Intervistë me Blerim Nikën, aktivistin e njohur që i takon Çetës Pjetër Bogdani, pra, Lëvizjes Shqiptare për Rikthim në Katolicizëm, tashmë të shkrirë në Çetën Pjetër Bogdani, me të njëjtën thirrje për rikthim te rrënjët e vjetra katolike. Blerimi që nga viti 2024 është rikthyer në krishterizëm, religjion që për shumë shekuj ka qenë pjesë e ndërgjegjës së familjes së tij dhe të të gjitha familjeve shqiptare.
Blerimi është nga Kaliqani i Istogut. Ai është mjaft aktiv në debatet rreth historisë së religjionit dhe për shekujt e pushtimit nga Perandoria Osmane. Ai në debatet e tij të vazhdueshme e përdorë një gjuhë të butë, por të argumentuar dhe logjike.
Kjo ishte arsyeja që ta dalloja se meriton të intervistohet për librin tim “Shqiptarët në luftë me Islamin Global”.
Blerim Nika, ti je mjaft aktiv tashmë në ndriçimin e historisë së të parëve. A mund të japësh një shpjegim të hollësishëm se si u bë dhe çka ndikoi që u riktheve në vitin 2024 aty ku ishin stërgjyshërit tuaj ?
Blerim Nika: Rikthimi im në katolicizëm në vitin 2024 nuk ishte një vendim i marrë brenda një dite dhe as një vendim i imponuar nga dikush. Ishte rezultat i një procesi të gjatë të kërkimit tim personal, historik dhe shpirtëror. Të parët e mi kanë qenë katolikë.
Këtë nuk e them si hamendësim dhe as si një bindje të krijuar sot. E them si pjesë të historisë dhe të trashëgimisë së familjes sime. Unë kam lindur dhe jam rritur në një familje që e kanë konsideruar veten myslimane, por vetë nuk kam qenë praktikues i rregullt i Islamit.
Për një kohë të gjatë e kam pranuar këtë si një trashëgimi familjare, pa e shtyrë shumë thellë pyetjen se nga vjen ky besim ose se çfarë ishim më herët. Pastaj fillova ta studioj më seriozisht historinë e shqiptarëve, historinë e trojeve tona dhe historinë e paraardhësve të mi. Sa më shumë lexoja, aq më shumë më lindte një pyetje themelore: kush ishin të parët tanë para ndryshimeve të mëdha politike, shoqërore dhe fetare që kanë ndodhur në këto troje? Kjo më çoi te krishterimi i hershëm shqiptar dhe te tradita katolike. Dhe aty filloi edhe ndryshimi im personal. Unë nuk u riktheva te katolicizmi sepse dikush më tha se duhet ta bëja. U riktheva sepse kështu e gjeta veten përballë historisë sime dhe përballë ndërgjegjes sime. Pagëzimi dhe rikthimi në Kishën Katolike për mua janë çështje të ndërgjegjes. Është mënyra ime se si dua t’i mbroj rrënjët e mia dhe lidhjen e gjakut tim me Krishtin që dy mijë vjet. Unë jam shqiptar. Jam qytetar i një shteti laik. Jam katolik me bindje personale dhe me mënyrë jetese. Këto tri gjëra për mua nuk bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.
Nga postimet e tua duket sheshit shqetësimi për dukuri negative të islamizimit. Nuk e shihje kështu kur ishe mysliman, edhe pse jo praktikant, e trashëguar prej familjes. Çka ndikoi që tash ta shohësh ndryshe dhe kombëtarisht të rrezikshme?
Blerim Nika: Po, e pranoj hapur se dikur nuk e shihja në këtë mënyrë. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse sot flas nga një përvojë personale. Kur e ke një besim të trashëguar nga familja, shpesh nuk e vë në pikëpyetje historinë e tij. Unë për një kohë të gjatë nuk i bëra ato pyetje. Sot i bëj. Unë nuk e shoh problemin te shqiptari që beson në përrallat myslimane. Shqiptarët myslimanë janë pjesë e kombit tim, pjesë e familjes sime shoqërore dhe pjesë e historisë sonë.
Unë nuk kam problem me një shqiptar sepse e konsideron veten mysliman. Problemi që unë shoh është politizimi i fesë. Nuk pajtohem që feja islame të shndërrohet në “çështje turke” – myslimane, në një çështje që iu duhet historikisht Serbisë dhe Rusisë, që nuk kanë dashur të na shihnin ndryshe, përpos si Mysliman, për të na bërë të pa rrënjë kulturore e historike, jovendës dhe të pa ardhmëri. Dhe fatkeqësisht, Islami që nga themelimi i tij ishte vetëm politik. Prej vitit 1912 ishte Serbia që në gjeografinë shqiptare që e kishte nën robëri (sundim), u kujdes për “ruajtjen e Islamit” për ne. Për këtë arsye qysh në vitin 1924 , pra vetëm 12 vite, pasi e kishte okupuar atë pjesë të vendit tonë, në Shkup e hapi Medresën e Madhe “Mbreti Aleksandër”. Qëllimi ishte që shqiptarët të mos jenë vetja e tyre, pra që mos ta harrojnë Islamin, që e kishte sjellë kryesisht me dhunë Perendoria Osmane, dhe që të përgatitej atmosfera prej kuadrove të atyshme, që të bëhej shpërngulja e detyrueshme për në Turqi, pra që shqiptarët të largoheshin prej këtyre hapësirave “si Myslimanë”.
Unë e shoh si problem të madh faktin kur një ideologji vjen si fe dhe përdoret për të ndërtuar ndarje politike, kur një institucion fetar, në këtë rast, sillet sikur ka mandat të flasë në emër të gjithë popullit, kur identiteti fetar vendoset mbi identitetin qytetar e kombëtar dhe kur simbolet fetare përdoren për të ndryshuar karakterin laik të shtetit.
Unë konstatoj gjithashtu se, në shumë raste, debati për islamizimin është paraqitur vetëm si çështje besimi, ndërsa unë e shoh si çështje të historisë, identitetit, institucioneve dhe shtetit. Për mua, një shqiptar mund të jetë mysliman dhe njëkohësisht shqiptar i përkushtuar. Por unë nuk pranoj që për shkak se dikush është mysliman, të më kërkohet mua të hesht për historinë, për laicitetin e shtetit e sidomos për tendencën për ta rrënuar këtë laicitet duke e zëvendësuar me sheriat.
Kritika ndaj një ideologjie nuk është urrejtje ndaj njerëzve që kanë një fe të caktuar. Ky dallim për mua është shumë i rëndësishëm.
Nga shkrimet e tua duket se ke një shqetësim të veçantë për Bashkësinë Islame të Kosovës dhe për udhëheqësin e saj, Naim Tërnavën. A mendon se ai po e “shpëton” popullin mysliman, apo kemi të bëjmë me një rol që shkon përtej një institucioni fetar?
Blerim Nika: Unë nuk merrem me shpirtin e Naim Tërnavës dhe as nuk pretendoj të di se çfarë ka në zemrën e tij. Këtë ia lë Zotit. Ajo që unë mund dhe duhet të diskutoj është roli publik i një udhëheqësi fetar, në këtë rast, dhe roli institucional i Bashkësisë Islame të Kosovës. BIK-u është institucion fetar. Është aprovuar themelimi i tij prej pushtuesit barbar serbo-sllav. Ky institucion nuk është shtet dhe nuk është përfaqësues i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky institucion i jep llogari shtetit dhe jo anasjelltas. Kosova ka qytetarë myslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë, ateistë dhe qytetarë që nuk identifikohen me asnjë fe.
Prandaj askush nuk mund të flasë në emër të të gjithë popullit vetëm në bazë të përkatësisë fetare. Kur një udhëheqës fetar shfaqet në aktivitete publike, politike apo institucionale, unë mendoj se duhet të jetë shumë e qartë se në çfarë cilësie është aty. Unë nuk do ta përdor fjalën “mercenarizëm” pa prova konkrete. Është fjalë e rëndë dhe kërkon prova të rënda. Por unë kërkoj transparencë.
Nga vijnë paratë?
Kush financon?
Çfarë marrëdhëniesh institucionale ekzistojnë?
Çfarë ndikimi krijojnë investimet fetare nga jashtë?
A ka kushte politike ose kulturore bashkë me financimin?
Këto janë pyetje legjitime në një shtet laik. Unë nuk jam kundër të drejtës së myslimanëve për të ushtruar fenë e tyre. Jam kundër çdo ideje që një institucion fetar të shndërrohet në autoritet paralel politik ose kombëtar.
Ju flisni shpesh për periudhën osmane, islamizimin dhe ndikimet që kanë ardhur më pas. A mos jemi zgjuar vonë?
Blerim Nika: Unë besoj se ne shqiptarët jemi vonuar shumë në trajtimin serioz të historisë sonë. Por, unë nuk dua ta shkruaj historinë me slogane. Historia duhet të studiohet me dokumente. Perandoria Osmane erdhi në trojet shqiptare si pushtuese dhe solli ndryshime të thella politike, shoqërore, ekonomike dhe fetare. Kjo perandori primitive shkatërroi historinë e popullit tonë, na zhyti në varfëri ekstreme. Procesi i islamizimit nuk mund të shpjegohet vetëm me një fjali, sepse ai ka qenë gradual, i ndryshëm nga një krahinë në tjetrën dhe i ndikuar nga shumë faktorë.
Unë nuk pranoj as romantizimin e këtij procesi si një histori ku shqiptarët thjesht u zgjuan një ditë dhe me dëshirë të pastër u bënë myslimanë. Nga ana tjetër, nuk dua të them se çdo shqiptar është konvertuar me shpatë. Këtë po e shohim sot se si kemi shqiptarë që sillen si osmanë, ndonëse Perandoria Osmane ka ngordhur që disa shekuj. Unë konstatoj se kanë ekzistuar faktorë politikë, shoqërorë, ekonomikë dhe institucionalë që ndikuan në ndryshimet fetare.
Po, ka pasur dhunë të llojllojshme që detyruan shqiptarët të islamizohen, diskriminim dhe ndryshime të statusit të komuniteteve të krishtera. Këto duhet të studiohen pa frikë. Perandoria Osmane, me tehun e shpatës, ka islamizuar në hapësirat shqiptare. Por, fatkeqësisht, kemi pasur edhe shumë vasalë e pakurrizorë shqipfolës që i kanë shërbyer kësaj perandorie në dëm të popullit shqiptar. Pastaj, shumë shqiptarë e kanë pranuar islamizimin për të mos iu nënshtruar presioneve ekonomike.
E dikur më vonë, shumë të tjerë e kanë pranuar në mënyrë vullnetare, si soji i Tërnavës ose disa mullaheve të tjerë që sot shajnë çdo gjë shqiptare. Një xhami do të duhej të ishte, para së gjithash, vend adhurimi për besimtarët. Por kur financimi, organizimi fetar dhe ndikimi politik vijnë nga jashtë, atëherë shteti ka të drejtë të kërkojë transparencë. Pastaj edhe ne kemi të drejtë të dyshojmë e, po ashtu, edhe t’i bojkotojmë këto objekte kur në to predikohet dhunë dhe anti-shqiptarizëm.
Edhe periudha pas vitit 1999 duhet studiuar me të njëjtin seriozitet. Organizatat fetare nga jashtë kanë ardhur në Kosovë dhe kanë pasur ndikim në forma të ndryshme. Por ndikimi i huaj duhet të jetë transparent dhe në përputhje me ligjet e Kosovës.
A jemi zgjuar vonë?
Unë them se kemi humbur shumë kohë duke pasur frikë nga debatet e vështira. Por nuk është vonë për t’i bërë këto debate me dije, dokumente dhe pa urrejtje.
BIK ka ndërtuar dhe rinovuar shumë xhami. Në politikë, sipas teje, kemi parë afrim të shumë politikanëve me BIK-un dhe përdorim të Islamit në fushën politike. Çfarë duhet të bëjmë kur politika dhe feja përzihen?
Blerim Nika: Unë nuk jam kundër që një politikan të hyjë në një xhami, të flasë me qytetarë myslimanë apo të marrë pjesë në një ceremoni fetare. Kjo është pjesë e jetës publike. Problemi fillon kur politika dhe feja shkrihen në njëra-tjetrën. Shteti im duhet të jetë laik. Kjo do të thotë se shteti nuk duhet të ketë fe zyrtare dhe as feja nuk duhet të ketë pushtet shtetëror.
Unë dua një shtet që nuk i nënshtrohet asnjë feje. Kjo është shumë e rëndësishme. Sa u përket partive politike dhe individëve konkretë, unë nuk dua të bëj akuza pa prova. Nuk është profesionale të thuash se një parti apo një politikan po kryen “detyrë të huaj” vetëm sepse ka marrëdhënie me një institucion fetar. Por unë mendoj se çdo marrëdhënie mes politikës, fesë dhe financimeve të huaja duhet të jetë transparente dhe e verifikueshme.
Politika duhet t’u shërbejë qytetarëve, ndërsa institucionet fetare duhet të merren me misionin e tyre fetar. Pa i kaluar limitet, pa hyrë në taborin që nuk i takon. Sepse aty nuk kemi të bëjmë thjesht me fe, por kur një ideologji e kamufluar si fe tenton t’i fusë duart në shtet dhe histori, atëherë kemi të bëjmë me invazion. Dhe invazionit duhet t’i përgjigjemi duke e kundërshtuar, e pse jo edhe duke e luftuar për t’i mbrojtur vlerat tona perëndimore, evropiane e laike.
Është folur për xhaminë e madhe në Prishtinë, financimet nga Turqia dhe për rolin e Turqisë në restaurimin e objekteve fetare shqiptare. Çfarë kuptimi ka kjo për ty?
Blerim Nika: Unë nuk kam problem me bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Turqia është shtet me të cilin Kosova ka marrëdhënie diplomatike. Por kur flasim për financime të mëdha në fushën fetare, unë kërkoj transparencë. Nëse them që një shtet i huaj nuk ka të drejtë të financojë në shtetin tonë në objekte fetare, kjo nuk është islamofobi. Është praktikë që zbatohet gati nga të gjitha shtetet evropiane. Nuk është e drejtë që Turqia të vijë si financues i madh i objekteve islame, të paraqitet si supermik i shqiptarëve, ndërsa në anën tjetër, në Turqi, nuk ua respekton të drejtat shqiptarëve që janë larguar nga hapësirat shqiptare me marrëveshje turko-sllave.
Nuk është e drejtë që t’i lejohet financimi Turqisë në Kosovë në objekte fetare dhe, në anën tjetër, Turqia financon fabrika në Serbi. Sa për historinë osmane, unë nuk pranoj romantizimin e pushtimeve. Nëse dikush e paraqet pushtimin osman vetëm si një mision për të sjellë Islamin te shqiptarët, unë nuk pajtohem me atë interpretim. Historia duhet të jetë histori, jo propagandë. Edhe restaurimi i një objekti historik duhet parë në kontekstin e tij historik dhe kulturor. Nuk kam problem që monumentet të ruhen. Kam problem kur historia përdoret për të krijuar një identitet politik të sotëm.
Pastaj mendoj që shumë xhami në hapësira shqiptare që janë financuar nga vetë sulltanët osmanë duhet të shndërrohen në objekte muzeumesh që dëshmojnë për pushtimin e egër osman. Dhe, po të pyetesha unë, emrat e sulltanëve do t’i ndaloja me ligj që të admirohen nga hoxhallarët shqipfolës. Shteti i Kosovës e ka Kushtetutën, institucione dhe qytetarë me besime të ndryshme. Këtë duhet ta respektojmë.
Disa studiues islamë dhe historianë thonë se shqiptarët e pranuan Islamin vullnetarisht dhe përmendin shqiptarët që arritën deri në postet më të larta të Perandorisë Osmane. Si i sheh këto argumente?
Blerim Nika: Po, ka pasur konvertime të vullnetshme nga shqiptarë pa kurrizorë. Ka pasur interesa shoqërore dhe ekonomike. Ka pasur edhe presione dhe dhunë të natyrave të ndryshme. Ka pasur njerëz që e kanë përqafuar Islamin me bindje dhe njerëz që kanë ruajtur krishterimin për breza. Ka pasur presion të madh që shqiptarët të islamizohen, dhe këtë presion nuk e ka bërë vetëm pushtuesi i atëhershëm; këtë presion e kanë bërë pastaj shqiptarët e shkombëtarizuar e të islamizuar.
Se çfarë presioni të madh mund të ketë pasur atëherë, mund ta shohim edhe sot. Ne që jemi rikthyer në krishterim me vullnetin tonë të lirë po përjetojmë presione të mëdha shoqërore. Duke filluar nga familjet tona, rrethi shoqëror etj. Dhe një gjë tjetër është shumë e rëndësishme: është e pafalshme që vezirët shqiptarë të atëhershëm sot të glorifikohen si heronj! Kjo është anti-njerëzore. Çdo popull normal e dënon tradhtarin, por vetëm ne, qyqarët shqiptarë, u thurim elozhe tradhtarëve. Dhe pse e bëjmë këtë? Vetëm për shkak të një feje, që sot na është imponuar në mënyrë manipulative si “shumicë”. Ne duhet ta pranojmë historinë tonë në tërësi. Shqiptarët u islamizuan dhunshëm. Dhe kemi edhe shumë pakurrizorë që e pranuan vullnetshëm për të jetuar lirshëm nën pushtimin osman.
Ju shqetëson edhe përdorimi i fjalëve “shumicë” dhe “pakicë” në kuptimin fetar dhe lidhja që bëni me terminologjinë e lëvizjeve islamiste. Çfarë po i bëjmë vetes?
Blerim Nika: Unë mendoj se po i bëjmë dëm vetes kur fillojmë ta shohim shqiptarin, para së gjithash, si mysliman, katolik, ortodoks apo ateist. Para të gjitha këtyre, kemi qytetarin. Unë nuk dua që një shqiptar të më thotë: “Ti je pakicë, unë jam shumicë”, sikur kjo t’i japë atij më shumë të drejtë mbi shtetin ose mbi kombin. Në një shtet laik, shumica numerike e një feje nuk duhet të shndërrohet në privilegj politik. Për sa i përket Vëllazërisë Myslimane që është themeluar në Egjipt më 1928 nga mësuesi reformator Hassan al-Banna dhe lëvizjeve të ndryshme islamiste, këtu duhet të jemi shumë të saktë. Vëllazëria Myslimane ka ndikuar në zhvillimin e disa rrymave ekstremiste islamiste. Terroristi i madh islamik, tashmë i ndjerë, Osama bin Laden përbehej në të. Terminologjia e saj ka depërtuar nga imamët edhe në Kosovën tonë. Pra, terminologjia “shumicë” dhe “pakicë” ka qëllime të caktuara. Qëllime djellëzore e antishqiptare. Por shteti laik duhet t’i luftojë këto tendenca, nëse nuk është vetë i kapur prej rrymave islamike. Unë nuk them se çdo mysliman është pjesë e këtyre lëvizjeve. Absolutisht jo.
Deri para luftës kemi pasur një Islam të butë në vendin tonë. Të butë mund ta konsiderojmë pasi që shqiptarët ia kanë përshtatur vetes së tyre dhe kulturës së tyre. Por çka ka ndodhur pas luftës, kjo nuk ka të bëjë më me atë Islamin që e kemi njohur para luftës. Tash kemi të bëjmë me Islamin global që dëshiron të pushtojë gjithçka mbi faqen e dheut.
Dhe pikërisht për këtë unë këmbëngul: shqiptari mysliman nuk është armiku im. Por çdo ideologji që kërkon ta zëvendësojë shtetin laik me një rend fetar duhet të diskutohet dhe të kundërshtohet me mjete demokratike dhe ligjore.
Ti ke bërë akuza të forta ndaj BIK-ut dhe ke përmendur edhe raste të personave që janë përballur me ekstremizmin islamik. Si e sheh qëndrimin e shtetit dhe çfarë duhet bërë? E kemi rastin e policit hetues Muhamet Lika që e vranë islamikët…?!
Blerim Nika: Unë konstatoj se Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme ndaj çdo forme të ekstremizmit fetar, pavarësisht nga feja apo ideologjia prej së cilës vjen. Nëse dikush përdor fenë për të justifikuar dhunën, kërcënimin, diskriminimin ose nënshtrimin e të tjerëve, atëherë shteti duhet të reagojë në përputhje me ligjin.
Sa i përket BIK-ut, unë nuk besoj se është e drejtë të thuhet në mënyrë kolektive se të gjithë imamët apo të gjithë besimtarët myslimanë janë kundër kombit shqiptar. Kjo do të ishte e padrejtë dhe e pasaktë. Unë kritikoj qëndrime, struktura, deklarata dhe veprime konkrete kur i konsideroj problematike. Nuk e gjykoj njeriun vetëm për shkak të fesë së tij.
Edhe rasti i Muhamet Likës, të cilin e përmendni, duhet të trajtohet me seriozitetin që meriton çdo rast i një vrasjeje. Nëse ekzistojnë prova për motive ekstremiste, ato duhet të hetohen dhe të bëhen publike nga institucionet kompetente. Nuk dua të ndërtoj një përfundim përfundimtar mbi një rast kriminal pa pasur para vetes të gjitha dokumentet e hetimit dhe gjykimit.
Ajo që unë kërkoj është shumë e thjeshtë: shtet funksional, drejtësi, transparencë dhe zbatim të ligjit. Dhe, nëse vërtetohet që është vrarë nga ekstremizmi islamik, atëherë të dënohen vrasësit, organizuesit e vrasjes me dënime kapitale konform ligjeve të vendit. Nuk dua hakmarrje. Nuk dua dhunë. Nuk dua që dikush të sulmohet sepse ka një fe tjetër. Dua që shteti të mbrojë qytetarin dhe Kushtetutën.
Në fund, cili është qëndrimi yt?
Blerim Nika: Qëndrimi im është i qartë. Unë jam rikthyer në katolicizëm. Të parët e mi kanë qenë katolikë dhe unë e kam parë të nevojshme ta njoh më thellë këtë trashëgimi. Unë besoj te Krishti dhe te Kisha Katolike. Dhe, në të njëjtën kohë, shfrytëzoj të drejtën time njerëzore e ligjore duke iu bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që, në mënyrë të lirë e vullnetare, të pagëzohen po ashtu në Kishën Katolike Apostolike. Unë e respektoj të drejtën e çdo shqiptari për të besuar. Unë e kundërshtoj politizimin e fesë. Unë e mbroj shtetin laik. Unë besoj se identiteti kombëtar shqiptar nuk duhet të ndërtohet mbi përkatësinë fetare.
Unë konstatoj se historia jonë duhet të studiohet më seriozisht dhe pa komplekse. Unë nuk dua që shqiptarët të urrejnë njëri-tjetrin për shkak të fesë. Por po aq qartë them se nuk do të hesht kur shoh që feja përdoret si instrument politik, kur historia shtrembërohet ose kur karakteri laik i shtetit vihet në pikëpyetje. Unë nuk jam për dhunë. Nuk jam për hakmarrje. Nuk jam për diskriminim. Jam për argumentin, dokumentin, ligjin dhe ndërgjegjen.
Unë i takoj Çetës Pjetër Bogdani. Pra, Lëvizja Shqiptare për Rikthim në Katolicizëm është shkrirë në Çetën Pjetër Bogdani, me të njëjtën thirrje për rikthim te rrënjët e vjetra katolike. Jam shqiptar. Jam qytetar i një shteti laik. Jam katolik. Dhe këto identitete për mua nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Krishti dhe Atdheu mbi gjithçka e sidomos në zemër. Njeriu përballë meje, gjithmonë me dinjitet. Dhe dashuria si ura që duhet të na bashkojë.

Intervistoi: Gjergj – Bajram Kabashi


