ARKIVI:
16 Qershor 2026

Mesazhi i vërtetë për mërgimin dhe përgjegjësia ndaj vendit

Shkrime relevante

Mesazhi i vërtetë për mërgimin dhe përgjegjësia ndaj vendit

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan Prej dekadash gurbeti ka qenë pjesë e...

Kosova dhe sfida e ndërtimit të kujtesës institucionale: një perspektivë mbi kapacitetin shtetëror dhe administratën publike

Agim Vuniqi, Vashington Mungesa e një sistemi të konsoliduar të kujtesës institucionale...

Në Gllogjan …, te yjet e Lirisë!

Sak Muji, Rugovë NË GLLOGJAN PUSHOJNË METEORËT E LIRISË Aty ku toka flet...

Kulla e Isniqit, meteorët e Lirisë

Sak Muji, Rugovë   I. Guri që mban kujtesë Nga kullat legjendare të...

Urim për Dom Nosh Gjolajn në 50 – vjetorin e meshtarisë së tij

Nga Frank Shkreli I dashur Dom Nosh: Me rastin e 50-vjetorit të Meshtarisë...

Shpërndaj

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

Prej dekadash gurbeti ka qenë pjesë e historisë sonë kombëtare. Në kohë okupimi shumë të rinj u detyruan të largohen nga Kosova për shkak të shtypjes politike, mungesës së perspektivës dhe mbijetesës ekonomike. Shumë prej tyre sakrifikuan rininë, familjen dhe jetën normale për të siguruar bukën e gojës në vende të huaja. Ata punuan në ndërtimtari, nëpër fabrika, restorante, ferma e punë të rënda fizike që shpesh vendasit nuk dëshironin t’i bënin. Për këtë sakrificë meritojnë respekt të madh.
Megjithatë, viteve të fundit është krijuar një fenomen shqetësues. Shumë të rinj që jetojnë jashtë, kur vijnë për pushime në Kosovë apo Shqipëri, paraqesin vetëm anën luksoze të jetës së tyre. Vishen me marka të shtrenjta, marrin vetura luksoze me “rent a car”, shpenzojnë pa kursim për disa ditë dhe krijojnë përshtypjen sikur jeta në Perëndim është vetëm rehati, pasuri dhe sukses i shpejtë.
Në anën tjetër, rrallë flitet për realitetin e vështirë që përjetojnë gjatë gjithë vitit. Nuk flitet për orët e gjata të punës, lodhjen fizike, stresin psikologjik, vetminë, jetën larg familjes, mungesën e shoqërisë dhe sakrificat e përditshme për të kursyer para. Nuk flitet për mallin ndaj prindërve, për festat që i kalojnë larg familjes dhe për faktin se shumë prej tyre kalojnë vite të tëra duke bërë punë të rënda vetëm për të mbajtur një standard jetese.
Ky kontrast mes realitetit dhe asaj që shfaqet gjatë pushimeve po ndikon fuqishëm tek të rinjtë në vend. Shumë prej tyre po joshen nga një imazh i idealizuar i gurbetit dhe po e shohin largimin si zgjidhjen e vetme për sukses. Si pasojë, fshatra e qytete po zbrazen, familje po ndahen dhe vendi po humb fuqinë më të madhe që ka – rininë.
Është e kuptueshme që secili kërkon jetë më të mirë. Askush nuk duhet gjykuar pse largohet për një perspektivë më të sigurt ekonomike. Por është po aq e rëndësishme që të rinjve t’u thuhet e vërteta. Nuk është e drejtë që ata të shtyhen drejt një rruge të vështirë vetëm nga iluzioni i luksit të përkohshëm që shohin gjatë verës.
Edhe vetë kam kaluar nëpër një përvojë që më bën ta shoh këtë çështje ndryshe. Gjatë viteve të okupimit, kur arsimi shqip në Kosovë mbahej me shumë sakrificë, unë bashkë me bashkëshorten punonim në arsim pa paga, vetëm për ta mbajtur gjallë shkollën shqipe dhe për të mos u dorëzuar para regjimit okupues. Ishin vite të rënda, me pasiguri, presion dhe rrezik të vazhdueshëm.
Në atë kohë e kisha familjen e vëllait dhe të motrës në Berlin. Vëllai më ofroi mundësinë që të shkoja edhe unë në Gjermani dhe si matematikan të punësohesha me të ardhura shumë të mira për atë kohë. Ishte një ofertë joshëse, sidomos kur dihet se ne në Kosovë punonim pa paga dhe jetonim me shumë vështirësi. Por unë vendosa të mos largohem. Zgjodha të qëndroj në Kosovë, pranë studentëve, pranë popullit tim dhe pranë idealit për liri e shtet.
Qëndrova edhe gjatë luftës, duke kontribuar aq sa munda për arsimin dhe çështjen kombëtare, edhe pse kjo nënkuptonte sakrificë dhe rrezik për jetën. Nuk pendohem për atë vendim, sepse besoj se po të mendonin të gjithë vetëm si të largoheshin, Kosova do ta kishte pasur shumë më të vështirë mbijetesën dhe ringritjen.
Sot Kosova nuk është më ajo e para 20 apo 25 viteve. Ka më shumë mundësi pune, bizneset janë zgjeruar, pagat gradualisht po rriten dhe shumë sektorë kanë mungesë fuqie punëtore. Natyrisht se ende ka probleme të mëdha – korrupsion, padrejtësi, paga jo gjithmonë të mjaftueshme dhe mungesë perspektive në disa fusha – por megjithatë ekzistojnë mundësi reale për ata që duan të ndërtojnë jetën në vendin e tyre.
Prandaj, të rinjtë që jetojnë jashtë duhet të kenë një rol më të përgjegjshëm ndaj bashkëmoshatarëve të tyre në atdhe. Ata nuk duhet ta romantizojnë gurbetin, por ta tregojnë atë ashtu siç është: me të mirat dhe me vështirësitë e tij. Le t’u tregojnë të rinjve se paraja jashtë fitohet me shumë mund, se jeta larg familjes ka kosto emocionale dhe se jo çdo histori emigrimi përfundon me sukses.
Një popull që humb rininë e humb energjinë, zhvillimin dhe të ardhmen e vet. Asnjë shtet nuk mund të ndërtohet vetëm me nostalgji verore dhe me fotografi luksoze në rrjete sociale. Shteti ndërtohet nga njerëzit që jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë çdo ditë në vendin e tyre.
Brezi ynë dha shumë për ta ruajtur këtë vend në kohët më të vështira. Brezi i sotëm duhet të japë kontributin e vet për ta zhvilluar dhe forcuar atë. Mesazhi më i ndershëm që mund t’u japim të rinjve sot është ky: mos merrni vendime vetëm nga pamja e jashtme e gurbetit. Dëgjoni të vërtetën e plotë. Peshoni sakrificat dhe mundësitë. Dhe mbi të gjitha, mos e humbni besimin se edhe në vendin tuaj mund të ndërtohet një jetë me dinjitet, punë dhe perspektivë.

Më 16 qershor 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu