____
Vizita e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Zyrih, z. Vigan Berisha, në Kantonin Ticino, u shënua nga takime të rëndësishme institucionale, vlerësimi i sukseseve të mërgatës dhe nderimi i veprimtarëve të çështjes kombëtare.
1. Takimi me Kryetarin e Bellinzonës
Në Palazzo Civico, konsulli Vigan Berisha u prit nga Kryetari i Qytetit të Bellinzonës, z. Mario Branda. Bellinzona është kryeqyteti i Kantonit Ticino dhe një qendër e rëndësishme institucionale.
Gjatë takimit u diskutua për lidhjet e qytetit me mërgatën shqiptare, forcimin e dialogut ndërkulturor dhe zgjerimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet komunitetit tonë dhe autoriteteve vendore.

2. Takimi me Kryetarin e Paradisos
Në Komunën e Paradisos, konsulli Berisha zhvilloi një takim me Kryetarin e Komunës, z. Ettore Vismara.
Bashkëbisedimi u përqendrua në rolin e mërgatës kosovare në këtë pjesë të Kantonit Ticino, në integrimin e saj dhe në mundësitë e reja për forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe të dialogut ndërkulturor.

3. Dr. Hekuran Bytyçi – shembull i suksesit të mërgatës
Një takim i veçantë u zhvillua në Lugano me Dr. Hekuran Bytyçin, mjek nga Kosova, specialist i mjekësisë interne dhe i kardiologjisë, pjesë e ekipit profesional të Istituto Cardiocentro Ticino.
Në vitin 2026, Dr. Bytyçi përfundoi doktoratën në Fakultetin e Shkencave Biomjekësore të Università della Svizzera italiana, duke marrë titullin Dr. med. Ai ushtron edhe funksionin e mjekut Capoclinica në kardiologji dhe është aktiv në kërkimin shkencor e në publikimet ndërkombëtare.
Rrugëtimi i tij është dëshmi e dijes, punës dhe suksesit të mërgatës sonë, e cila po e nderon Kosovën në institucionet më të rëndësishme të Zvicrës.

4. Vizita te baca Prekë Berisha – një jetë me zemrën në Kosovë
Konsulli Vigan Berisha vizitoi në shtëpinë e tij edhe bacën Prekë Berisha, një atdhetar që e kaloi pothuajse tërë jetën në mërgim.
Ai u largua nga vendlindja në moshën 17-vjeçare, duke jetuar fillimisht në Kroaci e Slloveni, pastaj në Gjermani dhe, që nga viti 1970, në Zvicër. Gjatë luftës në Kosovë dha kontributin e tij në logjistikë, në Bajram Curr.
Sot, në moshën 90-vjeçare, baca Prekë vazhdon ta mbajë Kosovën në zemër. Takimi me të ishte nderim për brezin e mërgimtarëve që jetuan larg atdheut, por nuk u ndanë kurrë prej tij.

5. Nderimi për Sak Mujin – mirënjohje për një brez të tërë
Një nga çastet më të veçanta të kësaj vizite ishte takimi i Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, z. Vigan Berisha, me poetin dhe veprimtarin Sak Muji (Sylë Mujaj), një ndër pjesëmarrësit e dalluar të demonstratave të vitit 1981 dhe ish të burgosur politik.
Në Komunën e Paradisos, në prani të Fatmir Veselit, birit të Reçakut krenar, Avni Zejnullahut, përfaqësues i Konsullatës sonë, dhe Afrim Qorrajt, konsulli Berisha i dorëzoi Sak Mujit Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës në formë mirënjohjeje, për kontributin e tij në rrugëtimin kombëtar dhe përkushtimin e pandërprerë ndaj Kosovës.
‘

Me këtë rast, konsulli Vigan Berisha shkroi:
“Gjatë vizitës në Kantonin Ticino, pata nderin të takoj z. Sak Muji (Sylë Mujaj), poet dhe një prej veprimtarëve të dalluar të demonstratave të vitit 1981, ish i burgosur politik.
Në një takim të veçantë, pata nderin t’i dorëzoj Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në rrugëtimin kombëtar dhe përkushtimin e tij të pandërprerë ndaj Kosovës.
Të qëndrosh përballë një njeriu që i ka përjetuar nga afër vitet e vështira të qëndresës, përndjekjes dhe sakrificës, është më shumë se një takim.
Historia e Kosovës është ndërtuar edhe nga njerëz që, në kohë të vështira, patën guximin ta ngrinin zërin, të qëndronin dhe të mos hiqnin dorë nga ideali i lirisë.

Nderimi për ta është nderim për një brez të tërë.”
Për mua, Sak Mujin, ky ishte një nga ato çaste që nuk harrohen sa të jetë jeta. Teksa e mbaja në duar Deklaratën e Pavarësisë, para syve më kaloi i gjithë rrugëtimi im: rinia, demonstratat e vitit 1981, përndjekjet, burgjet, vuajtjet, shokët e idealit dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Këtë mirënjohje nuk e pranova vetëm për emrin tim. E pranova në emër të familjes sime, të Klinës sime, të miqve dhe bashkëveprimtarëve, të brezit të të përndjekurve politikë, të dëshmorëve dhe të të gjithë atyre që nuk u përkulën përballë dhunës dhe robërisë.
Mirënjohje të thellë konsullit Vigan Berisha për këtë vlerësim të çmuar, si dhe Fatmir Veselit, Avni Zejnullahut dhe Afrim Qorrajt, të cilët e bënë këtë çast edhe më të paharrueshëm.
Kjo mirënjohje do të ruhet me krenari, por mbi të gjitha si amanet që ta duam, ta mbrojmë dhe ta forcojmë Republikën e Kosovës.
Kosovë, të deshëm edhe kur na kushtove vuajtje e burgje; të duam sot të lirë dhe do të të duam deri në frymën e fundit!
Me mirënjohje dhe krenari,
Sak Muji


