ARKIVI:
24 Korrik 2026

Çoki …

Shkrime relevante

Blerim Nika reagon ndaj keqërdorimit islamik të varrimit të një polici

Blerim Nika  REAGIM PUBLIK Pamjet ku pjesëtarë të Policisë së Republikës së Kosovës,...

Organizata Shqiptaria kërkon protokoll të detyrueshëm shtetëror për varrimet e zyrtarëve të Republikës së Kosovës

Organizata Shqiptaria Kërkojmë protokoll të detyrueshëm shtetëror për varrimet e zyrtarëve të...

Bregu i Kishës në Studenicë – Bazilika e lashtë që rikthen kujtesën dhe besimin

Afrim Zeqiri, Studenicë, Istog ____ Pas furtunës së rrëmbyeshme dhe bubullimave që zbritën...

Një letër e Aurel Dasaretit shkruar “me nxitim për pasurinë e miut të kanalizimeve”

Aurel Dasareti, ekspert i çështjeve pskologjike - ushtarake nga SHBA Një...

Shpërndaj

Tregim nga Bajram Sefaj, Paris

rilexim nostalgjik

Tejet i vogël që t’ia dijë kuptimin fjalës që shqipton. E do të thotë: shok(i)u. E shkurton, e zvogëlon këtë fjalë për t’ia përshtatur madhësisë miniaturale të trupit të vet.

Çoki im, kështu e thërret një mik, që është “moshatar” i tij, hiç më i moçëm se ai, pos për nja gjashtë dhjetëvjetësha.

Garant!

Sado që rrëfimi është i hidhur në brendinë  e tij të hidhur, ka një subjekt me histori të çiltër, por edhe të rrastë jetësore. Shumë herë më të vëllimshme e më tragjike sesa mund të bartin supet e tij të pafuqishme, kur janë sa grima, me pak tejkalim, mund të thuhet, mikro-optike.

Dy histori nguten që, përnjëherësh, të hyjnë në kallëzim.

E para qet krye para së dytës, ngase është më e re.

“Transmetohet” e riprodhohet tamam ashtu siç ka ndodhur, realisht, në paketim origjinal, pa iu shtuar as pa iu munguar asgjë:

“… derisa rrinim e gjerbnim nga një kafe-makiato (me assugrin gold, aman, se na mbyti diabeti!) të mëngjesit, në njërën nga kafet më të frekuentuara të qytetit, tretur pas temash që i shoshitim çdo ditë, kur, për ditë e më shumë, zhytemi në llumin e tyre të dendur, tavolinës sonë i afrohet silueta e një krijese aq të vogël, sa të mos e vëresh fare, kur koka s’i dilte mbi lartësinë e tavolinës. Biseda jonë, e nxituar e me ritme të shpejta e gjeste të ashpra, atë krijesë të imët, sikur e bënte si të padukshme. Si nëpër ëndërr dëgjoj refrenin, shpesh të përsëritur: ik, shmangu tani, lërna rehat!

Hiç më shumë nuk regjistrova në diskun e rradakes së stërmbushur me probleme jetësore. Miku im, ishte paksa më i pakujdesshëm, më i egër se zakonisht ndaj dorës së shtrirë… Vetëm atëherë kur m’u afrua ngat silueta e brishtë e tij, duke bërë me  dorë nga unë, shqiptoi fjalë plot inat e mllef ndaj vrazhdësisë së bashkëbiseduesit tim: “ky çoki (lexo: shoku!) ka pale në xhep!” – dhe doçkën e vogël sa grima, si pa gishtërinj ta kishte, e palosi për xhepin e setrës sime të kadifenjtë. Sikur të më shkoqte kllapie gjumi të rëndë një lajm i mirë, përnjëherësh u kthjellova dhe para vetes pashë një qenie të imët hyjnore, si të kish pikur nga pala e shtatë e qiellit të paanë.

– Po, axha ka “pale!” sa të duash! i thashë dhe, me nxitim e zjarrmi, lëshova dorën në thellësinë e errët të xhepit të shterur dhe, që andej, e ktheva me ca centë të imët, destinuar për një bukë, a nja dy gazeta të ditës.

Vogëlushi, a hija e tij e tejdukshme, bashkë me lekët e imët mbyllur në grushtin e vogël, u shmang duke më falur një përshëndetje të bardhë miqësore.

Me doçkën e ngritur në ajër, u zhduk si  të ish hije fantazme, në pikë dite me diell. Ditë vere që sa nusërohej e bëhej vjeshtë…

Tjetër nuk di. Asgjë nuk mbaj mend.

Ç’u bë, nga vajti, nga humbi, nga treti.

Njëmend, ç’u bë me të, o Zot!?

E përpiu toka.

E gëlltitën avujt e ditës së nxehtë të vjeshtës së parë.

U shndërrua në zogth krahëlehtë.

Fluturoi!

*

Një ditë, tek këpusja shtegun e shëtitjes së përditshme mëngjesore, një zë i ëmbël, si një cicërimë kanarine, sikur me hyri për nënxhaketë, m’u ngjit trupit për të m’u ndalur në guacën e veshit..

– Hej, çoki im, çoki!

Ai zë i çiltër, melodik, sa hyjnor, o Zot! – nuk vinte nga larg. Për cepin e setrës me ishte  kacavarur,  po kush tjetër pos Çoki-t tim që, për pak, sa nuk e kisha harruar e shlyer kujtese.

Tani sikur nis rrugën një miqësi e paprerë dhe, kjo, lirisht mund të thuhet, është gjysma e dytë e rrëfimit.

Tashmë kur jemi çokë (shokë) në kuptimin fisnik të fjalës.

*

Si fidan i brishtë mbjellë aty, midis lisave shtatgjatë të avenysë, që, një ditë të afërt, do të bëhet edhe më e bukur sesa është, veçse të shmanget perdja e llamarintë dhe të kallëzojë shtatin e lartë katedralja në ndërtim, Çoki ngjan edhe më i imët sesa është vërtet.

Ka zënë atë pikë strategjike, pas hamendjes dhe besimit të atyre që e kanë hak rritën dhe ekzistencën  e tij, si pjesëtarë të familjes së tyre, se: përballë një tempulli fetar, në ndërtim e sipër, zemrat e kalimtarëve do të jenë më të buta, e duart më të lira!

Cila është familja e Çokit?

Çoki nuk ka familje. Ose e gjithë bota është familje e tij.

Nuk është as i falur, as i gjetur rastësisht.

Është zog shtegtar pa fole, as pa strehë. Shtrojë ka tokën e dheut të Kosovës,  mbulojë qiellin e paanë të gjithësisë. Nuk ka as babë, as nënë. Ose i ka që dy bashkë, kur ndoshta matanë lisave shtathedhur të avenysë, me shikim të fshehur ndjekin çapkënllëqet e tij. Kurrë nuk i afrohen, sa për t’ia shpupurishur flokët e shpeshtë e kaçurrel, së paku.

Kur miqësia me Çokin zuri të rritej, të lëshonte shtat, kur racionet e kafjallit a të drekës nuk mungonin, kur bashkë kthenim edhe në shitore këpucësh e veshmbathjesh të tjera, një mesogrua u shkoq nga lukuni fëmijësh barkzbrazur e symëdhenj, në lakmi të përhershme, grumbull në livadh para Filologjikut, si për të larë një borxh ndaj meje. Shkurt e më zë të shterur, me tha: Eduard e ka emrin. E thërrasim Edi. Është katër vjeç. Nuk është zog imi. Është pjesëtar i tufës sime. E dua, shumë e dua. Nuk e ndaj prej fëmijëve që i kam lindur. Edhe fëmijët e mi e duan shumë. Beniamin e kemi. Do ta shkollojmë, sa të bëhet shtatëvjeçar, është i zgjuar, do të jetë më i miri i shokëve në shkollë.

E si të mos e duan, – i flas vetes në heshtje të thellë intime, kur është aq i bukur, krijesë lozonjare, bonbone…, ta pish të tërin me gotë uji, si sherbet! Me ata sy të zinj zjarr e të lëvizshëm minuku.

Sytë, gati të rrëmbushur lotësh, përnjëherë i lëshoj andej nga katedralja në ndërtim, ku është sektori ose territori i përkohshëm i punës së Edit!

Nuk guxoj t’i bëj shenjë me dorë, as t’i lëshoj zë Çoki-t tim të dashur, tani kur emrin  ia di në të dy motërzimet: Eduard dhe Edi.

Më duket emër i madh për atë cep trotuari që zë.

Nuk guxoj ta thërras me zë të lartë, ngase, jam i bindur, do të merrte vrapin të këpuste trup rrugën me shumë automjete në fugim. Do t’ia këpusnin vrapin!

Pamëshirshëm do të ndrydhnin Çokun, qenushin e dashur, mikun, çokin tim Eduard. Edi… Lulin e Vocërr, të ditëve më të reja të shekullit të njëzetenjëtë!

(Ati ynë, bukën tonë të përditshme, falna sot!).

– Hej, Edi, Eduard … i flas vetes, a bisedoj me hyjnitë e qiellit…

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu