
Bislim Elshani, Therandë
____
Në eseun e tij famoz, “Ç’është iluminizmi”, filozofi i shquar gjerman i shekullit XVIII, Imanuel Kant, bën diferencimin, midis tjerash, midis bindjes së individit dhe shprehjes së lirë ose kritike. Me këtë rast ai merr si shembull disa kategori sociale, ku dallohen: oficeri ushtarak, zyrtari qeveritar, tregtari dhe prifti. Në detyrat e tyre politike dhe sociale, që të gjithë këta janë të obliguar për bindje pa kusht ndaj urdhërdhënësit (instancës më të lartë ushtarake, fetare apo qeveritare). Mirëpo të gjithë këta do të konsiderohen të lirë t‘i shprehin opinionet apo kundërshtimet e tyre në rast se i shfaqin ato nga pozita e dijetarit dhe jo e pjesëtarit të një organizmi. Çuditërisht, pothuajse të gjitha versionet shqip të kësaj sprove të Kantit që i gjeta në faqet e internetit janë përkthyer keq dhe nuk e sqarojnë si duhet këtë raport.
Filozofja jonë e shquar, Lea Ypi, që njihet si ndër njohëset më të thelluara në botë të filozofisë kantiane, u detyrua të përballet me pyetje të tilla prej bablokësh politikë e publicistikë, madje edhe nga autorë librash të njohur, nëse do ta pranonte detyrën e drejtuesit të lartë qeveritar në Shqipëri.
Natyrisht që reagimi i saj ishte jo vetëm refuzues, po edhe shfaqte bezdisjen dhe zhgënjimin e thellë me shkallën e kulturës politike e intelektuale në vendlindje.
Edhe dënimi i saj i intervenimit amerikan kundër Maduros në Venezuelë duhet parë në këtë kontekst.

Lea Ypi, as në Londër dhe as në Tiranë, nuk do të pranonte të merrte detyra politike, pa hequr dorë paraprakisht nga liria e saj për t’u shprehur e lirë për të gjitha problemet e botës. Mu në çastin kur ajo do të pranonte detyrat e tilla, ajo do te obligohej, sipas logjikës kantiane, për bindje dhe nënshtrim dhe jo për shprehje të lirë opinionesh, (përpos ndoshta në qarqe të ngushta). Si dijetar, asaj i lejohet të dënojë aktin arbitrar të arrestimit të një kryeqeveritari të një vendi të huaj sovran, qoftë dhe nga SHBA-të.

Në këtë mënyrë, ajo, para se të gjykohet në mënyrë sharlatane nga Petrit Vasili, sikur me këtë deklaratë ka tradhtuar Kosovën dhe çështjen shqiptare, duhet përshëndetur dhe falënderuar për faktin se pikërisht përmes kësaj deklarate ajo po e mbronte Kosovën, duke mbrojtur njëkohësisht rendin ndërkombëtar nga i cili varen sidomos fatet e popujve dhe shteteve të vegjël. Për këtë shkak, nëse do të më pyesnin kë do të preferoja, Lea Ypin si kryeministre apo Lea Ypin si filozofe, padyshim do të vendosja për këtë të fundit.

Përvoja e diplomatëve të shquar nga skena politike botërore na e vërteton këtë fakt: vetëm pasi dalin në pension, atyre u lejohet t’i shfaqin lirisht opinionet e tyre, sepse në këtë rast nuk bien në konflikt interesi.



Politika asht INTERESË. Ajo ndrron simbas interesit. Pra asht nji faktor i ndryshueshem, variabel.
Filosofia nuk asht Interesë. Filozofia asht kategori tjeter. Ajo ban analiza, interpretime dhe nxjerr konkluzione.
Per kete arsy, simbas mendimit tim, nuk mund te jeshë edhe politikan edhe filosof.