Arrestimi i Durim Berishës për një status në Facebook – Turp për Kosovën dhe sulm ndaj lirisë së fjalës
Arrestimi 48-orësh i Durim Berishës për një status në Facebook është një skandal i rëndë dhe një precedent shumë i rrezikshëm për lirinë e shprehjes në Kosovë.
Nëse është e vërtetë se ky arrestim ka ardhur pasi ai ka folur hapur për dyshime të rënda për abuzime seksuale me djem të mitur në disa institucione fetare (përfshirë Medresenë e Prishtinës dhe xhami), atëherë kemi të bëjmë me një cenim të hapur të lirisë së fjalës dhe me një akt autoritar që i bie erë teokracie.
Për vite me radhë kanë qarkulluar thashetheme të rënda për ngacmime dhe abuzime seksuale në Medresenë e Prishtinës dhe në disa xhami. Në vend që Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) të hapë hetime të brendshme, të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe të mbrojë viktimat – ajo ka zgjedhur politikën e heshtjes, mbulimit dhe presionit mbi viktimat “për hir të imazhit të Islamit”.
Durim Berisha ka bërë pikërisht atë që çdo qytetar i ndërgjegjshëm duhet të bëjë: ka denoncuar publikisht dyshime për krim. Në vend që hetuesit dhe prokurorët të shkojnë drejt atyre që dyshohen për abuzim me fëmijë, ata shkojnë të arrestojnë atë që foli. Kjo është e pakuptueshme dhe e neveritshme.
Kosova nuk është teokraci.
Nuk jemi në një shtet ku klerikët ose Bashkësia Islame mund të vendosin se çfarë mund të thuhet dhe çfarë jo. Askush nuk ka të drejtë të përdorë Prokurorinë dhe Policinë si mjet hakmarrjeje kundër atyre që kritikojnë fenomene negative brenda një bashkësie fetare. Prokurori dhe hetuesi që ka marrë këtë vendim me automatizëm duhet menjëherë të suspendohet, sepse po sillen sikur Kosova të udhëhiqet nga sheriat dhe jo nga ligji laik.
Përgjegjësia për krimet seksuale është individuale. Heshtja dhe mbulimi i tyre nuk e mbron Islamin – përkundrazi, e dëmton rëndë. Islami dëmtohet kur mbrohen pedofilët dhe abuzuesit, jo kur ata denoncohen.
Nëse nesër fëmija yt ose imi bëhet viktimë, a do të pranoni që rasti të mbulohet “për hir të imazhit”? Apo do të doni që dikush të ketë guximin të flasë?
Bashkësia Islame e Kosovës, në vend që të denoncojë krimet dhe të pastrohet nga brenda, po përdor pushtetin politik për të heshtuar zërat kritikë. Kjo nuk është fe, kjo është kulturë krimi të organizuar e mbuluar me mantelin fetar.
Liria e fjalës nuk është privilegj, është e drejtë themelore. Kush e cenon atë sot për një status në Facebook, nesër do të arrestojë për mendime.
Lironi Durim Berishën menjëherë!
Dhe filloni hetimet e vërteta për abuzuesit, jo për ata që i denoncojnë.



