
Agim Vuniqi, Vashington
____
Një lexim kushtetues i krizës aktuale: Qytetarët-Kuvendi-Qeveria-Presidenti
Debati i hapur së fundi mbi renditjen e krijimit të institucioneve pas zgjedhjeve ka ngritur një pyetje me rëndësi themelore kushtetuese: në kushtet kur posti i Presidentit është vakant dhe kompetencat presidenciale ushtrohen nga ushtruesi i detyrës, a duhet të zgjidhet fillimisht Presidenti apo të formohet Qeveria?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të largohemi nga preferencat politike dhe t’i kthehemi logjikës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kuvendi është pika e nisjes së legjitimitetit demokratik
Kosova është republikë parlamentare. Institucioni i vetëm që buron drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve është Kuvendi. Të gjitha institucionet e tjera qendrore burojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi nga ai.
Kushtetuta përcakton qartë se pas zgjedhjeve konstituohet Kuvendi dhe zgjidhen organet e tij. Vetëm pas krijimit të Kuvendit mund të fillojë ndërtimi i institucioneve të tjera.
Prandaj rendi i legjitimitetit kushtetues është: Qytetarët – Kuvendi – Qeveria -Presidenti. Ky nuk është vetëm rend kronologjik, por rend kushtetues i burimit të pushtetit.
Presidenti nuk krijon shumicën parlamentare
Neni 95 i Kushtetutës i jep Presidentit kompetencën për të mandatuar kandidatin për Kryeministër. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Presidenti krijon shumicën parlamentare.
President nuk zgjedh Qeverinë.
Presidenti nuk siguron 61 vota.
Presidenti nuk prodhon shumicën politike.
Ai vetëm konstaton ekzistimin e saj dhe fillon procedurën formale të mandatimit.
Shumica ekziston para dekretit presidencial dhe provohet përfundimisht me votimin e Qeverisë në Kuvend. Prandaj, nga pikëpamja juridike, legjitimiteti i Qeverisë rrjedh nga Kuvendi dhe jo nga Presidenti.
Çfarë ndodh kur posti i Presidentit është vakant?
Kushtetuta nuk e lë shtetin pa mekanizëm funksionimi në rast vakance presidenciale.
Pikërisht për këtë arsye është paraparë institucioni i ushtruesit të detyrës së Presidentit.
Qëllimi i këtij mekanizmi është të garantojë vazhdimësinë kushtetuese dhe të shmangë vakumin institucional.
Nëse do të pranohej interpretimi se ushtruesi i detyrës nuk mund të ushtrojë kompetencën e mandatimit të Kryeministrit, atëherë vetë ekzistenca e institucionit të ushtruesit të detyrës do të humbte kuptimin kushtetues.
Një interpretim i tillë do të prodhonte një paradoks:
Kuvendi do të ishte konstituar; shumica parlamentare do të ekzistonte; por shteti do të mbetej pa Qeveri derisa të gjendej një shumicë tjetër për zgjedhjen e Presidentit.
Vështirë se një rezultat i tillë mund të konsiderohet në frymën e Kushtetutës.
Pyetja që mungon në debat
Debati publik është përqendruar te pyetja se kush e mandaton Kryeministrin.
Por ekziston një pyetje edhe më themelore:
Kush e mandaton Presidentin? Përgjigjja është e thjeshtë: askush.
Presidenti nuk mandatohet nga ndonjë organ tjetër. Ai zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi sipas procedurës kushtetuese.
Kjo tregon qartë se Presidenti dhe Kryeministri nuk qëndrojnë në të njëjtin raport kushtetues.
Presidenti buron drejtpërdrejt nga Kuvendi.
Ndërsa Kryeministri kalon përmes procedurës së mandatimit dhe më pas merr besimin e Kuvendit.
Ky fakt e përforcon pozitën kushtetuese të Kuvendit si burimi kryesor i legjitimitetit institucional.
A duhet të zgjidhet Presidenti para Qeverisë?
Nga pikëpamja politike dhe institucionale mund të argumentohet se zgjedhja e Presidentit para Qeverisë do të ishte një zgjidhje elegante dhe do ta mbyllte menjëherë vakancën në krye të shtetit.
Por eleganca institucionale nuk është e njëjta gjë me detyrimin kushtetues.
Kushtetuta nuk përmban asnjë dispozitë që e kushtëzon formimin e Qeverisë me zgjedhjen paraprake të Presidentit. Po të kishte qenë ky vullneti i kushtetutëbërësit, ai do ta kishte thënë shprehimisht.
Përkundrazi, vetë ekzistenca e institucionit të ushtruesit të detyrës tregon se Kushtetuta synon të garantojë funksionimin e pandërprerë të shtetit edhe në mungesë të Presidentit të zgjedhur.
Prandaj një lexim sistematik i Kushtetutës së Republikës së Kosovës çon drejt një përfundimi të qartë. Rendi kushtetues më i qëndrueshëm juridikisht është:
Konstituimi i Kuvendit;
Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit;
Ushtrimi i kompetencave presidenciale nga ushtruesi i detyrës, nëse posti i Presidentit është vakant;
Mandatimi i kandidatit për Kryeministër;
Zgjedhja e Qeverisë nga Kuvendi;
Zgjedhja e Presidentit sapo të sigurohet shumica kushtetuese e nevojshme.
Në republikën parlamentare të Kosovës, institucioni që del drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve është Kuvendi. Prej tij burojnë Presidenti, Qeveria dhe të gjitha hallkat e tjera të pushtetit kushtetues.
Prandaj, në mungesë të një dispozite të qartë kushtetuese që kërkon të kundërtën, është e vështirë të argumentohet se zgjedhja e Presidentit përbën kusht paraprak absolut për formimin e Qeverisë.
Kushtetuta nuk është ndërtuar për të prodhuar bllokada institucionale. Ajo është ndërtuar për të garantuar vazhdimësinë e shtetit. Dhe pikërisht në këtë parim qëndron thelbi i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.


