Kush e organizoj 11 – 26 Marsin 1981

Shkrime relevante

Kush e organizoj 11 – 26 Marsin 1981

Nga Sak Muji – ish Sylë Mujaj Dëshmia ime personale, dokumentet...

Njerëzit dhe butoni i fundit

Lirim Gashi, Prizren ____ (në shqip, gjermanisht, serbisht) ____ Ekziston një keqkuptim i vogël lidhur...

“Sektet fetare” – Kush i financon 611 sekte në Shqipëri dhe misionet e tyre të errëta

"Sektet fetare" - Kush i financon 611 sekte në Shqipëri dhe...

Serbia nuk do të denazifishohet, përderisa të mos ndodhë pagesa e reparacioneve

Akademik Hakif Bajrami, historian nga Prishtina 1.Iluzionet se nuk duhet filluar lufta...

16 Shtatori, Dita e Drejtësisë apo dita që (s)mund ta tronditë Kosovën?

Prof.Dr. Fadil Maloku,sociolog nga Prishtina Analizë hipotetike sociologjike. Këtyre ditëve, duke pritur...

Shpërndaj

Nga Sak Muji – ish Sylë Mujaj

  • Dëshmia ime personale, dokumentet e gjykimit dhe borxhi i shtetit ndaj së vërtetës

(Pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ngjarjet e Marsit 1981 dhe ish i burgosur politik 1981–1990)

Pas 45 vjetësh, pyetja se kush i organizoi demonstratat e 11 dhe 26 Marsit 1981 vazhdon të shtrohet në studio televizive, në debate publike dhe në rrëfimet e ish-veprimtarëve. Për mua kjo nuk është temë televizive. Është jetë. Është arrestim. Është aktakuzë. Është burg. Është rini e humbur. Dhe mbi të gjitha është një pjesë e historisë sonë kombëtare që duhet të shkruhet me dëshmi, dokumente dhe emra të saktë, jo sipas interesit të momentit.

11 MARSI – FILLIMI QË NUK MUND T’I VIShet NJË EMRI TË VETËM

Studimi i historianit Atdhe Hetemi, i mbështetur në burime arkivore, intervista dhe dokumentin e Gjykatës Supreme AP-KZH nr. 437/81, jep një dëshmi të rëndësishme për parapërgatitjen e 11 Marsit. Sipas këtij dokumentimi, më 10 mars 1981, në konviktin nr. 3, dhoma 310, Gani Koci kishte mbledhur Januz Januzi, Kadri Kryeziu, Ramadan Dobra, Murat Musliu, Selim Geci dhe Bedri Dobra.

Aty ishte vendosur që më 11 mars të ndërmerreshin “veprime konkrete” lidhur me kushtet e rënda të studentëve dhe që tubimi të bëhej në mensën e studentëve. Kjo është e rëndësishme sepse tregon se 11 Marsi nuk mund të reduktohet vetëm në tregimin e një pjate të thyer. Pakënaqësia për ushqimin dhe kushtet e konvikteve ishte reale, por kishte edhe parapërgatitje studentore. Vetë literatura akademike e trajton lëvizjen e vitit 1981 si një proces ku protesta sociale u shndërrua shumë shpejt në kërkesë politike për Republikën e Kosovës.

Prandaj, kur dikush sot thotë: “Unë i organizova të gjitha demonstratat e vitit 1981”, historia kërkon më shumë kujdes.

11 Marsi kishte aktorët e vet. 26 Marsi kishte organizimin e vet. 1 dhe 2 Prilli u kthyen në kryengritje shumë më të gjerë popullore. Pranvera 1981 ishte një proces, jo pronë e një individi.

25 MARSI – DHOMA 401 DHE KALIMI NË 402

Këtu flas si dëshmitar i drejtpërdrejtë. Mbrëmjen e 25 marsit 1981, dhoma ime ishte nr. 401 në konviktin e studentëve. Nga dhoma 401 kaluam në mënyrë të fshehtë në dhomën 402, ku, sipas kujtesës sime të drejtpërdrejtë, u zhvillua pjesa vendimtare e organizimit të demonstratës së 26 Marsit. Në bërthamën e organizimit ishim:

* Ali Lajçi

* Bajram Kosumi

* Hamdi Hajdini

* Riza Demaj

* Sylë Mujaj – sot Sak Muji

Ndërsa Abdullah Tahiri dhe Ibrahim Nikçi, sipas dëshmisë sime, kishin rol në mbrojtjen dhe sigurimin e organizimit nga jashtë.

Studimi i Atdhe Hetemit, duke iu referuar pikërisht aktgjykimit të Gjykatës Supreme AP-KZH nr. 437/81, dokumenton se mbrëmjen e 25 marsit Ali Lajçi, Hamdi Hajdini, Riza Demaj, Sylë Mujaj, Ramë Demaj, Bajram Kosumi dhe studentë të tjerë u takuan në dhomat 402 dhe 403 për të planifikuar demonstratën e 26 Marsit. Këtu dua të bëj një saktësim nga dëshmia ime: 401 ishte dhoma ime; nga 401 kaluam në 402 dhe aty u bë organizimi kryesor ku unë personalisht mora pjesë. Ky detaj duhet të mbetet në histori ashtu siç e kam përjetuar unë.

GJASHTË PARULLAT

Në dhomën 402 nuk po bënim muhabet. Po përgatitej aksioni. Sipas dëshmisë sime, Riza Demaj lexonte dhe shtjellonte pikat e kërkesave, ndërsa Hamdi Hajdini dhe unë shkruanim parullat. U përgatitën gjashtë parulla. Ato u palosën dhe u mbajtën të fshehura në brez, që të mund të nxirreshin në momentin e duhur pa u zbuluar nga policia apo shërbimet e sigurisë. Të nesërmen, nga mesdita, ato filluan të shpërndaheshin. Edhe dokumentimi akademik konfirmon se atë natë ishin përgatitur slogane dhe një tekst me kërkesa, ndërsa më 26 mars studentët ngritën pankartat e përgatitura paraprakisht. Ky është pikërisht vendi ku dëshmia ime personale dhe dokumenti historik takohen.

26 MARSI – NGA KONVIKTET NË DEMONSTRATË

Më 26 Mars organizimi kishte disa elemente konkrete: mbylljen dhe mobilizimin e konvikteve, grumbullimin e studentëve, leximin e kërkesave, mbajtjen e fjalimeve, nxjerrjen e parullave dhe përpjekjen për ta kthyer protestën në një kërkesë të qartë politike.

Burimet akademike dokumentojnë se më 26 mars konvikti u bllokua. Kur erdhën rektori Gazmend Zajmi, profesorë dhe përfaqësues politikë, u zhvillua debat me studentët. Riza Demaj lexoi kërkesat, ndërsa Ali Lajçi, Hamdi Hajdini dhe të tjerë folën para studentëve. Më pas u ngritën parullat e përgatitura më herët. Kërkesat nuk ishin më vetëm për ushqim. Ato përfshinin papunësinë, pozitën ekonomike të Kosovës, Trepçën, çështje identitare dhe kërkesa politike. Dhe pastaj erdhi dhuna. Dokumentet që citon Hetemi tregojnë se autoritetet federale sollën forca shtesë të policisë; qindra studentë u rrahën në Qendrën e Studentëve. Aty Pranvera studentore po shndërrohej në diçka shumë më të madhe.

NGA 26 MARSI TE 1 DHE 2 PRILLI

Dhuna e 26 Marsit nuk e shuajti revoltën. E shumëfishoi atë. Studentët e rrahur u kthyen në qytetet dhe fshatrat e tyre. Lajmi u përhap në Kosovë dhe më 1 e 2 prill demonstratat morën përmasa gjithëpopullore. Në përkujtimin institucional të 45-vjetorit, edhe Qeveria e Kosovës e përshkroi 26 Marsin si momentin kur protesta studentore mori përmasa të një demonstrate kombëtare dhe kur u artikuluan fuqishëm parulla si “Kosova Republikë”. Kjo është arsyeja pse unë 1981-shin nuk e shoh vetëm si “protestë studentore”. Për brezin tonë ishte Pranvera e Madhe shqiptare.

ÇMIMI QË PAGUAM

Pas demonstratave nisi vala e arrestimeve. Sipas materialeve arkivore të përdorura në studimin e Hetemit, deri më 10 qershor 1981 raportoheshin 506 persona të arrestuar: mes tyre persona të akuzuar për pjesëmarrje, organizim, shkrim parullash dhe shpërndarje materialesh. Presidenca e RSFJ-së kishte raportuar një numër edhe më të madh personash të arrestuar nën dyshimin për “veprimtari armiqësore”.

Dhe një fakt që ka rëndësi të jashtëzakonshme për historinë tonë: Gjykata Supreme e Kosovës dënoi 21 studentë me gjithsej 223 vjet burgim, sipas aktgjykimit AP-KZH nr. 437/81. Unë isha njëri prej atij brezi të dënuar. Në aktakuzë quhesha Sylë Mujaj. Sot jam Sak Muji. Por njeriu është i njëjti. Dhe dëshmia është e njëjta.

PSE DUHEN HAPUR DOSJET?

Sepse 45 vjet më vonë ende kemi debate se: kush organizoi, kush infiltronte, kush raportonte, kush arrestonte, kush torturonte, kush shkruante aktakuzat, dhe kush i vuloste dënimet. Në vend që t’ia bëjmë gjyqin historisë nëpër studio televizive, shteti duhet të hapë arkivat. Të publikohet aktakuza 125-faqëshe. Të publikohet AP-KZH nr. 437/81. Të publikohen procesverbalet e hetuesisë dhe gjykimit. Të hapen dosjet e Sigurimit Shtetëror, policisë, prokurorive dhe gjykatave për të burgosurit politikë. Vetëm atëherë mund të flasim seriozisht për lustrim. Lustrimi nuk duhet të jetë hakmarrje dhe as shpallje fajtorësh me postime në Facebook. Duhet të jetë një proces ligjor, institucional, me dokumente, me të drejtën e përgjigjes dhe me përgjegjësi individuale.

EDHE NJË FJALË PËR DEBATET E SOTME

Gazetarët e sotëm, përfshirë Ermal Pandurin apo cilindo moderator tjetër, kanë të drejtë t’i shtrojnë pyetjet më të vështira. Por edhe ne, dëshmitarët e gjallë, kemi të drejtë të themi: mos na e tregoni historinë tonë pa na pyetur ne që ishim aty. Gazetaria duhet ta hapë debatin. Arkivi duhet ta provojë. Dëshmitari duhet të dëgjohet. Gjykata duhet të lexohet. Dhe historia duhet të mbetet më e madhe se çdo parti, grup apo individ.

DËSHMIA IME

Unë nuk them se Sylë Mujaj e bëri Pranverën e vitit 1981. As nuk pranoj që dikush tjetër ta marrë tërë Pranverën për vete. Unë them atë që kam parë dhe bërë: Dhoma ime ishte 401. Kalova në 402. Mora pjesë në organizimin e 25 Marsit. Me Hamdi Hajdinin shkrova parulla. Riza Demaj lexonte kërkesat. Parullat u fshehën dhe u shpërndanë më 26 Mars. Studentët u organizuan. Policia na goditi. Pastaj u arrestuam, u gjykuam dhe u dënuam. Dhe emri Sylë Mujaj figuron sot edhe në literaturën akademike si njëri nga pjesëmarrësit në takimin organizativ të 25 marsit për demonstratën e 26 Marsit. Ky është dallimi mes kujtesës së lirë dhe dëshmisë: kur kujtesa takohet me dokumentin, ajo bëhet histori.

Prandaj sot, para Kosovës, Shqipërisë dhe brezave që erdhën pas nesh, kërkoj vetëm një gjë: HAPNI DOSJET E PRANVERËS 1981!

Jo për hakmarrje. Për të vërtetën. Për drejtësinë. Për ata që nuk janë më. Dhe për një Kosovë që duhet ta dijë saktësisht se prej nga erdhi liria e saj.

***

KOSOVA REPUBLIKË! 11–26 MARS 1981: NGA MENSA E STUDENTËVE TE DHOMA 402

Dëshmia ime si pjesëmarrës – dhe dokumentet që duhet ta thonë fjalën e fundit

Nga Sak Muji – ish Sylë Mujaj

Për portalin DRINI

Pas 45 vjetësh, ende shtrohet pyetja: Kush i organizoi demonstratat e Marsit 1981 në Prishtinë? Për mua kjo pyetje nuk është teori. Unë isha aty. Isha student, pjesëmarrës, organizator në faza të caktuara të ngjarjeve, më pas i arrestuar, i akuzuar dhe i dënuar. Prandaj dua që dëshmia ime të qëndrojë përballë dokumenteve, jo për t’ia marrë meritën askujt, por që historia të mos privatizohet nga askush.

10 MARSI – NJË DITË PARA SHPËRTHIMIT

Sipas kujtesës sime të drejtpërdrejtë, që më 10 mars 1981, edhe ne ishim të përfshirë në lëvizjet dhe diskutimet e studentëve. Në sallën mbi mensën e studentëve, te “Fatos Deva”, zhvilloheshin takime, biseda dhe pakënaqësia ishte e dukshme. Në të njëjtën kohë, dokumentacioni i përdorur nga historiani Atdhe Hetemi evidenton edhe një tjetër takim organizativ atë mbrëmje: rreth orës 20:00, në Konviktin nr. 3, dhoma 310, ku përmenden Gani Koci, Januz Januzi, Kadri Kryeziu, Ramadan Dobra, Murat Musliu, Selim Geci dhe Bedri Dobra. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme AP-KZH nr. 437/81, të cituar në studim, ata kishin planifikuar “veprime konkrete” për ditën pasuese. Kjo, në mendimin tim, tregon diçka shumë të rëndësishme: 11 Marsi nuk ishte pronë e një grupi të vetëm. Kishte disa rrjedha studentore që po bashkoheshin në të njëjtën pakënaqësi.

PJATA QË U BË SIMBOL – POR EDHE KËTU DUHET DOKUMENTI

Në kujtesën tonë të atyre ditëve, thyerja e pjatës në mensë lidhej me Abdullah Tahirin. Kështu e kam ruajtur dhe dëgjuar unë ngjarjen mes pjesëmarrësve. Por dua të jem korrekt para historisë: një punim akademik i botuar së fundi për demonstratat e vitit 1981 përmend Bahrije Kastratin si studenten që hodhi pjatën në shenjë revolte. Prandaj këtu nuk dua të zëvendësoj një version me një tjetër. Përkundrazi: Le të hapen procesverbalet. Le të krahasohen dëshmitë. Le të flasin pjesëmarrësit e gjallë. Pikërisht kështu ndërtohet historia serioze.

11 MARSI – PROTESTA NUK MBETI MË TE PJATA

Më 11 mars pakënaqësia për ushqimin, kushtet e rënda në konvikte dhe gjendjen studentore doli shumë shpejt përtej mensës. Dokumentet e cituara nga studiuesit tregojnë se policia ndërhyri me forcë dhe se Ali Lajçi, në një moment të protestës, u ngjit në një shtyllë dhe iu drejtua masës kundër dhunës policore. Raportet e asaj kohe flasin për rreth 2.000 studentë dhe qytetarë në protestën e asaj nate. Në kujtesën time, një nga momentet më dramatike ishte përplasja e Ibrahim Nikçit me një polic. Në një kronologji të botuar më vonë është dhënë dëshmia se Ibrahimi ia mori armën policit dhe, gjatë përleshjes, shtiu në drejtim të një polici tjetër. Këtë duhet ta trajtojmë si dëshmi të pjesëmarrësve, ndërsa dokumentacioni policor e gjyqësor duhet të përdoret për verifikimin përfundimtar të çdo detaji. Për mua, ajo natë shënoi një ndryshim të madh: studentët e kuptuan se përballë nuk kishin më vetëm administratën e mensës, por aparatin e shtetit.

NGA 11 DERI MË 25 MARS – QENDRA E STUDENTËVE NUK FJETI

Nga 11 deri më 26 mars ne jetuam në një gjendje mobilizimi pothuajse të përhershëm. Në Qendrën e Studentëve njihej mirë kush e përkrahte protestën dhe kush ishte kundër saj. Informacionet kalonin nga konvikti në konvikt. Takoheshim, diskutonim, ruanim njëri-tjetrin dhe përpiqeshim të kuptonim lëvizjet e policisë dhe të sigurimit. Në kujtesën time kanë mbetur edhe zjarret që ndiznim si shenjë takimi dhe qëndrese. Nuk ishim një ushtri me një komandë të vetme. Ishim studentë, grupe të organizuara, veprimtarë ilegalë dhe shumë të rinj që, edhe pa qenë pjesë e ndonjë organizate, e kuptonin se Kosova nuk mund të vazhdonte në atë gjendje.

25 MARSI – NGA DHOMA IME 401 NË DHOMËN 402

Ky është momenti për të cilin dëshmia ime është shumë konkrete. Dhoma ime ishte 401. Kur morëm informacion se njerëz të sigurimit kishin hyrë në Qendrën e Studentëve, nga dhoma ime 401 kaluam fshehurazi në dhomën 402. Aty u zhvillua organizimi kryesor për 26 Marsin. Në bërthamën ku isha vetë përfshiheshin: Ali Lajçi, Bajram Kosumi, Hamdi Hajdini, Riza Demaj, dhe unë – Sylë Mujaj, sot Sak Muji.

Screenshot

Sipas dëshmisë sime, Ibrahim Nikçi dhe Abdullah Tahiri kishin rol të rëndësishëm në sigurimin dhe mbrojtjen tonë nga jashtë. Këtë pjesë e mbështet në thelb edhe literatura akademike: Atdhe Hetemi, duke iu referuar aktgjykimit AP-KZH nr. 437/81, dokumenton se mbrëmjen e 25 marsit Ali Lajçi, Hamdi Hajdini, Riza Demaj, Sylë Mujaj, Ramë Demaj, Bajram Kosumi dhe studentë të tjerë u takuan në dhomat 402 dhe 403 për përgatitjen e demonstratës së 26 Marsit. Pra, fakti që Sylë Mujaj ishte aty nuk është vetëm kujtesa ime. Figuron edhe në dokumentacionin e përpunuar nga studimet historike. KËRKESAT DHE PARULLAT Në dhomën 402 u përcaktuan detyrat. Sipas dëshmisë sime, Bajram Kosumi punoi në përpilimin e kërkesave, ndërsa Riza Demaj kishte detyrën e leximit të tekstit para masës. Ali Lajçit iu besua fjala publike. Ndërsa për përgatitjen dhe shkrimin e parullave punuam Hamdi Hajdini dhe unë. U përgatitën gjashtë parulla, të cilat i palosëm dhe i mbajtëm të fshehura në brez. Qëllimi ishte të mos na zbuloheshin para se demonstrata të merrte formë. Më 26 mars ato dolën mes studentëve. Dokumentacioni akademik konfirmon gjithashtu se paraprakisht ishin përgatitur pankarta dhe kërkesa dhe se më 26 Mars Riza Demaj lexoi kërkesat, ndërsa Ali Lajçi, Hamdi Hajdini dhe të tjerë iu drejtuan studentëve.

26 MARSI – NGA STUDENTËT TE “KOSOVA REPUBLIKË”

Më 26 Mars nuk bëhej më fjalë vetëm për cilësinë e ushqimit. Kërkesat prekën papunësinë, pozitën ekonomike të Kosovës, Trepçën, regjistrimin e popullsisë, çështjet identitare dhe statusin politik të Kosovës. Aty ishte bërë e qartë se protesta sociale po kthehej në lëvizje politike. Kosova Republikë nuk ishte më pëshpëritje. Po bëhej kërkesë publike.

ARRESTIMET – NGA GRUPET E PARA TE 21 TË DËNUARIT

Në kujtesën time të arrestimeve dhe proceseve të para, fillimisht u veçuam Ali Lajçi, Bajram Kosumi, Riza Demaj dhe unë – Sylë Mujaj. Më pas u përfshi edhe Hamdi Hajdini, pastaj grupet u zgjeruan – në nëntë, njëmbëdhjetë dhe në fund procesi u bashkua në akuzën e rëndë politike ndaj 21 studentëve. Për kronologjinë e saktë të secilit grupim të parë duhet të botojmë aktakuzën dhe vendimet, sepse këtu dokumenti ka përparësi ndaj kujtesës. Por rezultati përfundimtar është i dokumentuar: Gjykata Supreme e Kosovës dënoi 21 studentë me gjithsej 223 vjet burgim, sipas aktgjykimit AP-KZH nr. 437/81. Në atë listë figuron edhe Sylë Mujaj, me dënim 10-vjeçar. Ky është fakt që nuk mund të zhduket nga asnjë debat televiziv.

KUSH I ORGANIZOI DEMONSTRATAT?

Përgjigjja ime është: Nuk pati vetëm një dorë. 11 Marsi kishte disa bërthama e rrjedha studentore. Pas 11 Marsit organizimi u zgjerua. Në 25–26 Mars ekzistonte tashmë një bërthamë e qartë dhe e organizuar në Qendrën e Studentëve, në të cilën isha edhe unë. Më 1 dhe 2 prill, lëvizja doli përtej çdo grupi dhe u bë revoltë masive shqiptare. Prandaj askush nuk duhet të thotë: “Unë e bëra Pranverën 1981.” Jo. E bëmë ne studentët, të rinjtë, veprimtarët dhe populli që e mori kërkesën për liri dhe e çoi më tej.

LUSTRIMI – JO HAKMARRJE, POR E VËRTETË

Sot Kosovës i mungon ende një përballje e plotë me aparatin e represionit të asaj kohe. Por lustrimi nuk duhet të bëhet duke shpallur njerëz fajtorë në studio televizive. Duhet të fillojë me: hapjen e dosjeve, aktakuzave, procesverbaleve, urdhrave të policisë, raporteve të Sigurimit Shtetëror, vendimeve të prokurorëve dhe gjykatësve. Pastaj, emër për emër, dokument për dokument, të sqarohet kush torturoi, kush urdhëroi, kush shpifi dhe kush dënoi. Edhe gazetarëve të sotëm, përfshirë Ermal Pandurin dhe cilindo tjetër që hap këto tema, u them: pyetni fort, por hapeni dokumentin dhe dëgjojini të gjithë dëshmitarët. Gazetari nuk është gjykatës. Dëshmitari nuk është pronar i të gjithë historisë.

Dokumenti është ura ndërmjet kujtesës dhe së vërtetës historike. Unë jam ende këtu për të dëshmuar: Më 10 Mars ishim pjesë e lëvizjeve studentore. Më 11 Mars isha pjesëmarrës. Nga 11 deri më 26 Mars ishim në organizim të vazhdueshëm. Dhoma ime ishte 401. Nga 401 kaluam ilegalisht në 402. Aty përgatitëm 26 Marsin. Me Hamdi Hajdinin shkrova parullat. U arrestova. U gjykova. U dënova. Atëherë quhesha Sylë Mujaj. Sot jam Sak Muji. Emri ndryshoi. Dëshmia jo. Dhe Pranvera 1981 mbetet një nga themelet politike të rrugës që, pas shumë sakrificash të tjera, çoi Kosovën drejt çlirimit dhe lirisë.

GJASHTË PARULLAT E SHKRUARA NË DHOMËN 402

Një nga dëshmitë më konkrete të organizimit të 25–26 Marsit 1981 janë gjashtë parullat që, sipas kujtesës sime të drejtpërdrejtë, i shkruam në copa çarçafi, afërsisht në madhësinë e një të tretës së çarçafit.

Parullat ishin:

1. “REPUBLIKË – KUSHTETUTË, JA ME HATËR, JA ME LUFTË!”

2. “POSHTË BORGJEZIA!”

3. “TREPÇA PUNON – BEOGRADI NDËRTON!”

4. “UNITET!” 5. “TË LIROHEN SHOKËT NGA BURGU!”

6. “KUSH S’BASHKOHET ËSHTË TRADHTAR!”

Këto nuk ishin fjalë të shkruara rastësisht. Ato përmbledhnin frymën e revoltës së atëhershme: kërkesën për Republikë e Kushtetutë, kundërshtimin ndaj pabarazisë ekonomike, shfrytëzimit të Kosovës, kërkesën për unitet dhe lirimin e të burgosurve. Sipas dëshmisë sime, Hamdi Hajdini dhe unë, Sylë Mujaj – sot Sak Muji, i shkruam këto parulla, ndërsa organizimi i përgjithshëm bëhej në koordinim me shokët në dhomën 402. Parullat u palosën, u fshehën në brez dhe më 26 Mars u nxorën e u shpërndanë në momentin e caktuar mes studentëve. Kjo është një pjesë e historisë që duhet të ruhet me formulimin e saj të saktë, sepse parullat janë dokument politik i vetë kohës. Dhe pikërisht këtu shihet qartë se 26 Marsi nuk ishte vetëm reagim spontan: kishte përgatitje, kishte tekst, kishte detyra dhe kishte mesazh politik të formuluar paraprakisht.

HAPNI DOSJET! LE TË FLASË E VËRTETA! KOSOVA REPUBLIKË!

Sak Muji – ish Sylë Mujaj

Pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të Marsit 1981

I burgosur politik 1981–1990

Për portalin DRINI

EPILOG

45 vjet më vonë: pse ngatërrohet ende Pranvera 1981? Pas 45 vjetësh, një pyetje vazhdon të më shqetësojë: Pse disa debate televizive vazhdojnë t’i ngatërrojnë faktet, kur ne – pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë të Pranverës së Madhe 1981 – jemi ende gjallë, kemi kujtesën, aktakuzat, aktgjykimet dhe dëshmitë tona? Kur gazetari Ermal Panduri ose kushdo tjetër hap këtë temë, unë nuk kërkoj që të marrë anën time. Kërkoj vetëm një gjë: të dallojë mes dëshmisë, interpretimit dhe faktit të dokumentuar. Nëse dikush thotë se një person apo një grup “i organizoi të gjitha”, le ta sjellë dokumentin. Nëse dikush thotë se një dëshmitar “ishte kundër” apo “ishte për”, le ta tregojë rolin konkret, datën, procesverbalin, aktgjykimin. Nëse dikush e mohon dëshminë tonë, le të na ftojë përballë dokumenteve. Unë jam gati. Jo me thashetheme. Jo me nostalgji. Jo me propagandë. Me dëshmi dhe fakte. Unë, Sak Muji – ish Sylë Mujaj, jam në gjendje të dal në çdo studio televizive, në Kosovë apo Shqipëri, dhe të flas për 10, 11, 25 dhe 26 Marsin 1981, për dhomën 401, për kalimin në 402, për përgatitjen e parullave, për arrestimet, aktakuzat dhe dënimet. Dhe jo vetëm unë. Janë gjallë edhe njerëz të tjerë që ishin pjesë e asaj kohe. Prandaj është e papranueshme që historia e Pranverës 1981 të reduktohet në versionin e një individi, të një partie apo të një studioje televizive.

Sa i përket emrave si Abdullah Prapashtica, Azem Vllasi, Veton Surroi apo kujtdo tjetër që sot jep interpretimin e vet për atë periudhë, unë them vetëm këtë: çdo njeri ka të drejtë të flasë, por askush nuk ka të drejtë ta zëvendësojë dokumentin me kujtesën e vet. Për rolin e secilit duhet të flasin arkivat, procesverbalet, vendimet e institucioneve të asaj kohe dhe dëshmitë e drejtpërdrejta. Unë nuk dua t’i shpall askujt faj pa prova.

Por as nuk pranoj që ata që ishin pjesë e sistemit politik, administrativ apo ideologjik të Jugosllavisë së atëhershme, sot të na tregojnë neve – të burgosurve dhe të dënuarve – çfarë kemi përjetuar, pa u ballafaquar me dokumentet. Kush qëndron pas dezinformatave? Këtë pyetje nuk mund ta përgjigjem me hamendje. Nuk dua të bëj atë që kritikoj.

Prandaj them: Hapni dosjet.

Atëherë do të shihet:

* kush raportonte;

* kush arrestonte;

* kush merrte në pyetje;

* kush torturonte;

* kush formulonte aktakuzat;

* kush dëshmonte;

* kush vuloste dënimet;

* dhe kush sot e ndryshon rrëfimin.

Pa këtë hapje, çdo akuzë për “kush qëndron prapa” mbetet vetëm dyshim. Pranvera 1981 nuk është pronë e askujt Ajo ishte ngritje studentore, politike dhe kombëtare. Ne investuam rininë tonë. Disa investuan vitet e burgut. Disa shëndetin. Disa jetën. Dhe brezat pas nesh e çuan atë frymë deri te lufta çlirimtare dhe shteti i Kosovës. Prandaj sot, në dy shtetet shqiptare dhe në trojet shqiptare jashtë tyre, kemi detyrë ta ruajmë këtë histori pa shtrembërime. Jo për hakmarrje. Për drejtësi historike. Jo për përçarje. Për lustrim institucional. Jo për të shpallur fajtorë në televizion. Por për ta bërë të qartë se kush çfarë bëri dhe çfarë përgjegjësie kishte.

Ftesa ime publike

Unë jam i gatshëm të dal përballë kujtdo në studio televizive. Me aktakuzat. Me aktgjykimet. Me emrat. Me datat. Me dëshminë time personale. Le të ftohen edhe dëshmitarët e tjerë. Le të vendosen dokumentet mbi tavolinë. Dhe le të vendosë publiku mbi bazën e fakteve.

Sepse 45 vjet pas Pranverës 1981, ne nuk kemi më nevojë për mite të reja. Kemi nevojë për të vërtetën.

E VËRTETA – DOKUMENTI – LUSTRIMI – DREJTËSIA.

(1) Facebook

(1) Facebook

(1) Facebook

(1) Facebook

(1) Facebook

(1) Facebook

(1) Facebook

(1) Facebook

(1) Facebook

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu