ARKIVI:
13 Korrik 2026

Marin Mena: Vendprehja e një atdhetari dhe presionet që nuk e ndalin të vërtetën!

Shkrime relevante

Përse Kanye West fitoi ndaj protestës së Tiranës

Pirro Prifti, Tiranë Dy ngjarje paradoksale ndodhën në Shqipëri disa ditë më...

Marin Mena: Vendprehja e një atdhetari dhe presionet që nuk e ndalin të vërtetën!

Marin Mema, Tiranë Marin Mena: Vendprehja e një atdhetari dhe presionet që...

Mos e çoni Kosovën sërish në zgjedhje – Formoni institucionet e shtetit!

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan ____ Edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit,...

Homo hominis lupus est

Isuf Bajraktari, Suedi Kur njeriu e humb njeriun brenda vetes Ka fjali që...

Shpërndaj

Marin Mema, Tiranë

Marin Mena: Vendprehja e një atdhetari dhe presionet që nuk e ndalin të vërtetën! 🇦🇱 (Kushtojini vetëm 2 minuta këtij shkrimi) Ky është varri i At Kristo Negovanit në fshatin Negovan, sot në Greqi. Kështu e gjetëm asokohe. Rreth 15 vjet më parë e vizituam këtë fshat së bashku me profesorin e ndjerë Perikli Jorgoni dhe aktivisten Elida Jorgoni. Ishte një dhimbje e madhe të shihje varrin e një atdhetari kaq të madh në atë gjendje. At Kristo u vra mizorisht me thika dhe sopata nga andartët, grupe ekstremiste greke, sepse hapi një shkollë në gjuhën shqipe dhe meshonte në shqip. Bashkë me të u masakrua edhe vëllai i tij. Ata që nuk donin që gjuha shqipe të ruhej dhe të përhapej – banda ekstremiste të udhëzuara, sipas dokumenteve historike, nga dhespoti grek i Kosturit – kryen një nga krimet më të rënda kundër lëvizjes sonë kombëtare. Megjithatë, në fshat ende ruhej shqipja, një shqipe e bukur, e mbytur nga frika për t’u deklaruar shqiptarë. Por jo të gjithë jetonin me atë frikë. E kujtoj si sot Jorgo Sinicën, të lindur dhe të rritur në Negovan, i cili, kur e vizituam, thërriste me zë të lartë dhe pa asnjë drojë se fshati ishte i tëri shqiptar. Ai ruante kartolina të vjetra në gjuhën shqipe dhe dokumente të lidhura me Shqipërinë. Sot, At Kristo Negovani prehet i harruar në varrezat e fshatit. Ai u vra në vitin 1905. Hakun e tij e morën pak kohë më pas trimat e çetës së Bajo dhe Çerçiz Topullit, të cilët ekzekutuan një prej atyre që konsiderohej si urdhërues i vrasjes, dhespotin Foti. Pak kohë pas këtij dokumentari erdhi vendimi ekstrem. Autoritetet greke menduan se mund ta mbyllnin me forcë të vërtetën. Kisha qenë edhe më herët në shumë zona të Çamërisë, por, mesa duket, pas Negovanit kupa u derdh. I trembi drita që ra mbi faktet e fshehura. Në gusht të vitit 2012 u shpalla “Non Grata”, me arsyetimin se përbëja rrezik për sigurinë kombëtare të Greqisë. Vendimi vijon edhe sot, sepse autoritetet në vendin fqinj nuk duan që e vërteta të flasë! Bashkë me mua u shpallën “Non Grata” edhe profesori i ndjerë Perikli Jorgoni dhe Elida Jorgoni. E morën këtë vendim zyrtarisht, duke harruar se e vërteta nuk ndalet… dhe në fakt nuk u ndal dhe as do të ndalet! Që prej atij vendimi kemi realizuar dhe publikuar mbi 30 dokumentarë të tjerë nga Parga, Filati, Gumenica, Margëlliçi, Preveza e Paramithia në Çamëri, si edhe nga Kosturi, Bellkameni, Lekovo, Peloponezi e shumë zona të tjera. Kemi qenë atje ku menduan se nuk do të shkonim dot.

Papa Kristo Negovani

Kemi sjellë materiale dhe dokumentim nga të gjitha këto zona. Dhe do të vazhdojmë, sepse nuk ka “Non Grata” që mund ta ndalë të vërtetën. Shteti shqiptar duhet të kërkojë kthimin e eshtrave të At Kristo Negovanit në Shqipëri. Ky atdhetar i madh meriton të prehet me nderimet që i takojnë, në atdheun për të cilin dha jetën. Ai prehet në tokën e tij, në Negovanin e tij, por kjo gjendje më dhemb, çdo atdhetari i dhemb! Si mundet shteti shqiptar të pranojë gjithçka në Shqipëri, por të mos reagojë për gjurmët, rrënjët, historinë e tij që mbeti padrejtësisht në Greqi! E pafalshme! Shihemi shumë shpejt. E vërteta nuk ndalet. Shpendajeni sa të keni dëshirë miq! ❤️

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu