ARKIVI:
1 Maj 2026

Kuvendi i Kosovës, “fabrikë” procedurash apo varr i vendimmarrjes? 

Shkrime relevante

Elita e heshtur intelektuale dhe sundimi i mediokritetit

Luljeta Pula, Prishtinë Një komb rrënohet kur ai humb Elitën. Dhe ne...

Kuvendi i Kosovës, “fabrikë” procedurash apo varr i vendimmarrjes? 

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina ____ Dilema që po më provokon...

Shtetin duhet ta drejtojnë ata që e duan me shpirtë dhe zemër atdheun e tyre!

Florim Zeqa Duke qenë dëshmitar që të gjitha partitë pa dallim, nuk...

Pani-i me OVL e tij falsifikatorë të historisë!

(Vijon nga "Penalizimi i qëllimshëm i Kolonel Rrustem Berishës") Idriz Zeqiraj, Gjermani ____  ...

Përplasje mes kohës dhe kërkimit të identitetit, mendime rreth librit të Jusuf Buxhovit , “Lufta e fshehur, Anteu”

Shkruan: Engjëll I. Berisha ____ Jusuf Buxhovi: “Lufta e fshehur, Anteu”. Shtëpia Botuese...

Shpërndaj

____

Dilema që po më provokon tani, kur seancat e Kuvendi i Kosovës po mbahen pandalur por pa mundur të kenë një vendimmarrje adekuate e pa prezencën e opozitës, ka të bëjë me sintagmën që “meriton” t’i mvishet gjithë kësaj telenovele absurde! Ta identifikoj si “puç”, ashtu siç bëri lideri i PDK-së, z. Hamza, term ky për të cilin kam rezerva, apo si mungesë e “vullnetit” për kompromis, ashtu siç e quan Sir Bernard Crick*), që nënkupton një lloj deficiti të politikës si art i kompromisit?

Fjala “puç” nuk po më duket adekuate pér ta ilustruar mjerimin e Kuvendit, sepse në gjykimin tim sociologjik, përveç që nuk është e mjaftueshme për ta përmbledhur gjithë këtë smirë të akumuluar, gjithë këtë xhelozi frustruese e gjithë këtë “shizofreni” (po, po!?) të aktorëve tanë aktualë politikë, nuk është as etike e as morale! Po më duket që këtu kemi të bëjmë me një ritual e improvizim tejet djallëzor të mosveprimit të qëllimshëm, ku përmes një koreografie procedurash që po ripërsëriten po shpresohet me e “socializua”, me e adaptua po edhe me e bind qytetarinë kosovare, se gjendja bllokuese është një gjendje normaliteti!? Mirëpo, ky ritual i akomodimit e adaptimi me atmosferën bllokuese, po harrojmë që është kah na “delegon” pandalur edhe kah njé theqafje apo gremine me pasoja të një paralize që u prodhua artificialisht brenda vetë rregullave kushtetuese!

Dhe gjithë kjo lojë hipokrite, sadomazohiste e, do të shtoja, edhe perverse e partive politike, po na sinjalizon poashtu edhe një mesazh tjetër shtesë që është; se Kosova urgjentisht ka nevojë ta rishqyrtojë gjithë arkitekturën e Kushtetutës “ahtisariane”. E ajo çfarë po “nuhas” unë, VV-ja e ka përgaditur përgjigjen dhe besoj edhe projektin e shkërmoqjes së kësaj Kushtetute. E ajo përgjigje, e projekt, është ideja e “Republikës së tretë”, për të cilën kam paralajmëruar publikisht me një seri shkrimesh, por që “baballarët” e saj (Albin Kurti) ende nuk e kanë bërë publike. Ajo çka më çudit është se opozita nuk ka “prodhuar” ende alternativën e kësaj ngrehine që po mundohet të instalohet agresivisht përmes formave dhe metodave demokratike nga VV-ja. Në këte kontekst edhe riciklimin e seancave jam duke e parë nga kjo “dioptri” ngase në pamje të parë po shohim që institucionet tjera po funksionojnë në aspektin formal përmes mbledhjeve qeveritare, debateve në Kuvend, procedurave e vendimmarrjeve për borde, AGP-ja etj., por, në anën tjetër po tentohet me çdo kusht të kontestohen të njejtat!?

Pra, aktorët politikë nuk janë pasivë; përkundrazi, janë maksimalisht aktivë në mbrojtjen e pozicioneve të tyre, por po e refuzojnë kompromisin! Qëndrime e barrikadime këto diametralisht të kundërta, që sociologu anglez Bernard Crick i identifikon si mungesë të politikës si art i kompromisit, ku kompromisi shihet si humbje, jo si mjet i domosdoshëm për funksionimin demokratik.

Ky autor, me përvojën dhe teorinë e tij, dëshmon, midis tjerash, se politika si art nuk është as moralizim abstrakt dhe as luftë për dominim total, por, de facto dhe de jure, është aftësi dhe proces i ndërmjetësimit të interesave të ndryshme që ka një shoqëri plurale. Moment ky që, kur krahasohet me situatën aktuale në Kosovë, na del se dramatizimi i improvizuar nga subjektet aktuale politike themelet i ka jo aq te mungesa e interesave të ndryshme, sa te refuzimi sistematik për t’i negociuar ato.

Kosova, si një shoqëri tranzitive e post-konfliktuale që “shoqërohet” normalisht me pluralizëm të brendshëm politik (të pranuar pa hamendje) dhe, paradoksalisht, një pluralizëm (të imponuar!) etnik, do të duhej të ishte ambienti ideal për zhvillimin e një kulture kompromisi. Por, në praktikë, politika ka rrëshqitur drejt një logjike zero-sum që nënkupton se çdo lëshim pe ndaj rivalit politik të interpretohet ekskluzivisht si humbje dhe çdo kompromis si tradhti! Logjika e tillë “bardhë e zi”, sipas Crick-ut, na dëshmon faktin se aty ku nuk ka kompromis, nuk ka as politikë, por vetëm përplasje të kamufluar si politikë. Dhe se mungesa e kësaj intuite bie ndesh me sistemin dhe normat vlerore të politikës si art i së mundshmes dhe si “bankomat politik”.

Një nga përvojat interesante që mund të nxirret nga mendimi i këtij autori është se legjitimiteti i fituar politik në zgjedhje buron ekskluzivisht nga kapaciteti për të përfaqësuar dhe balancuar interesat e elektoratit, e jo nga pretendimi për të vë monopol moral mbi ta. Në Kosovë kemi ende subjekte politike, por edhe liderë politikë, që e ndërtojnë diskursin mbi superioritetin moral, duke e delegjitimuar kundërshtarin si të papranueshëm për kompromis! Dhe çfarë është më interesante, kjo “narrativë” e stigmatizimit dhe paragjykimit të rivalit politik nga subjekti që ka monopol të dëshmuar zgjedhor prodhon paradoksin tjetër, ku subjekti që pretendon për më shumë “pastërti” politike, aq më pak bëhet i aftë për të ushtruar politikë realiste e pragmatike.

Kriza e zgjedhjes së presidentit, ngërçet parlamentare dhe polarizimi ekstrem janë simptoma të kësaj patologjie politike që është instaluar qëllimshëm në diskursin tonë publik. Ku arena publike e Kuvendit, në vend që të funksionojë si aulë e negocimit, debateve dhe kompromiseve politike, është shndërruar në teatër bllokade. Kjo përputhet me një tjetër ide të Crick-ut, ku thotë: “…kur politika fillon të zëvendësohet me refuzim të kompromisit, sistemi rrëshqet drejt anti-politikës”. Dhe anti-politika, në gjykimin tim sociologjik, është shumë më e rrezikshme sesa vetë konflikti politik, sepse ajo siç po e vrejmë me përvojen e ngërçit është kah e gërryen besimin e qytetarëve për demokraci dhe është kah e rrit mosbesimin përmes polarizimit të skajshëm.

Në këtë kontekst, rritja e diskursit anti-politik në Kosovë (“të gjithë janë njësoj”) nuk është thjesht “produkt” i ndonjë reagimi spontan qytetar, por është pasojë direkte e dështimit të elitave për të prodhuar kompromise funksionale dhe në dobi të shtetit e kombit në tërësi.

Një dimension tjetër kritik në analizën e Crick-ut është kufizimi i pushtetit. Politika, sipas tij, ekziston vetëm aty ku asnjë aktor nuk ka fuqi absolute dhe ku të gjithë janë të detyruar të negociojnë me njëri-tjetrin. Në Kosovë, megjithëse ekzistojnë mekanizma formalë të balancës institucionale që i ka paraparë edhe Kushtetuta “ahtisariane”, praktika politike po na dëshmon se ajo po synon dominim total qoftë përmes shumicave të brishta, qoftë përmes bllokadave strategjike. Qasja e tillë kam përshtypje se është kah e “pensionon” edhe këtë normë vlerore.

Ani pse përvoja jonë demokratike është e shkurtër, shihet sheshazi që Kosova nuk po vuan aq shumë nga mungesa e politikëbërjes, sa nga keqkuptimi i saj. Themi kështu sepse nocioni i politikës, pa asnjë dyshim, është reduktuar ekskluzivisht në luftë për legjitimitet moral dhe kontroll institucional, duke harruar kështu dimensionin e saj thelbësor: negocimin racional ndërmjet interesave të ndryshme dhe menaxhimin e dallimeve klanore, grupore e ideologjike. Kurse Kuvendi në vend që të ishte një “fabrikë” procedurash egzistenciale për shtetësinë e mangët është shndërruar në një varr vendimarrjesh…

* ) Sir Bernard Crick (1929–2008) ishte një teoricien britanik i politikës, shkrimtar dhe intelektual publik, i njohur për mbrojtjen e politikës si një aktivitet thelbësor demokratik. Ai, me veprat e tij, ndikoi fuqishëm në studimet moderne politike dhe në mësimdhënien e qytetarisë në Mbretërinë e Bashkuar. Libri i tij më i rëndësishëm, The American Science of Politics (1959), u bë një udhëzues kryesor që kritikoi ashpër përpjekjet e liderëve karizmatikë për ta shndërruar politikën në një disiplinë thjesht shkencore. Fokusi i analizës së tij, që mund të ndërlidhet edhe me situatën e ngërçit në Kosovë, ka të bëjë me dukurinë e aktivizmit publik—normë dhe vlerë kjo që është kura më adekuate për të “shëruar” si ambiciet, ashtu edhe synimet arbitrare e autoritare të pretenduesve për të sunduar në mënyrë absolute në kushtet e një vendi demokratik. Sipas tij, instalimi i mekanizmit të debatit politik dhe i kompromisit mbetet themeli, alternativa dhe kulmimi i “zërit” dhe frymës së lirisë së shprehjes dhe mendimit politik.

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Haj medet çka na ka gjet më UD se presidentes, Albulenaa Haxhiu,

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim për shkarkimin e konsulles së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll, Suzan Novobërdaliu.

    Sipas burimeve brenda Presidencës, media raporton se vendimi për lirimin nga detyra të Novobërdaliut është marrë menjëherë pas marrjes së kompetencave nga Haxhiu, në kuadër të ndryshimeve të fundit në shërbimin diplomatik. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se arsyeja kryesore e këtij vendimi lidhet me perceptimin se Novobërdaliu ka qenë e afërt me ish-presidenten Vjosa Osmani gjatë mandatit të saj.

    Vetë Haxhiu, në një deklarim publik, ka konfirmuar se janë bërë disa lirime nga detyra në shërbimin e jashtëm, por pa hyrë në detaje për rastet individuale. Ajo ka theksuar se këto vendime janë në funksion të rregullimit të procedurave dhe nevojave të shtetit, duke i cilësuar si pjesë të rotacionit normal diplomatik.

    Me ressspekt,

    Flri Bruqi

    Prishtine, 1.5.2026.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu