ARKIVI:
1 Qershor 2026

Pse diaspora e sheh Albin Kurtin ndryshe nga kosovarët që jetojnë në Kosovë?

Shkrime relevante

Pse diaspora e sheh Albin Kurtin ndryshe nga kosovarët që jetojnë në Kosovë?

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina (Ad hoc analizë sociologjike) Shkruan; Prof.Dr. Fadil...

Leon Pergjoka lartëson vlerat kombëtare në Tirolin Jugor

Tom Pergjoka, Gjermani  Leon Pergjoka lartëson vlerat kombëtare në Tirolin Jugor Në qytetin...

Kur politika “merr oksigjen nga Rugova” për të mbijetuar

Lirim Gashi, Prizren KUR POLITIKA E SËMURË PËR VDEKJE MERR OKSIGJEN NGA...

AAK-ja përballë sfidave të reja

Ramiz Tafilaj, Houston-Texas Në politikën kosovare ka pak parti që kanë kaluar...

Shpërndaj

(Ad hoc analizë sociologjike)

Shkruan; Prof.Dr. Fadil Maloku, sociolog

Në një intervistë të rrallë që Albin Kurti i dha mbrëmë Politicos në TV10, ai ishte shumë kureshtar ta dinte se përse e përkrah kaq shumë diaspora. Në këtë sens, unë po provoj të hedh disa teza nga sociologjia e identitetit dhe ajo e zhvillimit, në mënyrë që të paktën në vija të trasha ta kemi një përgjigje dhe shpjegim sado pak jo politik për këtë dukuri, të cilën pak a shumë mund ta hasim edhe te kombet e tjera që kanë pasur histori të ngjashme me tonën.

Fillimisht duhet thënë se kjo problematikë, e cila ende nuk është elaboruar sa dhe si duhet sociologjikisht, as demografikisht e as historikisht, është pasojë e një indiference dhe neglizhence e studiuesve shqiptarë, kur dihet se kombi shqiptar, me dinamikat dhe trendet aktuale zhvillimore, ka filluar të “pasurohet” me fshatra të shumta boshe. Dhe ky trend i boshatisjes apo “ikjes” alamuese që ndodhi në fillim të viteve ’90, sot ka marrë dimensione dhe konotacione të reja, edhe për faktin se ai, në perceptimet dhe gjykimet e njerëzve të rëndomtë, po “shoqërorizohet” gjithnjë e më shumë me kriteret dhe standardet e nevojave ekonomike dhe ato të mirëqenies statusore.

Megjithatë, mund të thuhet se kjo dukuri mund të shpjegohet e interpretohet përmes disa teorive e paradigmave sociologjike që sot ndërlidhen kryesisht me identitetin, kujtesën kolektive, nacionalizmin në distancë, mobilizimin politik dhe marrëdhënien emocionale me shtetin e origjinës. Diaspora e sotme kosovare, e mendoj edhe ajo e Shqipërisë, për nga shkaqet dhe pasojat, është pothuajse identike, por jo domosdoshmërisht e njëjtë, sidomos kur janë në pyetje motivet mobilizuese.

Kur malli për atdheun shndërrohet në votë politike

Dhe për t’ia dhënë hakun shpjegimit tonë, në këtë rast duhet ta përdorim teorinë e ashtuquajtur të “nacionalizmit në distancë” (Long-Distance Nationalism), e cila fillimisht arsyeton, e më vonë edhe argumenton shkaqet e epërsisë së identifikimit kombëtar të emigrantëve kundruall popullsisë që jeton dhe vepron në vendin e origjinës. Dhe këtu diaspora kosovare nuk dallon shumë nga kontingjentet e vendeve të tjera, qofshin ato të Lindjes apo të Perëndimit.

Specifikat dalluese dhe identifikuese të diasporës kosovare kujtoj se duhet hulumtuar te faktet e reja, ku Kosova, nga këndvështrimi i tyre, nuk  po vazhdon të perceptohet edhe aq përmes problemeve të energjisë, varfërisë apo papunësisë që aktualisht i rëndojnë banorët e Kosovës por, duke qenë të privuar nga “shijimi” i të arriturave të vendlindjes, ajo në sytë e diasporës vazhdon të perceptohet e përjetohet ekskluzivisht si projekt historik dhe identitar. Dhe doke qenë kështu, e gjithë përkrahja, animimi po edhe mbështetja është duke u orientuar kah ata politikanë, parti e figura publike që shihen si “gardianë” dhe apologjetë të sovranitetit kombëtar e atij shtetëror. Shikuar nga ky kontekst, Kosova është një shembull tipik i këtij procesi, të cilin shtetet e tjera e kishin përmbyllur qysh në shekullin XIX. Kjo do të ishte “pista” e parë referente për ta kuptuar “peshoren” e përkrahjes së Albin Kurtit nga diaspora. Por, për ta kuptuar më thellësisht këtë problematikë të forcimit të vetëvlerësimit të diasporës kosovare, sonda jonë sociologjike duhet të depërtojë më thellë, në mënyrë që ta kemi një tabelë faktorësh që e fuqizojnë këtë perceptim, i cili, dorën në zemër, në kohën kur po ndodh një proces i kundërt i zbehjes së kohezionit identitar, tek ne po merr përmasa dhe dimensione interesante. Pra, diaspora kosovare, duke jetuar si pakicë në shoqëri të tjera përendimore dhe për shkak të luftës së ndodhur që në ndërkohë është edhe një motiv shtesë për këtë mobilitet kaq të lartë, po fiton peshë më të madhe, ngase, shteti i munguar historik po bëhet për ta tani ajo “Meka” e krenarisë kolektive dhe ai strumbullari prej nga liderët që projektojnë narrativa të mëvetësisë dhe dinjiteteti kombëtar, po marrin mbështetje të shtuar. Kështu që vota e rritur për Kurtin mund të interpretohet edhe si votë për ruajtjen, kultuvimin dhe afirmimin e identitetit shtetëror karshi subjekteve tjera që aktualisht veprojnë në skenën politike të Kosovës. Shto këtu edhe një fakt tjetër po ashtu sociologjik: njerëzit e thjeshtë në ambientet dhe shtetet e huaja janë shumë më të prirur të reagojnë jo aq ndaj gjendjes së krijuar, sesa ndaj dallimit midis asaj që ata presin dhe asaj që marrin si këmbim të përkrahjes.

Pse Albin Kurti u bë simbol i shpresës për diasporën

Një fakt tjetër strumbullar që e lidh diasporën me Kosovën është edhe ai i investimeve kapitale financiare para dhe pas luftës, pastaj blerja e patundshmërive dhe sidomos zhgënjimi ndaj partive tradicionale politike. Ku, sërish, Albin Kurti projektohet dhe perceptohet si një alternativë që, përveç kapitalit ekonomik dhe atij institucional, ka nevojë edhe për kapital simbolik, ku vota dhe solidariteti me ofertën e tij kundruall klasës së vjetër politike fitojnë primat. Dhe ky kapital simbolik nuk është ndonjë “produkt” i krijuar ad hoc, por rezultat edhe i disa elementeve të tjera, si: burgosja politike e Kurtit, aktivizmi i tij moralist opozitar me sloganet për një luftë pa kompromis kundër korrupsionit, retorika e vetëvendosjes që do të pasohej me bashkim kombëtar etj. Këtij “deserti” politik, kur i shtohen edhe temat e lirisë, ato të rezistencës, e sidomos ato të shtrirjes së sovranitetit në pjesën veriore të Kosovës, pak a shumë e kompletojnë  mozaikun e shkaqeve të rritjes së rejtingut të kryeministrit aktual në “sytë” e diasporës. Por, për ta kuptuar shkallën e mobilizimit rreth këtyre faktorëve sociopolitikë, pa dyshim duhet t’i kemi parasysh edhe faktorët emocionalë. Të cilët, në rastin e diasporës sonë, janë dëshmuar si mjaft relevantë në krijimin e këtij perceptimi që tani është shndërruar si dominues. Në këte kontekst, nuk duhet harruar se diaspora kosovare, përkundër largësisë dhe distancës fizike nga atdheu, ende po prodhon idealizim dhe solidaritet që vështirë mund të haset te popujt e tjerë. Dhe ky element i idealizmit dhe solidaritetit po mbijeton falë rrjeteve sociale, prej nga ndërtohen edhe narrativa të hiperbolizuara.

Diaspora në kërkim të një “strehë identitare” për shtetin e Kosovës

Po ashtu, përkrahja e madhe që diaspora i jep Albin Kurtit, ndër të tjera, nuk mjafton të interpretohet vetëm si një satisfaksion moral, etik, politik dhe emocional, por duhet shtuar këtu edhe elementin e mungesës së një “strehe identitare” (identity anchor), apo i një strehe simbolike kolektive për një shtet që ata e kanë ëndërruar por edhe kanë luftuar breza të tërë, duke filluar nga Lidhja e Prizrenit e sidomos pas viteve ’90. Dhe nëse tani u referohemi teorive të sociologjisë së identitetit, të cilat na dëshmojnë si relevancën ashtu edhe peshën e individit që jeton jashtë hapësirës së vendlindjes, arrijmë t’i kompletojmë shumë më mirë pritjet po edhe ambiciet dhe synimet e idealizimit të asaj që shquhet si “shtëpi kolektive kosovare” që tashmë ka filluar të identifikohet përmes vulës së shtetit edhe në kartat e tyre identifikuese. Ndërkaq, në rastin e Kosovës, kjo ndjenjë dhe ambicie është shumë më e shorehur në mentalitetin dhe etnopsikologjinë e diasporës, dhe rezulton edhe nga fakti se shteti qé ende gjendet në një lloj adoleshence politike, është produkt i një historie të mbushur me sakrifica, luftëra dhe mobilizime të pandërprera kombëtare.

Në fund, duhet shtuar se kjo analizë ad hoc nuk pretendon të japë përgjigje ekskluzive shkencore, por është më shumë një përpjekje modeste që i tejkalon logjikat dhe interpretimet e zakonshme partiake apo ato elektorale për fenomenin e votës së diasporës.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu