
Isuf Bajraktari, Suedi
Kriza politike në Kosovë nuk është thjesht përplasje periodike mes pozitës dhe opozitës. Në thelb, ajo po shfaqet si sprovë e kulturës sonë institucionale.
Dhe kjo është më serioze se vetë kriza.
Demokracitë nuk dëmtohen domosdo nga konfliktet politike; ato dobësohen kur konflikti bëhet mënyrë qeverisjeje, kur polarizimi kthehet në normë dhe dialogu në përjashtim.
Ky është rreziku që sot duhet kuptuar.
Kur shteti shpenzon energjinë në bllokada, në mosbesim të përhershëm dhe në antagonizma të panevojshme, ai humb energjinë për ndërtim.
Kjo gjendje të kujton metaforën e Sizifit: përpjekjen për ta ngjitur gurin e shtetndërtimit, vetëm që ai të rikthehet poshtë, jo nga mungesa e vullnetit, por nga mungesa e stabilitetit politik.
Në këtë kuptim, Sizifi nuk është vetëm figurë mitologjike.
Ai është paralajmërim.
Sepse shqetësimi sot nuk është kush fiton një përballje më shumë.Pyetja është nëse po zbehet gradualisht vetë ideja e republikës si kulturë shteti.
Mandati politik jep të drejtë për të qeverisur, por jo për ta zëvendësuar bashkëpunimin me vetë-mjaftueshmëri. Po ashtu, opozita nuk mund ta reduktojë rolin e saj në refuzim permanent.
Republika mbahet nga ekuilibri.
Jo nga dominimi.
Në traditën tonë politike, veçanërisht në vizionin shtetformues të Ibrahim Rugova, shteti është menduar si kulturë durimi, etikë përgjegjësie dhe hapësirë konsensusi.
Ky vizion nuk ishte vetëm filozofi politike.
Ishte kulturë shteti.Dhe sot kjo frymë mbetet po aq e domosdoshme.Sepse shtetet e reja nuk rrezikohen vetëm nga presioni i jashtëm. Ato mund të konsumohen edhe nga mungesa e qetësisë së brendshme.
Nëse vazhdojmë t’u rikthehemi cikleve të njëjta të krizës, rrezikojmë të mbesim peng të një Sizifi modern, duke shtyrë pareshtur gurin e të njëjtave probleme, pa e vendosur kurrë mbi themele të qëndrueshme.
Por Kosova mund të zgjedhë ndryshe.
Më pak nervozizëm politik.
Më shumë mendim shteti.
Më pak antagonizëm.
Më shumë republikë.
Sepse pushteti është i përkohshëm.
Republika është e përhershme.


