Qindra mijëra qytetarë në mbarë Shqipërinë po protestojnë kundër modelit të turizmit luksoz dhe privatizimit të hapësirave publike. Mesazhi i tyre është i thjeshtë: Shqipëria nuk është pronë e një grushti njerëzish.
Dje më la përshtypje një deklaratë e Kryeministrit Edi Rama, i cili u mor me një grua që kishte dalë në protestë me bikini. Duke e përdorur atë si simbol të protestuesve, ai ironizoi faktin se asaj i pëlqen Dubai, por proteston kundër ndërtimeve në Shqipëri. Madje shkoi deri aty sa t’i paraqiste protestuesit si burra që ëndërrojnë t’ia zgjidhin lidhëset e bikinit kësaj gruaje për ta parë të zhveshur.

Ky lloj argumentimi nuk flet për protestuesit; flet për vetë atë që e përdor. Kur nuk kundërshton idetë, por përpiqesh të diskreditosh njerëzit përmes nënçmimit dhe seksualizimit, debati politik zbret në nivelin më të ulët.
Po aq interesante është se si një pjesë e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë po merren jo me arsyet e protestës, por me “gabimet” e protestuesve. Një fotografi u bë virale ku një zonjë kishte dalë në protestë me qenushin e saj të mbuluar me flamurin kombëtar. Menjëherë u gjetën zëra që ta përdornin këtë si provë se protestuesit nuk qenkan patriotë, madje se qenkan tradhtarë apo të shitur.
Mendja më shkoi te mënyrat e ndryshme se si popujt e shprehin patriotizmin. Në Suedi dhe në Shtetet e Bashkuara prodhohen e shiten edhe letra tualeti me flamurin shtetëror të shtypur mbi to. Madje në SHBA shpesh vendosen edhe simbole të tjera kombëtare, përfshirë dollarin. Kjo nuk do të thotë se suedezët apo amerikanët janë më pak patriotë. Përkundrazi, askujt nuk i shkon ndër mend t’ua masë dashurinë për atdheun nga mënyra se si përdoret një simbol në jetën e përditshme.

Unë personalisht nuk e preferoj një gjë të tillë. Kur kam pasur mundësi zgjedhjeje, nuk kam blerë letër tualeti me flamur shtetëror. Por kur më ka rastisur të jem në Suedi dhe në një tualet publik ka pasur vetëm letër tualeti me simbole suedeze, e kam përdorur pa menduar se po kryeja ndonjë akt urrejtjeje ndaj suedezëve.
Patriotizmi nuk matet nga mënyra se si e vendos flamurin mbi një qenush, mbi një bluzë apo mbi një objekt të zakonshëm. Patriotizmi matet nga gatishmëria për t’i dalë zot vendit tënd, për të mbrojtur interesin publik dhe për të ngritur zërin kur mendon se po bëhet padrejtësi.

Prandaj, në vend se të merremi me qenin, bikinit apo detaje të tjera anësore, do të ishte më e ndershme të merreshim me pyetjen thelbësore që shtrojnë protestuesit:
A është Shqipëria pronë e qytetarëve të saj, apo po trajtohet si pronë private e një grushti njerëzish të pushtetshëm?
P.S.
Fotoja e zonjës me qenushin dhe fotot e letrës së tualetit me flamuj e valuta vlejnë më shumë si ilustrim i hipokrizisë sonë sesa si argument kundër protestuesve.



