ARKIVI:
26 Prill 2026

Lavdi grave të qëndresës antikomuniste shqiptare

Shkrime relevante

Lavdi grave të qëndresës antikomuniste shqiptare

Nga Frank Shkreli (Në Kujtim të Klora Mirakaj Merlika dhe të gjitha...

Kosova miratoi Rezolutë, për Luginën e Preshevës

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për avancimin e përkujdesjes institucionale,...

Vuçiç: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës

Gani I. Mehmeti (A.P / 25 April 2026 - 17:34, Kosova Sot...

Bllokim të deputetevë në Kuvend deri në zgjedhjen e Presidentit!

Florim Zeqa Në demokraci sovrani (populli) është forca mbrojtëse e shtetit dhe...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli

(Në Kujtim të Klora Mirakaj Merlika dhe të gjitha grave që përballuan burgjet dhe internimet e diktaturës komuniste)

Ndarja nga jeta e Klora Mirakaj Merlikës disa ditë më parë në moshën 93-vjeçare, rikthen në vëmendje një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë shqiptare: fatin e grave në burgjet dhe kampet e regjimit komunist. Jeta e saj, me plot 47 vite të kaluara në burgje dhe internime, përfshirë edhe kampin famëkeq të Tepelenës, është një dëshmi e gjallë e një realiteti që nuk duhet harruar.

Gratë shqiptare nën diktaturën komuniste përjetuan një dhunë të shumëfishtë — jo vetëm si kundërshtare të regjimit, por edhe si nëna, bashkëshorte dhe bija të familjeve të shpallura “reakcionare”, “armike”, e lloj-lloj eptitetesh tjera. Në burgje dhe kampe internimi, ato u përballën me kushte çnjerëzore jetese: uri të vazhdueshme, mungesë të theksuar të kujdesit shëndetësor dhe punë të detyruar në kushte ekstreme. Jeta e tyre reduktohej në një luftë të përditshme për mbijetesë.

Por vuajtja e grave kishte një dimension edhe më të thellë. Ato u nënshtruan poshtërimeve sistematike, kontrollit trupor degradues dhe presioneve të vazhdueshme për të mohuar bindjet apo familjet e tyre. Në shumë raste, ato përjetuan edhe forma të rënda dhune psikologjike, duke jetuar nën frikë dhe pasiguri të përhershme. Një nga plagët më të mëdha mbetet drama e nënave. Shumë gra lindën në internim, pa asnjë kusht minimal, ndërsa fëmijët e tyre u rritën mes varfërisë ekstreme, sëmundjeve, vdekjeve të foshnjave dhe mungesës së çdo përkujdesjeje minimale njerëzore. Sipas dëshmive të të mbijetuarave, fenrat vepçanërsiht përballeshsn me poshtërim dhe çnjerëzime të papërshkruashme, trajtoheshin me një brutalitet të veçantë: kontroll trupor poshtërues dhe dhunë psikologjike, kërcënime dhe presion për të mohuar familjen apo bindjet poltike ose fetare dhe në disa raste, fatkeqsisht, edhe abuzime dhe shfrytëzim seksual nga rojet e kampit ose oficerë të Sigurimit të Shtetit.  Ka histori nënash që nuk arritën kurrë t’i shihnin më fëmijët e tyre–një tragjedi e heshtur që rëndon ende mbi ndërgjegjen kolektive të të politikës dhe shoqërisë shqiptare, që, kokëfortsisht dhe paturpësisht,  ende refuzon të kthej kokën mbrapa e të pyes veten se si shqiptari mund të kryente krime të tilla kundër shqiptarit/shqiptares?

Megjithatë, në këtë terr të thellë, gratë shqiptare, si Klora Mirakaj-Merlika, dëshmuan një forcë të jashtëzakonshme shpirtërore. Ato mbështetën njëra-tjetrën, ruajtën dinjitetin dhe, mbi të gjitha, refuzuan të dorëzoheshin përballë një sistemi çnjerzor që synonte t’i shkatërronte ato moralisht dhe fizikisht. Megjithkëtë, qëndresa e tyre ishte e heshtur, por e pathyeshme.  Klora Mirakaj Merlika mbetet simbol i kësaj qëndrese të heshtur, një dëshmi e gjallë e forcës së gruas shqiptare përballë padrejtësisë dhe terrorit shtetëror.

Sot, kur dëshmitarë të tillë si Klora Mirakaj Merlika po largohen nga kjo botë, përgjegjësia për të kujtuar dhe për të treguar historinë e tyre bëhet edhe më e madhe.  Sepse kujtesa nuk është vetëm nderim për të shkuarën, por edhe garanci që padrejtësi të tilla të mos përsëriten më kurrë. Por klasa politike “post-komuniste” 35-vjeçare në Shqipëri duket se ka vendosur që të vdesin edhe ata pak ish-të burgosur e të përndjekur nga komunizmi, që për fatin e tyre kanë mbijetuar barbarizmat e komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës. ttps://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-nuk-mund-te-hesht-per-krimet-e-komunizmit/

Përballimi i shtetit shqiptar me të kaluarën komuniste dhe,  veçanërisht, me trashëgiminë e krimeve të komunizmit ka qenë i pjesshëm dhe shpesh i ngadaltë, ose më mire të themi ko-ekzistent, sidomos në krahasim me vende të tjera ish-komuniste. Frank Shkreli: Shqipëria të dënojë zyrtarisht vra.sjet makabër të komunizmit | Gazeta Telegraf

Pas rënies së regjimit të Enver Hoxha, pati disa hapa simbolikë, si hapja e dosjeve në mënyrë të kufizuar, dënime të disa figurave të larta të regjimit dhe krijimi i institucioneve si Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Megjithatë, shumë kritikë theksojnë se këto masa nuk kanë qenë as nuk janë aspak të mjaftueshme.  Për familjet e persekutuara shqiptare — si Mirakaj, Merlika dhe mijëra të tjera –mungesa e një ballafaqimi të plotë me krimet e komunizmit dhe të kaluarën e diktaturës komuniste, nënkupton jo vetëm mungesë drejtësie, por edhe mungesë njohjeje të plotë të vuajtjeve të tyre. Kujtesa historike shpesh mbetet e fragmentuar dhe e debatueshme në shoqëri.  Çështja nuk është vetëm historike, por edhe morale dhe institucionale e që kërkon një përgjigje zyrtare të shtetit shqiptar: sa është shoqëria shqiptare e gatshme, politikisht, moralisht dhe kombëtarisht të përballet me të kaluarën e saj komuniste, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për të gjithë shqiptarët, pa dallim?

Me dhimbje dhe respekt të thellë, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për kalimin në amshim të Klora Mirakaj-Merlika dhe për të gjitha familjet e persekutuara nga regjimi komunist. Kujtimi i vuajtjeve, sakrificave dhe qëndresës së tyre mbetet pjesë e ndërgjegjes kombëtare. Ato familje përballuan padrejtësi të mëdha, por ruajtën dinjitetin, besimin dhe identitetin shqiptar në kohë, shumë të errëta.  Natyrisht se në këtë moment ndarjeje nga jeta të të dashurve të tyre, dhimbja bëhet edhe më e madhe, por edhe më e fortë mbetet trashëgimia morale që ata kanë lënë pas — një thirrje për të kujtuar me qëllim për të mos harruar dhe për të vlerësuar lirinë dhe demokracinë, sado të brishtë të Shqipërisë së tranzicionit të pafund.

Klora Mirakaj Merlika mbetet simbol i kësaj qëndrese të heshtur, një dëshmi e gjallë e forcës së gruas shqiptare përballë padrejtësisë dhe terrorit shtetëror.  I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre. Lavdi Klora Mirakaj-Merlika dhe të gjitha grave të internuara nga komunizmi barbar gjysëm shekullor në trojet shqiptare.

Me ngushellime për familjet e persekutuara nga komunizmi, Mirakaj dhe Merlika!

Shënim!

Fotot janë marrë nga faqja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu