
Prof. Sabri Tahiri, Gjilan
Të nderuar qytetarë, përfaqësues të institucioneve arsimore, media dhe të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e arsimit në Kosovë,
Si njëri nga hartuesit kryesorë të Kurrikulës Kombëtare të Arsimit Parauniversitar të Kosovës, po e ngre publikisht një shqetësim madhor, që nuk është më vetëm një problem teknik i arsimit, por një krizë morale dhe kombëtare: mënyra se si po organizohet dhe zhvillohet Testi i Maturës Shtetërore po shkatërron besimin në sistemin arsimor, po dëmton të rinjtë e ndershëm dhe po rrezikon seriozisht cilësinë e të ardhmes sonë kolektive.
Çfarë po ndodh?
Në shumë shkolla të Kosovës, sipas dëshmive të shumta dhe të përsëritura, testi i maturës po zhvillohet me lehtësim të drejtpërdrejtë të kopjimit, ku administratorë, mësimdhënës dhe persona përgjegjës lejojnë, ose në disa raste nxisin kopjimin. Në këtë mënyrë, nxënës të papërgatitur arrijnë rezultate të larta padrejtësisht, ndërsa nxënësit e përkushtuar dhe të ndershëm ndihen të turpëruar, të padukshëm dhe të humbur në këtë sistem të shtrembëruar.
Përvoja ime personale e drejtpërdrejtë:
Para disa vitesh, pata përgjegjësinë të jem mbikëqyrës i rregullsisë së Testit të Maturës në një komunë. Zbatova me përpikëri disiplinën dhe ndershmërinë që kërkon një test i tillë kombëtar. Por sapo stafi i DKA-së komunale – përfshirë drejtorin dhe disa drejtorë shkollash – kuptuan që po e mbaja testin me rregull dhe nuk po lejoja manipulime, më erdhën personalisht në vendin ku zhvillohej testi dhe më luten që të isha “më tolerant”, sepse – sipas tyre – “edhe në komunat e tjera po bëhen tolerantë” dhe “nëse veprojmë me rregull, del komuna jonë keq në krahasim me të tjerat”!
Imagjinoni ku kemi arritur. Ky shembull nuk është i rrallë. Është pasqyra e një realiteti ku rregulli ndëshkohet, ndërsa shkelja justifikohet me pretekstin “kështu po bëjnë të gjithë”. Dhe më pas, nga këto institucione dhe struktura, kërkohet “përparim” arsimor dhe zhvillim kombëtar!
Pasojat janë të rënda dhe afatgjata:
Degradimi i meritokracisë – ku mundi, përgatitja dhe ndershmëria nuk vlerësohen.
Regjistrimi i studentëve të papërgatitur në universitetet tona, duke ulur cilësinë e arsimit të lartë dhe duke krijuar profesionistë të dobët nesër.
Normalizimi i pandershmërisë – nxënësit mësojnë se suksesi arrihet përmes manipulimit, jo përmes dijes.
Rënia e besimit publik në arsimin kombëtar – një goditje e rëndë për çdo përpjekje reformuese dhe zhvillimore.
Mjaft më me arsim formal pa përmbajtje!
Ne nuk kemi luksin të vazhdojmë të tolerojmë një proces që jo vetëm nuk mat dijen, por e maskon injorancën si sukses. Po krijojmë një realitet të rremë akademik, ku diploma ka më shumë vlerë se dija.
Thirrje publike për veprim:
Unë, dhe shumë kolegë e qytetarë që ndajnë këtë shqetësim, kërkojmë me ngulm nga MASHTI dhe institucionet përgjegjëse:
1. Të rishikojnë menjëherë procesin e organizimit të Testit të Maturës, në përputhje me standardet e etikës dhe kontrollit real.
2. Të sanksionojnë rastet e identifikuara të shkeljes, pa marrë parasysh pozicionin e individëve të përfshirë.
3. Të vendosin mekanizma të mbikëqyrjes së jashtme dhe të pavarur, që garantojnë barazi dhe ndershmëri.
4. Të mbrojnë nxënësit e ndershëm – ata janë themeli i së ardhmes sonë dhe nuk duhet të ndihen të humbur në këtë proces të shtrembëruar.
Nuk ka zhvillim ekonomik, institucional apo demokratik pa arsim të drejtë, të barabartë dhe me integritet. Nuk ka shtet të fortë me breza të mashtruar që diplomohen përmes kopjimit. Koha për të vepruar është tani.
Me përgjegjësi dhe sinqeritet të plotë,
Prof. Dr. Sabri Tahiri
Ish-kryetar i Këshillit Shtetëror të Kurrikulës së Kosovës
Udhëheqës i Ekipit të Ekspertëve Arsimor për Hartimin e Kornizës së Kurrikulës së Arsimit Parauniversitar
Më 26 qershor 2026


