Për librin e Jusuf Buxhovit, “Pasluftat e mia”

Shkrime relevante

Për librin e Jusuf Buxhovit, “Pasluftat e mia”

Gjergj - Bajram Kabashi ___ "Pasluftat e mia" (1946 - 1999 dhe 2000...

Dita D – Një thirrje për përgegjësi shtetërore

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan Sot, 6 tetor 2026, Kosova ndodhet përpara...

Bashkësitë Islame të Maqedonisë dhe të Kosovës nuk kanë asnjë lidhje me identitetin shqiptar

Tim Shkupi, Shkup ____ Bashkësitë Islame të Maqedonisë dhe të Kosovës nuk kanë...

Punë e madhe nëse qenka arrestuar nipi i Hashim Thaçit!

Lirim Gashi, Prishtinë ____ Punë e madhe, që qenka arrestuar nipi i Hashim...

Shpërndaj

Gjergj – Bajram Kabashi
___
“Pasluftat e mia” (1946 – 1999 dhe 2000 – 20269)
Kujtime, biseda , dëshmi
Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2026
___
Shkrimtari , historiani dhe gazetari i njohur Jusuf Buxhovi, autor i shumë veprave letrare, historike e publiçistike, kësaj vere erdhi me librin monografik “Pasluftat e mia”, një të thuash roman i veçant i tij, i shkruar në mënyrë autobiografike që e paraqet rrugën e tij jetësore nga fëmijënia e deri sot.
Meqenëse me Buxhovin kemi punuar sëbashku në gazetën “Rilidja”, që nga viti 1982, kur ai ishte në komisionin pranues për gazetarët e rinj, në mesin e të cilëve isha edhe une.
Prandaj, rrugëtimin e tij profesional, si gazetar me përgatitjen e duhur shkollore dhe kulturen e admiruar, në një mënyrë e njihja, përderisa libri mongrafik “Pasluftat e mia” , e rikthej në kujtesë punën e tij të madhe e të vazhdueshme.
Romani autobiografik apo mongrafie “Pasluftat e mia” është një libër voluminoz me përplot të dhëna e dëshmi për një rrugë të bujshme që e ka kaluar Jusuf Buxhovi, jo vetëm në gazetari, por edhe në rolin e tij të madh në formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në rrugën e formimit të tij profesional si letrar e historian.
Libri “Pasluftat e mia” e përfshin periudhën që nga lindja e krijuesit të njohur, vitet 1946 – 1999 dhe ato 2000 – 2026.
Ky është një libër përplote të dhëna e dëshmi për një kohë të kaluar të një personaliteti të veçant, libër që mbetët si një monument i madh kujtese, jo vetëm për rrugëtimin jetësor e profesional të autorit, por edhe të Kosovës e kombit shqiptar.
Kujtimet, dëshmitë e bisedat e autorit të rrallë, të përmbledhura në një libër me një titull që të kujton njeriun e shumë betejave të kaluara nëpër jetë dhe shikimin e tij kah rrugët nga ka kaluar, janë njëherit kujtime dhe rrëfime, qoftë edhe të zbehura nga harresa, të një populli të tërë, andaj rrëfimet e shkrimtarit Buxhovi janë edhe “rrëfimet e secilit prej nesh”, që ka kaluar nëpër ato rrugë të vështira.
Përderisa e lexoja librin “Pasluftat e mia”, më dukej sukur jam ende tuj i përcjellë ngjarjet për gazetën “Rilindja”; apatheidin, segregacionin, rrënimin e autonomisë, arsyetimet e politikanve, “Apelin 215”, formimin e LDK-së, konferencat e përjavshme për shtupin të Ibrahim Rugovës, daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës etj.
Andaj, është një kënaqësi e madhe që kulturës sonë i shtohet një libër i tillë, që në mënyrë kronologjike rrëfen për kohët e kaluara, për vetminë e madhe që mendonim se i jemi nënshtruar në atë kohë por edhe për fuqinë tonë kombëtare.
Autori i librit “Pasluftat e mia” thekson, se, “Ajo që ka rëndësi në kujtimet, dëshmitë dhe bisedat e këtij libri, ka të bëjë me atë se, në pjesën e parë, Fadil Hoxha dhe dr. Ibrahim Rugova, si persona historikë, në kuadër të zhvillimeve të ndryshme: në njërën anë, ngritjes së statusit autonom të Kosovës nga ai rajonal i vitit 1945, te njësia federative me kushtetutën e vitit 1974 dhe rrënimin e saj nga Serbia përmes puçit kushtetues më 23 mars 1989, dhe në anën tjetër, Shpalljes së Republikës së Kosovës në Kuvendin e Kaçanikut, më 7 shtator 1990 e deri te protektorati ndërkombëtar sipas rezolutës 1244 të KS të OKB-së,më 12 qershor 1999 – i takojnë historisë së shtetndërtimit evolutiv. Siç u pa edhe në vendimin e GJND-së me 10 korrik 2010, ky fakt i shërbeu formulimit se pavarësia e shtetit të Kosovës, e ndërlidhur edhe me konstitucionalizmin jugosllav dhe rezistencën institucionale – aktive – paqësore, që nuk bia ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Në kuadër të librit, në pjesën e dytë, atë të protektoratit ndërkombëtar nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, kur Kosova, e ndihmuar nga aleatët perëndimorë, veçmas SHBA-të shpallet e pavarur, fokusimi bie mbi dy çështje, që ndikuan zhvillimet që do ta përshpejtojnë pavarësinë:
-Së pari, te protektorati ndërkombëtar përmbrenda dihomisë: siguri  (KFOR) – institucione demokratike (UNMIK) si dhe konflikti etnik i vitit 2004 me pasoja tragjike, që nga dr. Rugova po edhe disa liderë të tjerë nga jashtë, u vlerësua  “puç i organizuar nga Beogradi dhe aleatët e saj nga radhët e grupeve staliniste për ta nxjerrë Kosovën nga rruga e pavarësisë”.
Pas hyrjes tejet sqaruese për domosdonë e shkrimit të librit, autori Buxhovi si një plak i urtë e me kujtesë të madhe e të freskët flet për fëmijërinë e tij, Aksionin për mbledhjen e armëve, Procesin e Prizrenit dhe ndërlidhjen e raportit midis Enverit e Titos për Kosovën, për hakmarrjen serbe, për Plenumin e Brioneve dhe “aleancën” e Titos me Shqiptarët, për kërkesat për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës deri te njësia federative, demonstratat historike të Kosovës së vitit 1968, për “Kohën e barazisë”, Amandamentet kushtetuese dhe themelimi i Universitetit të Prishtinës, për Kushtetutën e vitit 1974 dhe ngritjen e statusit të Kosovës në njësi federative, pastaj rrëfimet e autorit për “Vitet e Gjermanisë”, për kohën kur ishte korrespondent i përhershëm i Rilindjes në Bon, për “lidhjen shqiptare” që i përafron shqiptarët, për opcionet rreth “Shqipërisë jugosllave” dhe ato për “Kosovën shqiptare”, për bisedat me Vladimir Bakariqin, filozofin Vajceker, nobelistin Bëll dhe Horst Emken. Pastaj për “Dimri i madh” shqiptar, atuja e “e barazisë” së Bakallit, “gasterbajterët” tanë dhe klubet jugosllave.
Janë edhe kujtimet për shkrimtarin tonë Martin Camaj, Oda Buholc, Fidler dhe Knoblauh.
Secili kapitull ku rrëfen Jusuf Buxhovi e bartë vulën e saktësisë dhe dokumentimit.
Jusuf Buxhovi rrëfen për vazhdimësinë nëpër të cilën ka kaluar si njeri e gazetar, duke mos zbukuruar asgjë, por duke e thënë vetëm të vërtetën, ashtu siç ka qenë ajo, e jo qysh do të dëshironim që të ishte.
Jusuf Buxhovi dhe Ibrahim Rugova
Ky është një libër ku flet e rrëfen një personalitet me dije të madhe, me dijen e gazetarit, shkrimtarit, historianit, kronikanit dhe aktivistit të madh të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kjo vërtetohet me saktësi të madhe edhe në kapitullin e katërt, sidomos në rrëfimin për demonstratat e vitit 1981 dhe fillimin e fundit të Jugosllavisë së Titos, në atë për luftën e Serbisë për ta rrënuar autonominë e Kosovës në vitet 1981 – 1989, ku vërtetohen synimet e nacionalistëve serbë që thoshin se “jemi në luftë me shqiptarët”, pastaj për protestat gjithëpopullore kundër rrënimit të asaj autonomie të  vitir 1988, greva e minatorëve të kombinatit Trepça, Apeli i 215 intelektualëve, që pati nisë në gazetën Rilindja, pjesë e të cilit ishte edhe autori i këtij shkrimi për librin e Buxhovit.
Duke e lexuar librin “Pasluftat e mia” të Jusuf Buxhovit, padashur kthehesh në kohë, nëpër ato ngjarje ku qëndrohej dhe kur një popull i tërë nuk i dorëzohej dhunës pushtese e Serbisë, që tashmë i ishte rikthyer të kaluarës së vet mizore ndaj shqiptarëve.
Ishte koha e segregacionit e apartheidit që nuk kishte shembull tjetër në botë, ku Sllobodan Milosheviq iu ishte kthyer metodave të dhunës që kishin qenë të “palosura” si mësimdhënie dhune në arkivat e UDB-ës.
Ato tashmë ishin pasuruar me metoda të tjera dhune, ku shqiptarët dënoheshin me uri e liheshin pa punë, pa shkollim dhe jetë në vendin e vet, me qëllimin e vetëm largimin e popullsisë nga Kosova. Edhe në atë kohë ishin disa idealistë në profesione të caktuara, si në gazetari, që e bënin të pamunduren që popullatës t’i jipeshin lajmet e duhura. Roli i Jusuf Buxhovit në Bon e gjetiu, i tejkalonte mundësitë e kontributeve të një njeriu, që krahas aftësimit profesional, ishte edhe në kontaktet e duhura me politikanë e diplomatë gjerman e perëndimorë në përgjithësi, prej nga e jepte ndihmesën e vet të madhe e të gjithanshme.
Në këtë vazhdë janë edhe kapitujt e librit të tij, si : Koha e kthesave historike, Lidhja me SHBA-të dhe kthimi kah Perëndimi, Shtetndërtimi, Vitet e Gjermanisë, Faktori Ushtri Çlirimtare e Kosovës, Fushata Ushtarake e NATO-s e 24 marsit deri më 10 qershor 1999 dhe Protektorati Ndërkombëtar nga data 12 qershor 1999 deri më 17 shkurt 2008, që e shënon edhe fundin e “shtetit paralel të Kosovës”.
Në pjesën e dytë të librit, pos tjerash, flitet gjerësisht rreth vdekjes së Ibrahim Rugovës dhe për rrethanat e reja të krijuara. Thjeshtë, në këtë libër janë “të gjitha” ngjarjet nëpër të cilat kemi kaluar deri sot, të paraqitura si rrëfime mbresëlënëse në mënyrë kronologjike dhe me data historike të secilës kohë veç e veç.
Flitet për periudhën e Pavarësisë së Kosovës së 17 shkurtit 2008, për Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës, për fushatat linçuese për librin historik “Kosova” , madje të kritikuar edhe prej njerëzve tanë pa kopmpetenca shkencore.
Jusuf Buxhovi fëmijëninë e ka kaluar në Ponoshec të Gjakovës, ku i punonte babai si mësues për shumë vite dhe libri “Pasluftat e mia” është botuar kësaj vere që e kaluam, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së autorit me 4 gusht 1946.
Jo vetëm me këtë vepër, por edhe në paraqitjet e tij të shumëta publike, Buxhovi e ka thënë të vërtetën pa u fshehur e pa ngurrim, edhe në rastet kur ndaj tij janë drejtuar edhe kritika të paparsyeshme e të palogjikshme.
Por ai i ka kryer punët e veta dhe ka ecë vetëm përpara, pa e kthyer kurrë kokën pas.

Në promovimin e librit të tij në Ponoshec, Buxhovi theksoi se e kishte zgjedh titullin “Pasluftat e mia” pasi “periudhat e tranzicionit dhe të pasluftës në Kosovë (si ajo pas vitit 1946, ashtu edhe ajo pas vitit 1999) shpesh kanë qenë po aq të rënda dhe sfiduese për fatin e kombit sa edhe vetë luftërat. Ai bëri thirrje që historiografia të lirohet nga mitet dhe të pasqyrojë vetëm të vërtetat dokumentare. Ky vend , kishte theskuar Buxhovi për Ponoshecin, për te “përfaqëson një “vendlindje të dytë”.

Në Gjakovë, në shkollën e fshatit Ponoshec, me 16 shtator 2026 u bë promovimi i librit “Pasluftat e mia” i Jusuf Buxhovit

Në Ponoshec babai i autorit, Aziz Buxhovi (që ishte normalist i Elbasanit), ka shërbyer si mësues i parë në shkollën e këtij fshati nga viti 1953 deri në vitin 1960.

Duke e lexuar këtë libër në secilën faqe të tij, sikurse në faqen 30, kthehesh në kohën që nuk ke dëshirë ta kujtosh me ëndje.
Pas “Procesit të Prizrenit”, shkruan autori në faqen 30 të librit, “kemi edhe aksionin famëkeq të armëve në vitet 1954 – 1955, i përcjellë me dhunë shtetërore dhe burgosje deri te likuidimet fizike të shumë vetave. Në vitin 1958 shfaqet edhe marrëveshja gjentelmene Tito – Çuprili për vazhdimin e shpërnguljes  në Turqi të popullsisë “turke” , që nuk ishte tjetër pos vazhdim i marrëveshjes jugosllave – turke të vitit 1938.
Sipas kësaj marrëveshjeje, mbi 250 mijë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Sanxhaku, të konvertuar në “turq”, u shpërngulen në Turqi. Shumë prej tyre u desh që pronat t’i shesin më lirë, ose edhe ti braktinin fare për “vizikat” turke. Shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi u shfrytëzua që në Maqedoni të silleshin “egejcat” nga Greqia, ndërsa në Sanxhak malazezë e serbë nga Hercegovina. Edhe në Kosovë, zbrazja nga shqiptarët, i hapi rrugë kolonizimit me popullatë serbe.”
Jo vetëm kjo që e thekson krijuesi poliedrik Buxhovi në veprën e tij “Pasluftat e mia”, e vërteton një gjë thjeshtë e me fakte nga jeta, se krimineli (kriminelët) kthehen gjithmonë në vendin e krimit.
Jo vetëm Serbia, por edhe Turqia e sotshme, neoosmane, e vazhdojnë në mënyrë tjetër, aty ku e kanë lënë dikur. Ku e kanë lënë më 1912 e 1999. Turqia me investimet e pandalshme religjioze islamike në meremetimin dhe ndërtimin e xhamive, duke qenë e vetëdijshme se, ashtu , e krijon ndikimin e saj përmes religjionit islam, e po ashtu edhe Serbia, që e pati ruajt këtë religjion “për ne” me qëllimet e për synimet e veta gjeostrategjike, mes tjerash edhe përmes krijimit të “turqve” prej nesh.
“Pasluftat e mia” e Jusuf Buxhovit, nuk është vetëm një vepër që kallxon se kah kemi kaluar, me cilat vëshirësi e intriga u ndeshëm, por tregon se rruga për ndërtimin e kombit edhe përmes kujtesës, është ajo që na ka munguar.
Ky libër rrëfimtar i një eruditi, tregon se nëse duam të jemi ata që duam të jemi, duhet të punojmë shumë për vetën. Jusuf Buxhovi ngrehinën e kombit e ka ngritur dhe ndërtuar me veprat e tij të shumëta, me mendimet e tij, me rrëfimet e tij e jetën e tij si shkrimtar, historian e gazetar.
Libri “Pasluftat e mia” i Jusuf Buxhovit, mahnitë me shkallën e lartë dhe informatat në rrëfime, që mund ta shquajnë vetëm një intelektual kritik e poliedrik, qysh është ai.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu