ARKIVI:
15 Maj 2024

Kryeministri Kurti: Përdhunimet kanë ndodhur meqë ne ishim shqiptarë dhe dëshironim të jetojmë të lirë në tokën tonë

Shkrime relevante

Për burrat që e nuhasin si qentë erën e hormoneve seksuale

Shkruan dhe këndon : Lirim Gashi,Prishtinë PSE JAM KRIJUESI MË I...

Mjaft me bukuri e rregullime …, mjaft me makjazh të tejmbushur…?!

Nga: Monika Braja * Ç'farë shkoi kaq shtrembër e keq në këtë jetë...

The Stirling News-Argus (1913) / Shqipëria si Skocia : “Dashuria për atdheun, traditat, muzika, veshjet…”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Maj 2024  “The Stirling News-Argus” ka botuar,...

Veriu i vendit, Trieste e dytë në Ballkan!

Florim Zeqa Interesi i shtetit duhet të shikohet nga mundësitë tona, nga...

Shpërndaj

Prishtinë, 19 qershor 2022

Me vendosjen e luleve të freskëta, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bëri nderime te memoriali “Heroinat” i cili përkujton mijëra  gra e vajza, burra e djem, viktima e të mbijetuar të dhunës seksuale nga forcat e okupatorit serb në luftën e fundit në Kosovë.

Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, kryeministri kujtoi e nderoi viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që nuk janë më në mesin tonë dhe të gjithë personat e mbijetuar, që me forcë të pashembullt kanë folur hapur për këtë krim, për këtë armë lufte.

Sot nderojmë të gjitha ato të cilat u përdhunuan dhe me kurajon e tyre treguan të vërtetën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, tha kryeministri Kurti. Në veçanti sot dëshirojmë që të falënderojmë dhe shprehim mirënjohjen tonë të thellë për zonjën Vasfije Krasniqi Goodman e cila ju dha kurajo shumë grave që të ndjekin shembullin e saj dhe të dëshmojnë për krimin e Serbisë. Por qysh në vitin 2013 kemi pasur shembullin e Marte Tunajt, e cila fatkeqësisht ka ndërruar jetë në maj të vitit 2016 dhe e cila e pat thyer heshtjen duke rrëfyer rastin e saj, shtoi ai.

Kryeministri Kurti ritheksoi se shteti i Republikës së Kosovës, Qeveria jonë është gjithmonë pranë viktimave të mbijetuara gjatë luftës në Kosovë nga dhunimi seksual dhe me gjithë kapacitetin tonë, me aftësitë dijet tona, po përpiqemi që t’iu dalim në ndihmë. Në njërën anë t’i inkurajojmë rrëfimet për gjenocidin e Serbisë, sepse e vërteta na ndihmon të gjithëve edhe si individ edhe si shoqëri, por gjithashtu në anën tjetër kjo edhe faktorëve ndërkombëtarë ua bën me dije se nuk duhet të harrojmë një luftë e cila ka ndodhur në jetën tonë, në brezin tonë, pikërisht tash kur po përsëriten shumë prej këtyre imazheve makabër në Ukrainë për shkak të invazionit rus dhe agresionit ushtarak atje.

Duke i falënderuar të gjitha organizatat e shoqërisë civile të cilat iu kanë qëndruar pranë dhe i kanë ndihmuar viktimat e mbijetuara të dhunimit seksual, kryeministri u bëri thirrje të gjitha burrave e djemve, që ta kuptojnë se heshtja kushton më së shumti.

Çfarë ka ndodhur nuk ka ndodhur për shkak se ato gra e vajza kishin emra të përveçëm dhe askush nuk ka nevojë që ta përjetojë atë si diçka personale apo vetëm individuale. Sepse përdhunimet, sikurse edhe torturat, sikurse edhe vrasjet, sikurse edhe të gjitha llojet e vuajtjeve kanë ndodhur meqë ne ishim shqiptarë dhe dëshironim të jetojmë të lirë në tokën tonë. Ky është një çmim shumë i madh dhe i padrejtë që e kemi paguar ne. E ne e dëshmojmë që e duam këtë vend pikërisht duke shprehur solidaritetin tonë të pakushtëzuar me ata të cilët kanë humbur e vuajtur më së shumti, theksoi ai.

Së bashku me kryeministrin Kurti, homazhe bënë edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, Kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Leonora Selmani, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, këshilltari i kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici, deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues e përfaqësuese të institucioneve.

 Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Sot vendosëm lule të freskëta dhe bëmë nderim këtu tek memoriali i cili përkujton rreth 20.000 gra e vajza, por edhe burra e djem të cilët u përdhunuan nga forcat e okupatorit serb në luftën e fundit në Kosovë.

Është Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale gjatë konfliktit, andaj edhe me gra e vajza të institucioneve, të Qeverisë, të Kuvendit, sot nderojmë të gjitha ato të cilat u përdhunuan dhe me kurajon e tyre treguan të vërtetën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Përdhunimi seksual ka qenë armë e luftës dhe ndonëse kemi një numër  kaq të madh të të përdhunuarve, megjithatë vetëm në vitin e kaluar më në fund është dënuar Zoran Vukotiqi, për përdhunimin e një shqiptareje në Vushtrri.

Por në veçanti sot dëshirojmë që të falënderojmë dhe shprehim mirënjohjen tonë të thellë për zonjën Vasfije Krasniqi Goodman e cila ju dha kurajo shumë grave që të ndjekin shembullin e saj dhe të dëshmojnë për krimin e Serbisë. Por qysh në vitin 2013 kemi pasur shembullin e Marte Tunajt, e cila fatkeqësisht ka ndërruar jetë në maj të vitit 2016 dhe e cila e pat thyer heshtjen duke rrëfyer rastin e saj.

Këto përdhunime kanë shkatërruar jetë, kanë shkatërruar familje, kanë krijuar plagë të thella në shoqërinë tonë, të cilat vazhdojnë që të kullojnë.

Shteti i Republikës së Kosovës, Qeveria jonë është gjithmonë pranë viktimave të mbijetuara gjatë luftës në Kosovë nga dhunimi seksual dhe me gjithë kapacitetin tonë, me aftësitë dijet tona, po përpiqemi që t’iu dalim në ndihmë. Në njërën anë t’i inkurajojmë rrëfimet për gjenocidin e Serbisë, sepse e vërteta na ndihmon të gjithëve edhe si individ edhe si shoqëri, por gjithashtu në anën tjetër kjo edhe faktorëve ndërkombëtarë ua bën me dije se nuk duhet të harrojmë një luftë e cila ka ndodhur në jetën tonë, në brezin tonë, pikërisht tash kur po përsëriten shumë prej këtyre imazheve makabër në Ukrainë për shkak të invazionit rus dhe agresionit ushtarak atje.

Pra nuk e kishim vetëm Luftën e dytë Botërore, që tash të fokusohemi në luftën në Ukrainë, ishin edhe luftërat në Ballkan në vitet e ’90-ta, në Kroaci, në Bosnjë dhe këtu në Kosovë, dhe është tejet e rëndësishme që rrëfimi ynë për luftën të aktualizohet mu tani.

I falënderoj të gjitha organizatat e shoqërisë civile të cilat iu kanë qëndruar pranë dhe i kanë ndihmuar viktimat e mbijetuara të dhunimit seksual. Gjithashtu u bëj thirrje të gjitha burrave e djemve sidomos në Kosovë që ta kuptojnë se heshtja kushton më së shumti dhe se duhet të pranojmë çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe guximi duhet ta mund turpin. Unë e kuptoj plotësisht turpin që ekziston për atë çfarë ka ndodhur, për shkak të traditës dhe kulturës tonë, mirëpo në anën tjetër me guxim ne duhet ta mundim turpin sepse çfarë ka ndodhur nuk ka ndodhur për shkak se ato gra e vajza kishin emra të përveçëm dhe askush nuk ka nevojë që ta përjetojë atë si diçka personale apo vetëm individuale. Sepse përdhunimet, sikurse edhe torturat, sikurse edhe vrasjet, sikurse edhe të gjitha llojet e vuajtjeve kanë ndodhur meqë ne ishim shqiptarë dhe dëshironim të jetojmë të lirë në tokën tonë. Ky është një çmim shumë i madh dhe i padrejtë që e kemi paguar ne. E ne e dëshmojmë që e duam këtë vend pikërisht duke shprehur solidaritetin tonë të pakushtëzuar me ata të cilët kanë humbur e vuajtur më së shumti.

Ju falemnderit.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu