Parresidentja Vjosë Osmani me -U.S. -Army War College –

Idriz Zeqiraj, Gjermani
______
Një shkrimtar botëror ka lënë një porosi të mençur : “Kurrë mos u prish, me fund, me tjetrin, sepse një ditë mund të bëheni miq të mirë”. Dhe, këtë besoj se e kanë provuar secili nga ne. Andaj, uroj që këtë porosi ta marrin seriozisht palët në mospajtim, respektivisht, Vjosa dhe Albini. Sepse shqiptarët, në shumësinë e tyre absolute, u bënë krenarë me binomin Vjosa-Albini.
Dhe, në respekt e mirënjohje reciproke të shqiptarëve me dy udhëheqësit markantë dhe brilantë, Vjosën dhe Albinin, duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre të suksesshëm, në misionin fisnik të konsolidimit dhe të prosperimit, përparimit të shtetit të ri të Kosovës.
Përtej dy dekadave Organizata Vetëvendosje (LVV), bëri një opozitë të sforcuar aktive, për ta çmontuar krimin në pushtet, të bartur nga Tirana në Prishtinë. Qeveria e Përkohshme, e kompozuar në “Bllokimin e Zi” të Tiranës, përmbante të gjitha elementet e regjimit të komunizmit të fashistizuar të agjentit serbo-rus, Enver Hoxha. Pasojat e atij regjimi kriminal, vazhdon t´i vuajë edhe sot Kosova. Plagët e hapura, ekzekutimet e ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, të veprimtarëve të LDK-së, të gazetarëve të “Bota sot”, si dhe aktivistët e hershëm të LPK-së. Qëllimi ishte super-kriminal: marrja dhe mbajtja e pushtetit përdhunshëm.
Një klan brenda LDK-së, pas amshimit të Presidentit Rugova, e çmontoi rugovizmin brenda partisë, duke u bërë bisht e patericë e PAN-it. Reaguesit e kësaj tradhtie e pësuan me përzënie nga LDK-ja. Ndër shumë të tjerë, viktima të klanit ogurzi ishin edhe dy besniket e rugovizmit: Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla. Ato themeluan -Listën Guxo”, duke vazhduar rrugëtimin për largimin nga pushteti të bandës të PAN-it, së bashku me klanin e Isa Mustafës, të cilët e bënë president agjentin e trefishtë, Hashim Thaçin!
“Tokën e askujt”, siç thoshte Edvin Rama për veriun e Kosovës, Hashim Thaçi ia dorëzoi Serbisë! Katërshja harmonike Albini-Glauku dhe Vjosa-Donika, me subjektet e tyre LVV-GUXO, me punë e guxim shtrinë sovranitetin në atë pjesë të Kosovës, pothuaj se të humbur. Ndarja e posteve drejtuese të shtetit dhe pushtetit ishte e mençur, e ekuilibruar.
Presidentja Vjosë “çau bllokadën” diplomatike
Pas një izolimi të gjatë, Vjosë Osmani me diplomacinë e saj “çau bllokadën”, duke u pritur nga Administrata amerikane, deri ke presidenti Donald Trump. “E shihni këtë zonjë të ulur këtu, para meje, meriton gjithë respektin tonë. Ajo po lufton dhe punon për mbrojtjen e Atdheut të saj”, – e vlerësoi presidenti Trump presidenten Vjosë Osmani. Kjo vlente edhe për kryeministrin Albin Kurti, sepse të njëjtën gjë bënte edhe ai. Më saktë, e bënin së bashku binomi Vjosa-Albini, sepse ishin dakorduar për të gjitha çështjen kardinale, për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Pra, duhet pranuar se Presidentja rehabilitoi Kryeministrin në SHBA dhe Evropë.
Në cilido shtet demokratik të botës, një presidente të suksesshme si Vjosë Osmani, do t`i vazhdohej mandati i dytë. Këtë duhej ta bënte edhe Albin Kurti. Sepse të gjitha veprimet e presidentes, kishin në bazë parimin, ligjshmërinë dhe mbrojtjen e kushtetutshmërisë. Nga rrëfimi i sinqertë i Vjosës, tashmë, nuk ka asnjë fije dyshimi se në këtë çarje faji bie ke Kurti, i cili, qartazi, nuk e donte Vjosën presidente. “Arsyeja” krejt subjektive, është thënë dhe përsëritur saktësisht, Albini donë njerëzit e dëgjueshëm, qoftë ajo edhe presidente, edhe pse ajo nuk i përket nomenklaturës të ekzekutivit.
Zhurmimi artificial, sulmi rrugaçëror që behët ndaj Vjosë Osmanit, qëllimi është sa i poshtër, aq edhe kriminal, goditja e binomit Vjosa-Albini, pa u merakosur fare se po dëmtojnë drejtpërdrejtë shtetin e Kosovës. Ky binom e bëri krenar popullin e Kosovës dhe shqiptarët botërorë. Sepse largoi nga skena politike një bandë shtetërore e pushtetare, e cila ka përgjakur kundërshtarët politikë dhe ka zhvatur pasuritë e brezave shqiptarë. Dhe, kjo nuk është pak, përkundrazi, është arritje kulmore, të cilën mund ta bënin vetëm katërshja simpatike: Vjosë Osmamni, Albin Kurti, Glauk Konjufca, Donikë Gërvalla, me shumë veprimtarë të LVV, GUXO, ALTERNATIVA.
Presidentja nuk shkeli Kushtetutën, ajo e zbatoi atë besnikërisht
Realisht, presidentja Vjosë Osmani nuk bëri shkelje as të lehtë dhe as të rëndë të Kushtetutës, me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Është njësoj sikur e quanin opozita “të paligjshëm votimin e fshehtë në rastin e zgjedhjes të kryetarit të Kuvendit!” Nga tri rastet kur mund të bëhet shpërndarja e Parlamentit, ajo zgjodhi rastin e parë, dështimin e zgjedhjes të Presidentit edhe pas një muaji pritjeje.
Citojmë:
“Neni 86, paragrafi 2 i Kushtetutës, përcakton që zgjedhja e presidentit të bëhet jo më vonë se 30 ditë, para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”. Specialistët e lamisë përkatëse thonë se “edhe një orë vonesë, pas këtij afati, konsiderohet shkelje e Kushtetutës”. Pra, presidentja veproi konformë ligjit, për të qenë brenda afatit kushtetutar. Madje edhe Kurti kishte thënë se “pas datës 5 mars shkojmë në zgjedhje”. Por, papritur Kurti është tërhequr nga deklarimi i parë dhe ka dërguar mocionin në Gjykatën Kushtetuese, për ta bllokuar dekretin e presidentes, për shpërndarjen e Kuvendit.
Është diç tjetër nëse kjo duhej të rrezikonte dhe të fillonte pazaret me shefat e subjekteve politike, për mundësinë e zgjatimit kohor, duke bredhur në ndoca nene tjerë të Kushtetutës, siç është neni 82, procedurë që mund të zgjasë 60 ditë. Dualizmi i dy dispozitave, ka prodhuar paqartësi juridike, por, assesi, nuk ka ndodhur asnjë shkelje të kushtetutshmërisë.
Vjosë Osmani është viktimë e ndërshmërisë, korrektësisë dhe parimësisë, në kryerjen e detyrës fisnike të presidentes të Republikës të Kosovës. Shpifjet lehaqene korale, se kinse Vjosa është karrieriste u demantuan lehtësisht. Po të kishte menduar për karrierën personale, ajo nuk do të ishte sot e vetmuar, vetëm me respektin dhe dashurinë e popullit. Në të kundërtën, do ta kishte kandidaturën e garantuar.
Albin Kurti bëri më shumë se sa gabim, bëri fajësi, me refuzimin e Vjosës presidente. Ai e kishte të lehtë arsyetimin e kandidaturës: “Populli e kërkon, për “punën e shkëlqyeshme që po bënë”, – siç e vlerësoi presidenti Trump presidenten tonë. LVV, me aleatët e saj nuk ka kandidat të dytë. Përndryshe, përgatituni për zgjedhje të jashtëzakonshme”.
Nëse kjo kërkesë nuk pranohej nga opozita PAN-iste, faturën e fajësisë për zgjedhje të imponuara do ta paguante kjo opozitë e çoroditur. Ndërkohë, LDK, kreu i saj Lumir Abdixhiku, ka qenë konstruktiv dhe bashkëpunues i shkëlqyer, duke aprovuar kandidaturën e Vjosë Osmanit, si më serioze.
Hatërimi i bazuar i presidentes Vjosë
Kryeministri Albin Kurti e vlerësonte lart presidenten Vjosë Osmani. Kurti u zotua se do ta përkrahte kandidaturën time, më tha se “je presidentja më e mirë e shekullit 21”. Dhe, vërtetë, për rrethanat aktuale të Atdheut-Kosovë, Vjosa bëri shumë, duke vepruar mençurisht, kudo në ecejaket e saj cilësore. Ndërkohë që, Serbia, shumë nga ndërkombëtarët, opozita palë me Vuçiqin, u sulen kafshërisht kundër Kurtit, prisnin -non grata- për kryeministrin, Vjosa u ndodh në krah të tij. Ajo rrezikoi në mbrojtje të Albinit, duke deklaruar botërisht se “të gjitha vendimet i kemi marrë së bashku me kryeministrin”. Thënë troç, ajo e ndau fatin me kryeministrin e Kosovës” dhe arriti ta rehabilitojë në sytë të Amerikës dhe Evropës.
Deri sa Albin Kurti e vlerësoi meritueshëm, si – “je presidentja më e mirë e shekullit 21-“. Të kësaj mendjeje janë edhe shumësia e shqiptarëve vendorë dhe botërorë. Atëherë, pse u dashka tradhtuar Vjosën dhe shqiptarët, duke refuzuar kandidaturën për mandatin e dytë të saj presidencial?!
“Provo ta bindësh opozitën, prapa shpinës punonte me kandidatë të tjerë, kërkoi t`i bëj 85 vota”, – transmeton presidentja Vjosë porosinë e dhënë asaj nga kryeministri Kurti!
Shehrlitë e Pejës, për raste flagrante hileqare, në mes të ortakëve, i bëjnë pyetje ortakut, bashkëpunëtorit: “A jemi shokë apo kodosha?!”
Subjektet politike PDK, AAK, NISMA, të koalicionuara në PAN, u treguan të pista kur thanë që “nuk e votojmë presidenten Vjosë Osmanin, sepse është kandidaturë partiake!” Vërtet, Vjosa ishte e vetmja, nga emrat e lakuar për president, që nuk kishte asnjë lidhje partiake prej 5 vitesh.
Vjosa nuk ishte presidente “alla Hashim”, për të dhuruar poste ministrash, zëvendës-ministrash, ambasadorësh e konsullësh – në pritje. Hashimi kishte shtetin dhe pushtetin. Ishte mbret i pakurorëzuar, por me fuqi tej mbretërore. Hashimi i kishte edhe bandat aktive: “Ta vras djalin e hasretit, mos shkruaj për krimet tona në “Bota sot”, e kërcënuan gjatë dhe pas luftës, Shefqet Jasharin-Strofci, ish i burgosur politik, i angazhuar edhe në luftën e fundit. Të njëjtin kërcënim, banda e kuadrove të Hashimit, ua bënë disa dëshmitarëve potencial të Hagës, për të mos dëshmuar edhe tani pas një çerek-shekulli, për çka vazhdojnë të përballën me Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, me akuzën faktike, përmes video-inçizimeve origjinale për “pengim të drejtësisë”.
Nën ethet e kërcënimit, “të vrasim ty dhe familjen, ose dorëzona Fondin “Vendlindja thërret”, u largua kësaj bote kryetari i këtij Fondi për Zvicrën, Jashar Salihu!”
Janë pikërisht ish-kuadrot e Hashimit, tani, të punësuar si analistë mercenarë, të cilët, me kam-kumet e përnatshme dhe reprizë të nesërmen, i torturojnë shqiptarët në debatet e televizioneve të Prishtinës dhe të Tiranës.

Misioni fisnik Vjosa-Albini, për shtetin ligjor, duhet përmbushur
LVV, me aleatët e saj, duhet vlerësuar për ndryshimin, sa të madh, aq edhe cilësor. Kur opozita lavdërohet se ka bërë “namin” me suksese në Kosovë, kur dihet se krahas përgjakjes të kundërshtarëve politikë, të cilët e bënë paqen dhe luftën, “komandantët” e vetëshpallur zhvatën e plaçkitën Kosovën. Dhe, ke frikë të hapesh televizorin, sepse non-stop, shpërfaqen në ekranet e shumta vrasës, hajna zyrtarë e civilë, haraçxhinj, kontrabandistë të neveritshëm. Dhe, këta janë shumë-qindra opozitarë të tanishëm. Ndërsa Albin Kurti është pothuaj se i vetëm, i cili ua kujton shqiptarëve vendorë dhe botërorë, të gjithë katalogun e krimeve të eksponentëve të opozitës. Pra, ai demanton gënjeshtrat e tyre, duke ua rikujtuar të vërtetën e hidhur, që ka përjetuar Kosova për afro një çerek-shekulli.
Subjekti fitues duhet të jetë serioz në sjelljen ndaj kundërshtarëve politikë. “Siguruam 36 firma, konkurro kundër Glaukut”, – i tha Kurti Vjosës! Ishte një tallje e vrazhdët, që nuk e meritonte presidentja Vjosë Osmani. Çfarë gare është ajo kur kundërshtari i ka të garantuara 66 vota, nga 120 deputetë sa ka Parlamenti i Kosovës. Në pozitë të njëjtë ishte edhe opozita dhe me të drejtë turpëruan pozitën, me bojkotin e bërë nismes të zgjedhjeve fiktive, të rrejshme,
Opozita ishte tërësisht fajtore për bllokadën e vitit të kaluar, e cila i imponoi zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Dhe, meritueshëm e pësoi me humbje të garantuar. Ndërsa, nëse kësaj radhe LVV i imponon zgjedhjet e serishme, faturën do ta paguajë pozita.
E përbashkëta e Vjosës dhe Albinit është përcaktimi për shtetin ligjor të Kosovës, sepse përgjatë gjithë këtij çerek-shekulli ka qenë “banana-shtet”. Nuk ka shtet të konsoliduar me krime nëpër këmbë. Bashkëpunimi ishte i suksesshëm, në rrugën e duhur. Por, misioni nuk ka mbaruar. Prandaj ndarja aktuale e tyre, është zhgënjyese dhe po përjetohet rëndë në popull dhe shqiptari.
Propaganda e orkestruar me shpifje mostrume kundër Vjosës dhe Albinit, janë broçkulla të qëllimshme, për ta thelluar ndarjen mes tyre. Vizita njëkohshme e Vjosës, Ramës, Spiropalit, ishte në agjendën e amerikane dhe nuk kishte as konspiracion dhe as puç për Qeverinë Kurti. Sepse presidentja Vjosë ishte në pritje të për mandatin e dytë dhe marrëdhëniet me Kurtin ishin të relaksuara, madje premtuese, për ta vazhduar bashkëpunimin afatgjatë. Takimi grupor i Rechard Grenell, me disa udhëheqës ballkanikë, ishte në domenin e tij, sepse ai vazhdon ta mbulojë ende këtë rajon. Përndryshe, sulmi aktual, hiç diplomatik i Grenell se “Albini dhe Vjosa janë katastrofë”, dëshmon se sa “miqësor” është ai me Vjosën.
Ndërsa kacaverja e Ramës në krahët e Vjosës, është si ai gjesti i tij me mbylljen e syve të Albinit, kur marrëdhëniet e tyre ishin “beter”! Ndjehem keq, kur edhe disa gazetarë brilantë, njëherësh edhe miq të mi, që i kanë dhënë zë politikës së mençur të Vjosës presidente. Për habi, tani shprehin dyshime për sjelljet e fundit të saj, ndërkohë që ajo është e sulmuar dhe e provokuar, me qëllime intriguese, për të goditur atë dhe Albinin, respektivisht, Vetëvendosjen reformatore.
Kjo ndarje është tekanjoze, subjektive dhe për hirë të konsolidimit të shtetit, mospajtimet duhet tejkaluar, për ta përfunduar misionin fisnik. Aktualisht, nuk ka ndonjë forcë politike, e cila mund ta vazhdojë misionin e shtetit të konsoliduar dhe ligjor. Sepse ata që e kanë sjellur Kosovën në këtë gjendje, me krime, hajni zyrtare, haraç, kontrabandë dhe të gjithë katalogun e të këqijave, nuk e gëzojnë besimin e popullit, nuk e kanë guximin dhe as mundësinë, për ta zhvilluar demokracinë e mirëfilltë, aq më pak për ta ndërtuar shtetin ligjor, shtetin e së drejtës, të shumëpritur për shqiptarët.
Shkuarja në zgjedhje ende është e shmangshme
Ende pa filluar fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, opozita planifikoi bllokadën kundër krijimit të institucioneve kuvendore dhe qeveritare. Njëkohshëm, paralajmëroi zgjedhjet e jashtëzakonshme, për zgjedhjen e presidentit/es, në prill-maj të vitit 2026. Në bllokadën e tanishme, përveç Kurtit, pjesë e fajësisë është edhe PDK-ja, ngaqë ngulmon për postin e presidentit! Ajo u kërkon shqiptarëve të Kosovës, të harrojnë krimet, hajnitë, kontrabandën miliardshe euro dhe pisllëqe tjera, duke mos bërë asnjë reformë, madje të paktën, kërkim-falje, për abuzimin e vrazhdët që bënë nën çadrën e presidentit! Refuzimi për koalicion që i bëri PAN-it Albin Kurti, ishte parimor dhe kombëtar, duke dhënë porosinë e duhur për bërjen e reformave, deri në riformim, pasi kriminalizimi i subjekteve të koalicionuara në PAN: PDK-AAK-NISMA, ishte masiv.
Opozita është kundër ushtrimit të tri funksioneve kryesore nga pozita, pavarësisht fitores së madhe: Presidencën, Kuvendin, Qeverinë, sepse “vendi rrezikon të bie në diktaturë!” Dhe, kjo po ndodhë për herë të parë në shtetin e lirë të Kosovës. Shumësia e deputetëve të LVV, 57+9 të pakicave, përjashton çfarëdo gare zgjedhore për cilindo nga këto poste. Atëherë, topi kalon ke partia fituese.
Si zgjidhje më e pranueshme, do të ishte që posti i presidentes t`i vazhdohet Vjosë Osmanit, e cila përmbushë kushtin bazë të neutralitetit, asnjanësisë, sepse për pesë vite radhazi nuk ka qenë e angazhuar në asnjë subjekt politik. Megjithatë, ky nuk është kusht valid, sepse nuk është praktikuar ndonjëherë në Kosovë. Por, janë disa rrethana të prekshme: Së pari, presidentja Vjosë ishte shumë e suksesshme, përgjatë mandatit të parë. E dyta, ishte e zëshme në Evropë dhe botë e, mbi të gjitha, në SHBA, duke krijuar një marrëdhënie të veçantë, madje në një kohë zezonë për Kosovën tonë, e cila vazhdon të pengohet në konsolidimin e shtetit të saj, edhe pas tej një çerek shekulli çlirim, në liri!
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, ka dhënë vlerësime të përsëritura për presidenten Vjosë Osmani: “E shihni këtë zonjë të ulur këtu, para meje, meriton të gjithë respektin tonë. Sepse lufton dhe punon për mbrojtjen e Atdheut të saj”. Kjo nënkupton se qeveria, Kosova dhe populli i saj janë në mbrojtje nga pushtuesi i deri djeshëm, duke demantuar në shpifjet e tyre, Serbinë dhe aleatët e saj në disa shtete të Evropës. I menjëhershëm ishte reagimi reflektues, i Annu Pratipatit, shefe e Ambasadës amerikane në Prishtinë, pas “dushit të ftohtë”, “pezullimit të Dialogut SHBA-Kosovë”, e cila, me përzemërsi, tha se “do të vazhdojmë të punojmë së bashku, në interes të dy shteteve tona”.
Kjo ndikoi që BE-ja të lëvizë nga statusquoja, për heqjen e sanksioneve, të cilat ishin vënë padrejtësisht. Presidentja vazhdoi me serinë e vizitave në Evropë, botë dhe Amerikë. Shefi i NATO-s, Mark Rutte thoshte se “Vjosa është presidentja ime e preferuar”. Vizita e saj në -U.S. Army War College -, pritja dhe ligjërata e presidentes ishte domethënëse; fjala e presidentes Vjosë në Parlamentin Evropian, ngritja në këmbë dhe duartrokitja e deputetëve, ishte mbresëlënëse. Në takimin e fundit që bëri Vjosë Osmani me presidentin Trump, ai veçoi lavdërimin se “presidentja Osmani po bënë punë të shkëlqyeshme”. Dhe, e porositi Vjosën: “Më thirrë në telefon, kur keni pengesa!” Një sjellje dhe afri të tillë nuk është parë me askënd tjetër në Mbledhjen e Promovimit të “Bordit të Paqes”. Atëherë, pse gjithë kjo xhelozi negative për presidenten unike Vjosë Osmani?!
Nga “Shtëpia e Bardhë” është thënë dhe përsëritur, se e vetmja lidhje me Kosovën, është presidentja Vjosë Osmani. Atëherë, me të drejtë shtrohet pyetja: “Çfarë është presidenti i fuqisë së parë botërore, Presidenti Donald Trump, për pozitën dhe opozitën e Kosovës?!? Pse duhet refuzuar preferencën e Administratës Amerikane, për të vazhduar mandatin e dytë presidencial Vjosë Osmani?! Aq më parë kur kjo zgjedhje është në interes të Kosovës, pasi Amerika ka nevojë të bindet se Asociacioni “është kancer i Kosovës”. Këtë e thonë dhe e përsërisin specialistët vendorë dhe ndërkombëtarë. Pastaj hyrja në NATO; Këshillin e Evropës, afrimi drejt anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
SHBA kanë derdhur shumë miliarda dollarë, për ta çliruar dhe sjellur lirinë Kosovës, ndërsa sot kursehet një -gurë i çmuar-, nga Trepça e jonë, për Presidentin e Amerikës zëmadhe. Vallë, kaq burokraci procedurale ka dhënia e një dhurate modeste, për çliruesin e djeshëm dhe mbrojtësin e sotëm të Kosovës, Amerikën fuqiplotë?! Për çudë, kaq bukëshkalë jemi ne, shqiptarët, sa të mos respektojmë miqtë e dorës së parë?! Gjenerali freng Napoleon Bonaparti ka thënë: “Më shumë i urrej mosmirënjohësit, se sa tradhtarët”.
Nëse opozita nuk do të mjaftohej, për ta konsideruar Vjosën presidente jashtë partiake, për hirë shmangies të zgjedhjeve, LVV mund të sakrifikojë, duke dhënë edhe postin e kryetarit të Kuvendit opozitës. Për LVV bërja e Vjosës presidente ka rëndësi të treishtë: plotëson një kerkesë-dëshirë të ndërkombëtarëve, në veçanti të amerikanëve; këkesë dhe dëshirë të shumicës absolute të shqiptarëve, të cilët janë edhe votues të LVV me aleatët e saj; ruan elektoratin aktual dhe atë perspektiv. Ndërkohë shkuarja në zgjedhjet e jashtëzakonshme, gjithsesi fajësia do t`i faturohej LVV, gjë që do ta zvetënonte imazhin e partisë fituese.
Për lëvizjen e kuadrove, qoftë edhe të emërtuara në poste të larta, LVV, si subjekt i pashantazhueshëm, nga jashtë apo brenda saj, nuk e ka problem. Sepse i ka edukuar mirë kuadrot, të cilët janë të gatshëm të veprojnë konformë interesave të partisë dhe aq më parë të Kosovës. Për ta zgjidhur ngërçin aktual, të parët që mund të ndihmonin, do të ishin kuadrot e dorës së parë, më të votuarit pas kryeministrit Kurti, siç janë Glauk Konjufca dhe Albulenë Haxhiu.
I pari dhe e dyta, i favorizon mosha rinore, për t`i provuar të gjitha shkallët e karrierës sipërore. Ata janë dëshmuar në shërbimet partiake dhe shtetërore. Edhe pse Albulena është përfolur për Vetting-un dhe Byronë e pasurive të paligjshme, vonesat nuk janë varur nga dikasteri i saj. PAN-istët kanë një hall tjetër, që ia kanë përmendur disa herë Albulenes, përgjatë votimit të shumë-përsëritur për kryetare të Kuvendit. Megjithatë, ajo nuk i ka shpifur askujt asgjë. Përkundër, ashtu siç janë dhe e meritonin i ka cilësuar.


