BUKËSHKALËT
____
Në traditën tonë, por edhe në ndërgjegjen universale, koncepti i “bukëshkalit” (mosmirënjohësit; latinisht: ingratitude) përfaqëson një plagë të rëndë morale. Të jesh bukëshkal do të thotë të shkelësh sininë (sofrën) që të ka mbajtur në jetë kur ke qenë buzë greminës dhe në nevojë ekstreme.
Kur ky term zhvendoset në rrafshin e rëndë gjeopolitik dhe historik të Kosovës, ai merr një përmasë sa dramatike, aq edhe tronditëse. Kosova u shpëtua nga një katastrofë shfarosëse në mars të vitit 1999 falë vendosmërisë humanitare dhe fisnike të NATO-s, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, të cilët nuk vunë në rrezik vetëm ushtarët e tyre, por edhe kapitalin e tyre politik e moral, për t’i dhënë popullit tonë lirinë dhe, më vonë, themelet e shtetit.
Mosmirënjohja politike: kur ndihma e shenjtë shndërrohet në obligim të harruar
Sot, një pjesë e shoqërisë dhe e politikës sonë ka shfaqur shenja të një mosmirënjohjeje të rëndë institucionale. Kjo nuk pasqyrohet vetëm në zhurmën e protestave të dirigjuara, por u vulos edhe nga 99 deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët miratuan një deklaratë kundër një aktgjykimi që kërkonte thjesht drejtësi.
Momenti i kthesës (2011-2015)
Pas hijes së rëndë të hedhur nga i ashtuquajturi “Raporti i Dick Martyt” në Këshillin e Evropës, një dokument që dëmtoi rëndë imazhin e luftës së Kosovës dhe që, fatkeqësisht, u mbështet edhe nga dy deputetë shqiptarë të asaj kohe, SHBA-ja dhe Bashkimi Europian u përballën me sfidën e mbrojtjes të së vërtetës për luftën çlirimtare. Për ta rrëzuar politikisht dhe juridikisht atë raport, partnerët ndërkombëtarë ideuan dhe mbështetën themelimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ishte vetë Kuvendi i Kosovës që i votoi këto institucione në vitin 2015, me sugjerime që vinin kryesisht nga SHBA dhe BE.
Kontradikta e reagimeve
Tani, kur drejtësia e shkallës së parë ka dhënë verdiktin e saj, duke dënuar katër individ për krime lufte, përfshirë edhe vrasjen e figurave të rezistencës dhe bashkëveprimtarëve si Behajdin Allaqi, i shpallur Hero i Kosovës, shoqëria jonë është përballur me një reagim paradoksal. Reagimi nuk u përqendrua te viktimat dhe te nevoja për drejtësi. Përkundrazi, ai u shndërrua në një mburojë emocionale për të dënuarit, e në veçanti për Hashim Thaçin. Ironikisht, ndërsa vetë të akuzuarit janë përpjekur të bindin gjykatën se nuk kanë qenë udhëheqës të UÇK-së dhe se ajo ishte një lëvizje guerile çlirimtare, shumë prej mbrojtësve të tyre sot veprojnë në drejtim të kundërt: i paraqesin si udhëheqës supremë të UÇK-së, për ta përdorur atë si mburojë politike dhe emocionale.
Përmbysja e vlerave: mbrojtja e individit përballë dhimbjes së viktimës
Filozofia morale na dëshmon se fytyra më e errët e bukëshkalit është aftësia për ta përmbysur të vërtetën. Në vend që të nderohet me përulësi kujtimi i atyre që dhanë jetën për lirinë e vërtetë, ndodh e kundërta:
Viktimizimi i rremë kolektiv. Dënimet individuale manipulohen dhe paraqiten si “sulm ndaj luftës çlirimtare në tërësi” ose si “dënim institucional” i vetë UÇK-së.
Perdja e tymit mbi gjakun e pafajshëm. Kjo gjuhë shërben si perde që shmang përballjen me të vërtetat e hidhura të periudhës së pasluftës, duke lënë në harresë lotët, vuajtjet dhe kërkesën për drejtësi të familjeve të viktimave shqiptare dhe të etnive të tjera që u eliminuan padrejtësisht.
Përfundim: kostoja morale dhe shpirtërore e mosmirënjohjes
Historia është gjykatësja më e pamëshirshme. Asnjë shoqëri nuk mund të ndërtojë një të ardhme të shëndoshë mbi themelet e gënjeshtrës, amnezisë kolektive dhe mohimit të sakrificave.
T’u kthesh shpinën aleatëve që të ndihmuan të bëhesh shtet, e madje t’i akuzosh ata vetëm pse synuan demantimin e diskreditimin e Raportit të Dik Martit, përbën njërën nga shfaqjet më të rënda të varfërisë morale.
Bukëshkali i kohëve moderne nuk është ai që harron një copë bukë; ai është ai që harron se liria e tij u ujit me gjakun e të tjerëve dhe u mbrojt nga angazhimi politik, moral dhe ushtarak i botës demokratike, për t’i shndërruar më pas këto sakrifica në llogore mbrojtëse të interesave të ngushta personale ose partiake.
Dhe nuk mbaron me kaq.
Po këto shtete që financojnë dhe mbështesin këtë drejtësi të përbashkët vendore e ndërkombëtare, janë edhe shtetet që vazhdojnë të mbajnë të stacionuar ushtarët e tyre në kuadër të KFOR-it, duke ruajtur çdo ditë kufijtë, sigurinë dhe paqen tonë nga çdo kërcënim i jashtëm.
Sa trishtues është fakti që bukëshkalët nuk arritën ta kuptonin një të vërtetë të madhe: skenari i errët për ta kompromentuar përgjithmonë UÇK-në dështoi. UÇK-ja nuk u damkos si organizatë kriminale dhe as si ndërmarrje kolektive kriminale që do ta bënte të paligjshme ose moralisht të papranueshme shtetësinë e Kosovës. Përkundrazi, u trajtuan dhe u ndëshkuan veprime konkrete individuale dhe krime të kryera në kuadër të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale (NKP), e penetruar për komplotime nga brenda të UÇK-së.
Ndërkohë, mesazhi i SHBA-së, i BE-së dhe i Britanisë së Madhe dhe i partnerëve të tjerë perëndimorë është i qartë: të respektohet aktgjykimi i 16 shtatorit dhe të pritet me qetësi, maturi dhe kulturë demokratike vendimi në procesin e apelit.
Kartoni i kuq
Kësaj radhe nuk do të tregoj të njëjtën përmbajtje që kanë treguar ndërkombëtarët, të cilët na ndihmuan të çlirohemi dhe të ndërtojmë shtetin, e që sot vazhdojnë të na kërkojnë me durim respektimin e kulturës së shtetit ligjor dhe të aktgjykimit të 16 shtatorit. Prandaj po ngre kartonin e kuq për 99 deputetët që miratuan Deklaratën kundër aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit & Co, për organizatorët e protestave “qytetare” të tifozëve politikë të Thaçit, si dhe për drejtuesit e PDK-së që vazhdojnë të insistojnë në miratim të ligjit kundër Dhomave të Specializuara.
Të gjithë këta që meritojnë karton të kuq sillen sikur nuk e dinë se komploti i madh kundër shtetit tonë dhe reputacionit të UÇK-së nuk ndodhi me këtë aktgjykim. Ai nisi kur ish-kryeprokurorja zvicerane Carla Del Ponte botoi librin e saj me akuza ndaj UÇK-së dhe mori përmasa edhe më të mëdha kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi, në janar të vitit 2011, raportin e komisionit hetues të kryesuar nga Dick Marty.
Atëherë nuk pati protesta masive kundër atij libri, as kundër atij raporti. Thaçistët, që zotëronin potencialin më të madh mobilizues, ishin të rehatuar në pushtet dhe në administratën shtetërore e publike. Kurtianët, në anën tjetër, e kishin prioritet ardhjen në pushtet dhe nuk e panë të arsyeshme të angazhoheshin kundër një raporti që, të paktën politikisht, e dobësonte kundërshtarin e tyre. Ndërsa rugovistët vazhduan me strategjinë e tyre “as mish, as peshk”, një taktikë që u kishte sjellë përfitime elektorale për vite me radhë.
Vetëm partnerët ndërkombëtarë, me SHBA-në në krye, e kuptuan peshën e rrezikut që paraqiste Raporti i Dik Martit për imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe të luftës çlirimtare. Për këtë arsye u angazhuan në krijimin e mekanizmave juridikë që do të mundësonin verifikimin e pretendimeve dhe rrëzimin e akuzave të shpifura. Kështu u themeluan Dhomat e Specializuara dhe institucionet përcjellëse, me personel ndërkombëtar, por nën juridiksionin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Rezultati ishte një proces jashtëzakonisht i gjatë dhe kompleks gjyqësor, – i ngjashëm me procesin kundër Millosheviqit, – i cili duhej të shqyrtonte në mënyrë të detajuar pretendimet e ngritura ndër vite. Ky proces përfundoi me përgjegjësi individuale e grupore, sipas koncepteve juridike të njohura në të drejtën penale ndërkombëtare, por jo me dënimin e UÇK-së si organizatë dhe as me dënimin e luftës së Kosovës për liri.
Pikërisht këtë fakt përpiqen ta mjegullojnë profiterët politikë. Ata paraqesin dënimin e individëve si dënim të UÇK-së, dënimin e UÇK-së si dënim të luftës çlirimtare, dënimin e luftës çlirimtare si dënim të popullit shqiptar të Kosovës dhe, në fund, si dënim të vetë Shtetit të Kosovës. Madje, disa prej tyre shkojnë aq larg sa paralajmërojnë skenarë alarmues të përçarjeve të mëdha shoqërore apo edhe të luftës civile.
Kjo nuk është mbrojtje e së vërtetës. Kjo është përpjekje për ta zëvendësuar debatin racional me emocionin, faktin me mitin dhe përgjegjësinë individuale me viktimizimin kolektiv.



