____
E nderuara zonjë Mirushe Musa,
Ju përshëndes dhe ju përkrah fuqishëm për qëndrimin tuaj të guximshëm, të argumentuar dhe thellësisht shqiptar.
Askush, me dashje apo nga papërgjegjësia, nuk ka të drejtë t’i fyejë shqiptarët, t’i ndajë sipas besimit apo t’ua tregojë rrugën për në Beograd.
Ne jemi në tokën tonë dardane dhe këtu do të qëndrojmë!
Flori e Lauri Dardan nuk janë simbole kundër askujt.
Ata janë dy mjeshtër të gurit dhe dëshmitarë të hershëm të qytetërimit e të trashëgimisë sonë.
Guri i tyre nuk rrëzon xhami, kambana nuk e hesht ezanin dhe kryqi nuk e mohon besimin e askujt.
Ajo që e rrezikon bashkëjetesën është fanatizmi, përjashtimi dhe vendosja e fesë mbi kombin e mbi Republikën.
Ne i respektojmë shqiptarët myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe ata pa besim fetar.
Të gjithë jemi bij të së njëjtës tokë, flasim të njëjtën gjuhë dhe e kemi një flamur kombëtar: kuqezi.
Si shqiptar i përndjekur dhe i burgosur politik gjatë viteve 1981–1990 për lirinë e tokës dardane, e them me zemër e ndërgjegje:
Ne jemi Dardanë dhe besojmë shqip, me betimin e të parëve tanë:
“Pasha tokë e qiell,
pasha hënë e diell!”
Zonja Mirushe Musa dhe familja Musa nuk janë mysafirë në atdheun e tyre.
Zogaj është toka e tyre, Vushtrria është qyteti i tyre, Kosova është shteti ynë dhe shqiptaria nuk është pronë e asnjë institucioni fetar.
Nderim për qëndrimin tuaj, zonja Mirushe!
Nderim për Familjen Musa!
Nderim për Florin e Laurin Dardan!
Nderim për Zogajn, Dardaninë dhe flamurin kuqezi!
EPILOG
Fjala është për deklaratën publike të kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava:
“Kush nuk i pranon xhamitë në Kosovë, le të shkojë në Beograd.”
Kjo nuk është thjesht një fjali e pamatur, por një fyerje e rëndë ndaj shqiptarëve që guxojnë të mendojnë ndryshe dhe që mbrojnë trashëgiminë e tyre dardane.
As Naim Tërnava dhe asnjë drejtues tjetër fetar nuk ka të drejtë t’ua caktojë shqiptarëve përkatësinë kombëtare apo t’i dëbojë me fjalë drejt Beogradit.
Ne nuk jemi kundër xhamive dhe as kundër besimtarëve myslimanë shqiptarë.
Ne jemi kundër fanatizmit, përjashtimit dhe çdo përpjekjeje për ta vendosur fenë mbi kombin, Kushtetutën dhe Republikën e Kosovës.
Zonja Mirushe Musa iu përgjigj me dinjitet: Zogaj është tokë shqiptare, familja Musa është në atdheun e vet, ndërsa Flori e Lauri Dardan janë pjesë e kujtesës dhe e qytetërimit tonë.
Një kishë shqiptare nuk e rrëzon asnjë xhami, sikurse një kambanë nuk e hesht ezanin.
Prandaj, z. Tërnava, Beogradi nuk është adresa e shqiptarëve që mbrojnë identitetin, flamurin dhe trashëgiminë e tyre.

Nëse fjalët tuaja janë shtrembëruar, sqarojini publikisht; nëse i keni thënë me këtë kuptim, kërkojuni falje shqiptarëve.
Shqiptaria nuk është pronë e asnjë institucioni fetar!
Ne jemi në tokën tonë dardane dhe betohemi si të parët tanë:
“Pasha tokë e qiell,
pasha hënë e diell!”
— Sak Muji
I përndjekur dhe ish-i burgosur politik, 1981–1990



