Une jam Mitrovicë, jam Shaljan, jam Deçan dhe mbi Deçan jam Dardan!

Shkrime relevante

Une jam Mitrovicë, jam Shaljan, jam Deçan dhe mbi Deçan jam Dardan!

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës. Mitrovicë Tri vjet të Lëvizjes së Deçanit:...

Aleksandr Dugin dhe “restoranti i kaosit” me fashistë, komunistë dhe fanatikë në të njejtën tryezë

Lirim Gashi, Prishtinë ____ Aleksandar Dugini, ideologu rus i euroazianizmit, ëndërron një rend...

Fundi i një epoke dhe dilema e së ardhmes!

Florim Zeqa Ekziston një rregull i shkruar i demokracisë, ai që i...

Kur përdhoset e shenjta, tronditet shpirti i kombit

   Nga Frank Shkreli ____ Dy ngjarje të ditëve të fundit në...

Shpërndaj

Tri vjet të Lëvizjes së Deçanit: përtej festës, një thirrje për reflektim dhe përgjegjës !
Shënimi i trevjetorit të nismës së Lëvizjes së Deçanit ishte një ngjarje me pjesëmarrje të konsiderueshme, e nderuar nga prania e miqve dhe mbështetësve tanë nga diaspora, personaliteteve të njohura dhe bashkëkombësve nga Shqipëria. Mesazhet e tyre inkurajuese dëshmuan mbështetje për kauzën tonë dhe përpjekjet për mbrojtjen e dinjitetit e të identitetit kombëtar dhe shpirtëror.
Fjalën e parë e mbajti koordinatori Z. Lekaj, i cili paraqiti platformën dhe orientimin e Lëvizjes, duke vënë në pah rëndësinë e kësaj kauze në kushtet e sfidave identitare me të cilat përballet shoqëria shqiptare.
Mirëpo, përtej atmosferës festive dhe fjalëve të mysafirëve të nderuar, një mungesë e rëndësishme ra në sy: zëri i vetë aktivistëve. Përveç fjalës së koordinatorit dhe mesazheve të të ftuarve, nuk pati një hapësirë të mirëfilltë ku aktivistët të shpalosnin përvojat e tyre, të reflektonin mbi rrugëtimin trevjeçar dhe të shprehnin pikëpamjet për sfidat e ardhshme.
Kjo nuk është çështje e një fjale të munguar për një individ. Është çështje e kulturës organizative, e protokollit dhe e mënyrës se si konceptohet pjesëmarrja brenda një lëvizjeje. Një përvjetor nuk duhet të jetë vetëm një ceremoni ku mysafirët flasin dhe nikoqirët dëgjojnë; ai duhet të jetë edhe një tribunë ku ata që e kanë bartur barrën e veprimit dëgjohen, vlerësohen dhe përfaqësohen.
Mysafirët erdhën për të na nderuar, për të na mbështetur dhe për të na inkurajuar. Por, a nuk do të ishte e natyrshme që ata të dëgjonin edhe drejtpërdrejt nga aktivistët për sfidat, përkushtimin dhe vizionin e tyre? Në fund të fundit, mysafirët mund ta nderojnë një kauzë me praninë e tyre, por janë aktivistët ata që e mbajnë gjallë me punën dhe përgjegjësinë e tyre.
Pikërisht këtu qëndron shqetësimi im: në vend që aktivistët të ndiheshin bartës dhe protagonistë të ngjarjes, përshtypja ime ishte se disa prej tyre ndiheshin më shumë si spektatorë në një organizim ku rolin kryesor e kishin të tjerët. Madje, në disa çaste, krijohej paradoksi që aktivistët të dukeshin më pak të përfshirë sesa mysafirët e nderuar.
Mysafirët duhet të nderohen, por aktivistët nuk guxojnë të ndihen inferiorë në shtëpinë e tyre!
Kjo nuk është çështje protokolli në kuptimin e ngushtë ceremonial. Është çështje e dinjitetit organizativ, e njohjes së kontributit dhe e barazisë së zërit brenda një strukture që synon të mobilizojë njerëz rreth një kauze të përbashkët. Kur ata që kontribuojnë nuk gjejnë hapësirën e merituar, rrezikohet të krijohet distancë ndërmjet strukturës organizative dhe vetë aktivistëve.
Për ta shprehur këtë mospërputhje, përdora metaforën e nuses dhe dhëndrit: dasma u bë, mysafirët erdhën e shkuan, nusja u paraqit, por dhëndri nuk u duk. E pranoj se metafora është ironike, por ajo synon të nxjerrë në pah një paradoks organizativ: u festua përvjetori i një lëvizjeje, ndërsa vetë aktivistët, në një masë të caktuar, nuk u vendosën në qendër të ngjarjes që u kushtohej.
Natyrisht, një metaforë nuk e zëvendëson argumentin. Argumenti qëndron te hapësira e kufizuar e dhënë për aktivistët, te mungesa e një reflektimi të përbashkët mbi tri vitet e veprimtarisë dhe te nevoja që kontributi i tyre të përfaqësohet denjësisht. Prandaj, kjo kritikë nuk duhet lexuar si sulm ndaj mysafirëve, të cilët i çmoj dhe i falënderoj për praninë e tyre, por si thirrje për përmirësimin e praktikave tona organizative.
Një moment pozitiv ishte kokteji pas ceremonisë, i cili krijoi mundësi për takime, biseda dhe shkëmbim idesh me aktivistë, mbështetës e mysafirë të nderuar. Pikërisht në këto takime u dëshmua se ekziston vullneti për komunikim dhe bashkëpunim. Sfida është që kjo frymë të mos mbetet vetëm në hapësirat e bisedave joformale, por të shndërrohet në kulturë të qëndrueshme të organizimit.
Kauza jonë është më e madhe se secili prej nesh. Ajo nuk mund të jetë pronë e individëve, as dekor i ceremonive festive. Ajo kërkon bashkërendim, transparencë, përfaqësim dhe përgjegjësi të përbashkët për mbrojtjen e dinjitetit dhe të identitetit tonë kombëtar e shpirtëror.
Daljen e Lëvizjes së Deçanit dhe të lëvizjeve të tjera simotra e konsideroj një shprehje të Rilindjes së tretë kombëtare e shpirtërore: një përpjekje për vetëdije, dinjitet dhe çlirim nga ndikimi i ideologjive që bien ndesh me identitetin tonë kombëtar. Në këtë kontekst, kundërshtimi i ideologjisë së islamit politik nuk duhet të mbetet vetëm në rrafshin deklarativ, por të shoqërohet me edukim, argumentim, përgjegjësi qytetare dhe respekt për liritë e të drejtat themelore.
Një lëvizje që synon të zgjojë ndërgjegjen kombëtare duhet të dëshmojë, para së gjithash, se di të kultivojë demokracinë e brendshme, të dëgjojë zërat e anëtarëve dhe të vlerësojë kontributin e secilit. Përndryshe, ekziston rreziku që parimet e shpallura të mos pasqyrohen plotësisht në praktikën organizative.
Edhe çështja e përfaqësimit meriton vëmendje. Lëvizja e Deçanit ende funksionon me koordinator, pa kryetar të zgjedhur, ndërsa Dega në Mitrovicë ka kryetarin e saj, z. Aleksandër Bajgora, dhe zëdhënësin e degës, Shqiptar Shaljanin. Megjithatë, në këtë përvjetor, zëdhënësit të Degës në Mitrovicë nuk iu dha mundësia as për një përshëndetje të shkurtër.
E përmend këtë fakt jo për të kërkuar privilegj personal, por për të ngritur çështjen e parimit të përfaqësimit. Kur një degë ka strukturën dhe përgjegjësitë e veta, përfshirja e saj në një ngjarje qendrore duhet të pasqyrohet në mënyrë të arsyeshme dhe dinjitoze. Përndryshe, lind pyetja se sa koherent është organizimi me frymën e bashkëpunimit që synon të përçojë.
Po ashtu, aktivistët që nuk morën pjesë në këtë përvjetor nuk duhet të mbeten jashtë reflektimit. Mungesa e tyre mund të ketë arsye të ndryshme dhe nuk do të ishte e drejtë të nxirreshin përfundime pa i njohur ato. Megjithatë, një lëvizje e shëndoshë duhet të pyesë edhe veten nëse po arrin t’i mbajë aktivistët të lidhur me veprimtarinë, të motivuar dhe të përfshirë në vendimmarrje.
Tri vjet janë arsye për të festuar, por edhe kohë e mjaftueshme për të bërë një bilanc të ndershëm. Përvjetorët nuk duhet të shërbejnë vetëm për të numëruar vitet, por edhe për të vlerësuar punën, për të identifikuar mangësitë dhe për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm.
Thirrja ime është për më shumë bashkërendim, transparencë, demokraci të brendshme dhe hapësirë për aktivistët; për më pak formalizëm ceremonial dhe më shumë përmbajtje organizative. Sepse një lëvizje nuk matet vetëm me numrin e pjesëmarrësve në një festë, por me aftësinë për t’i bërë ata pjesë të një misioni të përbashkët.
Aktivistët nuk duhet të jenë mysafirë në shtëpinë e tyre. Ata janë shtylla e saj.
Unë jam Mitrovicë, jam Shaljan, jam Deçan dhe mbi Deçan jam Dardan!
Kjo është më shumë se një shprehje e përkatësisë krahinore e historike. Është një thirrje për unitet, vetëdije dhe përgjegjësi ndaj identitetit tonë të përbashkët shqiptar.
Kauza është më e madhe se individi; identiteti është më i madh se organizata, ndërsa përgjegjësia për të ardhmen është e të gjithëve.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu