
Aleksandër Ndoja, Tiranë
Në Akademinë e Shkencave u promovua monografia “Terrorizmi Bashkëkohor” e Dr. Kolë Krasniqit
– Në sallën prestigjioze “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë u promovua monografia më e re e studiuesit dhe pedagogut të njohur kosovar Dr. Kolë Krasniqi, me titull “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit”, një botim që përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve juridike, të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Aktiviteti u moderua nga ushtaraku i njohur Skëndër Doda, ndërsa në sallën e mbushur plot morën pjesë personalitete të jetës akademike dhe institucionale nga Shqipëria dhe Kosova, ekspertë të sigurisë dhe kriminalistikës, ish-drejtues të organeve ligjzbatuese, pedagogë universitarë, studiues, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe figura të artit e kulturës.
E pranishme ishte edhe zëvendëskonsullja e Republikës së Kosovës në Tiranë, Sabrie Grainca. Dr. Kolë Krasniqi njihet si një ndër ekspertët më të spikatur shqiptarë në fushën e terrorizmit dhe kriminalitetit ndërkombëtar.
Pedagog në Fakultetin Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, ai e ka ndërtuar karrierën akademike ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, ku në vitin 1998 mbrojti doktoraturën në Universitetin e Vjenës me një studim kushtuar terrorizmit ndërkombëtar dhe mekanizmave për zbulimin e luftimin e tij.
Monografia e promovuar në Tiranë është vazhdimësi e një pune kërkimore që shtrihet në më shumë se dy dekada. Ajo pason botimet “Terrorizmi Ndërkombëtar”, të publikuara në Tiranë (2005) dhe Prishtinë (2010), duke reflektuar zhvillimet më të fundit teorike dhe praktike të këtij fenomeni në një botë të karakterizuar nga globalizimi, teknologjia dhe konfliktet hibride.
Në këtë vepër, autori e trajton terrorizmin si një fenomen shumëdimensional, që nuk mund të reduktohet vetëm në kriminalitet apo në dhunë politike. Ai analizon ndërthurjen e terrorizmit me krimin e organizuar, ekstremizmin, radikalizmin ideologjik dhe luftën hibride, duke argumentuar se këto fenomene përbëjnë sot një nga sfidat më serioze për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Një nga risitë kryesore të monografisë është ndërtimi i një klasifikimi të plotë të formave të terrorizmit. Libri trajton terrorizmin konvencional, kibernetik, mediatik, energjetik dhe CBRN (kimik, biologjik, radiologjik dhe bërthamor), duke analizuar mënyrat e manifestimit të tyre, ndikimin në sigurinë globale dhe sfidat që paraqesin për institucionet shtetërore. Një vend të rëndësishëm zë edhe analiza juridike e fenomenit.
Dr. Krasniqi argumenton se lufta kundër terrorizmit duhet të zhvillohet në përputhje me standardet e shtetit të së drejtës dhe të drejtës ndërkombëtare, duke shmangur cenimin e të drejtave themelore të njeriut. Në këtë kuadër, ai trajton edhe dallimin ndërmjet terrorizmit dhe formave të tjera të dhunës politike, si kryengritjet e armatosura, lufta guerile dhe konfliktet jokonvencionale, duke u mbështetur në parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Vëmendje të veçantë autori i kushton edhe Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës, duke analizuar sfidat e sigurisë në rajon, ndikimin e radikalizmit dhe përdorimin e teknologjisë informative nga organizatat terroriste për propagandë, rekrutim dhe koordinim të veprimtarisë së tyre.
Monografia është ndërtuar mbi një bazë të gjerë teorike dhe doktrinare, duke integruar literaturën më të rëndësishme gjermane, anglo-saksone dhe ndërkombëtare. Përmes një qasjeje ndërdisiplinore, ajo ndërthur analizën juridike me kriminologjinë, shkencat politike dhe studimet strategjike të sigurisë, duke e bërë librin një referencë të vlefshme për studiuesit, studentët, juristët, institucionet e sigurisë dhe politikëbërësit.
Në parathënien e librit, profesori amerikan James F. Albrecht, nga Pace University në Nju Jork, e cilëson Dr. Kolë Krasniqin si një ndër ekspertët më të rëndësishëm të terrorizmit në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit, duke vlerësuar se kjo monografi pasuron debatin akademik ndërkombëtar dhe ofron njohuri të domosdoshme për profesionistët e sigurisë dhe administratës publike.
Promovimi në Akademinë e Shkencave dëshmoi interesimin e madh të komunitetit akademik dhe profesional për një temë që mbetet ndër sfidat më të ndërlikuara të shekullit XXI.
Me këtë botim, Dr. Kolë Krasniqi konsolidon më tej profilin e tij si studiues i çështjeve të sigurisë, ndërsa literatura shkencore shqiptare pasurohet me një vepër që pritet të shërbejë si referencë për studimet mbi terrorizmin dhe sigurinë ndërkombëtare.


