Shqipëria nuk është pronë e politikanëve

Shkrime relevante

“Antifa” dhe protestat në Shqipëri dhe Europë!

Nga Kol M. Marku - Itali ____ Studiues, ish-ushtarak, Nënkolonel (R) . _____ I. Shqipëria përballë...

Shqipëria nuk është pronë e politikanëve

Nga: Xhemil Zeqiri ____ Një qeveri e përkohshme njëvjeçare, një Kushtetutë që mbron...

Veproni e mos rrini duarkryq para fanatizmit religjioz

Një imam, përballë flamurit më të urryer religjioz të ISIS-it, pjellës...

Talibanët në internet: Kur mirënjohja vdes, por WI-FI funksionin!

Varje nga ana e Talebanëve në Afganistan Lirim Gashi, Prishtinë _____ Talibanit të sotëm...

Kush ia mbylli zërin Amfiteatrit të Rugovës…?!

Nga Sak Muji – ish-i burgosur politik dhe organizator i veprimtarive...

Shpërndaj

Nga: Xhemil Zeqiri

____

Një qeveri e përkohshme njëvjeçare, një Kushtetutë që mbron qytetarin dhe fundi i pa- ndëshkueshmërisë politike
Analizë dhe propozim për një marrëveshje të re shtetërore në Shqipëri
Hyrje: Deri kur do të mbetemi peng të të njëjtëve liderë?!
Mjerë Shqipëria, nëse pas më shumë se tri dekadash tranzicion politik, qytetarët vazhdojnë të detyrohen të zgjedhin mes të njëjtëve emra, të njëjtave parti dhe të njëjtave premtime.
Shqipëria ka kaluar kriza të rënda ekonomike, politike, ushtarake dhe institucionale. Ka përjetuar shembjen e skemave piramidale në vitin 1997, trazirat dhe dhunën që pasuan, si dhe ngjarje të rënda si tragjedinë e Gërdecit, me ç’rast u vranë 26 qytetarë dhe u plagosën shumë të tjerë, pastaj vrasjen e katër protestuesve në një demonstratë më 21 janar 2011, gjatë qeverisjes së Sali Berishës.
Edi Rama dhe PSSH, të gjitha këto krime të Saliut & Co i kaloi në heshtje, e fali kriminelin Sali Berisha?!!!
Ndërkohë, pas shumë vitesh në pushtet, Edi Rama dhe Partia Socialiste përballen me kritika të vazhdueshme për hajninë (korrupsionin), keq qeverisjen, transparencën dhe besimin e qytetarëve te institucionet.
Përballë kësaj historie, pyetja nuk duhet të jetë vetëm se kush do ta fitojë betejën e ardhshme politike.
Pyetja duhet të jetë: si mund ta ndërtojmë një shtet ku asnjë politikan të mos jetë mbi ligjin dhe ku asnjë parti të mos e trajtojë pushtetin si pronë të vetën?
• Problemi i Shqipërisë nuk zgjidhet duke zëvendësuar një udhëheqës me një tjetër, sivëlla siamez politik.
Udhëheqësit duhet të zgjidhen duke ndryshuar rregullat që u japin atyre mundësi të mbajnë pushtetin duke krijuar institucione të sigurta që mbrojnë interesin e qytetarëve.
1. Berisha dhe Rama: dy histori politike, një pyetje për përgjegjësinë?!
Sali Berisha dhe Partia Demokratike duhet të japin përgjigje për trashëgiminë e tyre politike, përfshirë krizën e vitit 1997 dhe përgjegjësitë që lidhen me ngjarjet e 21 janarit 2011 dhe me Gërdecin 15 mars 2008
Edi Rama dhe Partia Socialiste duhet të japin përgjigje për rezultatet e këqija të qeverisjes së tyre, për akuzat për hajni, për keqpërforim të fondeve publike, për transparencën e vendimmarrjes dhe për funksionimin e institucioneve.
Njëra palë nuk mund të përdorë gabimet e tjetrës, për të shmangur llogaridhënien.
Nëse Berisha akuzon Ramën për hajni, kjo nuk i heq përgjegjësitë, që lidhen me qeverisjen e tij të mëparshme. Në të njëjtën mënyrë, nëse Rama i referohet së kaluarës së Berishës, kjo nuk e përjashton qeverinë e tij nga detyrimi për të dhënë llogari.
Përgjegjësia politike nuk zhduket me kalimin e kohës, ndërsa përgjegjësia penale duhet të përcaktohet nga drejtësia, mbi bazën e provave dhe ligjit.
Për këtë arsye, Shqipëria ka nevojë për një mekanizëm të besueshëm që të garantojë se asnjë çështje e rëndë nuk harrohet për arsye politike dhe se asnjë akuzë nuk përdoret për hakmarrje ndaj kundërshtarëve.
2. A po e përdorin Rama dhe Berisha njëri-tjetrin politikisht?
Një shqetësim i veçantë që dëgjohet në debatet politike shqiptare është se “përplasja” dinake e vazhdueshme mes Ramës dhe Berishës, mund të përfundojë duke u shërbyer të dy kampeve.
Kur çdo debat përqendrohet te njëri lider ose te tjetri, çështjet themelore të qytetarëve rrezikojnë të mbeten në plan të dytë: punësimi, emigracioni, arsimi, shëndetësia, prona, drejtësia dhe kostoja e jetesës.
Kjo ngre dyshimin se polarizimi politik mund të ruajë dominimin e të njëjtave struktura dhe të vështirësojë daljen e alternativave të reja.
Por, duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm: pretendimi se dy udhëheqësit e zhytur në turpe dhe krime; janë në koordinim të fshehtë, kjo kërkon prova konkrete. Nuk mjafton vetëm fakti që kundërshtimi mes tyre vazhdon prej vitesh. Një argument i fuqishëm padyshim është heshtja nga Drejtësia, vazhdimi i qëndrimit në politikë edhe pas veprave të rënda penale të akcilit politikan.
Ajo që duhet të kërkojmë është transparenca e vendimeve, shqyrtimi i marrëveshjeve politike dhe ekonomike, kontrolli i financimit të partive dhe hetimi i çdo shkeljeje të dyshuar.
Qytetarët nuk duhet të detyrohen të zgjedhin mes dy kampeve që akuzojnë njëri-tjetrin, ndërsa problemet e shtetit mbeten pa zgjidhje.
3. Alternativa: një qeveri e përkohshme me mandat njëvjeçar.
Nëse kriza politike e bën të pamundur rikthimin e besimit përmes mekanizmave të zakonshëm, një alternativë që mund të diskutohet është krijimi i një qeverie të përkohshme me mandat dymbëdhjetëmujor.
Kjo qeveri nuk duhet të jetë as qeveri e Berishës, as qeveri e Ramës dhe as një instrument për t’i hapur rrugë një partie tjetër që të marrë kontrollin e institucioneve.
Ajo duhet të mbështetet në një marrëveshje publike, me detyra të kufizuara, afate të matshme dhe mekanizma të pavarur kontrolli.
Detyrat kryesore duhet të jenë:
• Rishikimi i legjislacionit që mund të cenojë të drejtat e qytetarëve ose interesin publik.
• Përgatitja e reformave kushtetuese dhe institucionale.
• Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit.
• Kontrolli dhe transparenca e kontratave, koncesioneve dhe tenderëve publikë.
• Rishikimi ligjor i vendimeve që ngrenë dyshime për dëmtimin e pasurisë publike.
• Krijimi i kushteve të barabarta për konkurrencën politike.
• Përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme brenda mandatit të përcaktuar.
Mandati duhet të jetë i kufizuar dhe të mos zgjatet për interesat e qeverisë së përkohshme. Ajo, duhet të raportojë periodikisht para publikut dhe institucioneve kompetente.
Krijimi i një qeverie të tillë duhet të bëhet përmes procedurave kushtetuese. Ajo nuk mund të zëvendësojë Kuvendin, të anashkalojë gjykatat apo të marrë kompetenca që nuk ia njeh ligji.
Një vit për të përgatitur reforma dhe zgjedhje të besueshme, jo një vit për të krijuar një pushtet të ri.
4. Ekspertët të rishikojnë Kushtetutën dhe ligjet.
Një qeveri e përkohshme nuk duhet të punojë vetëm me politikanët që kanë qenë pjesë e sistemit ekzistues. Ajo duhet të mbështetet në ekspertizën e profesionistëve të pavarur.
Për këtë qëllim, duhet të ngrihet një komision me juristë kushtetues, ekspertë të së drejtës publike, ekonomistë, specialistë të administratës shtetërore, ekspertë të financave publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Komisioni duhet të shqyrtojë:
• Nëse Kushtetuta përmban boshllëqe që lejojnë përqëndrimin e tepërt të pushtetit.
• Nëse ligjet për zgjedhjet dhe financimin e partive garantojnë konkurrencë të drejtë.
• Nëse mekanizmat e kontrollit parlamentar dhe institucional funksionojnë siç duhet.
• Nëse ka ligje që krijojnë privilegje të pajustifikuara ose konflikte interesi.
• Nëse mbrojtja e pronës publike dhe pasurive strategjike është e mjaftueshme.
• Nëse qytetarët kanë mekanizma efektivë për të kërkuar llogari nga institucionet.
Çdo propozim duhet të shoqërohet me arsyetim juridik, vlerësim të ndikimit ekonomik dhe konsultim publik.
Kushtetuta nuk duhet të ndryshohet për t’i shërbyer një shumice të përkohshme. Ajo, duhet të garantojë ekuilibër pushtetesh, mbrojtje të të drejtave dhe institucione që nuk varen nga vullneti i një lideri.
Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen vetëm sipas procedurave përkatëse dhe me garancitë demokratike që ato kërkojnë.
5. Të rishikohen vendimet e Kuvendit që mund të kenë dëmtuar interesin shtetëror.
Gjatë viteve, Kuvendi ka miratuar ligje dhe vendime me pasoja të rëndësishme për ekonominë, pronën publike, territorin dhe administrimin e pasurive kombëtare.
Disa vendime mund të jenë të debatueshme politikisht; të tjera mund të ngrenë dyshime për shkelje ligjore, konflikt interesi ose dëm ekonomik.
Prandaj, duhet të krijohet një proces i rregullt për shqyrtimin e vendimeve që paraqesin rrezik të dokumentuar për interesin publik.
Ky proces duhet të identifikojë:
1. Çfarë vendimi është marrë dhe nga cili institucion.
2. Cilat procedura ligjore janë ndjekur.
3. Kush ka përfituar dhe cilat janë detyrimet e palëve.
4. Nëse ka pasur konflikt interesi apo mungesë transparence.
5. Nëse vendimi ka shkaktuar dëm ekonomik ose cenim të të drejtave.
6. Cilat janë rrugët ligjore për korrigjim, shfuqizim, dëmshpërblim ose hetim, kur ka bazë për to.
Asnjë vendim nuk duhet të shpallet i paligjshëm, vetëm sepse kundërshtohet nga një parti. Po kështu, asnjë vendim nuk duhet të jetë i paprekshëm nga kontrolli gjyqësor apo kushtetues kur ekzistojnë baza ligjore për shqyrtim.
Interesi shtetëror nuk është interesi i një partie. Është interesi i qytetarëve dhe i brezave që vijnë.
6. Mbrojtja e territorit dhe e pasurive kombëtare.
Toka, bregdeti, pyjet, ujërat, pasuritë natyrore dhe pronat publike nuk duhet të trajtohen si mjete për përfitime personale apo partiake.
Çdo marrëveshje që prek pasuritë strategjike duhet të jetë transparente, e kontrollueshme dhe në përputhje me ligjin.
Kur lindin dyshime për tjetërsim të paligjshëm të pronës publike, favorizim të investitorëve ose cenim të interesit kombëtar, institucionet duhet të bëjnë publike dokumentet që mund të publikohen ligjërisht dhe të kryejnë verifikimet përkatëse.
Duhet të bëhet edhe një dallim juridik: shitja ose dhënia me qira e një prone publike nuk është e njëjta gjë me transferimin e sovranitetit territorial. Pretendimet për shitje territoresh kërkojnë prova konkrete dhe shqyrtim të marrëveshjeve përkatëse.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë jepet, kujt i jepet, për sa kohë, me çfarë përfitimi publik dhe në bazë të cilit ligj.
Një qeveri e përkohshme mund të nisë auditime dhe rishikime të pavarura, por çdo kontratë duhet trajtuar sipas ligjit dhe të drejtave që mund të kenë palët e treta.
7. Asnjë kryeministër të mos drejtojë më shumë se dy mandate.
Pushteti duhet të ketë kufij kohorë dhe institucionalë.
Një reformë që meriton debat është kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjithsej.
Qëllimi nuk është të ndalohet pjesëmarrja politike e një individi, por të parandalohet përqëndrimi afatgjatë i pushtetit ekzekutiv te i njëjti person.
Kjo kërkon një rregull të qartë kushtetues, që të përcaktojë mënyrën e numërimit të mandateve dhe të mos lejojë shmangien e kufizimit përmes ndërprerjeve artificiale apo ndryshimeve të emërtimit të funksionit.
Rregulli duhet të vlejë për të gjithë, pavarësisht nëse kryeministri vjen nga PS-ja, PD-ja apo një forcë tjetër politike.
Asnjë individ nuk është më i rëndësishëm se institucionet e shtetit.
8. Barazi për të gjitha partitë dhe financim proporcional
Për të pasur zgjedhje të besueshme, partitë duhet të konkurrojnë mbi rregulla të njëjta.
Partia në pushtet nuk duhet të ketë avantazh të padrejtë nga përdorimi i administratës, fondeve publike ose institucioneve shtetërore.
Financimi publik i partive duhet të jetë transparent dhe të ndahet sipas një formule të përcaktuar me ligj. Një model mund të përfshijë një pjesë bazë për partitë që plotësojnë kriteret ligjore dhe një pjesë proporcionale sipas rezultateve elektorale.
Duhet të ketë gjithashtu kufij për donacionet dhe shpenzimet, deklarim të burimeve të financimit dhe auditime të pavarura.
Barazia nuk kërkon domosdoshmërisht shuma identike për çdo parti. Ajo kërkon rregulla të njëjta, transparencë dhe mundësi reale për të konkurruar.
Partitë e reja nuk duhet të përballen me pengesa të padrejta, ndërsa partitë ekzistuese duhet të japin llogari për çdo fond që marrin.
9. Kush ka kryer krime të rënda duhet të përballet me ligjin.
Një shtet demokratik nuk mund të lejojë që politika të bëhet strehë kundër drejtësisë.
Duhet të forcohen rregullat që përcaktojnë papajtueshmërinë dhe kufizimet e kandidimit për personat e dënuar përfundimisht për korrupsion të rëndë, krim të organizuar dhe vepra të tjera të rënda që lidhen me ushtrimin e funksioneve publike.
Edhe veprat kundër sigurisë dhe pavarësisë së shtetit duhet të trajtohen sipas përkufizimeve të qarta ligjore.
Por, askush nuk duhet të përjashtohet nga kandidimi vetëm sepse akuzohet nga kundërshtarët politikë. Kufizimet duhet të jenë proporcionale, të mbështeten në ligj dhe të respektojnë procesin e rregullt gjyqësor dhe të drejtën e ankimit.
Këto rregulla duhet të zbatohen pa dallim për kryeministrat, ministrat, deputetët dhe drejtuesit e partive.
Jo hakmarrje politike dhe jo imunitet nga drejtësia: vetëm ligj, prova dhe përgjegjësi.
10. Protestat duhet t’u përkasin qytetarëve.
Kur studentët dhe qytetarët dalin në rrugë për të kërkuar drejtësi, arsim më të mirë, transparencë dhe përgjegjësi, kërkesat e tyre nuk duhet të përvetësohen nga partitë.
Opozita ka të drejtë të mbështesë protestat dhe qytetarët kanë të drejtë të protestojnë paqësisht. Por protestuesit duhet të jenë të lirë të përcaktojnë vetë objektivat e tyre.
Asnjë parti nuk duhet të pretendojë se ka pronësinë mbi pakënaqësinë qytetare.
Nëse protesta kërkon reforma, atëherë partitë duhet të përgjigjen me propozime konkrete dhe të pranojnë kontrollin publik mbi veprimet e tyre.
Dhuna nuk duhet të zëvendësojë debatin, ndërsa kritikat politike nuk duhet të përdoren për të shmangur përgjegjësinë ligjore.
11. Një kontratë e re politike për Shqipërinë
Propozimet e mësipërme mund të bashkohen në një kontratë të re politike me shtatë shtylla:
1. Qeveri e përkohshme me mandat njëvjeçar dhe objektiva të matshëm.
2. Komision ekspertësh të pavarur për rishikimin e Kushtetutës dhe ligjeve.
3. Kontroll i vendimeve dhe kontratave që mund të kenë dëmtuar interesin publik.
4. Mbrojtje ligjore e territorit, pronës publike dhe pasurive strategjike.
5. Kufizim kushtetues i mandatit të kryeministrit në maksimumi dy mandate.
6. Barazi elektorale dhe financim transparent e proporcional për partitë.
7. Kufizime ligjore për ushtrimin e funksioneve publike nga personat e dënuar përfundimisht për krime të rënda.
Kjo kontratë duhet të hartohet me konsultim publik, ekspertizë profesionale dhe respektim të Kushtetutës.
Qeveria e përkohshme nuk duhet të ketë pushtet të pakufizuar për të ndryshuar gjithçka. Përkundrazi, ajo duhet të krijojë procedura që e bëjnë shtetin më të kontrollueshëm dhe pushtetin më të kufizuar.
Përfundim: Shqipëria mbi partitë.
Shqipëria, nuk ka nevojë vetëm për një kryeministër të ri. Ka nevojë për një sistem ku kryeministri nuk mund të bëjë çfarë të dojë, ku opozita nuk mund ta përdorë të kaluarën si mburojë dhe ku asnjë parti nuk mund të kontrollojë shtetin për interesat e veta.
Rama, duhet të japë llogari për qeverisjen e tij. Berisha, duhet të përballet me pyetjet dhe përgjegjësitë që lidhen me qeverisjen e tij. Të njëjtat standarde duhet të vlejnë për çdo udhëheqës që vjen pas tyre.
Nëse ekziston koordinim i fshehtë mes kundërshtarëve politikë, kjo duhet të provohet. Por, edhe pa një marrëveshje të tillë, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë që vendimet, financat dhe përgjegjësitë e të dy kampeve të shqyrtohen pa standarde të dyfishta.
Qeveria e përkohshme njëvjeçare është një propozim që duhet të debatohet seriozisht, me garanci ligjore dhe me një rrugë të qartë drejt zgjedhjeve të lira.
Reforma kushtetuese, barazia politike, mbrojtja e pasurive publike dhe përgjegjësia ligjore duhet të jenë pjesë e një procesi demokratik, jo instrumente për të ndëshkuar kundërshtarin.
Asnjë lider përgjithmonë.
Asnjë parti mbi shtetin.
Asnjë pasuri publike pa transparencë.
Asnjë akuzë pa prova.
Asnjë krim pa përgjegjësi ligjore.
Shqipëria nuk është pronë e Ramës, e Berishës apo e ndonjë partie tjetër.
Shqipëria, u përket qytetarëve të saj. Dhe shteti duhet t’u shërbejë atyre, jo t’i përdorë ata për të mbajtur pushtetin.
Kopenhagë, 20. 10. 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu