ARKIVI:
1 Maj 2026

Burgosja – një kujtim i pashlyeshëm

Shkrime relevante

Burgosja – një kujtim i pashlyeshëm

Prof. Dr. Kolë Krasniqi, Pejë Më 30 prill 1982, pra para 44...

Vëllazëria Myslimane depërton thellë te shqiptarët, kush janë ata?

Fatmir Gashi, Lipjan-Zvicër Vërejtje! Revulucioni islamik dhe Vellazëria Myslimane kane organizuar atentatin ndaj...

Vehbi Miftari dhe dinjiteti diplomatik i Kosovës në Selinë e Shenjtë-Vatikanit

Lekë Mrijaj, Klinë Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së...

Rugova, Qosja dhe Kadare, a patën armiqësi, apo…?

Nga Ismet M. Hasani, Suedi Në shenjë përkujtese Për të vdekurit që kanë...

Luka Musollaj një talent i rrallë në Taekwondo

Tom Pergjoka Shumica e fëmijëve në moshën 1-vjeçare sapo mësojnë të ecin....

Shpërndaj

Më 30 prill 1982, pra para 44 vitesh, në orët e hershme të mëngjesit, shtëpia ime u rrethua nga forca të shumta policore. Pa asnjë paralajmërim, ata hynë me dhunë dhe e bastisën, duke demoluar me një egërsi të papërmbajtur ato pak mobilie dhe zbukurime që posedonim.
Disa ditë më parë kisha vërejtur lëvizje të dyshimta rreth shtëpisë. Zhvillimet e asaj kohe më kishin krijuar një parandjenjë të fortë se diçka e rëndë mund të ndodhte. Prandaj, pak çaste para hyrjes së policisë, u largova në heshtje dhe u ngjita në pyllin përballë shtëpisë, nga ku vëzhgoja me ankth lëvizjet e tyre.
Pas largimit të policëve, pak para muzgut, u ktheva në shtëpi. Për fat të mirë, ata nuk kishin arritur t’i gjenin revistat “Zëri i Kosovës” dhe “Liria”, të cilat m’i kishte dhënë shoku im i çmuar, Heroi i Kosovës, Nuhi Berisha.
Të shtyrë nga një parandjenjë e fortë, vetëm një ditë më parë i kisha fshehur nën tepihun në qendër të dhomës së pritjes, mbi të cilin qëndronte stufa. Ishte një vend i zakonshëm – dhe pikërisht për këtë arsye, i sigurt.
Gjatë ditës, dy herë erdhën patrulla policore dhe më kërkuan në shtëpi. Në mbrëmje, situata u rëndua edhe më tej. Hetuesi i sigurimit të shtetit – i njohur si UDB-ash – Gani Hajdari, së bashku me Qazim Mazrekun, të shoqëruar nga dy policë të armatosur me kallashnikovë, erdhën te dera e shtëpisë dhe kërkuan që të shkoja menjëherë me ta në polici.
Shtëpia jonë ishte e rrethuar me mur. Unë e kundërshtova këtë urdhër dhe u thashë se do të paraqitesha vetë të nesërmen në mëngjes. Gani Hajdari reagoi me kërcënim të hapur:
“Hape derën dhe eja menjëherë, përndryshe do ta thyejmë dhe do të hyjmë me dhunë.”
Me një qetësi të përzier me vendosmëri, iu përgjigja:
“Nuk keni nevojë të thyeni derën. As mos provoni ta bëni këtë. Babai nuk është në shtëpi – është në Zvicër. Nesër në mëngjes do të paraqitem vetë në polici.”
Në atë moment, përballë armëve dhe kërcënimeve, qëndroja mes frikës dhe dinjitetit. Ishte një natë që ndante jetën time në dy pjesë: para dhe pas saj.
Torturat në burg – mësimi për të mbijetuar
Të nesërmen, i shoqëruar nga agja im Gjergji, shkova në polici. Sapo më dërguan në katin e tretë të stacionit policor në Pejë, filloi menjëherë marrja intensive në pyetje. Akuzohesha për “propagandë armiqësore”, sipas nenit 133 të Kodit Penal të Jugosllavisë.
Ajo që pasoi nuk ishte thjesht hetim – ishte një ushtrim brutal i dhunës fizike dhe psikike.
Pyetjet vinin njëra pas tjetrës, të përsëritura në formë, por gjithnjë më të rënda në përmbajtje – si një mekanizëm i menduar për të thyer rezistencën emocionale:
“Pse i ke shkruar parullat armiqësore?”
“Ku e ke marrë pëlhurën?”
“Ku e ke blerë ngjyrën?”
“Çfarë lidhje ke me Nuhi Berishen?”
“A ke marrë pjesë në demonstrata?”
“Me kë ke dalë në demonstrata?”
“Kush të ka mësuar të thuash se demonstratat nuk janë armiqësore?”
Të njëjtat pyetje riktheheshin pa pushim, jo për të zbuluar të vërtetën, por për ta imponuar atë.
Në atë presion të pandërprerë, më rikthehej në mendje një ngjarje e mëhershme. Disa muaj më parë, një delegacion i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, i kryesuar nga Zhivojin Cvejić, kishte ardhur në fshatin tonë për të “demaskuar” karakterin armiqësor të demonstratave studentore. Kur u kërkua deklarimi im, unë kisha folur hapur: në demonstratat e 11 marsit 1981 nuk kishte armiq; aty kisha qenë edhe vetë në momentet e para të shpërthimit të tyre. Ishte një revoltë e studentëve të zakonshëm, që kërkonin vetëm kushte më të mira – aty nuk kishte armiq.
Pas këtyre fjalëve, një nga të pranishmit, Lala Jović, më kishte akuzuar si armik të popullit dhe të shtetit. Ndaj tij reagoi Hil Marku, i cili, në prani të delegacionit nga Beogradi, Prishtina dhe Peja, kërkoi që të mos i besohej, duke e cilësuar gënjeshtar dhe pijanec. Në ato rrethana, Hili e goditi me shuplakë, për çka më pas u dënua me 30 ditë burgim.
Çdo përgjigje që nuk përputhej me pritjet e hetuesve shoqërohej me dhunë. Ishte një proces i ndërtuar për të thyer jo vetëm trupin, por edhe vullnetin dhe shpirtin tim.
Kur më dërguan në dhomën e burgut, si një i ri 20-vjeçar dhe student i vitit të dytë në Fakultetin Juridik, isha ende i tronditur nga ajo që kisha përjetuar. Në atë gjendje, fillova t’u tregoj të burgosurve të tjerë – të panjohur për mua deri atëherë – për tmerrin që sapo kisha kaluar.
Njëri prej tyre, që u prezantua si i burgosur politik nga Gjakova, u afrua me një ton të butë dhe filloi të më pyesë:
“Pse të kanë burgosur?”
“A i ke shkruar ti parullat?”
“Me kë ke bashkëpunuar?”
Në ato çaste, një burrë i moshës së mesme, me mustaqe, më preku lehtë me këmbë. Ishte një paralajmërim i heshtur për të mos folur. E kuptova menjëherë se duhej të ndalesha.
Pak më vonë, ai m’u afrua në një qoshe të dhomës, ku ishim gjashtë veta, dhe më foli me zë të ulët, me një qetësi që buronte nga përvoja:
“Mos fol me askënd.”
Ai ishte profesori i njohur, sot shkrimtari eminent, Prend Buzhala.
Gjatë bisedës, i tregova për torturat që kisha përjetuar. Ai më dëgjoi me vëmendje dhe më tha:
“A e sheh atë djaloshin në qoshe? E kanë rrahur aq shumë, sa kemi menduar se do të vdesë. Për disa ditë nuk ka mundur të hajë as bukë, vetëm supë.”
Ai djaloshi i torturuar është sot gazetari i mirënjohur Rexhep Krasniqi.
Pastaj shtoi, me një realizëm të ftohtë:
“Pavarësisht nëse pranon apo jo atë që kërkojnë policët, do të të rrahin prapë. Ata kanë një program të dhunës. Nuk ka rëndësi çfarë thua – gjithmonë do të kërkojnë diçka më shumë.”
Fjalët e tij nuk ishin për të më trembur, por për të më përgatitur:
“Po t’i tregoj këto që ta përgatisësh veten. Çdo gjë e ka fundin e vet. Ashtu kështu do të torturohesh. Vetëm shiko të dalësh faqebardh nga këtu. Trupin nuk e ke në kontrollin tënd – por mendjen dhe nderin, ruaji.”
Këto fjalë u bënë udhërrëfyesi im.
Për këtë këshillë, i jam mirënjohës gjithë jetën profesorit Pren Buzhala. Sepse gjatë rreth 15 herëve që më mori në pyetje policia sekrete e shtetit, unë nuk përgatitesha më për përgjigje, por për dhunën që do të përjetoja.
Pas tri ditësh, më hodhën në vetmi – në qelinë numër 15. Aty fillonte një tjetër lloj torture: ajo e heshtjes dhe e vetmisë.
Megjithatë, përgjigjja ime mbeti gjithmonë e njëjtë:
“Jo, nuk i kam shkruar unë parullat. Nuk kam marrë pjesë në demonstrata. Nuk di asgjë. Nuk di kush ka marrë pjesë.”
Në një sistem ku e vërteta nuk kërkohej, por imponohej, qëndresa ime ishte e vetmja formë lirie që më kishte mbetur.
Pas më shumë se një muaji, gjatë të cilit u mora në pyetje rreth 15 herë dhe u përballa vazhdimisht me tortura, duke mohuar çdo akuzë dhe duke iu lutur Zotit të mos ligështohesha, më dërguan para gjyqtarit dhe më dënuan për shkrimin e parullave.
Para lirimit nga burgu, Qazim Mazrekuni më tha:
“Ti je një armik i rrezikshëm. Të gjitha lidhjet tua i dimë. Ne po të lirojmë, por dije se do ta bëjmë jetën më të zezë në liri sesa këtu.”
Jeta e vështirë në liri
Pas lirimit nga burgu, liria ime ishte vetëm formale. Menjëherë m’u ndalua e drejta për të disponuar me pasaportë. Ky vendim, i marrë nga organet e sigurimit në Pejë, u konfirmua më pas nga autoritetet përkatëse në Prishtinë dhe, pas ankesës sime, edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës. Në këtë mënyrë, edhe rrugët e pakta që mund të më çonin drejt një jete normale u mbyllën institucionalisht.
Represioni nuk ndalej vetëm tek unë. Në vitin 1984 u burgos edhe gjyshi im, rreth 75 vjeç, i cili për një fjali të thjeshtë – “kjo tokë është e jona” – u akuzua për propagandë armiqësore. Në atë sistem, edhe fjala e lirë e një plaku trajtohej si kërcënim politik.
Në vitin 1985, vetëm 25 ditë pas punësimit tim si praktikant në Gjykatën Komunale në Pejë, u largova nga puna me arsyetimin se isha “person i papërshtatshëm politikisht”. Ky nuk ishte thjesht një vendim administrativ, por një vazhdim i ndëshkimit – një përjashtim i qëllimshëm nga jeta profesionale dhe shoqërore.
Frika kishte depërtuar thellë në shoqëri. Njerëzit hezitonin të më takonin publikisht. Edhe ata që më njihnin dhe më respektonin, e shmangnin kontaktin, jo për mungesë vullneti, por për shkak të frikës nga pasojat.
Në këto rrethana, i përjashtuar nga puna dhe i përndjekur vazhdimisht, vendosa të mos dorëzohem. Regjistrova studimet pasuniversitare (magjistraturën) në Prishtinë, jo vetëm si një hap akademik, por si një akt i qëndresës intelektuale dhe personale.
Megjithatë, pak para mbrojtjes së temës së magjistraturës, Universiteti i Prishtinës u mbyll nga regjimi serb. Ishte një tjetër goditje – këtë herë ndaj dijes dhe vetë mundësisë për zhvillim.
Pas riorganizimit të universitetit, u ktheva ilegalisht në Kosovë, duke shfrytëzuar një pasaportë kroate, dhe arrita ta mbroj temën e magjistraturës. Ishte një kthim jo vetëm fizik, por edhe simbolik: një refuzim i qartë për t’u nënshtruar dhe një dëshmi se, pavarësisht pengesave dhe represionit, rruga e dijes dhe e dinjitetit nuk mund të ndalet.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu