SHBA kërkon dëbimin e ish-spiunit të CIA-s me origjinë nga Kosova që pretendon se infiltroi Al-Kaedën e Bin Ladenit
Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nisur procedurat për dëbimin e një burri me origjinë nga Kosova, Blerim Skoro, i cili pretendon se ka punuar për inteligjencën amerikane (CIA) dhe ka infiltuar rrjetin e Al-Kaedës pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ka raportuar të mërkurën CBS News.
Skoro është arrestuar nga Agjencia e Imigracionit dhe Doganave (ICE) më 3 korrik 2026 në New Jersey. Avokatët e 55-vjeçarit i kanë kërkuar gjykatës federale të ndalojë dëbimin, duke argumentuar se atij i ishte premtuar pasaporta amerikane pas viteve të shërbimit si informator i CIA-s në luftën kundër terrorizmit që nisi në vitin 2001.
Sipas të dhënave të Byrosë Federale e Hetimeve (FBI), ai filloi bashkëpunimin me autoritetet amerikane të sigurisë pas arrestimit për trafik droge në vitin 2000.
Gjatë vuajtjes së dënimit në një burg në Pensilvani nga viti 2002 deri në 2006, ai ofroi informacione për militantë të dyshuar, derisa dokumentet e FBI-së e identifikojnë si informator në një hetim që përfshinte vetë liderin e Al-Kaedës, Osama bin Laden, i cili në atë kohë ishte njeriu më i kërkuar në planet, posaçërisht nga SHBA-të.
Sipas avokatëve të Skoros, ai operoi nga viti 2007 deri në 2009, duke udhëtuar nëpër disa shtete dhe duke vizituar një kamp të ISIS/Daesh në Siri, ndërsa bashkëpunimi i tij ndihmoi autoritetet të arrestonin anëtarë të Al-Kaedës, Al-Shabaabit dhe Hezbollahut.
Skoro ishte pajisur me mbrojtje nga dëbimi në vitin 2022, për shkak të rrezikut të lartë që i kanosej nëse kthehej në Kosovë.
Megjithatë, avokatët e tij pretendojnë se ICE ka shkelur këtë mbrojtje duke u përpjekur ta dëbojë pa siguruar më parë leje gjyqësore.
Në vitin 2022, një gjykatës federal kishte ndaluar largimin e tij drejt Kosovës në bazë të Konventës Kundër Torturës, duke përmendur rrezikun e torturës ose vrasjes, edhe pse vendimi nuk i dha atij statusin e rezidentit të përhershëm


