Federata Shqiptare: Pse një shtet federal me dy njësi?

Shkrime relevante

Urgjenca e “Dr. Besfort Adhamudhit” të Vushtrrisë

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë Mercenari ideologjik që kërkon t’ia ndryshojë...

Federata Shqiptare: Pse një shtet federal me dy njësi?

Dr. Sadri Ramabaja, Prishtinë __ Nga kohezioni kombëtar te sovraniteti funksional në Europën...

Veprimtari që la gjurmë në komunitetin shqiptar!

Florim Zeqa Në pasditën e së dielës së 11 tetorit në Conegliano...

A është Islami vërtetë religjion agresiv dhe i rrezikshëm

Katedrala “Shën Nëna Tereze” në Prishtinë PËRFUNDIMI DHE MENDIMI    Ismet Mustafë Hasani,...

Shpërndaj

__
Nga kohezioni kombëtar te sovraniteti funksional në Europën e integruar
__

Hyrje: nga pyetja e bashkimit te pyetja e formës së shtetit

Çështja shqiptare e shekullit XXI nuk mund të shtrohet më vetëm në gjuhën klasike të “bashkimit kombëtar”. Historia politike e shqiptarëve ka prodhuar një realitet më kompleks: një komb, një hapësirë historike e kulturore të ndërlidhur, por dy republika politike – Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës.
Kjo gjendje nuk është thjesht një trashëgimi historike. Ajo është një realitet politik që duhet analizuar në dritën e transformimit të vetë nocionit të sovranitetit, të integrimit europian dhe të rikthimit të konkurrencës gjeopolitike në kontinent.
Prandaj, çështja që mund të shtrohet tani nuk është vetëm ajo se a mund të bashkohen shqiptarët? Çështja më serioze është se në çfarë forme institucionale mund të realizohet një kohezion më i lartë politik, ekonomik dhe strategjik i shqiptarëve, pa cenuar legjitimitetin, institucionet dhe identitetin politik të dy republikave ekzistuese?
Pikërisht këtu merr kuptim koncepti i Federatës Shqiptare.

Në librin tim Federata Shqiptare – Kohezioni i shtetit-komb në BE, botuar më 2016, kjo ide është trajtuar si bashkim i dy republikave shqiptare në një njësi federale, duke e parë federatën jo si mohim të Europës, por si një formë të re të organizimit të shtetit-komb në kushtet e integrimit europian.

Një dekadë më vonë, na vije libri i John Doyle Before the Vote: Planning for a united Ireland
që sjell një element metodologjik me rëndësi të veçantë: një projekt bashkimi nuk mund të mbështetet vetëm në idealin historik apo në emocionin kombëtar. Ai duhet të dijë të përgjigjet paraprakisht në pyetjen më të rëndësishme: çfarë do të ndodhë ditën pas bashkimit?

Kjo e zhvendos debatin e shtruar në këtë ese nga simbolika te shtetformimi.

Në këtë kuptim, dy librat mund të lexohen si dy pjesë të një argumenti më të gjerë: libri i parë, pra libri im formulon problemin e kohezionit dhe formën e mundshme institucionale, ndërsa libri i dytë, ai I John Doyle, na mëson se një projekt i tillë duhet të shndërrohet në plan të detajuar kushtetues, ekonomik, juridik dhe shoqëror.

Ecjen përpara në këtë plan ndërkohë, pas përmbylljes së krizës institucionale, pres ta mundësojë etablimi institucional, shoqëror e politik i Republikës së Kosovës dhe roli që do të ketë Prishitna politike, si qendrë e dytë e Kombit, në këtë proces historik.

I. Nga bashkimi kombëtar te problemi i formës së shtetit

Në historinë politike europiane, ideja e shtetit-komb ka qenë për një kohë të gjatë e lidhur me përputhjen midis kombit, territorit dhe sovranitetit.
Por historia moderne dëshmon se kjo përputhje nuk është absolute. Një komb mund të jetë i organizuar në më shumë se një shtet, ndërsa një shtet mund të përfshijë më shumë se një identitet kombëtar.

Në librin Federata Shqiptare, argumentohet pikërisht ky paradoks: në historinë moderne ka pasur raste të kombeve të ndara politikisht në disa shtete, ndërsa kombi është trajtuar si një prej forcave më të fuqishme të kohezionit politik.
Rasti shqiptar është një prej këtyre rasteve.
Shqipëria politike u krijua si shtet më 1912. Republika e Kosovës u krijua si shtet i pavarur më 2008, pas një procesi të gjatë rezistence, shtetndërtimi dhe lufte çlirimtare. Në këtë kuptim, dy republikat nuk janë realitete të përkohshme apo artificiale që mund të fshihen thjesht me një akt politik. Ato kanë krijuar institucione, kushtetuta, administrata, sisteme politike dhe identitete të veçanta republikane.

Prandaj, çdo projekt serioz bashkimi duhet të nisë nga kjo pikë: bashkimi nuk mund të nënkuptojë domosdoshmërisht shuarjen e njësive ekzistuese. Kjo është pikërisht arsyeja pse modeli federal paraqitet si alternativë konceptuale midis dy skajeve:
I pari, status quo-ja: dy shtete të ndara;
dhe i dyti, shteti unitar: një shtet i vetëm që zëvendëson plotësisht dy njësitë ekzistuese.

Federata propozon një mundësi të tretë: një shtet i përbashkët federal, i përbërë nga dy njësi federale.

Kjo formulë nuk e zhduk Shqipërinë dhe nuk e zhduk Kosovën. Përkundrazi, i vendos ato në një marrëdhënie të re kushtetuese.
Në formulimin më të thjeshtë: As Shqipëria nuk absorbon Kosovën, as Kosova nuk absorbon Shqipërinë; të dyja konstituojnë Federatën Shqiptare.
Ky është ndryshimi themelor midis një federate dhe një projekti centralizues të bashkimit.

II. Pse federatë dhe jo shtet unitar?

Në planin teorik, shteti unitar mund të duket më i thjeshtë. Një kushtetutë, një parlament, një qeveri, një administratë dhe një sistem i vetëm juridik.
Por pikërisht kjo thjeshtësi formale mund të prodhojë probleme të reja politike.

Shqipëria dhe Kosova kanë përvoja të ndryshme shtetformuese. Kanë sisteme juridike të ndryshme, tradita institucionale të ndryshme dhe struktura të ndryshme ekonomike. Për më tepër, të dyja kanë krijuar legjitimitete të veta republikane.

Një bashkim unitar do të duhej të zgjidhte menjëherë pyetjen: cili institucion ekzistues do të absorbonte tjetrin?
Federata e shmang këtë dilemë duke e zhvendosur çështjen nga hierarkia te ndarja e kompetencave. Njësitë federale do të ruanin kompetencat e tyre në fusha të përcaktuara kushtetutshmërisht, ndërsa kompetencat me interes të përbashkët do t’i kalonin nivelit federal.

Në një model të mundshëm, niveli federal do të mund të përfshinte:

  • politikën e jashtme;
  • mbrojtjen dhe sigurinë strategjike;
  • tregun e përbashkët;
  • politikën tregtare;
  • infrastrukturën strategjike;
  • energjinë me interes federal;
  • disa fusha të politikës fiskale;
  • përfaqësimin ndërkombëtar;
  • marrëdhëniet me institucionet europiane;
  • standardet e përbashkëta ekonomike dhe strategjike.

Ndërkaq, njësitë federale do të mund të ruanin kompetenca të rëndësishme në:

  • arsim;
  • kulturë;
  • administrim territorial;
  • shëndetësi;
  • politikat sociale;
  • zhvillimin rajonal;
  • administrimin lokal;
  • një pjesë të konsiderueshme të politikave publike të brendshme.

Kështu krijohet një parim i thjeshtë:
Një shtet – dy nivele legjitimiteti – një ndarje kushtetuese e kompetencave.
Kjo është logjika e federalizmit.

III. Dy njësi federale: jo dobësi, por mekanizëm stabiliteti

Pse dy njësi?
Sepse projekti duhet të nisë nga realiteti ekzistues dhe jo nga mohimi i tij.

Dy republikat ekzistuese janë realitete politike. Përpjekja për t’i eliminuar ato që në aktin themelues do ta kthente bashkimin në një proces absorbimi.
Modeli federal, përkundrazi, mund të ruajë: identitetin institucional të Kosovës dhe identitetin institucional të Shqipërisë, duke krijuar njëkohësisht një identitet të ri politik federal.

Kjo nuk do të ishte kontradiktë. Një qytetar mund të jetë njëkohësisht qytetar i njësisë federale dhe qytetar i Federatës. Pikërisht kjo është një prej karakteristikave të federalizmit modern: identitetet politike mund të jenë të shumëfishta pa qenë domosdoshmërisht konkurruese.
Në këtë aspekt, dy njësitë federale do të mund të shërbenin edhe si mekanizëm sigurie kushtetuese kundër centralizimit.

Një federatë shqiptare nuk do të kishte nevojë të ndërtohej si një piramidë ku njëra republikë është “qendër”, ndërsa tjetra “periferi”. Ajo do të duhej të ndërtohej mbi parimin e barazisë kushtetuese të njësive federale. Kjo kërkon një parlament federal që garanton përfaqësimin proporcional të qytetarëve, por edhe një dhomë federale ku njësitë përfaqësohen në mënyrë të barabartë ose sipas një formule që mbron ekuilibrin midis tyre. Në këtë kuptim, një parlament dydhomësh do të mund të ishte pjesë e arkitekturës së një Federate Shqiptare.

IV. Mësimi metodologjik i John Doyle: mos votohet vetëm për idenë, por për realitetin që vjen pas saj

Këtu qëndron ndoshta kontributi më i rëndësishëm që Before the Vote mund t’i japë debatit shqiptar. Doyle e zhvendos vëmendjen nga pyetja abstrakte e bashkimit irlandez te përgatitja konkrete e tij.
Ai argumenton se një votim për bashkim nuk mund të mbështetet vetëm në parim, duke lënë gjithçka tjetër “për t’u zgjidhur më vonë”. Përkundrazi, publiku duhet të ketë një ide sa më të qartë për strukturat politike, politikat publike, shërbimet, të drejtat, ekonominë dhe procesin e tranzicionit.

Kjo ide ka rëndësi të drejtpërdrejtë për projektin shqiptar.
Nëse Federata Shqiptare do të trajtohej si projekt serioz shtetformues, atëherë pyetja nuk do të ishte vetëm: Pse Federata?
Ajo do të duhej të ndiqej menjëherë nga pyetjet:
Si do të ndërtohet Federata?
Çfarë kushtetute do të ketë?
Si do të ndahen kompetencat?Si do të financohet?
Çfarë ndodh me sistemet juridike?
Çfarë ndodh me administratat publike?
Si do të organizohet mbrojtja?
Si do të harmonizohen sistemet arsimore dhe shëndetësore?
Si do të funksionojë politika monetare?
Si do të trajtohen dallimet ekonomike?
Si do të përfaqësohet Federata në BE dhe NATO?

Pra, ideja duhet të shndërrohet në projekt.

Doyle thekson pikërisht këtë nevojë për hartëzim paraprak të dallimeve juridike dhe institucionale, sepse dekada të ndarjes politike prodhojnë sisteme të ndryshme ligjore dhe administrative.

Për Shqipërinë dhe Kosovën, kjo do të nënkuptonte një White Paper/Dokument strategjik për Federatën Shqiptare.

V. Federata si projekt kushtetues

Nëse koncepti merret seriozisht, pika e parë e projektimit do të ishte Kushtetuta Federale.
Ajo do të duhej të përcaktonte qartë:

  1. karakterin federal të shtetit;
  2. barazinë kushtetuese të dy njësive;
  3. ndarjen e kompetencave;
  4. institucionet federale;
  5. institucionet e njësive federale;
  6. sistemin fiskal;
  7. mekanizmin e solidaritetit ndërfederal;
  8. Gjykatën Kushtetuese Federale;
  9. mbrojtjen e të drejtave dhe lirive;
  10. mekanizmin e ndryshimit të Kushtetutës;
  11. marrëdhëniet ndërmjet nivelit federal dhe njësive;
  12. procedurën e zgjidhjes së konflikteve të kompetencave.

Një Kushtetutë e tillë nuk duhet të ndërtohet si akt ceremonial. Ajo duhet të jetë kontrata politike e dy republikave. Në këtë kuptim, Federata do të ishte para së gjithash një akt konstitucional.

Nuk do të mjaftonte një marrëveshje politike mes qeverive. Do të duhej të ekzistonte një proces demokratik dhe kushtetues që do t’i jepte legjitimitet të plotë arkitekturës së re.
Kjo është një pikë ku përvoja irlandeze është veçanërisht instruktive: Doyle thekson nevojën që strukturat politike, të drejtat e pakicave dhe mënyra e përfaqësimit të jenë pjesë e planifikimit paraprak.

Për rastin shqiptar, kjo do të përkthehej në një parim themelor: Federata nuk mund të jetë marrëveshje e elitave; ajo duhet të jetë marrëveshje kushtetuese e qytetarëve.

VI. Federata si mekanizëm i konvergjencës ekonomike

Një prej kundërshtimeve të zakonshme ndaj çdo projekti bashkimi lidhet me dallimet ekonomike.
Por dallimet ekonomike nuk janë argument automatik kundër një federate. Ato janë, para së gjithash, një problem që duhet të trajtohet nga arkitektura ekonomike e federatës.

Doyle e vendos këtë çështje në qendër të planifikimit për Irlandën e bashkuar: krahasimi ekonomik duhet të bëhet para bashkimit, ndërsa kostot e tranzicionit dhe mekanizmat e konvergjencës duhet të planifikohen paraprakisht.
E njëjta logjikë mund të zbatohet në mënyrë analitike për Shqipërinë dhe Kosovën.

Federata do të krijonte një hapësirë më të madhe ekonomike, duke mundësuar politika të përbashkëta në:

  • infrastrukturë;
  • energji;
  • transport;
  • turizëm;
  • bujqësi;
  • industri;
  • teknologji;
  • arsim të lartë;
  • kërkim shkencor;
  • diasporë;
  • investime strategjike.

Në vend që dy ekonomi relativisht të vogla të planifikojnë veçmas, një strukturë federale do të mund të krijonte ekonomi shkalle dhe kapacitet më të madh negociues.

Në librin Federata Shqiptare, ekonomia trajtohet pikërisht në këtë perspektivë: federata shihet si mundësi për ndërtimin e një hapësire të përbashkët ekonomike dhe për zhvillimin e institucioneve moderne të shtetit. Por kjo nuk duhet romantizuar. Një federatë nuk prodhon automatikisht mirëqenie. Ajo do të kërkonte një mekanizëm të qartë të solidaritetit fiskal, rregulla transparente për transferet dhe investimet, disiplinë buxhetore dhe politika që shmangin krijimin e varësive të përhershme midis njësive.
Pra, parimi nuk do të duhej të ishte “njëra paguan, tjetra merr”, por: konvergjencë përmes investimit, produktivitetit dhe tregut të përbashkët.

VII. Nga kufiri ndërkombëtar te hapësira e përbashkët federale

Një prej ndryshimeve më të mëdha që do të sillte një federatë do të ishte transformimi i kuptimit politik të kufirit Shqipëri–Kosovë. Sot ai është kufi ndërmjet dy shteteve. Në një sistem federal, ai do të shndërrohej në një kufi të brendshëm administrativ e kushtetues.
Kjo nuk do të nënkuptonte zhdukjen e identiteteve territoriale. Përkundrazi, do të nënkuptonte që qytetarët, kapitali, mallrat dhe shërbimet do të lëviznin brenda një hapësire të vetme politike dhe ekonomike.
Këtu qëndron një prej potencialeve më të rëndësishme të federalizmit: ai mund të realizojë integrimin pa uniformizim. Njësitë federale mund të ruajnë institucionet e tyre, ndërsa kufijtë ndërmjet tyre humbin funksionin pengues.Kjo është edhe një mënyrë për të menduar sovranitetin në kushtet moderne.
Sovraniteti nuk duhet parë domosdoshmërisht si një sasi fikse që ose e ke, ose nuk e ke.
Në sistemet moderne politike, sovraniteti mund të organizohet në nivele të ndryshme:

lokal → federal → europian.

Kjo mund të përkufizohet si sovranitet funksional: kompetenca ushtrohet në nivelin ku mund të realizohet më efektivisht.

VIII. Federata Shqiptare dhe Europa: dy nivele të kohezionit

Një prej ideve themelore të konceptit të Federatës Shqiptare është se ajo nuk duhet të konceptohet si alternativë ndaj Europës.

Në librin e vitit 2016 argumentohet se Federata Shqiptare dhe projekti europian mund të shihen si dy procese që nuk përjashtojnë njëri-tjetrin: forcimi i kohezionit të shtetit-komb mund të bashkëjetojë me integrimin europian.Kjo ide mund të shprehet përmes një formule të thjeshtë:

Kombi shqiptar → Federata Shqiptare → Europa e integruar.

Në këtë skemë, Federata nuk do të ishte kthim në nacionalizmin klasik territorial. Ajo do të ishte një mënyrë për të organizuar më racionalisht një hapësirë politike shqiptare brenda një Europe ku sovraniteti gjithnjë e më shumë ushtrohet në nivele të shumëfishta.
Në fakt, vetë eksperienca europiane tregon se shteti kombëtar nuk është zhdukur nga integrimi europian. Përkundrazi, shtetet kanë transferuar disa kompetenca në nivel europian duke ruajtur një pjesë të madhe të kompetencave kombëtare.
Prandaj, teorikisht mund të imagjinohet një rend me tri nivele:

Njësitë federale → Federata Shqiptare → Bashkimi Europian.

Kjo do të ishte një formë e sovranitetit të shumëfishtë. Në këtë pikë, Federata do të mund të interpretohej jo si pengesë ndaj Europës, por si një përpjekje për ta përshtatur organizimin politik shqiptar me logjikën e integrimit europian.

IX. Federata si përgjigje ndaj fragmentimit gjeopolitik

Përtej ekonomisë dhe kushtetutës, ekziston edhe dimensioni gjeopolitik.
Një shtet federal me dy njësi do të kishte një masë territoriale, demografike, ekonomike dhe institucionale më të madhe se secila republikë veçmas.

Në librin Federata Shqiptare, ky dimension është trajtuar si mundësi për rritjen e peshës së faktorit shqiptar në rajon dhe për krijimin e një ekuilibri më të madh në marrëdhëniet rajonale.
Megjithatë, këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm.

Rritja e kapacitetit shtetëror nuk duhet barazuar me projekt dominimi.

Një Federatë Shqiptare e konceptuar në frymën europiane do të duhej të bazohej në:

  • respektimin e sovranitetit të shteteve fqinje;
  • respektimin e së drejtës ndërkombëtare;
  • marrëdhënie të mira fqinjësore;
  • integrimin europian;
  • bashkëpunimin rajonal;
  • demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Kjo do ta diferenconte një projekt federal nga format klasike të nacionalizmit ekspansionist.
Federata do të ishte më shumë institucionalizim i kapacitetit të përbashkët sesa projekt i zgjerimit territorial.

X. Problemi i demokracisë dhe i legjitimitetit

Çdo projekt i kësaj natyre do të dështonte nëse do të trajtohej vetëm si projekt i elitave politike. Federata duhet të ketë legjitimitet demokratik. Kjo nënkupton një proces të gjatë:

studim → debat publik → negociim politik → draft kushtetues → konsultim publik → ratifikim demokratik.

Doyle e thekson rëndësinë e debatit publik të strukturuar dhe të përfshirjes së shoqërisë civile në planifikimin e një bashkimi të mundshëm irlandez. Ky mësim është i vlefshëm edhe këtu.

Përpara çdo vendimmarrjeje përfundimtare do të duhej të ekzistonte një debat i gjerë mbi:

  • përfitimet;
  • kostot;
  • rreziqet;
  • modelet kushtetuese;
  • ekonominë;
  • të drejtat qytetare;
  • administratën;
  • mbrojtjen;
  • marrëdhëniet ndërkombëtare;
  • marrëdhëniet me BE-në dhe NATO-n.

Në këtë mënyrë, qytetarët nuk do të votonin për një simbol abstrakt, por për një arkitekturë të kuptueshme politike.

XI. Kundërargumentet: pse Federata nuk është zgjidhje automatike

Një ese serioze mbi Federatën Shqiptare nuk mund të mbyllet pa trajtuar argumentet kundër saj.
Së pari, ekziston problemi i asimetrisë ekonomike. Një federatë mund të krijojë tensione nëse transferet fiskale perceptohen si të padrejta.
Së dyti, ekziston problemi i konkurrencës institucionale. Nëse kompetencat nuk përcaktohen qartë, mund të krijohen konflikte midis institucioneve federale dhe atyre të njësive.
Së treti, ekziston problemi i legjitimitetit politik. Bashkimi nuk mund të ndërtohet vetëm mbi një argument historik; ai kërkon pëlqim demokratik.
Së katërti, ekziston problemi ndërkombëtar. Një transformim i statusit kushtetues të Kosovës dhe Shqipërisë do të kishte pasoja në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare dhe do të kërkonte trajtim juridik e diplomatik shumë të kujdesshëm.
Së pesti, ekziston problemi i pritshmërive. Nëse qytetarëve u premtohet se federata do të zgjidhë automatikisht problemet e zhvillimit, korrupsionit, migrimit apo mirëqenies, projekti do të ndërtohej mbi iluzione.
Së gjashti, ekziston problemi i vetë federalizmit: një federatë mund të jetë funksionale vetëm nëse ekzistojnë institucione të forta, kulturë kushtetuese dhe mekanizma efektivë për zgjidhjen e konflikteve.

Prandaj, argumenti për Federatën duhet të jetë argument për një projekt të realizueshëm, jo thjesht për një ideal. Kjo është pikërisht pika ku përvoja e Doyle është më e vlefshme: planifikimi duhet të paraprijë vendimmarrjen, jo të vijë si improvizim pas saj. Libri i tij nënvizon se një proces bashkimi prek pothuajse çdo fushë të qeverisjes dhe shoqërisë.

XII. Nga ideja te projekti: Libri i Bardhë për Federatën Shqiptare

Nëse koncepti do të kalonte nga debati teorik në fazën e projektimit, hapi logjik do të ishte hartimi i një White Paper – Libri i Bardhë për Federatën Shqiptare.

Ai do të mund të kishte së paku këta kapituj:

1. Bazat historike dhe politike

Historia e shtetformimit shqiptar dhe marrëdhënia Shqipëri–Kosovë.

2. Modelet federale

Gjermania, Austria, Belgjika, Zvicra dhe modele të tjera relevante, me vëmendje te dallimet mes federatës dhe konfederatës.

3. Kushtetuta Federale

Parimet themelore, ndarja e pushteteve dhe kompetencat.

4. Dy njësitë federale

Statusi, kompetencat dhe autonomia e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

5. Parlamenti Federal

Dhomat, përfaqësimi dhe mekanizmat e balancimit.

6. Qeveria Federale

Kompetencat dhe përgjegjësitë.

7. Gjykata Kushtetuese Federale

Zgjidhja e konflikteve ndërmjet federatës dhe njësive.

8. Sistemi ekonomik

Tregu i përbashkët, politika fiskale, investimet dhe fondi i konvergjencës.

9. Politika monetare

Modeli i përbashkët monetar dhe marrëdhënia me eurozonën.

10. Mbrojtja dhe siguria

Doktrina e përbashkët e mbrojtjes dhe arkitektura institucionale.

11. Politika e jashtme

Përfaqësimi ndërkombëtar dhe marrëdhëniet me BE-në, NATO-n dhe shtetet e tjera.

12. Infrastrukturat strategjike

Energjia, hekurudhat, portet, autostradat, komunikimi digjital.

13. Arsimi, kultura dhe shkenca

Krijimi i një hapësire të përbashkët akademike e kulturore.

14. Diaspora

Një politikë e përbashkët për diasporën shqiptare.

15. Integrimi europian

Marrëdhënia midis Federatës Shqiptare dhe Bashkimit Europian.

16. Tranzicioni

Fazat juridike, administrative dhe ekonomike të kalimit nga dy shtete në një federatë. Kjo do ta kthente konceptin nga ide politike në projekt shtetformues të diskutueshëm publikisht.

XIII. Një rend i ri i kohezionit: kombi, federata, Europa

Në këtë pikë mund të rikthehemi te pyetja fillestare. Pse një Federatë Shqiptare me dy njësi?
Përgjigjja nuk duhet kërkuar vetëm te historia. Ajo duhet kërkuar në marrëdhënien midis tri realiteteve:

kombit shqiptar, dy republikave ekzistuese dhe Europës së integruar.

Kombi përfaqëson dimensionin historik, kulturor dhe politik të identitetit. Dy republikat përfaqësojnë realitetin institucional të krijuar gjatë shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.

Europa përfaqëson nivelin më të lartë të ndërvarësisë politike dhe ekonomike në të cilin shtetet shqiptare synojnë të integrohen. Federata, në këtë kuptim, do të mund të konceptohej si hallkë ndërmjetëse: nga identiteti kombëtar te shteti federal dhe nga shteti federal te Europa e integruar.

Kjo është edhe arsyeja pse koncepti i Federatës Shqiptare në librin e vitit 2016 është vendosur në marrëdhënie me projektin europian, jo kundër tij.

Përfundim: Federata si pyetje e re e shtetformimit shqiptar

Historia politike shqiptare ka kaluar nëpër disa etapa të mëdha. Rilindja Kombëtare formuloi idenë e kombit politik. Pavarësia e vitit 1912 krijoi shtetin shqiptar. Lufta e Kosovës dhe krijimi i Republikës së Kosovës përfaqësuan një etapë të re të vetëvendosjes politike shqiptare.

Shekulli XXI shtron një çështje tjetër për zgjidhje: A mund të ndërtohet një formë e re e kohezionit politik që nuk i asgjëson këto arritje, por i vendos ato në një arkitekturë më të gjerë?

Koncepti i Federatës Shqiptare synon ta hapë pikërisht këtë debat.
Në këtë perspektivë, federata nuk do të ishte kthim prapa drejt një modeli të centralizuar të shtetit-komb, por një përpjekje për ta përshtatur shtetformimin shqiptar me realitetet e reja të Europës së integruar. Ajo nuk do të kërkonte domosdoshmërisht zhdukjen e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës si njësi politike. Përkundrazi, do të mund t’i shndërronte ato në dy njësi themeluese të një rendi të ri federal.
Prandaj, formula e saj themelore do të mund të shprehej kështu: Dy republika ekzistuese, një shtet federal, një treg i përbashkët, një politikë strategjike e përbashkët dhe një hapësirë e përbashkët politike shqiptare në Europën e integruar.

Por një Federatë e tillë nuk mund të ndërtohet mbi romantizmin politik. Ajo do të kërkonte kushtetutë, institucione, ekonomi funksionale, disiplinë fiskale, mekanizma demokratikë, garanci juridike dhe një plan të detajuar tranzicioni. Këtu qëndron mësimi më i rëndësishëm që mund të nxirret nga Doyle: nuk mjafton të dish se çfarë dëshiron të ndërtosh; duhet të dish edhe si do të funksionojë ajo që do të ndërtosh. Before the Vote e vendos pikërisht këtë logjikë në qendër të planifikimit të bashkimit irlandez: përpara vendimit duhet të ekzistojë një tablo sa më e qartë e institucioneve, ekonomisë, shërbimeve publike, ligjit, të drejtave dhe tranzicionit.

Kjo e bën librin e Doyle një plotësim metodologjik të konceptit të Federatës Shqiptare.
Nëse libri Federata Shqiptare – Kohezioni i shtetit-komb në BE formuloi pyetjen pse një kohezion i ri politik shqiptar, Before the Vote na detyron të shtrojmë pyetjen si do të funksiononte ky kohezion në praktikë.
Në këtë pikë, debati për Federatën Shqiptare hyn në një fazë tjetër. Nuk është më vetëm debat për historinë. Nuk është vetëm debat për identitetin. As nuk është vetëm debat për kufijtë. Ai tashmë është debat për arkitekturën e shtetit.

Dhe pikërisht këtu qëndron kuptimi më i thellë i idesë së Federatës Shqiptare: ajo mund të studiohet si një përpjekje për të kapërcyer kontradiktën ndërmjet faktit se shqiptarët kanë dy republika dhe aspiratës për një hapësirë më të lartë të kohezionit politik. Në fund të fundit, një komb nuk matet vetëm me aftësinë për të ëndërruar një të ardhme të përbashkët. Ai matet edhe me aftësinë për ta projektuar atë të ardhme në institucione demokratike, të qëndrueshme dhe europiane. Në këtë kuptim, Federata Shqiptare mund të trajtohet si një prej çështjeve të mëdha të shtetformimit shqiptar në shekullin XXI: Si të krijohet kohezioni pa centralizim, bashkimi pa absorbim, sovraniteti pa izolim dhe shtetësia shqiptare pa u shkëputur nga Europa?

Përgjigjja e mundshme e federalizmit është: Dy republika. Një federatë. Një rend kushtetues i përbashkët. Një hapësirë ekonomike e integruar. Dhe një orientim europian.

Kjo nuk është një zgjidhje që mund të merret e mirëqenë; është një projekt politik dhe kushtetues që do të duhej të testohej nëpërmjet argumentit, studimit, debatit publik dhe vullnetit demokratik.

Por pikërisht për këtë arsye, çështja e Federatës Shqiptare nuk duhet trajtuar vetëm si nostalgji për një bashkim të parealizuar historik. Ajo mund të shtrohet si një pyetje bashkëkohore mbi mënyrën se si një komb i ndarë ndërmjet dy republikave mund ta organizojë kohezionin e vet në epokën e sovranitetit të shumëfishtë dhe të Europës së integruar.
Nga bashkimi si ideal te federata si projekt: ky është kapërcimi konceptual që i duhet debatit shqiptar.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu