
Halil Geci, Skenderaj
Kur demokracia shpallet “diktaturë” vetëm sepse pushtetin e fitojnë të tjerët dhe jo opozita. Shkrimet e Lirim Gashit gjithmonë më shtyjnë të mendoj dhe të reflektoj se si t’u përgjigjem. Lirimi e di mirë se unë e çmoj dhe i lexoj me interes të madh analizat dhe shkrimet e tij politike.
Shkrimi i tij me titull “Kur fitorja shndërrohet në diktaturë vetëm pse nuk fiton opozita” më bëri jo vetëm ta lexoj me vëmendje, por edhe ta mbështes mesazhin që ai ka dashur të përcjellë.
Thelbi i argumentit të Lirim Gashit është i thjeshtë: nuk ka diktaturë kur një parti politike, e cila fiton zgjedhjet në mënyrë demokratike dhe siguron shumicën parlamentare, merr përgjegjësinë për të qeverisur dhe për të ushtruar kompetencat që ia jep Kushtetuta dhe vota e qytetarëve.
Në çdo demokraci parlamentare është normale që shumica fituese të marrë: — postin e Kryeministrit, — postin e Kryetarit të Kuvendit, — dhe të ketë rol vendimtar edhe në zgjedhjen e Presidentit sipas procedurave kushtetuese.
Por në Kosovë ndodh e kundërta: opozita e paraqet këtë realitet demokratik si “kapje të shtetit” ose si “diktaturë”, jo sepse janë shkelur rregullat demokratike, por sepse nuk janë vetë në pushtet. Problemi nuk qëndron tek demokracia thot Lirimi por tek vështirësia për ta pranuar rezultatin zgjedhor. Ai sjell edhe shembuj nga demokracitë e konsoliduara parlamentare, ku poste të rëndësishme shtetërore janë mbajtur nga e njëjta familje politike pa u konsideruar kjo si diktaturë apo rrezik për demokracinë.
Rasti i Angela Merkelit, Horst Köhlerit dhe Norbert Lammertit është një prej këtyre shembujve. Pyetja që Lirim Gashi ia drejton opozitës është e drejtpërdrejtë: “Nëse fituesit nuk lejohen të qeverisin me kompetencat që ua jep shumica parlamentare, atëherë cili është kuptimi i zgjedhjeve?” Për ta përforcuar këtë ide, ai sjell edhe frymën satirike të humoristit dhe shkrimtarit Ephraim Kishon, i cili me shumë gjasë do ta përshkruante këtë situatë me fjalët: “Ky nuk është sistem politik, por një teatër ku fituesi duhet të kërkojë falje që fitoi.”
Në fund mbetet një pyetje e thjeshtë: a është problem demokracia, apo pamundësia për ta pranuar verdiktin e qytetarëve? Ai me një fjalë i drejtohet opozites në demokraci fituesi qeveris o loparë,ndërsa opozita kontrollon dhe kritikon pushtetin.
Kjo është logjika e sistemit parlamentar. Të gjitha të tjerat janë debat politik, por jo domosdoshmërisht krizë e demokracisë.


