Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë
Kur sheshi i Adem Jasharit bëhet sofër iftari !
Dikur Mitrovica ishte sinonim i minatorëve të Trepça-s, i sportit, i muzikës, i kulturës qytetare dhe i një ekonomie që mbante gjallë jo vetëm qytetin, por një pjesë të madhe të Kosovës.
Sot, për fat të keq, kush kalon nëpër sheshin qendror të qytetit mund të krijojë përshtypjen se nuk ndodhet më në Mitrovicë, por diku mes Kandaharit dhe një province të harruar të neo-otomanizmit kulturor.
Sepse tashmë është bërë një spektakël i zakonshëm: tenda gjigante iftaresh në sheshin e qytetit, pikërisht përballë bustit të heroit kombëtar Adem Jashari.

Po, pikërisht aty.
Para simbolit të sakrificës për lirinë kombëtare, po zhvillohet një lloj festivali religjioz që çdo mbrëmje duket sikur kërkon të thyejë një rekord të ri:
kush e bën iftarin më të madh, kush e vendos tendën më të madhe dhe kush e organizon programin më “shpirtëror”.
Së fundmi, sipas raportimeve mediatike, mbi 500 qytetarë morën pjesë në një iftar të organizuar nga një “humanist” me prejardhje nga Mitrovica që jeton në Turqi. Programi ishte i plotë: recitime nga Kurani, ilahi, ligjërata fetare dhe elemente “kulturore”.
Madje për të rritur edhe më shumë dozën e emocioneve, në skenë u soll edhe një vogëlushe nga familja Jashari.
Dhe këtu lind një pyetje që nuk mund të anashkalohet:
Kur u bë sakrifica e familjes Jashari dekor për programet religjioze të iftareve publike?
Sepse, me sa dimë, Adem Jashari nuk ra për të krijuar një republikë të tendave të iftareve nëpër sheshe, por për një Kosovë të lirë dhe qytetare.
Askush nuk e konteston të drejtën e besimit.
Agjërimi është çështje personale.
Iftari është traditë fetare.
Por kur iftaret dalin nga shtëpia dhe nga xhamia për të pushtuar sheshet, rrugët dhe lagjet e qytetit, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një akt të thjeshtë besimi.
Atëherë kemi një demonstrim publik ideologjik.
Dhe Mitrovica, për fat të keq, po shndërrohet dalëngadalë në një laborator të kësaj dukurie.
Dikur qyteti i minatorëve, sot qyteti i tendave.
Dikur qyteti i koncerteve dhe stadiumeve të mbushura, sot qyteti i ilahive në altoparlant.
Dikur qyteti i punëtorëve të Trepça-s, sot qyteti i sponsorëve anonimë që organizojnë iftare masive.

Madje tani po lind edhe një fenomen i ri: gara e iftareve.
Çdo lagje, çdo shoqatë, çdo sponsor i ri duket sikur dëshiron të hyjë në këtë konkurrencë të heshtur:
kush e shtron sofrën më të gjatë, kush e mbledh turmën më të madhe dhe kush e bën spektaklin më të zhurmshëm fetar në hapësirën publike.
Dhe ndërsa kjo garë vazhdon, pyetja që mbetet pezull mbi qytet është shumë e thjeshtë:
A po e ndërtojmë Mitrovicën e së ardhmes, apo vetëm po e dekorojmë me tenda iftaresh?
Sepse një qytet që dikur ishte krenaria industriale e Kosovës meriton shumë më tepër sesa të reduktohet në një garë se kush e organizon iftarin më të madh në rrugë.
Mitrovica meriton fabrika, universitete, teatro, koncerte dhe stadiume të mbushura me të rinj.
Jo tenda që çdo mbrëmje e mbulojnë sheshin sikur të ishte një panair i përhershëm religjioz.

Përmendorja e Adem Jasharit…, me fytyrë kah tenda turke e iftareve
Ironia e fundit
Nëse kjo rrugë vazhdon kështu, shumë shpejt sheshi i Adem Jashari në Mitrovica mund të mos njihet më si sheshi i heroit kombëtar, por si sofra sezonale e iftareve publike. Sepse çdo mbrëmje shtohet nga një tendë, nga një altoparlant dhe nga një organizator i ri që hyn në garën e madhe të iftareve. Dhe atëherë lind pyetja ironike që shumë qytetarë e bëjnë me zë të ulët:
a është ende sheshi i Adem Jasharit simbol i sakrificës për lirinë, apo po shndërrohet dalëngadalë në restorantin më të madh të iftareve në Kosovë?



