Sot, më mbeti peng që nuk isha i pranishëm në shënimin e 10-vjetorit të përurimit të Kishës Shën Abrahami në Llapushnik, për shkak të disa angazhimeve të tjera.
Edhe pse nuk jam religjioz, besoj se duhet të jemi pjesë e ngjarjeve të tilla kur ato shërbejnë edhe si hapësira ku frymohet shqip, ruhet kultura dhe afirmohet identiteti shqiptar.
Kisha e Llapushnikut është një shembull i mirë se një objekt kulti mund të jetë njëkohësisht edhe pjesë e jetës kulturore e identitare të një komuniteti. Emri i saj është biblik, Shën Abrahami, dhe kjo nuk ia zbeh aspak karakterin shqiptar të këtij manifestimi.
Pikërisht këtë do të dëshiroja ta shihja edhe në objektet e tjera të kultit shqiptar – në xhami dhe teqe: më shumë kulturë shqiptare, më shumë histori shqiptare, më shumë gjuhë shqipe dhe më shumë lidhje me traditën tonë kombëtare.
Nuk është problem nëse një objekt kulti mban emrin e një shenjtori apo profeti biblik. Problemi fillon atëherë kur hapësirat tona fetare identifikohen me emra pushtuesish, figura ose donatorë të huaj që nuk kanë lidhje me historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar.
Feja është çështje besimi. Kultura dhe identiteti janë çështje e përkatësisë sonë kombëtare. Të dyja mund të bashkëjetojnë pa problem, përderisa asnjëra nuk përdoret për ta zëvendësuar tjetrën.
Prandaj, kur shohim shqiptarë që po rikthehen te gjuha, kultura, historia dhe traditat e tyre, kjo duhet përshëndetur. Shqiptarët po rikthehen te vetvetja.
Urime 10-vjetori i Kishës Shën Abrahami në Llapushnik!
Urime edhe për bekimin e Qendrës Pastorale, Shtatores së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetorin e shërbimit të Imzot Dodë Gjergjit në krye të Kishës Katolike, Dioqezës Prizren–Prishtinë.
Më vjen keq që nuk isha aty. Por jam me ju në atë që është më e rëndësishmja: që shqiptaria të jetojë në gjuhë, kulturë, histori dhe identitet. 



