
Nga Osman Osmani
HISTORIA NUK ËSHTË PRONË – PJESA IV
Nga anashkalimi te etiketimi si “fraksion”
Veprimtaria e vitit 1983, BPK-ja, qarkorja e brendshme dhe përgatitja e përjashtimit politik
Përmbledhje
Kjo pjesë shqyrton zhvillimet e vitit 1983, kur përplasja brenda LRSSHJ-së kaloi nga mosmarrëveshjet për përfaqësimin dhe kompetencat te përpjekjet për delegjitimim politik të ish-PKMLSHJ-së. Fakti është se ish-PKMLSHJ-ja nuk u largua vullnetarisht nga Lëvizja, por vazhdoi veprimtarinë përmes Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës, botimeve politike dhe punës me mërgatën, mbi bazën e marrëveshjeve të bashkimit të vitit 1982.
Në të njëjtën kohë, përfaqësimi i saj u kufizua, nismat u trajtuan pa konsultim të plotë, akuzat qarkulluan pa verifikim dhe një qarkore e brendshme e shpalli paraprakisht këtë rrymë “fraksion”. Dokumentet tregojnë se etiketa nuk ishte pikënisja e konfliktit, por përfundimi i një procesi anashkalimi, mosbesimi dhe rivaliteti për kontrollin e strukturave të përbashkëta. Ato nuk provojnë se çdo kundërshtar ishte bashkëpunëtor i armikut, por dëshmojnë se mungesa e pjesëmarrjes së barabartë e dobësoi Lëvizjen dhe e zhvendosi energjinë nga përballja me shtetin jugosllav drejt konfliktit të brendshëm.
Nga zhvillimet e vitit 1982 te konflikti i vitit 1983
Pjesa III e kësaj serie trajtoi zhvillimet e vitit 1982: mandatin e përbashkët të dalë nga bashkimi, goditjen e rrjeteve vepruese në Kosovë dhe fillimin e konfliktit për përfaqësimin e LRSSHJ-së në mërgatë.
Viti 1983 e bëri këtë konflikt më të dukshëm. Në Kosovë zhvillohej procesi më i madh gjyqësor i kohës kundër drejtuesve dhe veprimtarëve të PKMLSHJ-së. Në mërgatë, pjesëtarët e ish-PKMLSHJ-së vazhdonin veprimtarinë në emër të LRSSHJ-së, themelonin Bashkimin e Punëtorëve të Kosovës dhe botonin materiale politike. Në të njëjtën kohë, kundër tyre përhapej një interpretim sipas të cilit kjo veprimtari ishte e paautorizuar, përçarëse dhe “fraksioniste”.
Kjo pjesë ndjek kalimin nga përballje gjyqësore te konflikti i brendshëm organizativ. Dokumentet pasqyrojnë një proces të dallueshëm: ndërsa PKMLSHJ-ja goditej nga shteti jugosllav dhe drejtuesit e saj mbronin publikisht programin e organizatës, në mërgatë po kufizohej përfaqësimi i saj, po zhvillohej veprimtari pa konsultim të plotë, po qarkullonin akuza të paverifikuara dhe, në fund, ish-PKMLSHJ-ja po shpallej paraprakisht “fraksion”.
Qëndrimi i Rexhep Maqedoncit para gjyqit
Më 7 shkurt 1983, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë filloi gjykimi i 23 veprimtarëve shqiptarë të akuzuar për veprimtari në PKMLSHJ. I akuzuari i parë ishte Rexhep Maqedonci, njëri nga drejtuesit e organizatës.
Mbrojtja e tij e shkruar, e përgatitur në kushtet e burgimit dhe, sipas dëshmisë së publikuar, me ndihmën e profesor Ahmet Qeriqit përmes komunikimit të fshehtë ndërmjet të burgosurve, e shtjellonte më gjerësisht këtë qëndrim. Kërkesën për Republikë e paraqiste si kërkesë të ligjshme për liri, barazi dhe drejtësi, ndërsa formimin e PKMLSHJ-së e lidhte me parimin e vetëvendosjes dhe me pozitën e pabarabartë të shqiptarëve në federatë.
Kjo dëshmi provon se përballë gjykatës jugosllave, Rexhepi nuk e mohoi organizatën, nuk e mohoi programin e saj dhe nuk u distancua nga kërkesa për Republikë.
Mbrojtja e plotë mund të lexohet këtu:
Mbrojtja e Rexhep Maqedoncit, njërit nga drejtuesit e Organizatës për Republikë – PKMLSHJ
Një mbrojtje që shqetësoi propagandën jugosllave
Raportimi i gazetës së Beogradit “Politika” dëshmon se Rexhep Maqedonci nuk u pendua dhe nuk u distancua nga programi politik për të cilin gjykohej. Ai deklaroi se pikëpamjet e tij nuk kishin ndryshuar dhe se vazhdonte ta mbronte kërkesën që Kosova të bëhej republikë në kuadër të Jugosllavisë.
Kur kryetari i trupit gjykues u përpoq ta ndërpriste, Rexhepi këmbënguli të shpjegonte për çfarë kishte luftuar dhe përse ndodhej para gjyqit. Ai tha se dëshironte ta dëgjonte edhe babai i tij, i cili ndodhej në sallë. Kundërshtoi cilësimin e demonstratave si kundërrevolucionare dhe mbrojti të drejtën e shqiptarëve për barazi republikane.
Mënyra se si “Politika” e përcolli qëndrimin e të akuzuarve prodhoi një efekt që nuk ishte parashikuar nga aparati propagandistik. Korrespondenti Zejnel Zejneli përdorte gjuhën zyrtare të regjimit, duke i quajtur të akuzuarit “nacionalistë”, “irredentistë” dhe “armiq”. Megjithatë, vetë përshkrimi i Rexhep Maqedoncit duke folur qetë dhe duke këmbëngulur ta përfundonte fjalën e paraqiste atë si kundërshtar politik që mbronte bindjet e veta para gjyqit.
Ndaj këtij raportimi reagoi gjeneral koloneli i aviacionit jugosllav Stevan Roglić. Ai tërhoqi vërejtjen se paraqitja e gjerë e fjalëve dhe sjelljes së të akuzuarve mund të prodhonte efekt të kundërt dhe t’i nxiste përkrahësit e tyre. Krahasimi që ai bëri me jehonën e qëndrimit të Gjorgje Dimitrovit në procesin e Lajpcigut tregon shqetësimin e regjimit: një proces i menduar për diskreditim mund t’u jepte të akuzuarve autoritet politik.
Ky reagim është domethënës. Përfaqësuesi i lartë ushtarak jugosllav e kuptonte se botimi i qëndrimit të Rexhep Maqedoncit mund ta kthente procesin kundër vetë regjimit. I akuzuari nuk shfaqej si kriminel, por si njeri që mbronte me argumente një kërkesë politike.
Dokumentet përkatëse mund të lexohen këtu:
Qëndrimi im nuk ka ndryshuar: ne duam që Kosovës t’i jepet statusi i Republikës
Nacionalsocializmit serb kurrë s’i ka pëlqyer e vërteta
Nga goditjet gjyqësore te përgojimet brenda burgut
Proceset gjyqësore dëshmuan se PKMLSHJ-ja nuk ishte një sajesë e disa individëve në mërgim. Ajo kishte dokumente programore, struktura organizative, rrjet veprimtarësh në vend dhe njerëz të gatshëm ta mbronin platformën e saj edhe përballë hetuesve, gjykatave dhe dënimeve shumëvjeçare.
Ky fakt është pikënisje e rëndësishme për të kuptuar edhe zhvillimet në mërgatë. Ndërsa në Kosovë organizata goditej nga aparati shtetëror jugosllav, në rrethe të caktuara të ish-organizatave dhe grupeve të tjera shqiptare përhapeshin dyshime, përfolje dhe akuza kundër drejtuesve e veprimtarëve të PKMLSHJ-së. Në shënjestër viheshin Rexhep Maqedonci, Vahedin Azemi, Fatmir Bajrami dhe drejtues të tjerë, por edhe njerëz që bashkëpunonin me ta ose konsideroheshin të afërt me këtë rrymë politike.
Në këto përfolje përfshiheshin herë pas here edhe veprimtarë që vepronin nga platforma dhe në emër të PKMLSHJ-së, si Halil Alidema. Ai vepronte me profilin dhe autoritetin e vet politik, dhe kishte lidhje bashkëpunimi me një pjesë të rëndësishme të veprimtarëve të organizatës për Republikë. – PKMLSHJ. Një pjesë e njerëzve që kishin pasur punë me te si jasht burgut ashtu edhe në burg kishin krijuar mendimin se ai ishte udhëheqës i PKMLSHJ, ose së paku njëri prej udhëheqësve kryesor të sajë. Në këtë veprimtari dhe në rrethin e këtij bashkëpunimi përfshiheshin edhe intelektualë të tjerë të njohur, ndër më të vendosurit dhe më të guximshmit e kohës.
Është veçanërisht e dhimbshme dhe e patolerueshme që shumë veprimtarë të PKMLSHJ-së, pasi ishin arrestuar, torturuar çnjerëzisht gjatë hetimeve dhe dënuar me shumë vite burg, të përballeshin edhe me akuza e armiqësi nga eksponentë të caktuar të grupimeve të tjera politike. Sipas dëshmive të ish të burgosurve politikë, krahas keqtrajtimit nga organet e burgut, ndaj veprimtarëve të PKMLSHJ-së dhe atyre që shprehnin afërsi ose mirëkuptim për ta ushtroheshin përfolje, insinuata, akuza dhe trysni edhe nga bashkëvuajtës të caktuar.
Këto sjellje nuk mund t’u ngarkohen të gjithë të burgosurve politikë dhe as të gjitha organizatave, por nuk mund të heshtet fakti se disa njerëz, të cilët vuanin burgun për të njëjtën çështje kombëtare dhe ishin persekutuar nga i njëjti armik, trajtoheshin jo vetëm pa solidaritetin e domosdoshëm njerëzor, por deri edhe armiqësisht brenda llojit. Në vendin ku vuajtja e përbashkët duhej të krijonte mirëkuptim dhe afërsi, depërtonin kultura e dyshimit, etiketimi politik dhe përpjekja për delegjitimimin e tjetrit.
Dallimet programore dhe organizative ndërmjet rrymave ishin reale. Po ashtu, shumë veprimtarë të organizatave të tjera kishin vuajtur burgime të rënda dhe kishin dhënë kontribute që nuk mund të relativizohen. Megjithatë, diskutimi politik në disa raste u zëvendësua me dyshime, insinuata dhe pohime të pambështetura.
Kjo klimë nuk mbeti e mbyllur brenda burgjeve. Ajo u bart edhe në mërgatë, ku përfoljet dhe dyshimet u përdorën gradualisht për ta cenuar përfaqësimin e ish-PKMLSHJ-së, për ta paraqitur atë si “fraksion” dhe për ta përgatitur politikisht përjashtimin e saj nga Lëvizja që kishte bashkëthemeluar.
Debati për autorësinë e demonstratave të vitit 1981
Një burim i këtij rivaliteti ishte edhe debati për autorësinë politike të demonstratave të marsit dhe prillit 1981. Eksponentë të rrymave të ndryshme pretendonin rol përcaktues në organizimin e tyre, ndonëse programet e tyre politike deri pas demonstratave qëndronin në shpërputhje të plotë me kërkesën për Republikë.
PKMLSHJ-ja e kishte artikuluar me shkrim kërkesën “Kosova Republikë!” për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi para demonstratave dhe kishte zhvilluar veprimtari e aksione konkrete, duke udhëhequr kështu luftën politike për republikë para, gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981.
Kjo nuk do të thotë se PKMLSHJ-ja ishte organizatorja e vetme e demonstratave. Demonstratat u shndërruan në një lëvizje popullore shumë më të gjerë se cilado organizatë ilegale. Por po aq e padrejtë është që rivalitetet e mëvonshme të përdoren për të mohuar platformën paraprake të PKMLSHJ-së, veprimtarinë e saj në vend dhe sakrificën e njerëzve të dënuar në emër të asaj platforme
Interesi i aparatit jugosllav për përçarje
Sulmi ndaj ish-PKMLSHJ-së nuk mund të shqyrtohet i shkëputur nga veprimtaria e shtetit jugosllav kundër rezistencës shqiptare. Organet e sigurimit, rrjeti i bashkëpunëtorëve dhe përfaqësitë diplomatike jugosllave, të përdorura për mbikëqyrjen dhe goditjen e mërgatës politike, kishin interes të drejtpërdrejtë në nxitjen e mosbesimit dhe të konflikteve ndërmjet organizatave shqiptare.
Ajo që mund të konstatohet është pasoja objektive. Nga njëra anë, shteti jugosllav arrestonte, dënonte dhe kriminalizonte organizatën. Nga ana tjetër, brenda rezistencës shqiptare po zhvillohej një proces delegjitimimi i të njëjtëve njerëz. Pavarësisht nëse burimi ishte ndërhyrja e armikut, rivaliteti politik, ambicia për kontroll ose një ndërthurje e këtyre faktorëve, rezultati ishte dobësimi i besimit dhe zhvendosja e energjisë nga kundërshtimi i pushtetit drejt konfliktit të brendshëm.
Themelimi i Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës
Në rrethanat kur përfaqësuesit e ish-PKMLSHJ-së po përballeshin me përpjekje për nënshtrim, anashkalim dhe eliminim politik, si dhe me etiketimin e tyre si “fraksion”, përpara nesh shtroheshin dy mundësi: ose t’i pranonim në heshtje akuzat e padrejta dhe përjashtimin nga Lëvizja që e kishim iniciuar dhe bashkëthemeluar, ose ta vazhdonim veprimtarinë në përputhje me vendimet e bashkimit të 17 shkurtit dhe 15 majit 1982. Ne zgjodhëm rrugën e dytë. Prandaj, së bashku me bashkatdhetarë të gatshëm për bashkëveprim, vendosëm të krijonim një strukturë që do ta organizonte veprimtarinë politike, botuese dhe mobilizuese në mesin e punëtorëve shqiptarë në mërgim. BPK-ja nuk u konceptua si organizatë rivale dhe as si dalje nga LRSSHJ-ja, por si strukturë veprimi në kuadër të saj dhe si mënyrë për ta vazhduar luftën kundër pushtetit jugosllav, duke u mbështetur në platformën dhe vendimet e bashkimit.
Më 14 mars 1983, në Gärtringen, në rrethinën e Shtutgartit, u mbajt Kuvendi i parë i Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës. BPK-ja nuk u konceptua si organizatë kundër LRSSHJ-së, por si organizatë e brendshme e saj, e ngarkuar me veprimtarinë ndërmjet punëtorëve shqiptarë në mërgim.
Sipas dëshmisë së Nysret Hajdarit, në Kuvendin themelues morën pjesë: Abdullah Prapashtica, Nuhi Sylejmani, Hasan Veselaj, Nysret Hajdari, Gëzim Bekteshi, Jahir Jahiri, Enver Ismajli, Sahit Tofaj, Qazim Zekaj.
Në përfundim të mbledhjes u zgjodh edhe organi drejtues. Kryesues u zgjodh Nuhi Sylejmani, ndërsa anëtarë Hasan Veselaj, Jahir Jahiri, Gëzim Bekteshi, Enver Ismajli dhe Nysret Hajdari. Në kujtimet e Nysret Hajdarit ky organ emërtohet “Komiteti Drejtues i LRSSHJ-së
Këta janë emrat e dokumentuar të pjesëmarrësve të Kuvendit themelues, jo domosdoshmërisht lista e plotë e të gjithë anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve që iu bashkuan BPK-së gjatë veprimtarisë së mëvonshme. Faton Topalli dhe unë, të cilët u kthyem në Gjermani më 29 prill 1983, nuk ishim të pranishëm në Kuvendin e 14 marsit, por u përfshimë drejtpërdrejt në vazhdimin e veprimtarisë dhe, bashkë me Abdullah Prapashticën, në nxjerrjen e numrave të parë të “Punëtorit” gjatë muajit maj.
Nevoja për një organizim të tillë buronte nga vetë përbërja shoqërore e mërgatës. Punëtorët shqiptarë në Gjermani, Zvicër dhe vende të tjera kishin nevojë për informim, organizim dhe lidhje me kërkesat politike e shoqërore të popullit shqiptar në Jugosllavi. BPK-ja synonte të sensibilizonte edhe punëtorinë dhe opinionin e vendeve ku jetonin mërgimtarët.
Pas publikimit të “Komenti Politik” në emër të LRSSHJ në shqip e serbokroatisht qysh në vitin 1982, më 31 mars 1983 u botuan në 900 kopje “Platforma Politike, Programi dhe Statuti i LRSSHJ-së” dhe platforma e BPK-së. Më pas dolën “Punëtori”, dhe “Kosovarja”. Këto botime dëshmojnë se pjesëtarët e ish-PKMLSHJ-së nuk ishin tërhequr nga veprimtaria dhe as nuk vepronin kundër synimit për Republikë. Ata vazhdonin ta konsideronin veten pjesë të LRSSHJ-së dhe vepronin mbi bazën e marrëveshjeve të 17 shkurtit dhe 15 majit 1982.
Pikërisht kjo veprimtari u përdor më vonë si argument kundër tyre. Në vend që të shqyrtohej në organet e përbashkëta se si duhej të funksiononte BPK-ja dhe si duhej të përfaqësohej në Lëvizje, botimi i platformës u paraqit si dëshmi e një organizimi paralel dhe e synimit për dominim.
Këtu fillon të bëhet i qartë kalimi nga mosmarrëveshja politike te konflikti organizativ: një nismë që nga autorët e saj konsiderohej pjesë e punës së përbashkët, nga kundërshtarët po interpretohej si veprimtari jashtë strukturave të Lëvizjes.
Rikthimi në Gjermani dhe vazhdimi i veprimtarisë
Më 29 prill 1983, Faton Topalli dhe unë u kthyem nga Turqia në Gjermani. Ishim në kushte të vështira dhe, bashkë me Abdullah Prapashticën, gjetëm strehim e mbështetje para së gjithash te bashkëveprimtarët e ngushtë të Jusuf e Bardhosh Gërvallës në Gjermani dhe të Kadri Zekës në Zvicër. Për një periudhë, veprimtaria u zhvillua edhe nga banesa e Nuhi Sylejmanit, megjithëse familja e tij kishte mundësi të kufizuara dhe mbajtja e veprimtarëve pa status të rregulluar përbënte rrezik të drejtpërdrejtë për te.
Në këto rrethana u përgatitën dhe u shpërndanë materiale politike në shqip dhe në gjuhë të tjera. Nysret Hajdari e Hasan Veselaj dhe bashkëveprimtarë të shumtë ndihmuan me mjete financiare, strehim dhe shpërndarje. Veprimtaria konkrete ndër të tjera përfshinte kontaktet me punëtorët, shpërndarjen e “Punëtorit” dhe të “Zërit të Kosovës”, botimin e materialeve dhe sensibilizimin e opinionit.
Kjo vazhdimësi është e rëndësishme për vlerësimin e konfliktit. Pjesëtarët e ish-PKMLSHJ-së nuk u larguan nga LRSSHJ-ja dhe as nuk deklaruan formimin e një organizate kundër saj. Ata vazhduan të vepronin në emër të vijës politike të bashkimit, edhe pse qasja e tyre në drejtimin e përbashkët dhe në “Zërin e Kosovës” po kufizohej.
Drejtuesit dhe veprimtarët e BPK-së, bashkë me “Punëtorin”, shpërndanin edhe gazetën “Zëri i Kosovës”, gjë që nuk e bënin ish-organizatat e tjera; përkundrazi, ato e luftonin këtë veprimtari deri edhe hapur.
Kështu, veprimtaria e BPK-së u bë pikë konkrete për përplasjen mbi kompetencat, përfaqësimin dhe kontrollin e mjeteve të komunikimit të Lëvizjes. Në vend që kjo çështje të zgjidhej përmes një marrëveshjeje të re ose të një vendimi të përbashkët, ajo u shndërrua gradualisht në argument e përpjekje për delegjitimimin e njërit krah.
Qarkorja e brendshme dhe gjykimi pa dëgjimin e palës tjetër
Pas themelimit të BPK-së dhe zhvillimit të kësaj veprimtarie, një nga dokumentet më domethënëse të periudhës ishte qarkorja e brendshme e shpërndarë në emër të LRSSHJ-së “lidhur me rastin e ish-PKMLSHJ-së”. Ajo u hartua si reagim ndaj broshurës me platformën e LRSSHJ-së dhe të BPK-së.
Qarkorja nuk paraqet analizë të paanshme të mosmarrëveshjeve dhe as merret me vlerësimin e përmbajtjes së materialeve në fjalë. Vija e qartë politike dhe përkrahja në rritje për BPK-në i vuri ne siklet eksponentët bajraktarë. Ata ndërtojnë një aktakuzë politike kundër njërit prej përbërësve themelues të Lëvizjes. Ish-PKMLSHJ-ja paraqitet si grup i ngushtë familjar, pa ndikim, pa aftësi intelektuale dhe organizative, me prirje për intrigë, dominim dhe përçarje.
Puna e mëparshme e Abdullah Prapashticës në organet e sigurimit përdoret për të ushqyer dyshimin se organizata mund të ishte vepër e UDB-së, pa u paraqitur ndonjë dokument që do ta provonte këtë lidhje.
Problemi nuk qëndron vetëm te gjuha fyese. Edhe procedura ishte arbitrare. Qarkorja u drejtohej anëtarëve dhe kërkonte që materiali kundër ish-PKMLSHJ-së të plotësohej në biseda e mbledhje me shembuj të tjerë. Në vend që akuzat t’u paraqiteshin personave të apostrofuar dhe atyre t’u jepej mundësia të përgjigjeshin, kërkohej grumbullimi i mëtejshëm i materialit në mungesë të tyre.
Dokumenti thotë se kërkohej mendimi i anëtarëve para marrjes së një vendimi, por në të njëjtën kohë e shpall ish-PKMLSHJ-në “fraksion”. Përfundimi ishte dhënë para procedurës që pretendohej se do ta përcaktonte atë. Kjo kundërthënie e bën qarkoren jo dokument diskutimi, por mjet për përgatitjen e anëtarësisë që ta pranonte si të mirëqenë delegjitimimin e palës tjetër.
Në vend të debatit ndërmjet bashkëthemeluesve, u ndërtua një proces i njëanshëm gjykimi. Njerëzit akuzoheshin dhe diskreditoheshin pa u njoftuar zyrtarisht për të gjitha akuzat, pa marrë dokumentin për përgjigje dhe pa një ballafaqim të barabartë në organet e përbashkëta.
Kjo është pika ku konflikti organizativ kalon në përjashtim politik: kundërshtimi i një nisme të caktuar nuk trajtohet më si mosmarrëveshje për kompetencat, por si provë se një grup i tërë nuk i përket më Lëvizjes.
Teksti i qarkores mund të lexohet këtu:
Qarkore e brendshme lidhur me rastin e ish-PKMLSHJ-së
Problemi i datimit dhe i autorësisë së qarkores
Qarkorja është publikuar më vonë me përcaktimin se i përket vitit 1983. Megjithatë, vetë teksti thotë se letërkëmbimi ishte ndërprerë “aty nga viti i ri 1983/84”. Kjo tregon se dokumenti, të paktën në formën e publikuar, mund të jetë hartuar në fund të vitit 1983 ose pasi kishte filluar viti 1984.
Prandaj, derisa të bëhet publik origjinali i plotë me datën, nënshkrimin, autorin dhe organin që e ka miratuar, qarkorja nuk duhet të datohet me saktësi më të madhe sesa lejon përmbajtja e saj. Po kështu, shënimet shpjeguese të shtuara nga redaksia gjatë publikimit duhet të dallohen nga teksti origjinal i dokumentit.
Si u shndërrua mosmarrëveshja në etiketën “fraksion”
Qarkorja e shndërroi mosmarrëveshjen organizative në ndarje politike. Deri atëherë mund të diskutohej për kompetencat e BPK-së, për përmbajtjen e platformës, për mënyrën e botimit dhe për raportet me “Zërin e Kosovës”. Pas shpalljes së njërit përbërës si “fraksion”, diskutimi nuk zhvillohej më ndërmjet palëve të barabarta.
Etiketa krijonte një hierarki të re: njëra rrymë paraqitej si vetë Lëvizja, ndërsa tjetra si devijim prej saj. Por as marrëveshja e 17 shkurtit dhe as bashkimi i 15 majit nuk i kishin dhënë njërës ish-organizatë të drejtën që ta shpallte tjetrën jashtë Lëvizjes.
Përgjegjësitë individuale duhej të vlerësoheshin mbi bazën e veprimeve konkrete. Kundërshtimet ndaj një botimi ose ndaj një propozimi programor duhej të diskutoheshin në organet e përbashkëta. Përdorimi i biografisë së një drejtuesi, i lidhjeve familjare ose i përgjithësimeve ndaj një grupi të tërë nuk mund ta zëvendësonte këtë procedurë.
Në këtë kuptim, etiketa “fraksion” nuk ishte thjesht përshkrim i një gjendjeje ekzistuese. Ajo ishte instrument politik: e ndryshonte statusin e palës tjetër, e zhvendoste barrën e provës mbi të dhe e bënte të panevojshëm ballafaqimin e barabartë.
Nga kundërshtimi te përvetësimi i kërkesës për Republikë
Duhet kujtuar edhe një ndryshim domethënës në qëndrimet e disa rretheve. Platforma politike e PKMLSHJ-së dhe kërkesa për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi fillimisht u pritën me skepticizëm e mosbesim, madje edhe me akuza për «tradhti» dhe veprimtari të dyshimtë. Kur kërkesa për Republikë u shndërrua në kërkesë popullore dhe fitoi mbështetje më të gjerë politike, ajo u përqafua edhe nga njerëz e rryma që më parë e kishin kundërshtuar.
Prandaj është e drejtë të pyetet: si ndodhi që disa prej tyre më vonë kërkuan ta paraqitnin veten si bartësit kryesorë të kësaj kërkese, ndërsa nismëtarët dhe veprimtarët e saj të hershëm t’i etiketonin si «fraksionistë», të dyshimtë ose të huaj për Lëvizjen? Kjo kundërthënie duhet të shqyrtohet duke ballafaquar deklaratat dhe dokumentet programore të kohës me qëndrimet e mëvonshme.
Ndërkohë, ndarjet dhe akuzat e ndërsjella vazhduan edhe mes njerëzve që e kishin quajtur PKMLSHJ-në «agjenturë» ose shkaktare të përçarjeve. Madje, në mërgatë pati edhe përplasje fizike me pasoja tragjike në Gjermani e Zvicër, ku ishin të përfshirë pikërisht ata që na kishin shpallur si “fraksionistë” përfaqësuesit e ish-PKMLSHJ, pikërisht iniciatorët dhe bashkëthemeluesit e LRSSHJ dhe që tani donin të “disiplinonin” njëri tjetrit dhe të merrnin kontrollin Lëvizjes për republikë. Këto ngjarje nuk mund të lihen jashtë shqyrtimit të zhvillimeve dhe akuzave dhe armiqësive që qarkullonin brenda Lëvizjes.
Kjo kundërshton përpjekjen për t’ia ngarkuar asaj përgjegjësinë për përçarjet. Shkaqet duhen kërkuar në zhvillimet konkrete, përfshirë luftën për kontroll, mospranimin e pluralitetit dhe përdorimin e dyshimit për ta delegjitimuar kundërshtarin politik. Qarkorja kundër ish pjesëtarëve të PKMLSHJ-së duhet shqyrtuar në këtë kontekst, si një dëshmi e hershme e gjuhës së përjashtimit.
As zhvillimet e mëvonshme nuk e mbështesin paraqitjen e PKMLSHJ-së si burim të përçarjeve në Lëvizje. Në vështrimin për librin Skënder Ibishi – Liria nuk ka çmim, Ahmet Qeriqi vlerëson se veprimtaria e Abdullah Prapashticës, Osman Osmanit, Faton Topallit, Fatmir Bajramit dhe bashkëveprimtarëve të tyre në mërgatë i shërbeu çështjes. Duke pranuar se mes grupeve kishte ndarje, ai thekson gatishmërinë për bashkëveprim dhe shprehet se, sipas njohurive të tij, PKMLSHJ-ja nuk ishte pengesë dhe nuk veproi në dëm të çështjes. Shkrimi i Ahmet Qeriqit në Radio Kosova e Lirë.
Jam krenar për bashkëveprimtarët e mi të ish PKMLSHJ-së, të cilët, si në burgje ashtu edhe jashtë tyre, nuk ranë pre e provokimeve dhe nuk u përfshinë në intriga, shpifje apo përplasje fizike me pasoja tragjike. U jam mirënjohës edhe atyre bashkëveprimtarëve të urtë e atdhetarë që na këshillonin dhe këmbëngulnin t’u shmangeshim polarizimit e fërkimeve me përfaqësuesit e organizatave të tjera në mërgim. Siç na thoshin, përçarjen e konfliktet mes nesh e dëshironte armiku ynë i përbashkët.
Dëshmia e Ibrahim Çavollit: nga vlerësimi për tre përfaqësuesit te dallimi politik
Për ta kuptuar natyrën e kësaj përplasjeje, ka rëndësi dëshmia e përfaqësuesit të shtetit shqiptar në Turqi, Ibrahim Çavollit, për përshtypjet e tij ndaj tre përfaqësuesve të ish PKMLSHJ-së dhe për bisedat që zhvilloi në atë periudhë edhe me veprimtarë të tjerë.
Në kujtimet e botuara në librin Jam kosovar…, Çavolli shkruan se kishte njohur drejtpërdrejt Abdullah Prapashticën, Osman Osmanin dhe Faton Topallin. Ai i përshkruan si tre veprimtarë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, “si të ishin tre vëllezër”: të sjellshëm, të ditur, modestë, të guximshëm dhe të përgatitur. Megjithëse ishin shumë më të rinj se ai, Çavolli pohon se kishte mësuar prej tyre më shumë sesa kishte mundur t’u jepte. Sipas vlerësimit të tij, ata ishin njerëz të sakrificës, të kalitur nga jeta, të cilët kishin braktisur sigurinë familjare dhe ishin përfshirë me vetëdije në një veprimtari të vështirë e të rrezikshme për lirinë dhe drejtësinë e popullit të tyre. Ai dëshmon gjithashtu se grupi i tyre ishte formuar që në kohën e Titos dhe se u kishte drejtuar institucioneve jugosllave kërkesën që Kosova të shpallej republikë në kuadër të Federatës.
Ky portretizim është domethënës, sepse nuk vjen nga një pjesëtar i PKMLSHJ-së, por nga një përfaqësues i shtetit shqiptar që i kishte takuar, kishte biseduar me ta dhe kishte krijuar përshtypje të drejtpërdrejtë për formimin, motivet dhe përkushtimin e tyre. (Gjithë pjesën e librit me kujtime që ka të bëjë këtë takim njohjeje mund ta lexoni ne lidhjen vijuese: SKËNDER IBISHI: KOSOVA IA KA ZBARDHUR GJITHMONË FAQEN SHQIPËRISË – Pashtriku
Në të njëjtat kujtime, Çavolli tregon se Sabri Novosella kishte shprehur mosbesim ndaj Abdullah Prapashticës. Kur kjo çështje iu paraqit Abdullahut, ai e zhvendosi debatin nga rrafshi personal në atë politik: sipas tij, çështja nuk ishte nëse Sabriu kishte ose nuk kishte besim tek ai, por vija politike që duhej të ndiqte Lëvizja dhe mënyra se si duhej të drejtohej.
Kjo përgjigje tregon se pala e ish PKMLSHJ-së nuk e shihte konfliktin vetëm si mosmarrëveshje ndërmjet individësh. Në thelb shtroheshin pyetje për orientimin politik, kompetencat, përfaqësimin dhe mënyrën e marrjes së vendimeve në LRSSHJ. Mosbesimi personal ishte një shfaqje e konfliktit, por nuk e shpjegonte burimin e tij.
Letra e 6 dhjetorit 1983 dhe qarkullimi i insinuatave
Në këtë klimë mosbesimi u shkrua edhe letra që Sabri Novosella ma dërgoi më 6 dhjetor 1983. Në të ngriheshin akuza të rënda kundër motrës sime, Fahrije Osmanit, Abdullah Prapashticës dhe Rexhep Maqedoncit. Ato mbështeteshin kryesisht në pohime të tërthorta: çfarë pretendohej se kishte thënë njëri, çfarë gjoja kishte dëshmuar tjetri dhe çfarë thuhej se kishte ndodhur gjatë hetimeve e proceseve gjyqësore.
Akuzat nuk ishin verifikuar drejtpërdrejt me personat e përmendur. Letra nuk dëshmon vetvetiu se autori i saj kishte fabrikuar dezinformatat që qarkullonin më herët. Ajo tregon, megjithatë, se akuza shumë të rënda pranoheshin dhe përcilleshin mbi bazën e burimeve të dorës së dytë.
Në kushtet e përndjekjes nga shërbimet jugosllave, kjo mënyrë komunikimi krijonte terren që fabrikimet e armikut të depërtonin në marrëdhëniet ndërmjet bashkëveprimtarëve dhe të përdoreshin në konfliktet e brendshme. Letra e 6 dhjetorit lidhet edhe me qarkoren: ajo tregon se si dyshimet e ngritura në nivel organizativ mund të kalonin në komunikimin personal si akuza konkrete ndaj individëve.
Përpjekja për ballafaqim në Turqi
Para kësaj letre, kisha marrë një tjetër, të shkruar me dorë nga Sabri Novosella, me gjuhë fyese dhe akuza të ndryshme. Për këtë arsye vendosa të udhëtoja në Turqi për t’u ballafaquar me të dhe, nëse ishte e mundur, për ta zhvilluar sqarimin në prani të një përfaqësuesi të shtetit shqiptar.
Pas mbërritjes takova Ibrahim Çavollin dhe ia shpjegova qëllimin tim. Ai më këshilloi të mos e ndiqja këtë rrugë. Sipas vlerësimit të tij, po ta njoftoja Sabriun dhe të kërkoja takim ballafaques, ekzistonte rreziku që ai ta paraqiste veten para policisë turke si të kërcënuar. Në kushtet e regjimit ushtarak turk dhe të pozitës sonë të pasigurt, një denoncim i tillë mund të sillte arrestimin tim para se të sqarohej e vërteta.
Kjo është dëshmia ime për bisedën me Ibrahim Çavollin dhe duhet trajtuar si e tillë. Ajo tregon shkallën që kishte arritur mosbesimi i brendshëm: edhe një përpjekje për ballafaqim ndërmjet bashkëveprimtarëve perceptohej si rrezik i mundshëm për ndërhyrje policore.
Çfarë dëshmojnë zhvillimet e vitit 1983
Viti 1983 nuk dëshmon largimin vullnetar të ish-PKMLSHJ-së nga LRSSHJ-ja. Përkundrazi, dëshmon vazhdimin e veprimtarisë mbi bazën e marrëveshjeve të bashkimit: organizimin e BPK-së, botimin e platformës, nxjerrjen e “Punëtorit”, “Komentit Politik” dhe “Kosovares”, si dhe punën me mërgatën, të cilat ua sqaronin masave vijën politike të Lëvizjes për Republikë.
Kjo mënyrë veprimi siguroi mbijetesën politike në kushte dhe rrethana aspak të volitshme dhe ndihmoi në mobilizimin e një pjese të mirë të bashkatdhetarëve në radhët e LRSSHJ-së.
Në të njëjtën kohë, viti 1983 dëshmon përkeqësimin e mekanizmave të përbashkët. Përfaqësimi po kufizohej, botimet dhe nismat gjykoheshin pa një procedurë të përbashkët, akuzat qarkullonin pa verifikim dhe qarkorja e brendshme e shpalli paraprakisht njërën rrymë “fraksion”.
Këto zhvillime duhen kuptuar në dy plane të ndërlidhura, por të dallueshme. Në planin e parë, proceset gjyqësore tregojnë qëndrueshmërinë e PKMLSHJ-së përballë shtetit jugosllav dhe faktin se drejtuesit e saj nuk u distancuan nga programi për Republikë. Në planin e dytë, veprimtaria në mërgatë tregon se konflikti nuk nisi me një deklaratë të hapur shkëputjeje, por me mosmarrëveshje mbi përfaqësimin, botimet, kompetencat dhe kontrollin e strukturave të përbashkëta. Vetëm më pas këto mosmarrëveshje u shndërruan në akuza politike dhe në etiketimin e njërës palë si “fraksion”.
Përfundim: etiketa ishte rezultat, jo pikënisje
Këtu qëndron thelbi i problemit. Nuk ishte e paligjshme të kundërshtohej platforma e BPK-së, të kritikohej puna e cilitdo drejtues ose të kërkohej riorganizimi i Lëvizjes. E palejueshme ishte që njëra palë ta identifikonte veten me tërësinë e LRSSHJ-së dhe ta gjykonte palën tjetër si trup të huaj, pa mandat të përbashkët dhe pa pjesëmarrje të barabartë.
Historia nuk kërkon që njëra narrativë të zëvendësohet me një tjetër. Ajo kërkon që qarkorja të lexohet krahas platformës që sulmonte; përfoljet të ballafaqohen me mbrojtjen e Rexhep Maqedoncit dhe me proceset gjyqësore; dëshmitë personale të dallohen nga dokumentet e miratuara; ndërsa përgjegjësitë të individualizohen.
Vetëm kështu mund të kuptohet se etiketa “fraksion” nuk ishte pikënisja e konfliktit. Ajo ishte rezultat i një procesi të mëparshëm anashkalimi, mosbesimi, rivaliteti dhe përpjekjesh për kontroll mbi përfaqësimin e Lëvizjes.
Përçarja nuk mbeti vetëm në nivel retorik: ajo u shfaq në kufizimin e përfaqësimit, në përjashtimin nga proceset vendimmarrëse, në qarkullimin e akuzave të paverifikuara dhe në dobësimin e mekanizmave të përbashkët. Pasojat u shfaqën më vonë në forma të ndryshme: disa eksponentë që na shpallën fraksion u larguan gjeografikisht e organizativisht, disa dhanë dorëheqje, ndërsa të tjerë u përjashtuan pas akuzave për intriga, shpifje ose keqpërdorime financiare.
Këto zhvillime nuk mund të përdoren për të relativizuar përgjegjësinë e përçarjes. Përkundrazi, ato tregojnë për keqpërdorime të dëshmuara që thelluan krizën dhe e dobësuan Lëvizjen.
Në pjesën V: zhvillimet e vitit 1984, largimi i pjesës së ish-LNÇKVSHJ-së, ndryshimet në drejtim dhe në redaksinë e “Zërit të Kosovës”, hyrja e Fazli Veliut dhe Emrush Xhemajlit, përjashtimi i Ibrahim Kelmendit dhe përgatitja e ndryshimeve organizative e programore që çuan drejt vitit 1985.
Referenca dhe burime
- Ibrahim Çavolli, Jam kosovar…!, vëllimi II, f. 199–203.
- Nysret Hajdari, libër me kujtime, pjesët mbi themelimin dhe veprimtarinë e Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës.
- Mbrojtja e Rexhep Maqedoncit para Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, shkurt 1983.
- Gazeta Politika, Beograd, raportimet mbi procesin gjyqësor kundër drejtuesve dhe veprimtarëve të PKMLSHJ-së, shkurt 1983.
- Stevan Roglić, reagimi ndaj mënyrës së raportimit të gazetës Politika për procesin gjyqësor të vitit 1983.
- Platforma politike, Programi dhe Statuti i LRSSHJ-së dhe Platforma e Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës, botuar më 31 mars 1983.
- Punëtori, organ i Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës, numrat e vitit 1983.
- Komenti Politik, botim politik i pjesëtarëve të LRSSHJ-së dhe BPK-së, 1982–1983.
- Kosovarja, botim i pjesëtarëve të LRSSHJ-së dhe BPK-së.
- Qarkore e brendshme e LRSHJ-së lidhur me rastin e ish-PKMLSHJ-së, fundi i vitit 1983 ose fillimi i vitit 1984.
- Sabri Novosella, letër drejtuar Osman Osmanit, 6 dhjetor 1983.
- Ahmet Qeriqi, shkrime dhe dëshmi mbi veprimtarinë e PKMLSHJ-së, kërkesën për Republikë dhe bashkimin e radhëve të rezistencës shqiptare.
- Osman Osmani, dëshmi personale dhe dokumente nga veprimtaria në LRSSHJ dhe BPK gjatë viteve 1982–1983.
Burime të publikuara në internet
- Dokumente historike: Mbrojtja e Rexhep Maqedoncit, njërit nga drejtuesit e Organizatës për Republikë – PKMLSHJ, transnacional.ch.
- Qëndrimi im nuk ka ndryshuar: ne duam që Kosovës t’i jepet statusi i Republikës, transnacional.ch.
- 43-vjetori i demonstratave të vitit 1981 në Kosovë: Nacionalsocializmit serb kurrë s’i ka pëlqyer e vërteta, transnacional.ch.
- Qarkore e brendshme e LRSHJ-së lidhur me rastin e ish-PKMLSHJ-së, pashtriku.org.
- Skënder Ibishi, Kosova ia ka zbardhur gjithmonë faqen Shqipërisë, pashtriku.org.


