FEHMI DHE XHEVË LLADROVCI
Meqë sot është 28-vjetori i martirizimit të Heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, po e shpërdori për të paraqitur komplotet që ua ka bërë “Ndërmarrja Kriminale e Përbashkët” (NKP), sepse y slogan tashmë na është bërë një lloj bauku, një mollë sherri, siç thuhet.
Duke qenë kuadër udhëheqës i LPK-së në Gjermani, Fehmi Lladrovci kishte rol aktiv në grevën 18-ditore të urisë, të mbajtur në maj të vitit 1996 në kryeqytetin e atëhershëm gjerman, Bon. Në atë grevë, ku morën pjesë shumë veprimtarë, përfshirë edhe Heronjtë Ilaz Kodra, Xhemajl Fetahaj dhe Xhevë Lladrovci, u protestua kundër kryeministrit Sali Berisha, i cili, disa ditë më parë, gjatë një vizite zyrtare në Gjermani, kishte kërkuar që Kosovës t’i rikthehej autonomia në kuadër të Jugosllavisë. Greva u drejtua gjithashtu kundër “rezistencës pacifiste” të “presidentit” Ibrahim Rugova, si dhe kundër qeverisë gjermane, e cila sapo kishte bërë marrëveshje me qeverinë serbe që azilkërkuesit shqiptarë të refuzuar të dëboheshin me aeroplanë në Beograd.
Fatmirësisht ajo grevë pati jehonë edhe në Kosovë, ku dominonte “rezistenca paqësore”. Si rrjedhojë, filloi rigjallërimi i rezistencës aktive, deri te aksionet guerile të UÇK-së.
Pas përfundimit të grevës, Fehmiu u angazhua në koordinimin e ushtarakëve që jetonin në Kroaci, Slloveni e Bosnje, si dhe të atyre që ndodheshin në ekzil në Perëndim. Njëkohësisht, ai paraqiti kërkesë në Kryesinë e LPK-së që, së bashku me disa shokë, të lejoheshin të shkonin si përforcim i UÇK-së. Kryesia, – tashmë e kapur nga NKP-ja, të cilën unë atëherë e quaja “banda komplotiste e Rognerit”, – ia refuzon kërkesën Fehmiut, pasi kishte frikë se Ai mund të afirmohej në Kosovë si komandant i UÇK-së, sepse Fehmiu ndërkohë kishte fituar përvojë luftarake në Kroaci dhe gëzonte mbështetjen e shokut të tij të ngushtë, Bekim Berishës, të njohur me nofkën “Abeja”. Në refuzimin e kësaj kërkese ndikuan Xhavit Haliti dhe Azem Syla.
Këmbëngulja e Fehmiut dhe e shokëve të tij bëri që Kryesia ta miratonte kërkesën në prill të vitit 1997, pasi UÇK-ja tashmë kishte pësuar humbje të rënda nga vrasjet dhe burgosjet.
Fatkeqësisht, organizimin e futjes ilegale të Fehmiut me shokë, më 7 maj 1997, e morën përsipër MLK-istët Ali Ahmeti, Emruxh Xhemajli dhe Xhavit Haliti. Ata angazhuan Luan Haradinajn si zbatues “teknik” të kalimit ilegal të kufirit Shqipëri-Kosovë, pasi ai njihej për përvojën e tij në këto veprimtari. Fatkeqësisht, grupi ra në pritë buzë kufirit dhe Luani ra dëshmor më 6 maj 1997. Në atë aksion u plagosën edhe disa guerilë të rinj, të cilët po përpiqeshin t’i bashkoheshin UÇK-së si përforcim.
Herën tjetër, më 11 mars 1998, Fehmiu arriti të hynte në Kosovë, por tashmë pa lejen e NKP-së dhe pa ndihmën e MLK-istëve. I shoqëruar nga Bekim Berisha, Ai arriti të kontribuonte në gjallërimin e UÇK-së në Drenicë. Por pasuan sabotime dhe komplote nga NKP-ja, duke penguar dërgimin e armatimit, municionit, veshmbathjes dhe mjeteve financiare. Këto veprime, sipas autorit, u konkretizuan në fillim të qershorti 1998 edhe me kooptimin e Jakup Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së, duke qenë se Fehmiu dhe Jakupi kishin pasur mosmarrëveshje në maj të vitit 1998. Fehmiu, si komandant i Zonës Operative të Drenicës, kishte urdhëruar mbylljen e gjimnazit në Drenas, ndërsa drejtori Jakup Krasniqi kishte kundërshtuar këtë vendim. Ndodh gjithashtu edhe komploti Rexhep Selimit të NKP-së me urdhrin për dëbimin e Bekim Berishës nga UÇK-ja…
Pasojë e këtyre komploteve mund të kenë qenë martirizimet e Heronjve Bekim Berisha dhe Fehmi Lladrovci, si dhe të Heroinës Xhevë Lladrovci, e cila, përveç se bashkëshorte, ishte bërë edhe bashkëluftëtare e Fehmiut.
– Të përhershëm qofshin respekti dhe kujtimi për Heronjtë!



