____
Edhe 26 vjet pas luftës në Kosovë, siq duket ende nuk kemi ndërtuar kulturë demokratike dhe shtetrore të zgjidhjes së problemeve, përkundrazi shumë kush këto ditë shpërfaqin besimin se problemet zgjidhen me frikë, kërcënime dhe forcë?
Uniformat ushtarke në trupin e të rinjve, fëmijëve, artistëve e politikanëve, patriotizmi militant dhe logjika e përplasjes në stilin kush nuk është me neve është me Millosheviqin. Logjikë kjo që po rikthehen në hapësirën tonë publike.
Pamjet e një grupi protestuesish në Lipjan, ku nuk lejuan të kalojë eskorta e përfaqësueses evropiane, me thirrjet “Nuk kalon, Nuk kalon!”, është ilustrim shqetësues i kësaj mendësie.
Por le ta bëjmë vetëvetes një pyetje të thjeshtë: nëse ne u themi evropianëve “nuk kaloni”, çfarë presim që të na thonë ata neve? “Pra pasi nuk na doni, kaloni ju andej ka lindja”!
Këto ditë Gani Geci po mbahet në paraburgim për dyshimin se e ka kanosur një gazetar, duke i kërkuar ta fshijë një publikim.

Kurse, Daut Haradinaj deklaron publikisht se, po të mos votohej ligji për Dhomat e Specializuara, deputetët nuk do të mund të largoheshin nga Kuvendi pa u derdhur gjak, duke pretenduar se protestuesit kishin qenë të armatosur!
E tash a do të shqyrtohet nga Prokuroria edhe deklarata e Dautit me të njëjtin seriozitet me të cilin është duke i trajtuar kërcënimet e G.Gecit ndaj gazetari Lirim Mehmetit i cili e denoncoi rastin në prokurori?
E tash ky gazetari a do denoncon në prokurori edhe pretendimet e Dautit për gjakderdhje të deputetëve, policëve tanë dhe rrezikimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Nëse ka pasur armë, bomba apo kërcënime konkrete dhe rrezik për gjakderdhje ndaj deputetëve e policëve shqiptar, kjo duhet të hetohet se çfar dinte, sidomos kur thot se, të gjithë organet shtetërore e dinin për këtë kërcënim, e rrezik për gjakderdhje vëllazërore mes shqiptarëve.
Mbrojtja e luftës çlirimtare nuk mund të shndërrohet në leje për të frikësuar gazetarët, deputetët apo institucionet.
Asnjë kauzë, sado e rëndësishme, nuk e vendos askënd mbi ligjin.
Kosovës pas 26 viteve të përfundimit të luftës, nuk i duhet militarizimi i politikës, por demilitarizimi i kësaj mendësie politike.
Patriotizmi nuk matet me atë se sa frikë mund tu fusim të tjerëve, por me aftësinë për ta mbrojtur shtetin e së drejtës, lirinë e fjalës dhe demokracinë.
Sepse në një shtet demokratik, që synon drejt familjes evropiane, ligji nuk duhet të ketë frikë nga askush dhe askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, as Ganiat me alltia e as Dautat me bomba.
_____
Shih videon:



