Prend N. Buzhala, shkrimtar, Klinë
Te përkatësia kombëtare nuk ka “pakicë” e “shumicë”. Nëse kombi ndahet në këso pëqindjesh, atëherë shtrohet pyetja: kë paska amëz të veten “pakica”!? Domethënë: cilat qenkan rrënjët e “pakicës”?! Po harrojnë se shqiptaria është amëza e përbashkët… . Amëza e të gjithëve është shqiptaria… Amëza fetare, po ashtu nuk njeh pakicë e shumicë dhe konceptet e tilla të tipit fashistizues brendashqiptar, duhet të mënjanohen…
Ende filozofia e shumicës fetare ndër shqiptarë, mbizotëron si filozofi e mendësisë së të kaluarës orientale. Këtë filozofi e kanë përqafuar, si të veten, pa deklarim publik, si STANDARD a NORMË pseudodemokratike e pseudo-kombëtare (gjithsesi dhe me shenja të dukshme të regresit historik), edhe forcat politike, ku udhëheqësi, drejtuesi, politikëbërësi, domosdo dhe pa ndonjë rregull të shkruar (jo vetëm simbolikisht), u dashka të jetë i “besimit mysliman”, pra i “shumicës demokratike”!!! Në emër të kësaj “shumice demokratike”, prandaj, nuk është e habitshme pse ndodhin jo vetëm deformitete, sakatosje të vetë qenies demokratike, por edhe shkelje që nuk i rrok lapsi, në të drejtat qytetare, njerëzore e kombëtare… deri te rrezikimi i i shpirtit koheziv shqiptar.
Por ishte po kjo popullsi e islamizuar shqiptare që nuk e pranoi këtë rregull të ideologjisë otomane (që me shtetin të udhëheqë islami): mori përsipër shpalljen e shtetit shqiptar dhe shkëputjen e fesë nga shteti, gjatë gjithë shekullit XX dhe kështu qëndron çështja edhe në dekadat e para të shk XXI… Ishte, kjo, një rrugë e gjatë njëshekullore, për të hyrë në familjen e popujve europerëndimorë… e shpallur natyrshëm në kohën e Rilindjes.
Ambiguiteti, veprimet kundërthënëse dhe ajo filozofia e standardit të pashkruar të “shumicës demokratike”, në të ardhmen mund të çojë në efekte tejet negative. Thuaja se paska përqindje tek emri SHQIPTAR!!! Dhe këtu, mbase, dikush qenka më pak shqiptar… e kush është më pak e kush më shumë- nuk po hyjmë andej…Ose jemi të gjithë shqiptarë, ose nuk jemi, ose dikush, përnjëmend nuk qenka, ose qenka “me përqindje”!!!)… Atëherë, kur i “caktohet” a paragjykohet kjo “përqindje”, a nuk do të thotë kjo se mund të kërkohen “përqindje” të tjera (një mik imi thotë që 80 për qind e trashëgimisë dhe kulturës shqiptare janë të krishtera… dhe atëherë këtë “mund ta kërkojmë”!…)
Dhe dihet që islamizmi nuk e pranon ndarjen e fesë nga shteti, pra kjo shumicë shqiptare nuk e pranoi islamizmin si fe shtetërore, duke përqafuar këtë karakteristikë të civilizimit evropian, pikërisht për faktin që SHQIPTARËT PËRBËJNË SHUMËSI E JO SHUMICË fetare që përcakton kombin.
Vetëm po e përsëritim atë që këndon Naimi ynë i dashur (me ideologjinë e tij properëndimore):
Kemi gjithë një besë,
Jemi gjithë një farë
Dhe rrojmë me shpresë,
S’jemi kurrë të ndarë.
Apo Gjergj Fishta ynë:
“Kombi s’do rrejtë, asht mëkat me rrejtë kombin. Kombit i duhet çelë sytë me kohë, kur jeta e tij asht në rrezik… kur një sundimtar i shtetit zen të përdorojë autoritetin jo për dobi të shtetit, por për interesa vetjake ose për interes të ndonjë kaste që nuk kanë qëllim përmirësimin e shoqënisë, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti… ”


