ARKIVI:
9 Mars 2026

Mafia në familjen time (3)

Shkrime relevante

Fillimi i fundit të perandorisë politike kurtiane

Agron Mani, Ferizaj A është sot Vjosa Osmani vaksina kundër përhapjes së...

Të drejtat e gruas jashtë botës perëndimore: regresi ligjor dhe beteja për të drejta njerëzore edhe pas 8 Marsit

Shqipe Bytyçi, poete, Zvicër Të drejtat e grave nuk janë vetëm çështje...

A është Kosova republikë, apo juristokraci, pyetja është tani…?

Agim Vuniqi, Vashington “Juristokracia i referohet një sistemi qeverisjeje ku gjyqtarët e...

Kanga e Gruas Shqiptare – 8 Marsi

Leonora Bruçaj - Keka _____ Kanga e Gruas Shqiptare – 8 Marsi _____ N’kët ditë...

Politika është mandat dhe jo vend për ata që nuk kanë bërë kurrë asgjë jashtë saj

Prof. Dr. Sabri Tahiri Në shoqëritë demokratike politika konsiderohet një formë e...

Shpërndaj

Ervina Toptani, shkrimtare
___
Demokracia … e rrejshme
___
Ardhja e demokracisë në vitet ’90 ishte lindja e diellit për shumicën absolute të popullsisë shqiptare, shpresa e munguar për jetën dhe të tashmen e njerëzve, një dritë e re për fëmijët dhe të ardhmen e tyre. Shqiptarët mendonin se njihnin jetën që dëshironin të kishin, jetën siç e kishin parë përmes ekranit të vogël të televizorit për vite me radhë, fshehurazi me antena të sajuara në kushte shtëpie ku ndiqnin kanalet kryesore televizive europiane me dëshirën e zjarrtë të shihnin “pak Europë”, se si jetonin njerëzit në anën tjetër, përtej gardhit me gjemba, ku shqiptarët mbaheshin të izoluar prej dekadash. Sa herë i kish ndodhur këtyre njerëzve kur ishin pranë detit, të mendonin: si është vallë jeta përtej tij? Por deti heshtte, e sytë drejtoheshin drejt qiellit me një lutje të vetme nën zë: Zot na lejo njëherë të vetme ta njohim lirinë e jetën e vërtetë.
Me mijëra shqiptarë në fillim të viteve ’90 “sulmuan” ambasadat e huaja në Tiranë vetëm për t’u larguar nga atdheu i të parëve e për të realizuar ëndrrën e tyre perëndimore për një jetë të re pa zinxhirë. Kaluan detin me not e mbi anije të mbiquajtura “karrocat e detit”, kapërcyen në këmbë malet e egra edhe në kushte dimri të ashpër vetëm për t’u dhënë bijve të tyre mundësinë e jetës së re në tokën europiane. Ata mijëra që u larguan që në fillim të viteve ’90 ishin pjesa më e madhe e rinisë që nuk mund të duronin më gjatë kushtet e vështira në të cilat jetonin në vendin e tyre, por mijëra të tjerë që e mendonin ndryshe, që ndjenin dashuri më të pjekur për atdheun, zgjodhën të mos largohen e të provonin fatin e tyre në Shqipërinë e re që po projektohej, demokratike, me të gjitha liritë e njeriut të ëndërrura aq gjatë brenda vendit por tanimë me mbështetjen e madhe të institucioneve ndërkombëtare dhe të miqve të rinj perëndimorë që u zotuan për të mos e braktisur më Shqipërinë. Zgjedhjet e lira të vitit 1992 e konfirmuan këtë tendencë kur mazhoranca absolute e tyre dha votën e vet për forcat e reja demokratike, lëvizjen e re mbarëpopullore që premtonte të ndërronte faqen e Shqipërisë në një drejtim plotësisht antidiktatorial e properëndimor.
Pushteti i ri demokratik që u vendos në kryeqytetin shqiptar ishte vërtet i ri, me njerëz të rinj në moshë e përvojë politike, të cilët supozohej se kishin ide të qarta se si do të vazhdohej më tej. Që në ditën e parë të këtij pushteti u dha parrulla e re që personifikonte të kaluarën por dhe ideonte të ardhmen demokratike: lideri i ri shqiptar tha se të gjithë shqiptarët ishin “bashkëfajtorë por dhe bashkëvuajtës” për të kaluarën e tyre diktatoriale të lënë pas shpatullave. Sigurisht që të gjithë shqiptarët ishin bashkëvuajtës, së paku në masën që varfëria ekonomike, kulturore e mendore, ishte pothuaj e ngjashme tek të gjithë, por bashkëfajtorë jo, në asnjë mënyrë jo. Është e paimagjinueshme të mendosh se ata që vranë mijëra njerëz të pafajshëm, që ideuan e zbatuan luftën e klasave, burgjet e kampet e përqëndrimit, të ishin po aq bashkëfajtorë me viktimat e tyre të pafajshme, me mijëra që u vranë, burgosën, internuan e vuajtën ferrin mbi tokë për 47 vjet.
Këto parulla e zbulime “gjeniale” ‘mund t’i bënte vetëm “njeriu i ri i diktaturës”, vetëm ai njeri që kishin projektuar institucionet e dhunës në Shqipëri, njeriu që ishte projektuar e udhëzuar për të vazhduar të njëjtën rrugë, në thelb për të mbrojtur e ruajtur ish partinë komuniste.
Diktatura që populli shqiptar vuajti ishte atëherë dhe ende vazhdon të mbetet sot vuajtje e pakuptimtë për viktimat dhe urrejtje pa filozofi mbështetëse për ata që e mbollën atë urrejtje. Shpesh kam dëgjuar të thuhet se dihet çfarë ndodhi ose kuptohet pse ndodhi, por në fakt shumë pak është studiuar mbi baza shkencore ajo çka ndodhi. Nuk më rezultojnë studime të plota, reale dhe të vlefshme që të kenë dalë në përfundime të sakta në prizmin psiko-social të paktën si nevojë për brezat e ardhshëm të kuptojnë si degraduan shqiptarët në vëlla-vrasje, si e depersonalizuan karakterin dhe moralin e tyre, si e shkatërruan identitetin kombëtar në kaq pak kohë vetë shqiptarët me veprimet apo mos veprimet e tyre, ku gabuam ne atëherë, të paktën për të mos përsëritur të njëjta gabime në të ardhmen. Kush nuk njeh historinë shpesh është i destinuar ta përsërisë atë, herë herë edhe më dhimbshëm.
Filozofikisht doktrina komuniste ia arriti qëllimit që edhe shumë kohë pas shembjes së “murit” diktatorial të vazhdojë të jetojë në zemrat e një pjese të njerëzve, sidomos tek përfituesit prej saj, njësoj si më parë dhe këtë e arriti më së miri nëpërmjet miopisë politike dhe mungesës së madhe të kulturës që kishte mbjellë përgjatë gjysëm shekulli, përpos indoktrinimit tek njerëzit dhe varfërisë shpirtërore e cila është dhe më e dëmshme se të parat. Sistemi komunist përgjatë pesë dekadash punoi me dy standarte: ndërsa populli lihej në errësirë përsa i përket dijes dhe emancipimit kulturor të përgjithshëm, bijtë e partisë mësonin si të vazhdonin të njëjtën rrugë, duke u shkolluar në shkollat e ish Bashkimit Sovjetik e vendeve të Europës Lindore, që pushtetin ta trashëgonin po ata në epokën e re post-komuniste që do të vinte.
Lideri i fundit komunist zbatoi me përpikmëri planet e hedhura në letër qysh më herët, orientimet politike të pleniumit komunist ishin të qarta se një ditë të afërt do të vinte koha e ndryshimeve në të gjitha ish-vendet e bllokut lindor pro sovjetik. Me nisjen e ndryshimeve të para në Shqipëri dhe me krijimin e forcave të reja politike, në krye të partive kryesore u emëruan prej liderit komunist njerëz të zgjedhur nga vetë partia mëmë, intelektualë të sprovuar e besnikë, me mendje të fortë e me cilësi të larta organizative dhe përvoja të gjata në aparatet e ish-partisë shtet. Pushteti i ri që do të lindte nga zgjedhjet e ardhëshme do të ndryshonte tërësisht formën dhe përmbajtjen politike. Tek njerëzit duhet të përligjej shpresa e madhe për demokratizimin e jetës së tyre, për mundësi të reja e për jetesë më të mirë për të gjithë. Ajo që duhet të kujdeseshin liderët e rinj ishte që pushtetarët e vjetër të mos prekeshin nga askush, as nga ligjet e reja që do të miratoheshin në parlament. Derisa të bëhej ndryshimi i plotë i pushtetit dhe nisja e jetës së re demokratike, ku në qendër duhet të ishte forca e biznesit dhe puna private, njerëzit e pushtetit të vjetër do të ruheshin me çdo mënyrë të mundshme, që më pas, sapo të ishin mëkëmbur nga humbja e pushtetit në momentin e parë të vështirësive të ndryshimit, të mund të rinisnin jetën e re demokratike por duke përdorur të gjithë forcën e mekanizmit të mëparshëm të ish-sistemit diktatorial, paratë, lidhjet historike midis tyre dhe jashtë vendit, duke rimarrë në duar frenat e vendit me forma të tjera e më të pranueshme për kohën. Ish-sigurimi i shtetit u zëvendësua nga shërbimi i reformuar informativ shtetëror i cili në thelb ishte përsëri sigurimi i vjetër i shtetit ku rëndom shërbenin e alternoheshin shpesh të njëjtët njerëz. Shumë prej tyre, madje edhe individë, kriminelë të egër, që e kishin treguar egërsinë e tyre me të burgosurit politikë e familjarët e tyre të internuar, ndërruan mbiemrat dhe herë herë edhe emrat për t’u përshtatur me të renë. Ishte i domosdoshëm ky ndryshim për ta, por populli do ta kuptonte shumë më vonë, siç kishte ndodhur dhe me pushtetin e mëparshëm. Shpesh në histori, të fundit që kuptojnë realitetet politike janë popujt, në emër të të cilëve kryhen dhe krimet më të mëdha.
Për shoqëritë “e reja” duheshin përdorur forma të reja, në fasadë por brendësia s’duhej kurrsesi të ndryshonte. Ata që kishin gatuar një brumë të tillë për gati 50 vite dinin të gatuanin të njëjtën bukë edhe për 50 vitet e ardhshme me të njëjtin brumë. Përfytyroni për një çast historinë e atij skllavit të mbajtur në zinxhirë për një kohë të gjatë e të sapo çliruar nga vargoj të ndryshkur. Skllavi i etur për liri çlirohet e endet nëpër qytete duke shkatërruar çdo gjë që i del para, duke nisur me ato çka ka ndërtuar vetë nën dhimbjen e kamxhikëve mbi kurriz, prej gardianëve. Skllavi i gjorë duhej të kënaqej sepse më në fund kishte fituar lirinë, të brohoriste e vraponte në tokën e pamatë derisa të lodhej e pastaj i përhumbur në vuajtje prej urisë, pasi të ishte endur pafund nëpër rrugë pa emër, i dorëzohet me dëshirë gardianëve të mëparshëm, të parit që i del përpara, pa marrë parasysh nëse gardiani ishte i njëjti apo nëse kishte ndërruar lëkurë. Në këtë pikë për skllavin e stërlodhur prej lirisë disa-orëshe duhet të vinte edhe njëherë ajo çka kishte gjysëm shekulli që e torturonte, gënjeshtra, mashtrimi, padrejtësia, në thelb vuajtja e pandalshme. Vargonjtë mbeten të njëjtë, dikur prej hekuri të ndryshkuar e sot prej çeliku të shkëlqyer.
Politika e re (bijë e politikës së vjetër komuniste) vendos “më në fund të ç’bëjë politikën” e vjetër duke e zëvendësuar me mënyra të reja, statute, këshilla, parlament, gjykata, edhe kushtetutë të re. I kanë dhënë popullit në dorë armën më të fortë, të vendosë ai vetë për të ardhmen e tij, gjithnjë në dukje. “Ia la në dorë” një populli të indoktrinuar, të përgjumur, të mashtruar, i zhveshur nga ndjenja, arsyeja dhe mbi të gjitha i zhveshur nga morali, vlerat dhe parimet në 50 vite të gjata degradimi njerëzor, politik e kulturor. Dhe si mendoni, çfarë mund të zgjedhë tjetër populli përveç torturuesit të tij, sepse atë njeh, atij i falet kur i rëndon kaq shumë pesha mbi kurriz, atij i puth dorën për kafshatën e hedhur ……
Një popull i tillë nuk do të mund të dijë të zgjedhë e aq më pak të vendosë, sepse të zgjedhësh duhet në radhë të parë të njohësh të kaluarën, ta diferencosh atë nga e tashmja, t’i kesh mësuar mirë mësimet që na ka servirur historia për vite e vite me rradhë, të kesh nxjerrë përfundime të sakta nga gabimet e bëra, të njohësh dhe të dallosh të moralshmin nga i pamoralshmi, të kuptosh ndryshimin ndërmjet mashtrimit dhe realitetit e në fund të dish çfarë dhe si të zgjedhësh. Por kur asnjëherë përgjatë shumë dekadave nuk ka qenë në gjendje populli të zgjedhë e të vendosë atëherë përfundimi është i shkurtër dhe i qartë, çdo popull meriton qeverinë që ka dhe koncepti i gjithpërfshirjes së doktrinave filozofike të kësaj fushe në këtë shprehje nuk ka nevojë as të diskutohet, por veç pranohet dhe merret si i mirëqenë.
E në fakt, jo më gjatë se 7 vite pas ardhjes së “demokracisë”, historia që nuk u lexua kurrë siç duhet nga shqiptarët, u përsërit dhunshëm. Pasi qeveria dhe pushteti politik i gjithi së bashku kishin legjitimuar si të ndershme dhe të rregullta konform ligjit parajsën piramidale të fajdeve, shqiptarët u dyndën duke shitur shtëpitë e ç’të mundeshin, mbledhur kursimet e emigrantëve që punonin jashtë vendit e ndihmonin familjarët dhe i futën paratë në piramidat e përfiitimit. Paratë e tyre do të shumëfishoheshin, kështu i kishte shtyrë të mendonin pushteti politik dhe do të jetonin të lumtur pa punuar se tashmë mendonin çudibërësit për popullin. Por çudia zgjati pak dhe gjithçka u bë erë në pak javë. Atëherë qytetarët e thjeshtë (kështu na u la të gjithëve të kuptohet se ishin qytetarët e thjeshtë që rrëmbyen armët por nuk është aspak e vërtetë) të nervozuar së tepërmi me klasën politike, shpërthyen depot e armatimeve ushtarake, rrëmbyen armët dhe u turrën të qëllonin … në ajër sepse ata të cilët e krijuan këtë katrahurë humanitare dhe ekonomike ishin larguar nga vendi. Sigurisht që pjesa më e madhe e njerëzve ishin kundër qeverisë qëndrore e cila lejoi dhe pranoi mashtrimin e firmave piramidale për të vjedhur paratë e kursimet e njerëzve, por mbi të gjitha u krijua një situatë paradoksale ku asnjë nuk prej atyre që e gatuan këtë tmerr nuk u shpall direkt fajtor. Madje edhe me ardhjen e qeverisë së re në pushtet që do të nxirrte vendin nga gjendja e vështirë ku ndodhej, askush nuk u ndëshkua realisht për gjithë atë situatë të vështirë që përjetuan njerëzit në vend, me përjashtim të fare pak bosëve të firmave piramidave që u dënuan disi por gjithsesi duke arritur të ruanin pjesë të mëdha të pasurive të tyre si të ligjshme e të pa sekuestruara nga shteti, ndërsa mijëra shqiptarë humbën gjithçka dhe qindra të pafajshëm humbën edhe jetën. Askush nuk e kuptoi kujt i kishin bërë keq ata që përsëri duhet të paguanin për “gabime të vogla” politike. Asnjë pushtetar, asnjë politikan nuk u vra, as nuk u dëmtua e as nuk humbi pasurinë e vënë gjatë një kohe tepër të shkurtër. Shumica e tyre me pashaportat diplomatike në duar dhe valixhe të stërmadha me para, u larguan nga vendi, duke ia lënë në dorë Shqipërinë kaosit total në shekullin e 20-të. Historia përsëritet kur nuk di të lexosh të vërtetën e të ndreqësh gabimet e së shkuarës. Shqipërinë “demokratike” pas rënies së murit të rrejshëm të diktaturës, po e drejtonin pasardhësit, nën mësimet e etërve dhe shpesh historia jonë ka treguar se bijtë mund të jenë edhe më të zellshëm se etërit, duke na kujtuar mësimet e historisë së lashtë të dishepujve e epigonëve, për ata që i këto mësime i kanë kuptuar.
Pas anarkisë civile që si një valë vullkani shkatërroi shumë nga çfarë gjeti përpara, duhet të kishte ardhur koha më në fund që demokracia të funksiononte. Kishte ardhur koha që politika të reformohej, që Shqipëria të ecte në rrugën e saj drejt prosperitetit e modernizimit perendimor. Ekonomia dhe tregtia duhet të lulëzonin për të rritur mirëqënien e njerëzve, drejtësia në të gjitha hallkat e saj duhet të funksiononte më së miri në shërbim të qytetarit i cili është në qendër të emblemës së shtetit. Po si mundeshin shqiptarët të ndërtonin një shtet të tillë? Kush do ta drejtonte vendin kah drejtësia e shumëkërkuar? Politikanët e rinj dhe grupi i tyre rrethues shpejt do të bëheshin biznesmenët drejtues të vendit duke ushtruar pushtetin e tyre politik, një pjesë e tyre do të ishin edhe baronët e zinj të Shqipërisë, baronët e jetës kriminale dhe informalitetit. Tani vjedhja bëhej e sofistikuar, me mënyra të tjera, më ligjore, më europiane. Njeriu i ri i komunizmit, tashmë i përgatitur e trajnuar më së miri edhe në perëndim, ishte kthyer në një krijesë të re “demokratike” që dinte të zbatonte ligjet e shumicës, por për përfitimin e tij më tepër se në favor të ligjit, shtetit e popullit.
Sot e gjithë ditën vazhdon e njëjta skemë politike në Shqipëri. Në krye të emërimeve qëndrojnë gjithnjë shefat politikë, të cilët sot e quajnë veten lider dhe jo më udhëheqës, ngatërresa konotacionesh dhe fjalësh në gjuhë të huaj që në thelb nuk përbëjnë asnjë ndryshim. U futën në zyrat e shtetit familjarët, miqtë e dashnoret e “bosëve” politikë. U pushuan nga puna ekspertët, specialistët e fushave, profesorët e njerëzit e dijes sepse nuk ishin ndër miqtë, ose sepse nuk u pajtuan me politika të tilla. Vendet e punës filluan të shiten në ankand kujt ofronte çmimin më të lartë, ose të shkëmbeheshin me “ndere”, favore seksuale apo me afera të tjera korruptive sipas vendit ku caktoheshin për të shërbyer, jo shtetit e qytetarëve por kolltukëve të shefave e xhepave të tyre. Shteti u kthye në pushtet privat. Shqipëria është një ndër vendet më të varfra në rajon e gjetkë por me fushatat më të shtrenjta zgjedhore që dhe perëndimi na i ka zili. Një vend ku 70% e popullsisë vuajnë varfëri të thellë, 20% ia dalin muajit me sforco dhe 10% janë ndër më të pasurit në Europë.
Në Shqipërinë tranzitore, përpos të njëjtës politike, është krijuar pushteti i opinioneve të ndryshme por gjithnjë të njëjta në thelb, i dhjetra televizioneve privatë por gjithnjë të kontrolluar nga oligarkia në pushtet, nga grupi i centralizuar i tregtarëve të vjetër të cilët bëjnë biznes edhe me ajrin. Opinioni i gjerë publik duhet të jetë memec dhe për ata flasin opinionistët e rinj, gjithnjë kasta e vjetër të dërguar për “studime të thelluara” me diploma të blera apo të falsifikuara duke nisur nga vetë ata që e shesin arsimin në treg, studime të cilat i shërbejnë forcimit të radhëve të komunistëve aspak të reformuar të Shqipërisë në çdo qeveri që ikën e që vjen. Populli vazhdon dëgjon e harron atë çka ka vërtet rëndësi, duke përjetuar të njëjtin lavazh të trurit prej ideologjive të vjetra ekzaktësisht si në kohën e mëparshme dhe është aq i lodhur sa është mësuar tashmë me fytyrat dhe mendimet e opinionistëve që kanë për detyrë pikërisht këtë gjë, të vënë në gjumë ndërgjegjjen kolektive, të luftojnë çdokënd që mund të mendojë se ka kuptuar më shumë ose që ka kuptuar se diçka nuk shkon.
Që skema të funksionojë siç duhet, njerëzit duhet të jenë të varur pothuajse për gjithçka nga qeveria në pushtet dhe oligarkët e tyre që kanë në dorë pasuritë publike. Pushtetarët në qeverisje, kushdo qeveri qoftë kjo në pushtet, kontrollojnë gjithçka e nxjerrin përfitime nga kushdo. Por mbetet ende një shtresë “e rrezikshme” për pushtetin që duhet kontrolluar edhe më imtësisht, shtresa e pronarëve legjitimë, ose ish-pronarëve siç i quajnë rëndom politikanët, të cilët gjithnjë janë konsideruar prej çdo qeverie në pushtet si element qëndrese i rrezikshëm për pushtetin. Ky grup njerëzish nuk duhet kurrsesi ta gëzonin pronën e trashëguar për disa arsye shumë të thjeshta. Prona të jep pavarësi e kësisoj pushteti nuk mundet të bëjë presionin e zakonshëm tek njerëzit e këtij grupi dhe së dyti rezulton që çështja e pronave ka qenë dhe mbetet më fitimprurësja për politikanët, gjyqtarët, prokurorët, zyrtarët etj., në Shqipëri. Kjo shtresë rezulton të jetë dhe ajo më e vjedhura dhe e mashtruara në historinë e shtetit shqiptar. Ligjet mbi pronën, qysh me fillimin e parlamentit të ri pluralist pas rënies së diktaturës, janë konceptuar e lënë në fuqi më shumë për të vjedhur e grabitur pronën e tjetrit, për të pasur përfitime prej saj po ata që dikur e konfiskuan atë dhe për hir të saj ekzekutuan e burgosën mijëra të pafajshëm, bijtë e etërve, krijuesit dhe zbatuesit e “njeriut të ri”. Këta politikanë që nuk kanë asnjë ndjeshmëri për të kaluarën, asnjë ide mbi kuptimin e pronës për shoqërinë në përgjithësi dhe shërbimin që prona i bën individit, vendosin sipas dëshirës e interesit se cili e meriton më shumë pronën.
Që pronarët e vërtetë të mund të gëzojnë pronën e tyre, nëse do t’i mbijetojnë si fillim institucioneve për nxjerrjen e tyre dhe gjyqeve të mundshme për njohjen e pronës, duhet t’i falin gjysmën e pronës ose me raste edhe më shumë sesa gjysmën, kryetarit të bashkisë, ministrit apo sipas rastit edhe kryeministrit të vendit apo famijarëve të tyre. Duket se është më e udhës për pushtetarët e pangopur që pronën e këtyre njerëzve t’ua njohin si të ligjshme sipas parave të paguara lart e poshtë të sapoardhurve apo miqve të tyre “biznesmenë”, të cilët sigurisht do ta ndajnë këtë pasuri të përvetësuar me dhunë e padrejtësi me miqtë e tyre politikanë. Kjo është drejtësia që pushteti i vjetër solli nëpërmjet bijve të tyre të rinj! Kush e mori mundimin të shpjegojë një herë të vetme në sallat e leksioneve të universiteteve apo në libra të mirfilltë të historisë e filozofisë politike se çfarë është prona, çfarë nënkupton ajo për njeriun e lirë e si e ka zhvilluar bota e qytetëruar këtë çeshtje?
Filozofia botërore i ka mësuar njerëzimit se prona private, respektimi i ligjshmërisë së saj, zhvillimi i saj e ka sjellë njerëzimin në një stad shumë më të lartë emancipimi dhe sot shtete perendimore që janë aq të zhvilluara ekonomikisht janë aty pikërisht prej legjitimitetit të ushtrimit të së drejtës bazike të mbrojtjes së pronës private dhe pronarëve legjitime. Kontributi më i madh i pronës private është zhvillimi që vetë prona i bën individit duke mbikaluar dhe zëvendësuar fazën subjektive të personalitetit dhe duke kontribuuar njëkohësisht në një lloj realiteti të jashtëm i cili nuk mund të jetë asgjë tjetër përveç lirisë së fituar individuale. Prona private thekson kontributin që pronësia i sjell zhvillimit etik, rritjes së dëshirës dhe sensit të përgjegjshmërisë tek individi (ndaj bota e qytetëruar ndër të parin nga ligjet serioze që ka rregulluar me kushtetutë dhe siç duhet është ligji i pronave).
Por me të drejtë shumëkush që do të lexojë keto rreshta të shkruar prej meje si testament i një të vërtete të jetuar në person të parë, në familjen time, do të shtrojë pyetjen: a është çeshtja e pronës një çeshtje filozofike apo politike? Çfarë ka të rëndësishme filozofikisht në këtë çeshtje për të tërhequr kaq shumë vëmendjen e filozofëve duke u paraprirë kërkesave politike? Përse duhej që mendimtarët e kohës të linin testamente të shkruara mbi këtë temë delikate?
Nuk është e lehtë të bëhet një ndarje me thikë e këtyre koncepteve që shpesh i gjen të bazuara dhe të mbështetura tek njëra-tjetra. Pikësëpari duhet të kuptojmë nocionin e “të zotëruarit” për të kuptuar edhe sesi ta përdorim këtë koncept më pas dhe kjo nis me vetveten. Një person e zotëron plotësisht veten në momentin që ai ka kontrollin absolut të trupit dhe mendjes. Nga natyra njeriut i është dhënë ajo që ne e njohim si ndërgjegjje, e cila është e lidhur me mendjen dhe arsyen të cilat kontrollojnë trurin dhe trupin e kush i zotëron të gjitha këto në të njëjtën kohë është Zot i vetvetes dhe përfiton nga kontrolli i vet-zotësisë së mendjes dhe trupit njësoj si përfiton nga një pronë të cilën ai është në gjendje ta zotërojë plotësisht si të tijën. Nga këtu çeshtja filozofike ose e politikës filozofike mbi pronën lidhet ngushtësisht me njeriun në prizmat sociale e shpirtërore e ngre çeshtje të tjera sociale si për shembull atë të lumturisë e cila mund të duket sikur ka lidhje vetëm me çeshtjet e filozofisë sociale por për mua është absolutisht çeshtje e filozofisë politike. Sa kohë është autoriteti i sovranit në demokraci ai që duhet të vendosë për lumturinë e tij ashtu si dhe për ligjet që do të sjellin rregullin, paqen, prosperitetin dhe si rezultat lumturinë e shoqërisë atëherë sovrani (pra populli) duhet të mendojë mirë për çka vendos apo do të lejojë të tjerët (të zgjedhurit prej tij) të vendosin për të dhe lumturinë e tij. Këtë na mëson sistemi demokratik të cilin ne e kemi kuptuar gabim dhe keq.
Çeshtja e pronësisë është e lidhur në mënyrë të pandashme me pjesën e brendshme të njeriut, dhe jo si veshje e jashtme më vete e shkëputur prej brendësisë së tij. Kur njeriu punon për një objekt të caktuar ose kultivon një copë toke ai projekton njëkohësisht diçka të vetvetes së tij, unit të tij shpirtëror e cila materializohet tek objekti apo toka që ai kultivon. Eshtë e pamundur të ndahet prona nga shpirti, është sikur të ndash trurin nga arsyetimi. Ajo çka njeriu punon dhe zhvillon paraqet një pjesë të së tërës që njeriu është, ndjenjë të brendshme dhe arsyetim i konsoliduar i shpjeguar edhe në mënyrë analitike për të paraqitur pjesën e brendshme morale e shpirtërore të njeriut të lidhur me pronën e me ligjet mbi të si pjesë e disiplinave të politikës filozofike, e cila është e ftohtë dhe e saktë.
Ekziston një lidhje shumë e rëndësishme ndërmjet asaj çka mund të ngjasojë abstrakte në dukje, mbi shkrirjen materiale të konceptit të filozofisë politike mbi pronën, mbi të drejtat, mbi liritë dhe asaj çka gjendet në dispozitat ligjore dhe kushtetuese në lidhje me këtë çeshtje. Kjo vlen për t’u vënë në dukje që të kuptohet mirë përse vendet perendimore kanë aplikuar politika të tilla dhe jetojnë në një mënyrë të caktuar që për ne shqiptarët është kaq e vështirë të arrihet. Sepse shqiptarët ndoshta nuk e kanë kuptuar se prona pikësëpari është çeshtje morale bazuar mbi drejtësinë. Origjina e drejtësisë shpjegon më së miri dhe orgjinën e pronës private. E njëjta artifice ngre në të njëjtin piedestal të dyja këto çeshtje të pandashme nga njëra tjetra.
Ajo çka është e rëndësishme për t’u theksuar është se nuk është çeshtja e pronës në vetvete e vështirë apo e ndërlikuar për t’u trajtuar, ajo që sjell vështirësi është drejtësia në lidhje dhe raport me pronën, çeshtje kjo që gjatë fillim shekullit të 19-të ka shqetësuar filozofët politikë. Sistemi i tregut të lirë dhe pronës private deri më tani ka treguar se është më i suksesshmi dhe më funksionali në lidhje me mbulimin e të gjitha burimeve që shoqëria ka nevojë.
Unë mendoj se nuk ka shumë rëndësi vendosja dhe përfshirja e vetes (unit) tek objekti i realizuar apo prona private sesa përfshirja dhe vendosja e pronës tek vetja. Të kesh dhe zhvillosh një pronë private e ndihmon individin të zëvendësojë subjektivitetin e personalitetit të tij, që do të thotë se kjo i jep individit mundësinë për të konkretizuar planet dhe skemat në mendjen e tij dhe për ta bërë atë të marrë përgjegjësi për veprimet duke i kthyer këto veprime të menduara në materialin mbi të cilin punohet si për shembull një ndërtesë apo guri i mermerit që skulptori i jep formën e dëshiruar. Pikërisht kjo regjistron impaktin e vendimeve që njeriu ndërmerr. Ligji supozohet të garantojë vetëm sigurinë për pritshmëritë e individit dhe kur kjo siguri fokusohet mbi një objekt të caktuar ky objekt formon pjesërisht strukturën e një disipine të tërë politike. Pikërisht në këtë pikë njeriu ka fuqinë për të formuluar një plan të përgjithshëm veprimi. Janë pikërisht këto momentet e suksesit të cilat përbëjnë kohëzgjatjen jetësore të individit dhe nuk qëndrojnë vetëm si pika të veçuara dhe izoluara prej të tjerave. Ato bëhen pjesë të pandashme të jetës së tij të brendshme dhe të jashtme si një e tërë, pika e shkrirjes.
Shpesh në bisedat me babain tim kemi arsyetuar gjithsecili sipas bindjeve të veta, duke qenë dhe secili prej nesh të apasionuar pas kësaj apo asaj shkolle filozofie të caktuar, se ka pasur edhe në Shqipëri nga ata politikanë që i kanë kuptuar e studiuar çeshtje të tilla dhe pikërisht sepse i kanë kuptuar kanë vendosur të zgjedhin të kundërtën, të mos ecin kurrë në vijë paralele me botën europiane, aty ku për dreq ne jemi pjesë natyrale prej gjeografie. Janë zgjedhur pikërisht ata njerëz në pushtet që kanë penguar arritjen e demokracisë e cila fillon pikësëpari nga prona private dhe rregullimi i ligjeve dhe politikave mbi të. “Njeriu i ri” duhet të ishte përsëri emblema kryesore e pushtetit politik e ligjor në Shqipëri. Pra jo se nuk e kanë ditur, por se nuk kanë dashur, kanë ndjekur misione të tilla që të mos munden kurrë ta bëjnë as brezat e ardhshëm. Dhe për të ilustruar se asgjë në thelb nuk ka ndryshuar për kaq shumë vite, mjafton shembulli konkret i deputetëve që sot përfaqësojnë mandatin e popullit në parlamentin shqiptar duke filluar me ata që nuk kanë as arsimin përkatës për të qenë pjesë e parlamentit e deri tek ata që janë dënuar për krime nga më të rëndat si brenda e jashtë vendit.
Këta ishin dhe janë elita politike shqiptare, ligjbërësit e ligjzbatuesit e së drejtës, në parlament, në ministri e kryeministri, në sistemin gjyqësor, në pothuajse të gjitha postet kryesore drejtuese në pushtet, gjatë gjithë kohës. Cili prej tyre, që na solli aq shumë shqetësim ne shqiptarëve në vite të gjata tranzicioni, e di se prona private është ndër të tjera edhe çeshtje gjenealogjike sepse ndryshe nuk do të shpjegohej dot lidhja ndërmjet institucionit që ajo përfaqëson dhe historisë së lashtë që të çon të hulumtosh rrënjët e saj. Të paktën sa për të mos u dukur injoranca dhe indoktrinimi kaq hapur edhe vite pas rënies së rrejshme të komunizmit, për të mos vazhduar të turpërojnë një popull të tërë në sytë e botës. Kjo klasë politike drejtuese që nuk ka ndryshuar aspak për nga përbërja e etnia e gjenezës prej 80 vitesh tashmë, e ka mbërthyer Shqipërinë për fyti duke e përqafuar lirinë e popullit aq fort sa i kanë marrë frymën duke e thithur për vete.
Dy janë rrugët që shoqëria, sipas modelit të rendit ku bën pjesë zgjedh, nëse ekonomia e tyre do të organizohet nëpërmjet 1. bazës së tregut të lirë ose 2. kontrollit qendror të shpërndarjes, ekonomisë së përbashkët. Ne shqiptarët e kuptuam mirë mbi kurriz këtë të fundit, por u bënë vite të gjata tashmë që duke shpresuar të shpëtojmë nga vargojtë e së kaluarës, kemi ngecur keq ndërmjet së shkuarës skllavëruese dhe një të ardhmjeje të kopjuar keqazi nga fqinjët perendimorë.
E keqja më e madhe është se ne si popull nuk kemi ditur ndonjëherë të vemë në karriget e pushtetit ata që e duan Shqipërinë, ata që dëshirojnë me zemër që shqiptarët të mos largohen masivisht nga vendi i tyre, madje sot më shumë se dikur, në kërkim të sigurisë, rendit, drejtësisë, punës e mirqenies. Ne shqiptarët, në shekulin e 21 mbajmë ende në pushtet njerëz që me taksat e popullit blejnë vila e ndërtojnë pallate shumëkatëshe për vete e fëmijët e tyre, që nuk u bëhet vonë nëse barnat janë të skaduara e të falsifikuara, nëse ushqimet që importohen janë jashtë çdo norme sigurie e pa data skadence, nëse uji i pijshëm prej 40 vitesh tashmë nuk ka qenë kurrë i pijshëm, që nëpër spitale nuk mund të shkohet për t’u kuruar e shëruar por vetëm për t’u shtuar sëmundje të reja plus, që i varfri nuk e kërkon dot të drejtën nëpër gjykata e prokurori, që një kilometër rrugë që ndërtohet me paratë e popullit të varfër kushton 50 herë më shtrenjtë se në çdo vend tjetër të botës, që puna quhet luks nëse e ke. Ka vdekur shpresa e kjo dhemb në shpirt për një popull që natyra i ka falur në tokat e tij çdo të mirë që mund të ekzistojë.
Në Shqipëri e rëndësishme është që populli të flejë, për të tjerat mendon qeveria, kushdo qoftë ajo. Jo më kot grupet e interesit pranë qeverisë paguajnë dhjetra e dhjetra gazetarë e analistë të cilët si me magji për pak vite u bënë pronarë e milionerë, madje kryeministi shqiptar është i vetmi besoj në rajon që ka një television privat të tijin që transmeton papushim 24 orë në ditë vetëm arritjet e qeverisë së tij. Mund të përmend një listë të gjatë të gazetarëve që në kohën kur historia e pronave të familjes time u bë e njohur edhe në televizion prej përmasave të vjedhjes, politikanëve të përfshirë, e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë ndaj nesh, nuk ngurruan të na kërkonin në këmbim të bëheshin bashkëpronarë në pronë nëse ne pranonim që ata të na ndihmonin duke e bërë çeshtjen publike ose të na lidhnin me “të pushtetshmit” nëse bëheshim të mbarë e nuk i publikonim të gjitha faktet e dosjeve tona.
Vijon …

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu