Falja e “namazit të Bajramit”, sot, përpara xhamisë së Sulltan Memetit II- Fatihut (Të tmerrshmit) në Prishtinë, para të cilit “Kasapi i Ballkanit” Slobodan Milosheviq, në histori mbetët “fëmijë” në gjenocide ndaj shqiptarëve.
Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë
Urime Bajrami – por jo në emër të shteti , shteti s’ka fe !
Sot është dita e Fitër Bajramit.
Dhe po, urimi është i sinqertë për të gjithë ata vëllezër e motra shqiptare që e ndjejnë këtë festë, që e mbajnë me bindje dhe me përkushtim në jetën e tyre shpirtërore:
Gëzuar Bajramin – me paqe në shpirt, me mirësi në familje dhe me dinjitet në jetë.
Sepse feja, kur është e sinqertë, është çështje personale – jo spektakël publik, as garë për përfaqësim institucional.
Por, pamjet që pasuan faljet nëpër xhami, sheshe e oborre, na rikthyen sërish në një realitet të njohur: zyrtarë shtetërorë e komunalë, të rreshtuar në radhë jo thjesht si qytetarë privatë, por si përfaqësues të institucioneve, duke mbajtur fjalime dhe duke dhënë urime në emër të një shteti që – të paktën në letër – është laik.
Rasti i komunës së Vushtrrisë është vetëm një shembull tipik i kësaj përzierjeje:
Kryetari dhe nënkryetari, në shoqëri të strukturave fetare, në aktivitete që tejkalojnë pjesëmarrjen private dhe marrin formë të përfaqësimit institucional. Dhe kështu, pa u ndier fare, një festë fetare fillon të trajtohet si festë zyrtare.
Dhe këtu lind problemi – jo te urimi, por te roli.
Sepse askush nuk ua mohon të drejtën zyrtarëve të falen, të besojnë apo të festojnë.
Por kur ata shfaqen si përfaqësues të shtetit në një aktivitet fetar, mesazhi që përcillet nuk është më personal – por institucional.
Dhe shteti nuk ka fe.
Kushtetuta nuk njeh festa fetare si festa shtetërore. Nuk njeh identitet fetar të institucioneve. Nuk i obligon qytetarët të ndihen pjesë e një praktike që nuk është e tyre.
Prandaj, kur këto kufij fshihen, krijohet një rrëshqitje e rrezikshme:
Nga respekti për besimin – te imponimi i një identiteti të vetëm publik.
Dhe ajo që është edhe më paradoksale: shumë prej këtyre festave, që sot trajtohen si pjesë “identitare”, as nuk kanë rrënjë të qarta në traditën shqiptare, e as nuk shpjegohen njësoj as në vendet prej nga janë importuar. Por këtu, në emër të “solidaritetit”, shpesh shndërrohen në spektakël përfaqësimi.

Prandaj, le të jetë ky një urim ndryshe:
Gëzuar Bajramin – për ata që e besojnë dhe e festojnë.
Por edhe gëzuar një ditë reflektimi për të gjithë – që të kuptojmë se identiteti ynë kombëtar nuk ndërtohet mbi importime ideologjike, por mbi vlera që na bashkojnë si shoqëri.
Sepse mund të jesh besimtar i devotshëm – dhe njëkohësisht qytetar i një shteti laik.
Por nuk mund të jesh përfaqësues i shtetit – dhe ta kthesh atë në zëdhënës të një feje.
Ky është dallimi.
Dhe ky dallim duhet ruajtur.



