
Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan
_____
Nga përçarjet historike te përplasjet partiake: si të dalim nga një cikël që e dobëson shtetin
Historia jonë ka njohur periudha kur përçarjet e brendshme fisnore, krahinore apo klanore, kanë shpërndarë energjitë kolektive dhe kanë vonuar si formimin me kohë të shtetit shqiptar, ashtu edhe në konsolidimin e mëvonshëm shtetëror. Sot nuk jetojmë më në atë realitet, por një rrezik i ngjashëm po shfaqet në formë tjetër: përplasjet e ashpra ndërpartiake dhe gara e pakontrolluar për pushtet po prodhojnë ngërçe institucionale, pasiguri politike dhe konsumim të besimit publik.
Kjo nuk është thjesht një krizë e radhës. Është një sinjal se sistemi ynë politik ka vështirësi të ndërtojë marrëveshje minimale për funksionimin normal të institucioneve. Kur vendimmarrja bllokohet, kur dialogu zëvendësohet me përjashtim dhe kur interesi partiak mbizotëron mbi interesin publik, shteti nuk rrëzohet menjëherë, por fillon të dobësohet nga brenda. Dhe një shtet i dobësuar është më i cenueshëm, më pak efektiv dhe më pak i besueshëm, si brenda ashtu edhe jashtë.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme të shmangim dy gabime: të fajësojmë vetëm votuesin, ose të justifikojmë gjithçka me “lojën politike”. Realiteti është më kompleks. Kriza është produkt i ndërveprimit mes mënyrës si ndërtohen listat zgjedhore, si funksionojnë partitë, si raportojnë mediat dhe si votojnë qytetarët. Prandaj, edhe zgjidhja duhet të jetë e shumëanshme.
Së pari, politika duhet të rikthejë kulturën e kompromisit.
Kompromisi nuk është dobësi; është mekanizëm funksional i demokracisë. Pa të, çdo dallim kthehet në bllokadë. Partitë duhet të vendosin vijat e kuqe vetëm për çështje themelore, ndërsa për çështjet e tjera të ndërtojnë ura bashkëpunimi. Marrëveshjet për interes publik, buxheti, reformat kyçe dhe funksionimi i institucioneve, nuk duhet të mbahen peng i kalkulimeve afatshkurtra.
Së dyti, duhet reformuar mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve.
Listat zgjedhore nuk mund të mbeten produkt i mbyllur i strukturave të ngushta partiake. Duhet më shumë transparencë dhe konkurrencë e brendshme. Cilësia e deritashme e deputetëve lë shumë për të dëshiruar. Anndaj, vendosja e kritereve të qarta për përgatitjen profesionale, përvojën dhe integritetin do të rriste cilësinë e përfaqësimit dhe do të zgjeronte zgjedhjen reale të votuesit dhe do të rriste cilësinë e deputetëve.
Së treti, të forcohet llogaridhënia e deputetëve.
Mandati nuk duhet të jetë “blanko” për katër vite. Matja publike e performancës, pjesëmarrja në seanca, kontributi në ligje dhe transparenca duhet të bëhet praktikë e rregullt. Kjo krijon presion pozitiv dhe i lidh më fort përfaqësuesit me qytetarët.
Së katërti, të përmirësohet cilësia e debatit publik.
Polarizimi shpesh ushqehet nga retorika e ashpër dhe informacioni i fragmentuar. Mediat dhe shoqëria civile kanë rol kyç në ofrimin e analizës së balancuar, verifikimin e fakteve dhe krahasimin e programeve, duke i dhënë qytetarit mjete për një zgjedhje më të informuar.
Së pesti, vota të bëhet më kërkuese dhe më selektive.
Kjo nuk është thirrje për fajësim, por për fuqizim. Votuesi mund të ndikojë realisht kur e zhvendos fokusin nga simboli partiak te cilësia individuale e kandidatëve: integriteti, përgatitja, konsistenca në qëndrime dhe gatishmëria për të vendosur interesin publik mbi atë personal.
Së gjashti, të vendosen rregulla më të forta për funksionimin institucional.
Caktimi i afateve të qarta për formimin e institucioneve, i mekanizmave që pengojnë bllokadat e zgjatura dhe i rregullave të balancuara për zgjedhje të parakohshme do të reduktonin pasigurinë dhe do ta bënin sistemin më të parashikueshëm.
Në thelb, sfida jonë nuk është vetëm të fitojmë një garë politike, por të ruajmë dhe forcojmë shtetin si kornizë e përbashkët. Përplasjet janë pjesë normale e demokracisë; bllokadat e pafundme jo. Diferenca mes të dyjave qëndron te përgjegjësia.
Historia na kujton se përçarja e brendshme ka kosto të lartë. E tashmja na kërkon të mos e përsërisim atë në forma të reja. Nëse arrijmë të ndërtojmë një kulturë bashkëpunimi konkurruese, garohet fort dhe qeveriset me përgjegjësi, atëherë krizat mund të kthehen në mundësi për pjekuri demokratike.
Sepse shteti nuk mbahet vetëm me institucione formale, por me vullnet të përbashkët për t’i bërë ato të funksionojnë dhe krijojnë stabilitet.
Më 2 maj 2026


