëmshme nën sundimin turk, i cili nuk ka përfshirë fëmijët në shkollë, por edhe mungesën e traditës arsimore e shkollore. Kjo popullatë në praktikë tregon edhe për disa komuna rurale, të cilat udhëhiqeshin nga vet shqiptarët, por të cilët nuk ishin të interesuar për ndërtimin e objekteve shkollore. Në anën tjetër, nga një raport që kishte të bënte për ndërtimin e shkollave të reja në Gostivar, Tetovë, Gjilan dhe Prishtinë, e që nuk është ndarë asnjë dinar gjatë vitit 1920, mund të nënkuptohet se ky fakt është ekskluzivisht si pasojë e politikës selektive shtetërore.
Shkollat fillore në rrethin e Manastirit kanë pësuar më së shumti dëm gjatë luftërave, prandaj edhe shteti ka urdhëruar urgjentisht në rekonstruimin e tyre. Inspektori i arsimit më 1924 paraqiti disa shkolla, sidomos ato për fëmijët myslimanë dhe ebre që nuk plotësonin as kushtet dhe kriteret minimale higjienike. Përveç kësaj, situatën edhe ashtu të rënduar, akoma më tepër e përkeqësonte konteksti kulmor me autoritetet kishtare, të cilët kishin tapitë e tyre në ndërtesat shkollore. Një problem akoma më të mprehtë paraqiste “e folmja e popullatës sllovene”, dhe kështu më 1921 Inspektori i arsimit raporton për domosdoshmërinë e zgjidhjes së këtij problemi që duhet filluar që nga çerdhja.
Për shkak të varfërisë së komunave rurale, objektet shkollore ngjanin më shumë “burgjeve apo ahureve të kafshëve” , përderisa mësuesit nga nënprefektura e Pollogut të Epër këto shkolla i përshkruajnë si “ Treme varrezash në të cilat po enden kot fëmijët dhe rinija jonë”. Sholla e Zheleznarekës (fshat në Rrethin e Gostivarit), ka qenë e ndërtuar në stallën e kishës, kurse ajo e Gjonovicës, në vend të toaletit, shfrytëzonte pyllin më të afërt të shkurreve pranë hekurudhës. Në fshatin e kurbetqarëve Sretkovë, podrumi i shkollës ka qenë i mbushur plot me vllagë e baltë, kurse në tabelën e zezë edhe mëtej qëndronte mbishkrimi: “Shkolla pravosllave sërbe në Sretkovë nën Perandorinë Turke.” Godina shkollore në Vrapçisht ka qenë dykatëshe dhe se nga plafoni pikonte baltë mbi kokat e nxënësve . E njëjta situatë ka qenë edhe në Dobërdoll, Mavrovë dhe Cerovë.
Përkundër kësaj, shkolla në Vrutok të Vardarit ka qenë antipod i këtyre rasteve që përmendëm, ndoshta, me siguri, për shkak se ishte afër rrugës për në Dibër “ku kalon klasa e aristokratëve”, dhe kjo panoramë impozante duhej të linte përshtypjen e bukur në sytë e kalimtarëve e të duket sikur “ po bëhen përpjekje maksimale për qytetërimin e popullatës”. Godina e shkollës turke në Cërvnik është vënë në funksion që në nëntor të vitit 1924, kur në të u “atdhesuan” tetë xhandarë, ndërsa nxënësit u hodhën në podrum pa dritare. “Derë? Dritare? Ç’janë këto gjepura?, pyet Inspektori i arsimit më 1925.

***
Situata nuk është ndryshuar gjithaq as në dekadën e radhës, prandaj s’është për t’u habitur që edhe gjatë viti shkollor 1930/31, shkollën fillore e ndjekë çdo i dhjeti fëmijë. Ka tendenca që shkollat popullore me ligj të bëhen gjithnjë e më të afërta në mesin e popullatës, bile edhe kujdesi për ruajtjen e objekteve shkollore të jetë më i konsiderueshëm.
Insistimet e parreshtura të proklamatës se “shkolla u përket atyre që e ndërtojnë”, glorifikojnë taktikën logjike të pushtetit që “mentaliteti minor individualist” i fshatarëve të Banovinës së Vardarit, të orientohet drejt asaj që mund të quhet “interes i gjërë shoqëror”. Një vend meritor në këtë kontekst zë raporti i një Inspektori të arsimit, i cili, në mes tjerash, konstaton që, mbas vitit 1929 finansimi i shkollave duket se po bëhet në mënyrë më efikase, ndërsa mundësitë për malverzim janë në minimum.
Ndryshe nga viset tjera të vendit, gjendja e objekteve shkollore në Jug ka qenë nën normat e parapara, pa marë parasysh se mbështetjet institucionale të shtetit në vitet 1930-1938 kanë qenë më tepër të dedikuara për ato në Banovinën e Vardarit (26%).

(Shkolla e re në f.Shipkovicë, Rrethi i Pollogut jugor-godina e re)

Insistimi i shtetit që për një kohë sa më të shkurtë të përfshihet një numër sa më i madh i fëmijëve në to, ka kontribuar në faktin që shumë syresh të hapen edhe në shtëpi private, ndërtesa të braktisura që nga koha e Turqisë, objekte kishtare, bile edhe në objekte kafiterie. Ndërtesat shkollore akoma ishin të ronisura, johigjienike dhe të pandriçuara, bile në disa raste ka ndodhur që të ndërpritet edhe procesi mësimor nga paraqitja e gjarpërinjve nëpër hapësirat mësimore. Ndërtimi i shkollave reprezentative ka qenë privilegj i Shkupit – qendër administrative e Banovinës. Në fillim të vitit 1933, përurohet objekti modern i shkollës: Car Dushani, të cilin e vizitoi edhe Kral Aleksandri. Në mjediset gjeografike pasive e të izoluara, shkollat gjithnjë e më pak u ngjasonin institucioneve arsimore. Në korrik të vitit 1934, në fshatin Kremenci (Srezi i Mariovës), ndërtesa shkollore ka qenë për dy ditë në shërbim të komisionit për regrutim, ku anëtarët para se të hyjnë në të, janë “shtangur” : “në vend të bankave shkollore, në mes mësonjëtores kanë qëndruar tre gurë në formë korite ku kanë bërë kushtar kumritë, ndërsa në mur qëndronte varur fotografia e familjes mbretërore”. Këto skena nadreale kanë hidhëruar drejtorin e shkollës Svetislav Nikoliq, i cili u ka bërtitur punëtorëve teknikë (sluzhitelji) dhe kërcënuar me suspendim nga puna për arsye të thjeshtë: “pse i kanë hapur dyert e shkollës ushtrisë, bile ka akuzuar edhe Prefektin e komunës i cili i ka mundësuar komisionit për regrutim qasjen në shkollë!”.
Protezhimi apo favorizimi i ndërtimit të shkollave moderne përgjatë kufirit me Bullgarinë, gjoja në lindje është “armiku i rrezikshëm”, ka dëshmuar se si ka funksionuar propagandimi i politikës arsimore. Përkundër kësaj, pjesa perëndimore e Banovinës, e njohur për ikjen në kurbet të popullatës dhe boshatisjen e vendbanimeve, ka qenë plotësisht e lënë pas dore.

MËSUESIT – PROMOTORË DHE VIKTIMA TË METODËS “MAQEDONASE”

Kuadrin mësimor e formoi Ministria e arsimit e cila, siç kemi përmendur – me ndëshkimin “transferim”, solli në Jug mësues nga Sërbia, Mali i Zi, Bosnja, Hercegovina dhe Vojvodina. Punëtorët e rinj arsimor të cilët nuk kishin proteksione, dërgoheshin në “Sibirin jugosllav”, siç quhej shpesh edhe nga të deleguarit në parlament. Me këtë, nuk është llogaritur koha e humbur kur bëhej transferimi, kështu që nxënësit gjatë kohë ngelnin pa ndjekur mësimet deri sa të zëvendësohet vendi i mësuesit. Përveç pagave të ulta të punëtorëve arsimor, ata kishin edhe probleme banesore për shkak se shumica banonin nëpër vet shkollat.
Shumë nga mësuesit që ishin në atë gjendje, shpresonin në ndonjë transferim në ndonjë rajon më të mirë, por kishte edhe raste të tilla që, në shenjë të besnikërisë dhe lojalitetit ndaj politikës, fitonin edhe kushte më të favorshme, të cilët zyrtarisht evidentoheshin si mësues fshati, por edhe punonin në kooperativa.
Në bazë të observimeve të pushtetit ushtarak në Jug ka pasur mungesë të mësuesve dhe klerikëve, ndërkaq në mesin e kuadrit ekzistues dominonin ekzarkistët gjysmëanalfabetë, madje, nepotizmi dhe korrupsioni në anën tjetër. “Rrugës sonë Bullgarët sigurisht nuk kanë sjellë por kanë marrë nga këtu atë që është më e mirë. Ne , madje, punojmë krejtë anasjelltas”, shënon koloneli D. Tasiç qysh në vitin 1921.

Gjatë vitit 1920 kuadri mësimdhënës ka qenë jashtëzakonisht i larmishëm. Në kontekstin etnik shquhej dominimi absolut i Sërbëve, madje të dhënat zyrtare flasin edhe për praninë e 204 mësuesve të nacionalitetit turk dhe 130 mësues shqiptarë. Të gjithë mësuesit më 1918 kanë punuar pa ndonjë provim shtesë apo plotësues. Kolegët e tyre të kualifikuar në mënyrë vullnetare i kanë mbështetur dhe ndihmuar, duke shpresuar se me “arsimin e devotshëm”do të plotësojnë mungesën e profesionalizmit. Megjithatë, koha tregoj me të drejtë që, “individë të devotshëm” u bënë masë më e përshtatshme nga të cilët Ministria e arsimit regrutonte “partizanë lojalë” për nevojat e veta; “spiunë”, dhe duke i vënë në pozicione mbikqyrëse, e, në këtë rast – Inspektorë.
Rasti eklatant është ai i Shumadisë, kur tek inspektori i arsimit denoncoi drejtorin e shkollës, i cili gati një vit, në mënyrë të paautorizuar dispononte para të destinuara për ndërtimin e shkollës së re. Kësilloj spiunimesh kishte sa të duash dhe në shumë raste.

GJENDJA E ARSIMIT NË SLLATINË NË KOHËN E MBRETËRISË JUGOSLLAVE
Të fokusohemi pak në një gjeografi lokale, I vetëdijshëm se ajo nuk bën përjashtim nga ato që funksiononin në mbarë Banovinën e Vardarit. Pra, flasim pak për zhvillimin e procesit të punës arsimore-edukative në shkollën e mjedisit rural të rrethit të Tetovës, përkatësisht – në Leshkë ku kanë mësuar edhe nxënës “myslimanë” nga fshati Sllatinë.

Shkolla fillore në Leshkë e Tetovës (Fotogafi e vitit 1932)

S’do mend se arsimi është i lidhur ngushtë me sistemin shoqëror të atij shteti. Meqë në vitet pas sundimit turk, Sllatina u pushtua nga Serbia, sigurisht se edhe shkollat dhe arsimi ishte në gjuhën serbe. Kështu, fëmijët shqiptar ishin të detyruar të ndiqnin mësimin në gjuhën e pushtuesit. U hapën shumë shkolla në qytetin e Tetovës, madje në Leshkë, Në Tearcë, në Dobrosht e k.m.r. Nxënësit e Sllatinës mësonin në Leshkë bashkë me maqedonasët e vendit – në gjuhën serbe. Kështu, në vazhdim do të japim disa detaje nga disa ish nxënësit që kanë mësuar në këtë shkollë.
Në kohën e Kralevinës (Mbretërisë SKS), për të gjithë popujt që jetonin në të, arsimi zhvillohej vetëm në gjuhën serbokroate. Në shkollën fillore të Leshkës mësonin edhe serbë edhe sllavomaqedonë edhe shqiptarë (nga Leshka,Sllatina dhe Varvara). Shkolla ishte 4 klasëshe, kurse nxënësit shiptarë fillonin nga klasa parapërgatitore (për mësimin e gjuhës, ku ndiqnin mësimin me nxënësit sllavë të kl.IV).Në klasë të parë përfshiheshin, përveç fëmijëve të moshës adekuate (7 vj.), edhe nxënës që nuk e kanë ndjekur nga fillimi shkollën, bile edhe nxënës të moshave 8, 9 e 10 vj. P.sh., Merxhan Etemi (Babai i autorit të shkrimit) tregon se është përfshi në kl.të parë, faktikisht në parashkollor në moshën 10 vjeçare, sepse “në pikëpamje fizike ka qenë i dobët”.
Kështu, vazhdon protagonisti në fjalë (me rrëfim të transkribuar në gjuhën letrare nga autori):
“Mësimi është zhvilluar për të gjithë nxënësit edhe para dite edhe pas dite. Para dite mësonin nga ora 8-00 deri 11-00 e, mandej shkonin në shtëpi për drekë për të vazhduar pas dite nga 13-00 deri 16-00. Viti shkollor fillonte nga 1 shtatori dhe përfundonte me 31 maj. Mësohej nga e hëna deri të shtunën,vetëm se të shtunën mësimi zhvillohej vetëm para dite.
Mësuesit, bashkë me gratë e tyre (që ishin edhe ato mësuese), banonin në shkollë. Ata ishin: Aco dhe Zhiko, kurse mësueset: Lubica dhe Jelica.
Për nxënësit e të dy feve organizohej, përveç mësimit laik edhe mësim fetar ku, për nxënësit ortodoks vinte prifti, kurse për nxënësit myslimanë – hoxha, në këtë rast, Molla Osmani. Nxënësit shqiptarë (nga kl.I-IV) kur kishin religjion u mblidhshin në një klasë, ndërsa për të tjerët organizohej veças. Zhvilloheshin këto lëndë mësimore: Çitanka (Lexim) apo Maternji jezik (Gjuhë amtare – serbe), Matematikë, Zemljopis (Gjeografi), Histori, Vizatim, Fiskultur…
Në lëndën e gjuhës “amtare” serbe, nxënësit, së pari mësonin të shkruajnë dhe lexojnë në alfabetin cirilik, pastaj edhe në atë latin apo “latinica”.
Në shkollë përfshiheshin edhe meshkujt edhe femrat. Femrat myslimane (SHQIPTARE) nuk e ndiqnin shkollën, pasi edhe nuk ishte e obligueshme për to. Në këtë drejtim bëhej një rezistencë e paparë nga ana e prindërve që me çfarëdo lloji çmimi (të paguajnë edhe dënime të larta) vetëm e vetëm femrat të mos shkojnë në shkollë).Një obstruksion i theksuar manifestohej edhe për meshkujt, sepse shkolla nuk është e nevojshme sa puna që mund të bëjnë fëmijët duke shkuar me dhen e lopë, në punë fushe e mali…
Rrjedhën dhe përparimin e punës mësimore e përcillte inspektorati i arsimit apo “nadzorniku”, i cili hynte nëpër klasë dhe i pyeste edhe nxënësit se çka dhe sa dinë.

Objekti i shkollës fillore të Tearcës i ndërtuar në vitin 1933

MASAT NDËSHKOMORE KUNDREJT “ÇAPKANËVE”

Ndëshkimet që më së shumti i aplikonin mësuesit ishin të karakterit psiqik por edhe fizik. Ja disa raste konkrete (sipas rrëfimit të Merxhan Etemit): “Një nxënës i klasës (Avdi Avdii), në librin e leximit ku ishte fotografia e Knjaz Llazarit, ia kishte shpuar sytë me laps, dhe kur e kishte vërejtur këtë “uçiteli” (mësuesi), jo vetëm që e rrahu dhe e dërmoi në klasë, por mandej e mori për veshi “mëkatarin” dhe e çon klasë më klasë që ta pështyjnë krejt nxënësit e shkollës në fytyrë, bile edhe t’Ia ngjeshin nga një shuplakë të mirë. Një rast tjetër, nxënësi pse nuk e kishte mësuar vjershën, mësuesi e detyron që të përvesh këmbët deri në gjunj dhe të ulet po në gjunj mbi guralecë të shtruar në dysheme. Për çdo ditë mësuesi vinte në klasë me thupër vidhi, thane apo thupër kumbulle, me të cilën tmerronte fëmijët e “prapë”. Përveç dënimit “kleçi” (gjunjazi), aplikohej edhe dënimi i ashtuquajtur “bezručka” (pa drekë apo me uri). Nxënësi që nuk mësonte apo që bënte ndonjë prapështi, nuk lehohej të shkonte në shtëpi të hante drekë, por do të mbyllej në podrum deri sa të vinin nxënësit në turrnin tjetër.
AKTIVITETE TË LIRA
Mësuesit serbë, shpesh, me banorët lokalë organizonin lojëra të ndryshme popullore, por edhe dilnin në natyrë, përkatësisht në gjueti.
I detyronin nxënësit që të thirrnin prindërit për kryerjen e punëve të rënda fizike shtëpiake, sidomos bartjen dhe çarjen e druve.
Organizoheshin edhe ekskursione në natyrë, sidomos në Festën e shkollës, që ndryshe quhej: Sveti Sava – škollska sllava” (Shën Sava – Festë e shkollës) ku, në vendin e quajtur “Bare” në fushë të Sllatinës, mblidheshin jo vetëm nxënësit dhe mësuesit e shkollës së Leshkës, por edhe ata të Ratajës, Zhillçes e Shemshovës.
Librat i blenin vet nxënësit, të cilët ia jepnin paratë mësuesit dhe ky i binte ato nga Tetova.Në këto tekste mësonin tregime, përralla të moçme serbe, vjersha etj.”
Në vazhdim po paraqesim një vjershë* të mësuar dhe të recituar nga një ish nxënës i kësaj shkolle, Iljaz Emurllahi, në gjuhën serbe:

ŠKOLA* SHKOLLA*
Škola naša lepa Shkolla jonë e dashur
Majka naša mila, Nëna jonë e shtrenjtë,
Dosta se nam škola Mjaft, moj shkolla jonë
Osamljena bila!… Ti ke ndejtur vetë!…
Evo tvoje djece Ja fëmijët e tu
Evo nove snage, Me zemra të zjarrta,
Da slušaju tvoje T’i dëgjojn’ këshillat –
Opomene blage. Të ëmbla si mjalta.
Da nam škola mila Drejt dritës së diellit
Ti pokažes puta, Të na tregosh rrugën,
Da nam duša mlada Që hovi ynë i mbarë
Nikad ne zaluta… Mos ta humbë udhën.

__________
* Vjershën në fjalë e ka recituar, Ilaz Emurllahi (viti 2003), kurse e ka mësuar në klasën II (viti 1935) kur ka mësuar në shkollën fillore në f. Leshkë – në gjuhën serbe. Përkthimin dhe adaptimin e bëri autori i monografisë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu